Aktualitet

Mbi 232 milionë euro më pak në arkën e shtetit

Published

on

Mbi 232 milionë euro llogariten të jenë më pak të hyrat buxhetore për këtë vit, si pasojë e pandemisë se shkaktuar nga koronavirusi, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, përderisa ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se kjo vlerë do rritet edhe më shumë, nëse vazhdon situata me pandeminë COVID-19.

Rënia e të hyrave buxhetore është shkaktuar nga mungesa e mbledhjes së të hyrave tatimore dhe doganore.

Lexo Edhe:
Lavrov: Rusia përkrah çdo marrëveshje që arrihet vullnetarisht nga Kosova dhe Serbia
Zhvillimet e pafavorshme në ekonomi janë reflektuar edhe në të hyrat buxhetore, ku gjatë periudhës janar –korrik 2020, të hyrat totale buxhetore kanë shënuar një rënie prej më shumë se 11 për qind apo rreth 120 milionë euro më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, thonë zyrtarë të Ministrisë dhe Financave. Kjo normë e rënies, sipas tyre, pritet të karakterizojë fundin e vitit 2020, me rreth 232 milionë euro më pak.

Buxheti i Kosovës për vitin 2020 është 2.3 miliardë euro. Sipas këtij buxheti, Doganat e Kosovë për arkën e shtetit është planifikuar të grumbullojë mbi 1.2 miliard euro, ndërsa Administrata Tatimore e Kosovës rreth 600 milionë euro. Këto janë dy institucione që kontribuojnë më së shumti në buxhetin e Kosovës, por pas gjendjes së krijuar nga pandemia e koronavirusit, kanë shënuar rënie në grumbullimin e të hyrave.

Në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), pohojnë se të hyrat e mbledhura gjatë këtij viti janë 33 milionë euro më pak, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Nga janari e deri më tani, ATK-ja ka grumbulluar tatime në vlerë prej 302.3 milionë euro. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka rënie për 9.9 për qind apo 33.1 milion euro më pak”, tha për Radion Evropa e Lirë, Valentina Bytyqi –Sefa, udhëheqëse e divizionit për komunikim me media në ATK.

Edhe të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se gjatë periudhës janar –gusht, ka pasur rënie të te hyrave në vlerë prej mbi 100 milionë euro.

“Si rezultat i pandemisë, respektivisht si rezultat i uljes së konsumit, kemi pasur edhe efektin e uljes së të hyrave të mbledhura nga Dogana. Vitin e kaluar në këtë periudhë kishim të grumbulluara 760 milionë euro, derisa tani kemi 653 milionë euro”, tha Adriatik Stavileci, zëdhënës në këtë institucion.

Bektashi: Rënia e të hyrave rrit shkallën e papunësisë
Rënia e të hyrave buxhetore do të ketë efekte të mëdha në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, konsiderojnë ekspertë për çështje ekonomike. Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se mungesa e mjeteve krijon stagnim dhe ulje të theksuar të aktiviteteve ekonomike, që nuk do reflektojë vetëm në këtë vit, por edhe vitet e ardhshme.

“Prandaj mosribalancimi i buxhetit të Kosovës, respektivisht vonesa në ndarjen e këtyre mjeteve buxhetore për të ndihmuar sektorin privat, ka efekte të shumta negative, jo vetëm në rritjen e shkallës së papunësisë, por edhe në uljen e standardit jetësor të popullsisë”, tha Bektashi.

“Pastaj, probleme të shumta reflektohen për shkak të zvogëlimit të kërkesës agregate, që në mënyrë multiplikative reflektohet në gjendjen ekonomike të shtetit. Momentalisht, në krahasim me shtetet e rajonit, Republika e Kosovës është më e vonuara në përkrahjen e sektorit privat me mjetet që u janë premtuara gjatë muajve të kaluar”, shtoi ai.

Për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera të shoqërisë të prekura pas përhapjes së pandemisë të shkaktuar nga koronavirusi, Qeveria e Kosovës, në muajin mars ka miratuar Pakon emergjente fiskale në vlerë prej 179.6 milionë eurosh.

Përveç Pakos emergjente fiskale, qeveria ka miratuar edhe Pakon për rimëkëmbjen ekonomike, në vlerë prej 365 milionë eurosh. Por, ky projektligj nuk ka arritur të votohet në seancën e fundit të mbajtur më 14 gusht, në Kuvendin e Kosovës.

Balancimi i buxhetit, me kredi ndërkombëtare
Në anën tjetër, Mejdi Bektashi shprehet se zvogëlimi i të hyrave buxhetore mund të plotësohet me kredi ndërkombëtare, donacione, por edhe përkrahje të bizneseve private.

“Mundësitë për të balancuar të hyrat dhe shpenzimet buxhetore mund të jenë të dyllojshme. Së pari, disa aktivitete ose disa investime mund të suspendohen ose mos të zhvillohen në këtë vit, me qëllim që ato mjete të ndahen për sektorët apo për shpenzime më të domosdoshme. Dhe mundësia e dytë është që buxheti të mbushet përmes kredive nga institucionet financiare, emetimit të letrave me vlerë, të emetuara në tregun e vendor apo tregun e jashtëm, me qëllim që të zvogëlojnë këtë mungesë të të hyrave buxhetore”, tha Bektashi.

Ministria e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami, më 28 gusht ka bërë të ditur se Kosova do të ketë mbi 400 milionë euro për të lehtësuar dëmet e shkaktuara nga pandemia.

Kjo shumë është thënë të jetë mbledhur përmes donatorëve të disa projekteve, përkrahjes së buxhetit të Kosovës dhe huave për investime.

Edhe në Kornizën afatmesme të shpenzimeve për vitin 2020-2023, të cilën është duke e rishikuar Qeveria e Kosovës, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Financave, do të jetë në fokus sektori privat, në mënyrë që të ndihmohen bizneset për t’u rikuperuar nga humbjet që i kanë pasur gjatë pandemisë.

Përveç mungesës së mjeteve buxhetore prej rreth 232 milionë eurosh që janë shkaktuar nga mungesa e mbledhjes së të hyrave tatimore dhe doganore, dëmet e sakta të tjera ekonomike ende nuk janë të evidentuara.

Por, nga parashikimet e bëra të institucioneve ndërkombëtare dhe ekspertëve, bëhet fjalë për dëme të mëdha.

Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtare kanë parashikuar tkurrje të ekonomisë së Kosovës në vitin 2020 për mbi 5 për qind.

Continue Reading

Vendi

LDK-ja mbështet zyrtarisht Bekim Sejdiun për President, u bën thirrje deputetëve për votim

Published

on

By

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vendosur zyrtarisht të mbështesë kandidaturën e profesorit Bekim Sejdiu për President të Republikës së Kosovës. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së Kryesisë, në përputhje me procedurat statutare dhe autorizimet e dhëna nga Kuvendi i partisë.

Përmes një deklarate për media, LDK-ja bëri të ditur se marrëveshja e miratuar politike synon përmbylljen e procesit të zgjedhjes së kreut të shtetit dhe parandalimin e një krize të re institucionale në vend.

Subjekti opozitar vlerësoi se përvoja e gjatë e Sejdiut në fushën e së drejtës kushtetuese dhe në diplomaci e bën atë një kandidat të dinjitetshëm që garanton ushtrim të pavarur e të paanshëm të detyrës. Kryesia e LDK-së i ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta mbështesin këtë propozim gjatë votimit. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Edhe pak vende të lira në disa programe studimi Bachelor në UBT

Published

on

By

Për të gjithë maturantët që kanë marrë pjesë në afatin e dytë të Testit të Maturës dhe synojnë një arsim cilësor me standarde ndërkombëtare, zgjedhja e tyre e drejtë është UBT. Ata kanë mundësi të zgjedhin mes disa programeve studimore ku kanë mbetur edhe pak vende të lira për vitin e ri akademik.

Si institucioni arsimor lider në rajon për inovacion dhe teknologji, UBT ofron infrastrukturën më moderne dhe laboratorët më të avancuar për përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes. Përmes kurrikulave moderne të ndërtuara në bashkëpunim me universitetet më të njohura botërore, studentët përfitojnë dije praktike që u garantojnë punësim të shpejtë në tregun e punës.

Ky është shansi i fundit për të siguruar një vend në komunitetin më të madh të dijes dhe për të marrë një diplomë të njohur ndërkombëtarisht. Regjistrimet po vazhdojnë në të gjitha kampuset e UBT-së, prandaj nxitoni të bëheni pjesë e suksesit dhe të ndërtoni karrierën tuaj të ëndrrave!

Continue Reading

Vendi

Skandali në BKS zgjerohet në 69 të pandehur: Ngrihen 35 prona dhe llogari bankare për dëmin mbi 1.2 milionë euro

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar zgjerimin e hetimeve lidhur me keqpërdorimet financiare në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS). Me veprimet e fundit të ndërmarra më 1 shtator 2026, numri i të pandehurve ka arritur në 69 persona, ndërsa dëmi i përgjithshëm i shkaktuar ndaj BKS-së tashmë llogaritet mbi 1.2 milionë euro.

Hetimet janë zgjeruar ndaj 21 zyrtarëve të rinj të BKS-së, të cilët dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”. Këta punonjës dyshohet se kanë mundësuar ose marrë pjesë në transferimin e mjeteve financiare pa mbulesë, në vlera nga 2,000 deri në 53,000 euro për person. Ky aktivitet i kundërligjshëm i ka shkaktuar BKS-së një dëm shtesë prej rreth 200,000 eurosh, duke iu shtuar shumës fillestare prej 1,043,000 eurosh të identifikuar në janar.

Të pandehurit janë intervistuar në Stacionin Policor në Prishtinë nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në prani të drejtuesve të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Paralelisht me procesin penal, me mbështetjen e Njësitit të Hetimeve të Integruara Financiare dhe Njësisë së Inteligjencës Financiare, janë ndërmarrë masa për ngrirjen e pasurisë së fituar nga kjo veprimtari:

35 prona të sekuestruara: Janë ngrirë parcela kadastrale, banesa dhe garazhe që lidhen me tre të pandehurit kryesorë.

21 llogari bankare të bllokuara: Është urdhëruar ngrirja e menjëhershme e llogarive bankare të personave të dyshuar.

Prokuroria dhe Policia e Kosovës konfirmuan se hetimet po vazhdojnë me intensitet për zbardhjen e plotë të kësaj skeme të keqpërdorimit dhe vënien e të gjithë përgjegjësve para drejtësisë. /E.A/

 

Continue Reading

Aktualitet

Rusia vret të paktën 12 persona në natën e gjashtë të sulmeve me dronë mbi Kiev

Published

on

By

Të paktën 12 persona kanë mbetur të vdekur në Kiev dhe rrethinat e tij gjatë natës, ndërsa kryeqyteti i Ukrainës përballoi natën e gjashtë rresht të sulmeve ruse me dronë dhe raketa, të cilat synojnë shkatërrimin e infrastrukturës dhe uljen e moralit të qytetit.

Oshëtimet e alarmit ajror vazhduan për orë të tëra dhe kulmuan me një valë goditjesh rreth orës 2:30 të mëngjesit. Të paktën tetë persona u raportuan të vdekur brenda në Kiev — përfshirë shtatë viktima në një depo hekurudhore në bregun e majtë të qytetit — si dhe katër të tjerë në rajonin përreth.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se gjatë sulmit u përdor “një numër i madh dronësh me motor me reaksion dhe raketash balistike”, duke shtuar se Rusia po shfrytëzon mungesën e raketave mbrojtëse amerikane të sistemit Patriot.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zelenskyy u shpreh: “Rusia gjithmonë i planifikon sulmet e saj posaçërisht për të shkaktuar sa më shumë shkatërrim në jetët e njerëzve, dhe këtë arrin ta bëjë vetëm atëherë kur kapacitetet e mbrojtjes ajrore janë të pamjaftueshme”.

Kievi dhe qytezat e fshatrat përreth janë përballur me sulme të vazhdueshme ditët e fundit. Të enjten, 38 persona humbën jetën pasi një dron rus goditi një depo municioni në Myla (24 km në perëndim të Kievit), goditje kjo që shkaktoi shpërthime të njëpasnjëshme për orë të tëra dhe dëmtoi shtëpitë përreth.

Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se Rusia kishte goditur 28 lokacione, me fokus kryesor qytetet e Kievit, Odesës dhe rrethinat e tyre. Mbrojtja ajrore arriti të rrëzonte pesë raketa balistike Iskander, dy raketa Banderol, pesë raketa kruz Kalibr si dhe 187 nga 218 dronët e lëshuar. Zyrtarët ukrainas nuk e bëjnë më të ditur numrin e përgjithshëm të raketave të lëshuara.

Drejtori ekzekutiv i Hekurudhave të Ukrainës, Oleksandr Pertsovskyi, konfirmoi se gjashtë nga shtatë personat e vrarë në depo ishin punonjës të rrjetit hekurudhor, ndërsa një tjetër mbeti i hospitalizuar.

Kievi vuan nga një mungesë kronike e sistemeve të mbrojtjes ajrore që prej ndërprerjes së furnizimit me raketa Patriot nga SHBA-ja. Patriotët janë e vetmja armë që mund të ndalojë me efikasitet raketat balistike ruse të shpejtësisë së lartë, të cilat prodhohen me një normë prej rreth 60 copë në muaj.

Kompania amerikane Lockheed Martin prodhon rreth 600 raketa mbrojtëse Pac-3 në vit, por rezervat ushtarake të SHBA-së janë reduktuar përgjatë luftës amerikane me Iranin. Ukraina po përpiqet të sigurojë një rezervë prej rreth 300 raketash për dimrin, të financuara nga aleatët evropianë përmes një marrëveshjeje furnizimi të dakorduar me SHBA-në.

Moska duket se po përpiqet të shfrytëzojë këtë mungesë të mbrojtjes ajrore përpara ardhjes së dimrit, duke përshkallëzuar konfliktin i cili mbetet pothuajse i bllokuar në vijën e frontit. Në anën tjetër, Ukraina po përgjigjet duke goditur rafineritë e naftës, depot dhe objektet e tjera ushtarake thellë brenda territorit rus, me synim dëmtimin e ekonomisë së këtij shteti. /The Guardian/

 

Continue Reading

Të kërkuara