Lajmet

Rektori Hajrizi: UBT po ndërton infrastrukturën shkencore dhe mjekësore për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Published

on

Gjatë punimeve të Konferencës së Dytë Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (ICSM 2026), Presidenti dhe Themeluesi i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka bërë të ditur se ky institucion po punon intensivisht për krijimin e kapaciteteve të qëndrueshme shkencore dhe mjekësore në shërbim të ngjarjes më të madhe sportive në historinë e vendit – Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Sipas Rektorit Hajrizi, mjekësia sportive moderne tashmë e ka kaluar kornizën e thjeshtë të trajtimit të lëndimeve, duke u shndërruar në një fushë ndërdisiplinore ku bashkohen inteligjenca artificiale, pajisjet inteligjente të bartshme (wearables), diagnostikimi i avancuar dhe shëndeti funksional.

“Ne po shikojmë drejt Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ si një mundësi të madhe për të ndihmuar në zhvillimin e kapaciteteve të qëndrueshme në mjekësinë sportive, arsim, parandalim dhe rehabilitim. Synimi ynë nuk është thjesht të mbështesim një ngjarje sportive, por të forcojmë infrastrukturën shëndetësore dhe shkencore që do të mbetet trashëgimi afatgjatë për vendin pas tyre”, u shpreh Hajrizi.

 

Ai theksoi se vizioni i UBT-së është ndërtimi i një ekosistemi të integruar, ku arsimi, kërkimi shkencor dhe teknologjia vendosen plotësisht në shërbim të shëndetit publik dhe performancës sportive. Në këtë kuadër, koncepti “UBT Smart City” shërben si një hapësirë kërkimore praktike për zbatimin e inteligjencës artificiale, modelimit digjital dhe teknologjive më të avancuara interaktive në arsim.

“Në UBT, ne besojmë fuqimisht se e ardhmja e kujdesit shëndetësor dhe e mjekësisë sportive do të varet pikërisht nga ky integrim. Teknologjia nuk duhet të jetë qëllim në vete, por një mjet efektiv që na ndihmon të mbrojmë shëndetin, të parandalojmë dëmtimet dhe të përmirësojmë cilësinë e jetës së sportistëve dhe të gjithë komunitetit”, tha mes tjerash Rektori Hajrizi.

Përmes këtij angazhimi dhe akreditimit të fundit nga Federata Ndërkombëtare e Mjekësisë Sportive (FIMS), UBT po konfirmohet si shtylla kryesore akademike dhe shkencore që do të mbështesë përgatitjet teknike e mjekësore për Lojërat Mesdhetare 2030.

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon ambasadoren zvicerane, diskutojnë thellimin e bashkëpunimit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka vlerësuar raportet e mira ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e cilësuar këtë shtet si një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës në aspektin politik, ekonomik dhe zhvillimor.

Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen shumëvjeçare të Zvicrës në procesin e shtetndërtimit dhe në rrugëtimin evropian të Kosovës.

Presidentja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në takim është diskutuar edhe për kontributin e Forcave të Armatosura të Zvicrës përmes kontingjentit Swisscoy, pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it që nga viti 1999.

Shiroka Pula ka theksuar se bashkëpunimi me Zvicrën do të vazhdojë të thellohet dhe se ky shtet do të mbetet një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj një personi për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan më 29 maj 2023

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për sulm ndaj personave zyrtarë dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, gjatë trazirave të 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka marrë pjesë në sulmet pranë objektit të Komunës së Zveçanit, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes.

Në aktakuzë thuhet se A.S., në bashkëkryerje me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Si pasojë e sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Gjatë trazirave, sipas Prokurorisë, janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se po vazhdon të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve më 29 maj 2023./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon shefin e EULEX-it, diskutojnë sundimin e ligjit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për forcimin e rendit dhe ligjit, funksionimin e institucioneve dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

Ajo ka riafirmuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit, pavarësinë dhe profesionalizmin e institucioneve të drejtësisë, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara