Lajmet

Takim lamtumirës për Mehajn, Kurti: Me insistimin e tij pagat në FSK u rritën për 30%

Kurti vlerësoi lartë punën e ministrit Mehaj.

Published

on

Kryeministri Albin Kurti mbrëmjen e së hënës në “Ballkonin e Hapur”, ka organizuar pritjen lamtumirëse për ish-ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, në të cilën ishin të pranishëm anëtarë të kabinetit qeverisës, diplomatë të shumtë, përfaqësues të lartë të KFOR-it, udhëheqës të ndryshëm të institucioneve vendore e ndërkombëtare, deputetë të Kuvendit të Republikës e bashkëpunëtorë të afërt.

Në këtë pritje, Kurti përmes një fjale rasti vlerësoi se prej se u themelua ajo, Armend Mehaj është më punëtori, më i përkushtuari dhe më i suksesshmi në krye të Ministrisë të cilën e udhëhoqi, thuhet në komunikatën për media.

“Gjatë 29 muajve sa ishte në detyrë ish ministri Mehaj, pothuajse është dyfishuar numri i ushtarëve, duke iu shtuar radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës 2,240 të rinj e të reja. Blerja e armatimit është rritur për 191%, do me thënë gati trefish më shumë sesa kur e ka marrë detyrën”, tha kryeministri derisa shtoi se “buxheti për ushtrinë sot është mbi dy herë më i madh sesa para dy vjetëve, duke shënuar rritje nga 67 milionë euro sa ishte në vitin 2021, në 141 milionë euro sa e kemi sot”.

Sipas tij, “me insistimin e Armendit, ushtarët e thjeshtë dhe oficerët e rinj të FSK-së, tashmë gëzojnë një rrogë dinjitoze, mbi 30% më të lartë se pagat e tyre paraprake. Ditët e fundjavës si ministër, Armendi i shfrytëzonte jo për të pushuar pas një jave të mbushur me punë dhe aktivitete, por për të vizituar dhe falënderuar familjet e dëshmorëve, të cilët kanë bërë sakrificën më të madhe të mundshme, duke dhënë bijat dhe bijtë e tyre, që ne të jetojmë në liri në Kosovën e pavarur”.

Duke e vlerësuar për punën e tij si ministër, Kurti tha se ish-ministri Mehaj ka bashkëpunuar me kolegët e tij të kabinetit qeveritar, bashkëpunim ndërministror i cili sipas kryeministrit ka dhënë fryt në disa drejtime të rëndësishme.

“Arritjet e ish ministrit Mehaj janë dëshmuar edhe në bashkëpunimin e tij të dendur dhe të ngushtë me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë. Nën udhëheqjen e tij, Ministria e Mbrojtjes dhe e FSK-së e ka rritur dukshëm profilin ushtarak të Republikës në rang botëror, duke realizuar misionin e parë paqeruajtës në Kuvajt dhe misionin ndërkombëtar në Ishujt Falkland. Dhe, pas tërmetit shkatërrues në Turqi, në shkurtin e këtij viti, ekipi i FSK-së nisi menjëherë në një mision të kërkim-shpëtimit. E gjatë këtij misioni, ushtarët tanë arritën të shpëtojnë disa jetë njerëzish, duke përfshirë aty edhe dy fëmijë”, tha Kurti.

Më tej, Kurti tha se “suksesi i ish-ministrit Mehaj në arenën ndërkombëtare është shfaqur edhe në përpjekjet e tij për ta avancuar Kosovën në rrugëtimin e saj drejt NATO-s. Ai e ka kuptuar thellë, se NATO-ja ka qenë jo vetëm kontribuese në çlirimin dhe sigurimin e Kosovës, por është edhe destinacioni ynë”.

Kryeministri gjithashtu veçoi se ditët e fundjavës si ministër, Armendi i shfrytëzonte jo për të pushuar pas një jave të mbushur me punë dhe aktivitete, por për të vizituar dhe falënderuar familjet e dëshmorëve, të cilët kanë bërë sakrificën më të madhe të mundshme, duke dhënë bijat dhe bijtë e tyre, që ne të jetojmë në liri në Kosovën e pavarur.

Në fund të fjalës së tij Kryeministri Kurti e ka falënderuar ish ministrin Mehaj me fjalët “Armend, në emrin tim, dhe në emrin e të gjithë Qeverisë, të faleminderit përzemërsisht për punën dhe shërbimin tënd gjatë këtyre dy vjet e pesë muajve të fundit. Faleminderit që, edhe pse fizikisht larg Kosovës, kurrë s’ke qenë larg me mendje e me zemër. Dhe kurrë se ke harruar se sa shumë i kemi borxh atdheut tonë, Republikës së dashur të Kosovës. Faleminderit”.

Ndërkaq, ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit tha se i beson motos e cila thuhet në ushtri ‘Krah për krah’, “nëse ecim krah për krah atëherë i arrijmë edhe qëllimet e përbashkëta”.

Pasi falënderoi kryeministrin për fjalët dhe besimin e dhënë ai tha se ka bërë vetëm punën e tij pasi siç tha ai “këtë ia kemi borxh atdheut dhe çdo dëshmori të kombit”. Më tej ish ministri Mehaj tha se qëllimi i përbashkët i të gjithëve është integrimi i Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Lajmet

Justina Shiroka-Pula merr zyrtarisht detyrën e presidentes

Published

on

Justina Shiroka-Pula ka marrë zyrtarisht detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës.

Në ceremoninë e inaugurimit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ia ka dorëzuar Kushtetutën presidentes së re.

Justina Shiroka-Pula mori 81 vota në Kuvend, në votimin që u zhvillua në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës, në fund të afatit kushtetues që e caktoi 6 tetorin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit. Detyrën e siguroi pas dakordimit të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja shqetësohet për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Published

on

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për miratimin nga Kuvendi i Kosovës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në një përgjigje për KOHËN, një zëdhënës i BE-së ka thënë se ndryshimet e miratuara janë në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

“Partneriteti ynë nënkupton jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkëta”, thuhet në përgjigje.

BE-ja ka theksuar se vazhdimisht ka mbështetur punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion të pavarur gjyqësor, të themeluar përmes vendimeve të Kuvendit në vitet 2014–2015 dhe të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës.

Sipas BE-së, mandati dhe pavarësia e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen plotësisht, ndërsa drejtësia duhet të vazhdojë të bazohet në parimin e përgjegjësisë penale individuale.

BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe llogaridhënien dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Projektligji u miratua në Kuvend të martën, pak para përfundimit të afatit për zgjedhjen e Presidentit, pas një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Miratimi i tij u shoqërua me protesta në Kosovë, ndërsa kundërshtimi ndaj Dhomave të Specializuara është rritur pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Schuebel uron presidenten e re, mbështetja e BE-së do të mbetet e palëkundur

Published

on

By

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Schuebel ka shprehur shpresën për rikthimin e stabilitetit politik dhe institucional në vend, duke theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e re, institucionet e Kosovës dhe spektrin politik.

“Me shpresën për ripërtëritjen e stabilitetit politik dhe institucional, pres me kënaqësi të punoj me Presidenten Shiroka-Pula, institucionet e Kosovës dhe spektrin e gjerë politik për ta afruar vendin më pranë Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Schuebel.

Ai ka theksuar gjithashtu se mbështetja e Bashkimit Evropian për Kosovën do të vazhdojë të jetë e palëkundur.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Kosovës në raundin e parë të votimit, duke marrë 81 vota në seancën e Kuvendit që kishte nisur më 6 tetor. Votimi përfundoi pak pas mesnate, ndërsa numërimi i votave përfundoi rreth 15 minuta më vonë.

Me zgjedhjen e Shiroka-Pulës, Kosova tashmë ka presidenten e re, ndërsa mesazhi i BE-së vjen me theks të veçantë te stabiliteti institucional dhe vazhdimi i rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.

D.L

Continue Reading

Lajmet

15 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet në nevojë

Published

on

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka bërë të ditur se janë ndarë 15 milionë euro për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike, përmes Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027.

Hoti ka njoftuar se programi është miratuar në mbledhjen e pestë të Qeverisë dhe synon subvencionimin e faturave për familjet që plotësojnë kriteret për përfitim.

Ai ka thënë se në ditët në vijim do të nënshkruajë vendimin që përcakton kushtet dhe kriteret për përfituesit, pas së cilës pritet të hapet thirrja për aplikim.

Sipas Hotit, programi lidhet edhe me obligimet e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për identifikimin dhe mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm.

“15 milionë euro mbështetje. Drejtpërdrejt në faturat e familjeve”, ka shkruar Hoti./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara