Aktualitet

Merren në mbrojtje ligjore disa raca të pëllumbave autokton të Kosovës

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve për mbrojtjen e natyrës, me iniciativën e Institutit për Mbrojtjen e Natyrës, Ministri i MMPHI, Liburn Aliu, përmes vendimeve të ndara ka marrë në mbrojtje disa raca autoktone të pëllumbave të Kosovës.

Me miratimin e këtyre vendimeve llojet autoktone të pëllumbave: Pëllumbi i Pejës, Kryemusmi i Gjakovës, Gjylia e Prizrenit, Piklani i Pejës, Akrobatiku-Dyneku i Kosovës, dhe Kuti i Drenicës i janë shtuar Regjistrit të vlerave të mbrojtura të natyrës që mirëmbahet nga Institutit i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës.

Qëllimi kryesor i nxjerrjes së këtyre vendimeve thuhet se është mbrojtja e këtyre llojeve sipas ligjit dhe përcaktimi i kushteve të mbajtjes. Gjithashtu përmes këtyre vendimeve synohet që të këto lloje të mbrohen nga rreziku për përzierje gjenetike me racat e huaja dhe nga rreziku për nxjerrje jashtë vendit e këtyre racave me qëllim të kryqëzimit me racat e tjera.

Vendimet përmbajnë edhe arsyeshmërine profesionale për marrjen në mbrojtje të këtyre llojeve si dhe përshkrimin e karakteristikave themelore të tyre, të cilat janë hartuar nga një grup punues ndërinstitucional i udhëhequr nga Instituti për Mbrojtjen e Natyrës, e ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Departamenti i Mjedisit dhe i Ujërave dhe Departamenti Ligjor i MMPHI, përfaqësues nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës së UP “Hasan Prishtina”, përfaqësues nga Komisioni për Standardizimin e Racave të Pëllumbave Autokton të Kosovës dhe përfaqësues nga Asociacioni Kombëtarë i Kultivuesve të Kafshëve të Imëta.

Vënia nën mbrojtje institucionale e këtyre racave autoktone të pëllumbave thuhet se është e një rëndësie të veçantë edhe per faktin se këto raca tani do të prezantohen ndërkombëtarisht si raca autoktone të Republikës së Kosovës, lloje vendore të zbutura, përmes së cilave do të paraqitet edhe begatia e vlerave të biodiversitetit të vendit.

Aktualitet

53 të vdekur pas përmbysjes së një varke me emigrantë pranë Libisë

Published

on

By

Një varkë gome që transportonte 55 pasagjerë, përfshirë dy foshnja, është përmbysur jashtë bregdetit të Libisë, thotë agjencia e OKB-së për migracionin. Të mbijetuarat e vetme, dy gra nigeriane, u shpëtuan nga autoritetet libiane të premten, njoftoi të hënën Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM). Varka po transportonte emigrantë dhe refugjatë nga vende të ndryshme afrikane, tha ajo për BBC.

Varka u mbyt pasi u mbush me ujë përafërsisht gjashtë orë pas nisjes nga qyteti bregdetar i al-Zawiya në Libinë veri-perëndimore. IOM thotë se pothuajse 500 emigrantë janë raportuar të vdekur ose të zhdukur duke u përpjekur të kalojnë Detin Mesdhe nga Libia deri më tani në vitin 2026.

Libia është bërë një pikë nisjeje për emigrantët nga Afrika nën-Sahariane që kërkojnë të arrijnë në Evropë që kur udhëheqësi i kahershëm Muammar Gaddafi u vra në vitin 2011. Të mbijetuarat i thanë IOM-it se gomonia ishte nisur rreth orës 23:00 me orën lokale nga al-Zawiya, në perëndim të Tripolit. Ajo u përmbys disa orë më vonë në orët e para të mëngjesit të së premtes në veri të Zuwaras.

Nuk është menjëherë e qartë pse ka kërkuar kaq shumë kohë që lajmi të dalë në dritë. Njëra nga dy të mbijetuarat tha se kishte humbur bashkëshortin e saj, ndërsa tjetra raportoi se dy foshnjat e saj kishin vdekur, tha agjencia. Ekipet e IOM-it u ofruan të dyja grave kujdes mjekësor urgjent.

IOM thotë se të paktën 375 emigrantë u raportuan të vdekur ose të zhdukur vetëm in janar pas një serie mbytjesh “të padukshme” në Mesdheun qendror gjatë periudhave të motit ekstrem dimëror. Dyshohet se shifra e vërtetë është më e lartë. Pavarësisht tragjedive të përsëritura, emigrantët vazhdojnë të tentojnë kalimin.

Kushtet për emigrantët brenda Libisë janë gjerësisht të dokumentuara si të tmerrshme. Zyrtarët e OKB-së për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar për tortura, trafikim, punë të detyruar, zhvatje dhe abuzime të tjera të kryera nga aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë, përfshirë grupet e milicisë.

IOM thotë se trafikantët dhe rrjetet e kontrabandës përfitojnë duke i detyruar njerëzit në mjete lundrimi të mbingarkuara dhe të pasigurta për lundrim, duke kontribuar në rritjen e numrit të vdekjeve. Agjencia ka bërë thirrje për bashkëpunim më të fortë ndërkombëtar për të çmontuar rrjetet e kontrabandës dhe trafikimit, së bashku me krijimin e rrugëve të sigurta dhe ligjore të migrimit për të reduktuar vdekjet në det.

Shumë mjete lundrimi që mbyten nuk raportohen kurrë nga kontrabandistët e njerëzve që i operojnë ato. Ata që vdesin thjesht zhduken, duke i lënë familjet e tyre pa e marrë vesh kurrë se çfarë ka ndodhur me ta.

Disa vende, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Spanjën, Norvegjinë dhe Sierra Leone-n, i kanë bërë thirrje Libisë të mbyllë qendrat e ndalimit ku grupet e të drejtave të njeriut thonë se emigrantët janë torturuar, abuzuar ose vrarë. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

REL: BE-ja thotë se me arrestimin e shtetasve të Kosovës, Serbia po shkel marrëveshjen e vitit 2015

Published

on

By

Bashkimi Evropian tha se arrestimi i fundit nga Serbia i një veterani të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është “një shkelje tjetër” e obligimeve të Serbisë të Marrëveshjes për dialogun dhe drejtësinë të vitit 2015.

“Sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia është zotuar që të mos iniciojë hetime penale apo ndjeje penale për krimet që pretendohet se janë kryer në Kosovë, përveç nëse një gjë e tillë kërkohet nga autoritetet e Kosovës. Juridiksioni mbi pretendimet për krime të luftës dhe vepra të tjera serioze bie mbi institucionet e Kosovës. I bëjmë thirrje Serbisë që të respektojë zotimet e saj”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Më 5 shkurt, autoritetet e Serbisë arrestuan Mitehat Llozhanin me të hyrë në terrorin serb nga kufiri me Kroacinë. Ai, sipas autoriteteve, në Beograd dyshohet për krime kundër popullatës civile.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me këtë rast.

Sipas Serbisë, i arrestuari dyshohet se ka kryer trajnime si pjesëtar i UÇK-së i Zonës Operative të Dukagjinit më 1998 dhe 1999 “pas së cilave ka marrë pjesë në sulme terroriste kundër anëtarëve të MPB-së serbe dhe ushtrisë jugosllave”. Në njoftim thuhet po ashtu se “si anëtar i grupit të komanduar nga Ramush Haradinaj, ai ka marrë pjesë në rrëmbim dhe masakrim të policëve”.

Por, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se i arrestuari ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri, por nuk ka informacione të ketë qenë në vijat e frontit në Kosovë.

Nënkryetari i kësaj organizate të veteranëve, Gazmend Syla, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Llozhanit iu gjet kartela e veteranit në xhep gjatë kontrollit nga autoritetet serbe.

Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99, dhe vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla.

Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave.

Rastet e të arrestuarve në Serbi, sipas burimeve në MPJD

Arbnor Spahiu – i arrestuar në qershor nën dyshimet për “vrasje të rëndë” në Banjskë; u lirua më 21 nëntor.

Lulzim Halili – i arrestuar në korrik, i akuzuar për “krime lufte”; mbetet në paraburgim.

Sasha Gjorgjeviq – i arrestaur në korrik, nën dyshimet për “bashkëpunim me Shërbimin Informativ të Shtetit të Shqipërisë (SHISH), përmes Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI)”; mbetet në paraburgim.

Behar Preniqi – i arrestuar në gusht, si “pjesëtar i dyshuar i UÇK-së”; mbetet në paraburgim.

Hazir Haziri – i arrestuar në shtator nën dyshimet për “krime lufte”; u lirua në janar 2026.

Avni Qenaj – i arrestuar në nëntor për “krime lufte”; gjykata në Beograd i dha një muaj paraburgim.

Millan Vukashinoviq dyshohet se është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe në Leposaviq – pjesa veriore e Kosovës – më 1 nëntor.

Më 14 gusht, autoritetet serbe njoftuan se i ndaluan edhe dy persona me inicialet X.E. dhe B.E. (Xhemajl dhe Bashkim Emini) në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se si pjesëtarë të UÇK-së, “kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile”. Pesë ditë më pas, ata u liruan. /REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

PDK: Qëndrimet e Prokurorisë në Hagë i shërbejnë narrativës së rreme serbe

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj qëndrimeve të Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë, duke i cilësuar ato si devijim nga e vërteta dhe drejtësia, dhe si shërbim ndaj narrativës serbe për luftën në Kosovë.

PDK vlerëson se që nga dita e parë e fazës përmbyllëse të gjykimit është bërë e qartë se procesi nuk po zhvillohet si një procedurë e zakonshme gjyqësore, por si përpjekje për deformim të së vërtetës historike.

“Kjo gjykatë ka devijuar nga misioni i saj themelor për të sjellë drejtësi dhe po tenton të ndërtojë një narrativë të rreme, ku lufta çlirimtare e popullit të Kosovës paraqitet si projekt kriminal”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Sipas kësaj partie, faktet historike dhe mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë kanë dëshmuar se Serbia ishte agresore, ndërsa populli i Kosovës viktimë e krimeve të rënda, përfshirë spastrimin etnik dhe gjenocidin.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një organizim popullor, i lindur nga nevoja për rezistencë përballë një regjimi shtypës dhe gjenocidal”, thekson PDK.

PDK vlerëson se ish-krerët e UÇK-së nuk po gjykohen si individë të shkëputur nga konteksti historik, por si simbole të rezistencës dhe shtetformimit të Kosovës, ndërsa kërkesat për dënime i cilëson si politike dhe selektive.

“Hashim Thaqi, Kadri Vesli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk po gjykohen si individ të shkëputur nga konteksti historik, por si simbole të rezistencës, të çlirimit dhe të shtetformimit të Kosovës. Kjo qasje synon barazimin e viktimës me agresorin dhe kriminalizimin e luftës për liri”, thuhet në deklaratë”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Në fund, PDK-ja rikonfirmon qëndrimin e saj për legjitimitetin e luftës së UÇK-së dhe pafajësinë e ish-krerëve të saj, duke kundërshtuar çdo përpjekje për rishkrim të historisë.

“Liria nuk është krim dhe historia nuk mund të rishkruhet”, përfundon reagimi.

 

 

Continue Reading

Lajmet

VV: Kërkesa për dënime ndaj ish-krerëve të UÇK-së synon përmbysjen e së vërtetës historike

Published

on

By

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënime ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si një ndërhyrje politike dhe jo si kërkim të drejtësisë.

Sipas VV-së, “kërkesa e prokurorisë për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk është një akt për kërkim drejtësie, por një politikë që synon ta përmbysë rendin e së vërtetës”.

E vërteta sipas LVV-së është se “Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit ka kryer gjenocid në Kosovë. UÇK ka luftuar kundër planeve dhe veprimeve gjenocidale duke mbrojtur popullin me gjithë forcën në dispozicion.

Në reagim thuhet se procesi gjyqësor po e zhvendos vëmendjen nga agresori te viktima, duke kriminalizuar rezistencën çlirimtare.

“Këtu nuk po gjykohen individë të shkëputur nga konteksti, por po tentohet të gjykohet vetë akti i çlirimit”, thuhet në deklaratë.

VV-ja thekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur kurrë plane për krime kundër njerëzimit, duke argumentuar se “krimet kundër njerëzimit kërkojnë aparat shtetëror dhe mekanizma sistematikë dhune, të cilat UÇK-ja kurrë nuk i ka pasur”.

“Kjo gjykatë nuk erdhi nga një nevojë e brendshme për drejtësi, por nga një projekt ndërkombëtar i ndërtuar mbi raporte politike, presione diplomatike dhe interesa gjeopolitike, ku Rusia, Serbia dhe aleatët e saj kanë pasur rol aktiv. Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar këtë proces që nga fillimi e madje edhe para fillimit, sepse drejtësia nuk mund të jetë selektive, njëetnike dhe e ndërtuar mbi shtrembërimin e historisë. Një drejtësi e tillë nuk shëron plagë, por i thellon ato”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Më tej, në reagim thuhet se Serbia ishte pushtuesja dhe ushtruesja e dhunës shtetërore, ndërsa populli shqiptar viktimë e saj.

Në fund, Lëvizja Vetëvendosje rithekson qëndrimin e saj se “çlirimi nuk është krim, rezistenca nuk është ndërmarrje kriminale dhe historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet nga aktakuza që i shërbejnë narrativës së agresorit”.

Continue Reading

Të kërkuara