Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, priti sot në takim komandantin e Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë, gjeneral Christopher Cavoli. Me këtë rast, gjeneral Cavoli, duke uruar ministrin Mehaj për detyrën e ministrit të mbrojtjes, premtoi se SHBA, sikur deri më tash do të vazhdoj mbështetjen e plotë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-në në procesin e zhvillimit dhe të tranzicionit në përputhje me objektivat strategjik.
Nga ana e tij, ministri Mehaj e falënderoi gjeneral Cavolin dhe shprehu mirënjohjen e thellë për SHBA-në dhe rolin e pazëvendësueshëm për vendin tonë si dhe në të arriturat e gjithmbarshme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Ministri Mehaj, në vazhdim, theksoi se mbështetja e deritashme nga SHBA ka qenë jetike në realizimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-së duke shprehur mirënjohjen e thellë për mundësinë historike të pjesëmarrjes së trupave të FSK-së në operacione jashtë vendit krahë forcave amerikane.
Gjithashtu, ministri Mehaj shprehu nderin dhe respektin e madh për përfshirjen e Kosovës në mesin e vendeve pritëse gjatë stërvitjes “Defender-Europe 21” si dhe pjesëmarrjes së trupave të FSK-së në këtë stërvitje kaq të rëndësishme për vendin dhe forcat tona.
Me gjeneral Cavolin, takim të ndarë, zhvilloi edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, i cili falënderoi qeverinë dhe forcat amerikane për përkrahjen e vazhdueshme për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së.
Nga ana e tij, gjeneral Cavoli shprehu vlerësimin e tij për të arriturat e deritashme të FSK-së si dhe shkallën e implementimit të Planit të Tranzicionit drejt ngritjes të mëtejme profesionale dhe të ndërveprueshme me forcat partnere. Ai, gjithashtu çmoi pjesëmarrjen e FSK-së me kapacitete e saj në stërvitjen “Defender-Europe 21”./UBTNews
FIFA po shqyrton një ndryshim të madh në rregullat e futbollit, duke propozuar një pushim të detyrueshëm prej 72 orësh mes ndeshjeve, për të mbrojtur mirëqenien e futbollistëve.
Ky propozim synon të shmangë situata ku ekipet luajnë disa ndeshje brenda pak ditësh, siç ndodh shpesh në Premier League, veçanërisht në periudhat para Krishtlindjeve.
Një shembull është Crystal Palace, që këtë sezon do të ketë tre ndeshje në gjashtë ditë, ndërsa Arsenali do të luajë dy herë brenda tre ditësh, gjë që do të ndalohej me rregullin e ri.
Megjithatë, një pushim i tillë 72-orësh do të krijonte vështirësi në oraret e ngjeshura të garave si Europa League dhe Conference League. FIFA theksoi se çdo vendim do të merret vetëm pas dakordimit me palët përkatëse dhe nuk do të hyjë në fuqi para vitit 2031, kur pritet kalendari i ri ndërkombëtar i ndeshjeve.
Propozimi është pjesë e një diskutimi më të gjerë për ngarkesën fizike të lojtarëve, që ka shkaktuar kritika të shumta nga trajnerë si Jurgen Klopp dhe Carlo Ancelotti.
Në të njëjtën kohë, FIFA po krijon edhe një fond prej 20 milionë dollarësh për të ndihmuar futbollistët që nuk kanë marrë pagat e tyre të plota nga klubet në vështirësi financiare./S.K/KP/
Skuadra italiane Juventus ka bërë sot një postim interesant në rrjetet sociale duke e shoqëruar me një foto ku shfaqen legjenda e klubit, Pavel Nedved, dhe reprezentuesi kosovar Edon Zhegrova.
Në mbishkrimin e fotos, Juventusi shkroi:
“Sot është data 11/11. Një numër me storien e tij”, duke nënvizuar simbolikën e numrit 11 që mbanin të dy futbollistët në fanellë.
Ky postim ka tërhequr vëmendje të madhe nga tifozët, pasi klubi italian vendosi përkrah njëri-tjetrit Nedvedin, një nga figurat më të mëdha në historinë e Juventusit, dhe Zhegrovën, yllin e Kosovës që aktualisht ndodhet në Kosovë duke u përgatitur me dardanët për ndeshjet kundër Sllovenisë dhe Zvicrës./S.K/KP/
Një tjetër përplasje është shënuar mes Barcelonës dhe Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) pas tërheqjes së Lamine Yamal nga grumbullimi i kombëtares.
Sipas gazetarit César Suárez, lojtari i Barcelonës iu nënshtrua një procedure mjekësore me radiofrekuencë për të trajtuar një shqetësim pubik, pa u njoftuar paraprakisht stafi mjekësor i RFEF-së.
Procedura kërkon një periudhë pushimi prej 7 deri në 10 ditësh, çka e detyroi 17-vjeçarin të largohej nga kampi stërvitor në Las Rozas.
Federata reagoi me një deklaratë zyrtare duke shprehur habinë dhe shqetësimin për mungesën e komunikimit nga Barcelona dhe njoftoi se lojtari nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjet kundër Gjeorgjisë dhe Turqisë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Ky rast ka ngritur tensione të reja midis klubit katalanas dhe përfaqësueses spanjolle, me RFEF që e cilëson situatën si “shkelje të besimit” në marrëdhëniet mes dy palëve./S.K/KP/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka filluar tërheqja e pakove të supozuara me fletëvotime që i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave të vendit.
Tërheqja e pakove me fletëvotimve do të bëhet nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme, të cilat pasi të arrijnë në Kosovë do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit dhe numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
“Gjatë procesit të regjistrimit, numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave është: 29,725”, tha KQZ./EO