Kulturë

Mbi 400 milionë kopje të shitura, çfarë e bën ende kaq të suksesshëm Leon Tolstoin?

Romanet e tij “Lufta dhe Paqja” dhe “Ana Karenina” i mahnitën lexuesit kur u botuan për herë të parë.

Published

on

Sa herë që mendoni mbi veprat e mëdha të letërsisë ruse, ka shumë mundësi që mendja t’iu shkojë menjëherë te shkrimtari Leon Tolstoi. Romanet e tij “Lufta dhe Paqja” dhe “Ana Karenina” i mahnitën lexuesit kur u botuan për herë të parë, dhe më shumë se një shekull më vonë, konsiderohen ende si ndër veprat më të mira letrare të shkruara ndonjëherë. Por shitjet e librave janë vetëm një pjesë e historisë. Ja çfarë duhet të dini më shumë për jetën dhe karrierën e Leon Tolstoit.

Nuk e donte romanin “Lufta dhe Paqja”

Shkrimi i kësaj vepre voluminoze, ishte një proces rraskapitës për Tolstoin. Ai e rishikoi vazhdimisht veprën, dhe vetëm për pjesën e parë realizoi 15 drafte dhe shpenzoi gati 1 vit për ta shkruar siç duhet. Por në fund, u shpërblye e gjithë puna e tij e palodhur.

“Lufta dhe Paqja” është padyshim vepra e tij më e famshme, dhe një nga romanet më të famshme që është shkruar ndonjëherë. Por pavarësisht se shpenzoi kaq shumë kohë me të (ose ndoshta për shkak të këtij fakti), Tolstoi u bë përçmues ndaj romanit.

Në një letër drejtuar një miku të tij, ai shprehej se historia ishte e zmadhuar më shumë seç duhej. Ndërkohë në ditarin e tij, shkroi: “Njerëzit më duan për vogëlsirat që kam shkruar – si Lufta dhe Paqja e kështu me radhë – të cilat ata mendojnë se janë kaq shumë të rëndësishme”.

Romani “Ana Karenina”, u frymëzua nga një ngjarje reale

Ngjarjet e Ana Kareninës mund të jenë bazuar te një dramë e jetës reale, që preku mikun dhe njëherazi fqinjin e Leo Tolstoit, Aleksandër Nikolajeviç Bibikov, që kishte një lidhje romantike me një grua të quajtur Ana Stepanovna Pirogova.

Por Bibikov filloi që ta linte atë pas dore, në favor të dados gjermane të fëmijëve të tij. E pushtuar nga xhelozia, Stepanovna iku në fshat, ku u end e pikëlluar për disa ditë, përpara se t’i dilte para një treni duke vrarë veten. Tolstoi ishte dëshmitar në autopsinë e saj, dhe ajo ngjarje e preku aq sa një vit më vonë, vendosi ta kthejë atë në një roman.

Bashkëshortja e tij, Sofia, ishte një aset i paçmuar për karrierën e tij

Shumë artistë të mëdhenj, kanë përfituar nga puna e padukshme e partnerëve të tyre. Por mbështetja që mori Leon Tolstoi nga gruaja e tij, ishte më se e dukshme. Sofia ulej përkrah tij gjatë kohës që ai shkruante, dhe i jepte shpesh sugjerime, apo ia redaktonte tekstin.

Ishte ajo që ri–shkroi të gjitha draftet e tij, në mënyrë që ai të kishte një dorëshkrim të lexueshëm kur t’ua dërgonte botuesve, gjë që duhet të ketë qenë mjaft sfiduese duke pasur parasysh numrin e lartë të faqeve të dorëshkrimeve të Tolstoit. Nga ana e biznesit, Sofia ishte ajo që e nxiti atë të botonte “Lufta dhe Paqja” si një roman të plotë, në vend të tregimeve nëseri.

Leon Tolstoi dhe Sofia patën 13 fëmijë

Me gruan e tij, Sofia, Leon Tolstoi pati 13 fëmijë, tetë nga të cilët mbijetuan deri në moshë madhore. Disa ndoqën shembullin e babait të tyre duke u bërë shkrimtarë, përfshirë Ilia Tolstoi dhe Lev Tolstoi. Sot janë gjallë qindra nga pasardhësit e tij të drejtpërdrejtë, ndërsa dy herë në vit ata organizojnë mbledhjet familjare të Tolstoit në vilën e tij (sot një muze) në Jasnaja Poliana, Rusi.

Është një nga shkrimtarët më të shitur të të gjitha kohërave

Është e vështirë të thuhet një shifër e saktë e kopjeve të shitura të librave të botuar para shekullit XX-të. Por është e sigurt të thuhet se librat e Tolstoit janë best–seller të përhershëm. Vetëm në vitin 2004, “Ana Karenina” rifitoi interesin e lexuesit falë një promovimi nga “Klubi i Librit” të moderatores së njohur amerikane Oprah Winfrey, dhe botuesi e rriti atë vit tirazhin nga 20 mijë në 800 mijë kopje.

Romani “Lufta dhe Paqja”, shiti kopje të mjaftueshme për t’u përfshirë në listën e 50 librave më të mirëve të shitur ndonjëherë në Britaninë e Madhe. Sipas disa vlerësimeve, deri më sot janë shitur më shumë se 400 milionë kopje të veprave të Tolstoit.

Nuk e fitoi kurrë Çmimin Nobel

Kur Çmimi Nobel për Letërsi nisi të jepej për erë të parë në vitin 1901, shumë njerëz supozuan se fituesi do të ishte Leon Tolstoi. Në atë që cilësohet ende si një nga mospërfilljet më të mëdha në historinë e këtij çmimit, Nobeli iu dha atë vit poetit francez Salli Prydom.

Dyzet e dy shkrimtarë dhe artistë suedezë i shkruan Tolstoit për t’i shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të komitetit të Nobelit. Por shkrimtari rus iu përgjigj: “U lumturova kur mësova që nuk m’u dha Çmimi Nobel. Më privoi nga problemi i madh se si do t’i shpenzoja paratë”. 

Ai u nominua si kandidat deri në vitin 1906.

Thënie të paharrueshme të Leon Tolstoit:

“Në rast se nuk do të kishte mjete të jashtme për zbehje e ndërgjegjes së tyre, gjysma e njerëzve do të vrisnin veten menjëherë, pasi të jetosh në kundërshtim me arsyen është një gjendje shumë e patolerueshme ,dhe të gjithë njerëzit e kohës sonë ndodhen në një gjendje të tillë”.

“Besimi është domethënia e kësaj jete, ai kuptim me anë të të cilit njeriu nuk e shkatërron veten, por vazhdon të jetojë. Është forca përmes së cilës jetojmë”.

“Ndryshimet në jetën tonë, duhet të vijnë nga pamundësia për të jetuar ndryshe, dhe jo sipas kërkesave të ndërgjegjes sonë, dhe as nga vendosmëria jonë mendore për të provuar një formë të re të jetës”.

“Gjatë gjithë historisë nuk ka pasur asnjë luftë që nuk është nxitur nga qeveritë, në mënyrë të pavarur nga interesat e njerëzve, për të cilët lufta është gjithmonë e dëmshme edhe kur është e suksesshme”./bota.al

Lajmet

Filmi kosovar “Shame and Money” prezantohet në mbrëmjen hapëse të festivalit në Hagë

Published

on

Filmi kosovar “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, është prezantuar në mbrëmjen hapëse të festivalit Eastern Neighbours Film Festival (ENFF), në Hagë të Holandës, duke sjellë kinematografinë kosovare para publikut ndërkombëtar.

Mbrëmja u mbështet nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë, e cila kontribuoi në organizimin dhe promovimin e kulturës kosovare gjatë këtij aktiviteti.

Programi nisi me fjalën përshëndetëse të drejtoreshës së festivalit, Kostana Banovic, ndërsa u pasurua me një performancë muzikore nga pianisti kosovar Arben Ramadani, muzika e të cilit ndërthuri ndikime nga folklori shqiptar.

Të pranishmit patën mundësinë të ndiqnin filmin “Shame and Money”, i cili trajton historinë e një familjeje nga Kosova, përballë vështirësive ekonomike dhe pasojave të një tradhtie brenda familjes, që rrezikon jetesën e saj.

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe Veton Nurkollari, drejtor artistik dhe bashkëthemelues i DokuFest-it në Prizren, i cili në këtë edicion ishte pjesë e jurisë së festivalit në kategorinë e talenteve të rinj.

Mbrëmja u përmbyll me një pritje për të ftuarit, ku u prezantuan edhe ushqime tradicionale dhe verëra nga Kosova.

Përmes këtij aktiviteti, kinematografia dhe kultura kosovare u prezantuan para publikut në Hagë, ndërsa pjesëmarrja e profesionistëve nga Kosova në festival kontribuoi në forcimin e lidhjeve me skenën ndërkombëtare të filmit.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci dhe ambasadori i BE-së diskutojnë për trashëgiminë kulturore dhe zhvillimin e turizmit

Published

on

Ministrja Saranda Bogujevci dhe zëvendësministrja Nora Arapi Krasniqi kanë pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian dhe ambasadorin e BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel.

Gjatë takimit u diskutua për promovimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës, zhvillimin e turizmit dhe pjesëmarrjen e vendit në programin “Evropa Kreative”, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian.

Ministrja Bogujevci theksoi rëndësinë e mbështetjes evropiane dhe avancimit të projekteve në fushën e kulturës dhe turizmit.

Ndërkaq, ambasadori Schuebel ritheksoi përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj së ardhmes evropiane të Kosovës, duke theksuar se mbështetja e BE-së përfshin edhe zhvillimin e kulturës dhe turizmit në vend.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kosovari Rexhep Rexhepi fiton çmimin kryesor “Aiguille d’Or” që njihet si “Oscari” i orëndreqjes

Published

on

By

Orëndreqësi me origjinë nga Kosova që jeton dhe vepron në Zvicër, Rexhep Rexhepi, ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm duke fituar çmimin prestigjioz “Aiguille d’Or” gjatë ceremonisë madhështore të Grand Prix d’Horlogerie de Genève (GPHG).

Ky çmim, i cili konsiderohet si “Oscari” i industrisë së prodhimit të orëve, ishte i hapur për të gjitha kategoritë. Rexhepi triumfoi me modelin e tij “Chronograph Flyback”, duke pasuar gjigantin e industrisë Breguet që e kishte fituar atë një vit më parë.

Ora fituese dallon për përmasat elegante dhe fushën në ngjyrë blu të errët të punuar me teknikën tradicionale Grand Feu, e frymëzuar nga kronografët e vjetër të orëve të xhepit. Çmimi zyrtar i orës fituese është 150 mijë franga zvicerane, rreth 160 mijë euro, mirëpo vlera e saj në tregun e koleksionistëve pritet të jetë dukshëm më e lartë. Rexhepi e nisi karrierën e tij si praktikant 15-vjeçar te kompania e njohur Patek Philippe, ndërsa sot udhëheq markën e tij të pavarur në Gjenevë.

 

Në këtë edicion të GPHG-së garuan 84 orë dhe mekanizma kohorë në 14 kategori të ndryshme. Fituesit u përzgjodhën nga një juri ndërkombëtare ekspertësh, ku për herë të parë organizatorët hoqën ndarjet gjinore duke prezantuar kategori të reja teknike si Essential Watch dhe Complication Watch.

Continue Reading

Kulturë

Pierce Brosnan: Callum Turner i ka të gjitha cilësitë për t’u bërë James Bondi i ardhshëm

Published

on

By

Aktori i njohur Pierce Brosnan beson se koleg i tij Callum Turner posedon të gjitha cilësitë e duhura për t’u veshur me kostumin e agjentit legjendar 007. Ish-interpretimi i famshëm i James Bondit ka vlerësuar se 36-vjeçari ka praninë, fizikun dhe karizmën e nevojshme për të marrë përsipër këtë rol ikonik.

Brosnan, i cili portretizoi agjentin britanik në katër filma ndërmjet viteve 1995 dhe 2002, tregoi për revistën Vanity Fair se e admiron Turnerin, me të cilin kishte bashkëpunuar më parë në filmin “The Only Living Boy In New York” të vitit 2017.

“Callum Turner është dikush me të cilin kam punuar dhe është një aktor shumë i fortë,” u shpreh Brosnan, duke shtuar se mezi pret të mësojë emrin e pasardhësit të Daniel Craig dhe të festojë zgjedhjen e tij.

Ndonëse Turner është përfolur gjatë si një nga favoritët kryesorë për këtë post, vetë ai ka mohuar të ketë ndonjë informacion zyrtar rreth kastingut. “Di po aq sa dini edhe ju. Miqtë e mi më pyesin vazhdimisht, ndërsa unë nuk di asgjë,” kishte deklaruar ai më parë.

Brosnan po ashtu shfaqi entuziazmin e tij për projektin e ardhshëm të franshizës, i cili do të drejtohet nga regjisori vizionar Denis Villeneuve. “Besoj se do të mbetemi të mahnitur. Mënyra se si ai ndërton historinë dhe përdor kamerën është e jashtëzakonshme, prandaj filmi do të jetë vërtet madhështor,” përfundoi ai. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara