Lajmet

​Mateshiq: Kosova së paku të dyfishojë prokurorët që merren me krime lufte

Kështu konsideron shefi i Sektorit për Hetimin e Krimeve të Luftës në Bosnje Hercegovinë, Ivan Mateshiq.

Published

on

Numri i prokurorëve për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë duhet të dyfishohet, meqë numri aktual nuk mund t’i përgjigjet lëndëve të parashtruara. Kështu konsideron shefi i Sektorit për Hetimin e Krimeve të Luftës në Bosnje e Hercegovinë, Ivan Mateshiq. Nga përvoja e vendit të tij, ai vlerëson se Prokuroria në Kosovë nuk duhet të kërkojë disa herë intervistat e dëshmitarëve, sepse të njëjtit janë të traumatizuar nga ajo çfarë kanë parë. Në një intervistë për KosovaPress ai flet për gjykimin në mungesë dhe efektet që do të ketë në zbardhjen e krimeve të luftës në Kosovë. Po ashtu, kryeprokurori i krimeve të luftës tregon se në Bosnje janë 45 prokurorë që punojnë në lëndët e krimeve të luftës.

Zëvendësi i kryeprokurorit të Prokurorisë së Bosnje Hercegovinës, Ivan Mateshiq flet për përvojën e këtij vendi për hetimin e krimeve të luftës, ku thotë se pas kësaj periudhe janë marrë deklarata nga dëshmitarët, është mbledhur dokumentacioni material dhe më pas janë ngritur kallëzime të shumta penale.

“Janë pranuar një numër i konsideruar i prokurorëve të rinj, kështu që edhe nga ajo periudhë 2012 dhe 2013, ka një rritje të ndjeshme të numrit të prokurorëve në Departamentin e Krimeve të Luftës në Prokurorinë e Bosnjë-Hercegovinës dhe ata që kanë punuar në rastet e krimeve të luftës në 10, 11 vitet e fundit dhe më duhet t’iu them në këtë nivel ku punoj aktualisht, derisa unë jam shef i departamentin për krime lufte, ne merremi ekskluzivisht me krimet më të rënda të luftës. Prandaj, kur them krimet më të rënda të luftës, kam parasysh krimet që janë kryer dhe pas së cilave kanë mbetur pasoja të madhe, po flasim për numrin e të vrarëve, merremi me lëndët në të cilat kemi zyrtarë të lartë ndër të tjera dhe zyrtarë të lartë, përkatësisht ushtarë, si të doni atë strukturë ushtarake dhe lëndë që janë më pak komplekse, të themi vrasje individuale ose përdhunime ose disa tortura të një dy deri në pesë persona transferohen tek prokuroritë e entiteteve, përkatësisht që janë raste më pak komplekse, dhe ato i procedojnë në kuadër të juridiksionit të tyre atë pjesë të lëndëve. Pra, neve këtu na kanë mbetur ato lëndët komplekse, dhe në ato lëndë komplekse ne veprojmë dhe bëjmë hetime dhe mbledhim prova, ngrisim aktakuza për lloje të tilla të lëndëve”, deklaron Mateshiq.

Procedimi i krimeve të luftës, siç tregon ai, bëhet edhe në nivele kontonale. Në gjithë Bosnje e Hercegovinën, Mateshiq thotë se janë 45 prokurorë të cilët merren me hetimin e krimeve të kryera 30 vjet më parë.

“Sa i përket numrit të prokurorëve që punojnë në rastet e krimeve të luftës, tani do të flas së pari për institucionin nga i cili vij unë, pra ky numër ka ndryshuar, në fillim të vitit 2003, deri në vitin 2011, ishin rreth dhjetë, dymbëdhjetë prokurorë, në periudhën midis 2012 dhe 2013 deri në vitin 2020, përafërsisht rreth Coronës, kishte afër 30 prokurorë në departamentin tim që merreshin ekskluzivisht rastet e krimeve të luftës. Pra, kur them ekskluzivisht, do të thotë që ata prokurorë nuk punojnë asgjë tjetër, por bëjnë hetime për rastet e krimeve të luftës. Me qenë se tani po zvogëlohet numri i lëndëve dhe se jemi disi në fazën dalëse të kësaj historie, unë në departamentin tim kam 22 prokurorë, kjo është ajo që po flasim për prokurorinë e Bosnjë-Hercegovinës. E tani kemi 10 prokurori kantonale, ku të paktën një prokuror punon në lëndët e krimeve të luftës, keni prokurorinë e qarkut të Republikës Srpska, ku gjithashtu është nga një prokuror, dhe keni Distriktin e Brçkos, ku keni edhe një numër të caktuar. Dhe tani nëse do të duhej hamendësoj, për të thënë përafërsisht një numër real, nëse marrim 22 aktualisht tek unë dhe të paktën po aq në prokuroritë e tjera të Bosnjë Hercegovines, kështu që aktualisht rreth 45 prokurorë momentalisht punojnë në lëndët e krimeve të luftës”, shton Mateshiq.

Udhëheqësi i Departamentit Special për Hetimin e Krimeve të Luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, thekson se mbi 80 për qind e aktakuzave kanë përfunduar me vendime fajësuese.

“Kam disa të dhëna mjaft të përditësuara, të freskëta. Ne përfundimisht diku ka mesi i këtij viti kemi akuzuar në këtë prokurori mbi 1000 persona për rastet e krimeve të luftës, pra akuzuar, kemi marrë aktgjykime fajësuese për mbi treqind e tridhjetë veta, nga ai numër 6 janë gra, për ata treqind e tridhjetë veta që janë gjykuar me aktgjykime të plotfuqishme për krime lufte, atyre u janë shqiptuar mbi tre mijë e pesëqind vjet burg. Pra, këto janë disa të dhëna të përafërta që kemi, aktualisht kemi mbi 30 nëse jo 40 të lëndëve në procedurë para gjykatës, pra ku kemi ngritur aktakuzë, ku nuk kemi ende diku kemi aktgjykim të shkallës së parë, diku por nuk kemi ende një vendim të plotfuqishëm, prandaj edhe këtë e presim që numri i të dënuarve do të rritet, dhe se numri i viteve do të rritet që do të marrin personat e dënuar. Përafërsisht vlerësimi real është që mbi 80% e aktakuzave tona përfunduan me vendime fajësuese, dhe rreth 20% ishin çliruese”, thotë Mateshiq.

Pothuajse çdo e treta aktakuzë, Mateshiq tregon se është për dhunim seksual, ku gratë e mbijetuara ende vazhdojnë të dëshmojnë në kushte anonimiteti. Teksa flet për dëshmitarët, ai tregon se shumë prej tyre kanë vdekur e disa prej tyre edhe kanë filluar të harrojnë. Mateshiq në këtë pikë këshillon Prokurorinë Speciale në Kosovë, që të mos ftohen shumë herë në intervistim.

“Fakti është se nga konfliktet e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë në këtë moment kanë kaluar 30 vjet dhe biologjia ka bërë punën e saj, kështu që një numër i madh i dëshmitarëve kanë vdekur, që disa dëshmitarë, po flasim për sfida dhe vështirësitë, disa dëshmitarë më shumë se një herë kanë dhënë deklarata, kjo është ajo që nuk duhet të ndodhë tek ju, tek ai që fillon eventualisht të punoj. Pra, dëshmitarët janë të traumatizuar nga vetë fakti që kanë qenë të pranishëm apo kanë parë ndonjë ngjarje të shëmtuar, ose kanë qenë pjesë e asaj ngjarje në kuptimin që ata vetë përjetuan trauma të caktuara, edhe pse agjencitë e policisë dhe ka shumë të tilla në këtë vend, ata shpesh i thërrasin dhe nuk e dinë njëra për tjetrën që i kanë thirrur, atëherë ai dëshmitar shpesh i ekspozohet asaj traume të përsëritjes së të njëjtave gjëra, dhe është shumë e vështirë për të marrë një dëshmitar të motivuar, i cili nuk beson më, praktikisht nuk i beson shtetit. Nuk i beson askujt, pret për 30 vjet dhe kjo është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballemi në punën tonë”, shprehet ai teksa shton se me vështirësi besojnë në drejtësi.

Shefi i Sektorit për Hetimin e Krimeve të luftës, Ivan Mateshiq konsideron se numri i prokurorëve në Kosovë që merren me krime lufte nuk është i mjaftueshëm.

“E di kur isha në muajin e pestë në Kosovë, sigurisht që është një numër i vogël dhe ai numër duhet të dyfishohet së paku, nëse jo më shumë, sepse më e rëndësishmja është derisa, nuk mund të them e freskët sepse ngjarjet në Kosovë ishin shumë kohë më parë, por ky grumbullim i atyre provave dhe mundësisht gjetja e të akuzuarit është gjëja më e rëndësishme për ju dhe për ne në këtë moment, kështu që një numër kaq i vogël prokurorësh sigurisht që nuk mund t’u përgjigjen në mënyrë adekuate të gjitha kërkesave të parashtruara para tyre, sepse e di që edhe në atë luftë në Kosovë ka pasur një numër të madh krimesh”, thekson shefi i sektorit për hetimin e krimeve të luftës.

Ai shton se Bosnja mund të ndihmojë Kosovën në ndarjen e përvojës për hetimin e këtyre krimeve, derisa konsideron se ka prokurorë të këtij departamenti i cili punon 17 vjet vetëm në hetimin e këtyre rasteve.

Së fundmi në Kosovë është mbajtur seanca e parë e gjykimit në mungesë. Mateshiq komenton këtë proces, për çka mendon se do të ketë efekt në vendosjen e drejtësisë.

“Nëse kur nuk jeni në një situatë, gjykimi në mungesë është zakonisht kur nuk jeni në situatë ku mund të arrini fizikisht tek i dyshuari. Nuk është asgjë e pazakontë në Kroaci ende është në fuqi një ligj i tillë, ku lejohet gjykimi në mungesë, ndaj besoj se ka përfitime të caktuara. Në Bosnje nuk kemi gjykime në mungesë, por në kohët e fundit, kemi numër shumë të shpeshtë të personave të paarritshëm që ikin në vendet e rajonit, veçanërisht në Kroaci dhe Serbi, dhe ku mbrohen më pas nëse kanë shtetësi të dyfishtë, për shkak se ato dy vende nuk i ekstradojnë qytetarët e tyre në Bosnje dhe Hercegovinë. Sot në mëngjes patëm një situatë ku dy të dyshuar u përpoqën të iknin ne Serbia përtej kufirit në Drinë, por për fat kishim një prokuror përgjegjës që e ndjeu këtë situatën dhe ata janë privuar nga liria në kufi, janë ndaluar dhe në këtë moment janë duke u sjellë në ambientet e Prokurorisë së Bosnje Hercegovinës dhe do të mbahen në paraburgim, i cili sigurisht do të zgjasë deri në momentin kur nuk do të ketë më nevojë. Por këto janë problemet me të cilat po ballafaqohemi, dhe me sa di unë, ju keni problemin që shumica e të dyshuarve tuaj nuk janë të disponueshëm, përkatësisht janë në Serbi. Unë me të vërtetë nuk e di dhe supozoj se ju nuk keni ndonjë komunikim me autoritetet në Serbi dhe se është shumë e vështirë për ju të arrini fizikisht deri te të dyshuarit për të pasur këtë procedurë normale me praninë e të pandehurit ose të dyshuarit, kështu që ka efekt, por nuk është kjo, prandaj ato gjykime në mungesë kanë një efekt të caktuar, por sigurisht që nuk është afërsisht njësoj si kur keni një të dyshuar ose të akuzuar të gjallë në sallën e gjyqit dhe kur ai gjykohet dhe kur i shqiptohet dënimi për atë që ka bërë, dhe kjo është sigurisht një falënderim i plotë për viktimat në masën që sigurisht mund të jetë”, përfundon ai në intervistën për KosovaPress.

Institucionet e Kosovës nga UNMIK dhe EULEX kanë trashëguar rreth 900 lëndë e 2 mijë të tjera për të zhdukurit. Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë e masakruar mbi 13 mijë civilë, dhunuar seksualisht 20 mijë gra e burra, ndërkaq ende mungojnë mbi 1 mijë e 600 persona të zhdukur me forcë.

Lajmet

SHBA dhe Ukraina i quajnë bisedimet në Miami produktive

Published

on

Të dërguarit e SHBA-së dhe Ukrainës thonë se në Miami janë zhvilluar bisedime produktive dhe konstruktive, por ende duket se nuk ka ndonjë përparim të madh në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Ukrainës me Rusinë.

I dërguari special i Donald Trump, Steve Witkoff, lëshoi një deklaratë të përbashkët me negociatorin kryesor ukrainas, Rustem Umerov, pas tre ditësh takimesh me aleatët evropianë.

Dyshja tha se takimi u përqendrua në përafrimin e qëndrimeve mbi një plan 20-pikësh si një kornizë garancie sigurie amerikane për Ukrainën dhe një plan ekonomik dhe prosperiteti.

Bisedime të ndara janë zhvilluar në Miami midis të dërguarit të SHBA-së dhe atij rus, Kirill Dmitriev./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Drita dominoi në mbrëmjen “Laureatët 2025” nga FFK

Published

on

Federata e Futbollit e Kosovës organizoi mbrëmjen tradicionale “Laureatët 2025”, ku u vlerësuan individët, klubet dhe institucionet që kontribuuan në zhvillimin e futbollit kosovar gjatë vitit. Ceremonia mblodhi figura të rëndësishme të futbollit vendor e ndërkombëtar, përfshirë Armand Dukën dhe ministrin në detyrë Hajrulla Çeku, si dhe përshëndetje nga presidentët e FIFA-s dhe UEFA-s.

Çmimi kryesor i mbrëmjes, “Futbollisti i Vitit 2025”, iu nda sulmuesit të FC Drita, Arb Manaj, i vlerësuar nga gazetarët sportivë për rolin vendimtar në titullin kampion dhe suksesin historik të klubit në UEFA Conference League.

Ndërkohë, çmimi “Fadil Vokrri” shkoi për Amir Rrahmanin, kapitenin e Kosovës dhe kampion me Napolin, i cili për shkak të angazhimeve nuk ishte i pranishëm në ceremoni.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, foli për arritjet historike të vitit 2025, investimet në infrastrukturë dhe synimin e madh të Kombëtares për kualifikim në Kupën e Botës.

Vlerësime për progresin e futbollit kosovar dhanë edhe Hajrulla Çeku dhe Armand Duka, duke theksuar konkurrueshmërinë e Kosovës në arenën evropiane.

Zekirija Ramadani u shpall “Trajneri i Vitit”, ndërsa FC Drita u vlerësua si Klubi më i Mirë i Vitit dhe “Fair Play”, duke dominuar edhe në 11-shen ideale të sezonit.

Në futbollin e vajzave u dalluan Aurora Muliqi dhe KFF Mitrovica, ndërsa në futsall u vlerësuan FC Prishtina 01 dhe Fitim Krasniqi.

U ndanë gjithashtu çmime për referimin, arritje ndërkombëtare, kontribute ndër vite dhe mirënjohje për partnerët institucionalë, me një moment emocional të mbrëmjes të shënuar nga kori i fëmijëve “Okarina”./S.K/KP/FFK/

Continue Reading

Lajmet

Përditësohen të dhënat në pikat kufitare të Kosovës

Published

on

Janë përditësuar të dhënat nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar lidhur me kolonat në pikat kufitare në Kosovë.

Sipas të dhënave të fundit, pritjet për hyrje dhe dalje nga Kosova janë të shkurta.

Raportohen pritje deri në 5 minuta në hyrje në Muçibabë, Bërnjak, Dheu i Bardhë, Glloboqicë, Stançiq, Mutivodë dhe Vërmicë.

/S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

122 vjet nga lindja e Odhise Paskalit

Published

on

Odhise Paskali, njëri ndër themeluesit e skulpturës shqiptare dhe personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar, u lind në Përmet më 22 dhjetor 1903.

Hapat e para të karrierës së Odhisesë, janë në fushën e publicistikës, si dhe u shqua në estetikë dhe kritikë arti.

Më 1919 ai shkoi në Itali, ku kreu Liceun më 1923 dhe u regjistrua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë në Torino, më 1927 mbrojti diplomën në fushën e historisë së artit.

Skulptori i Popullit është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë, por mbi të gjitha në krijimtarinë e vet të larmishme janë të njohura veprat: “Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968, “Naum Veqilharxhi”, bust në bronz, në Korçë, “Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968 etj.

Veprat e tjera të Odhise Paskalit ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Muzeun Historik Kombëtar, si dhe në disa muze dhe institucione qendrore të Shqipërisë.

Pas vdekjes, studioja e tij u kthye në studio-muze, ku ishin vendosur vepra origjinale, si dhe variante dhe replika në gips të disa monumenteve, statujave dhe busteve, origjinalet e të cilave ndodheshin në ambiente të tjera, në rrugë e sheshe të Tiranës dhe qyteteve të tjerë.

Në studion-muze ruhej edhe arkivi i pasur i Odhise Paskalit me shënime, dokumente dhe materiale të tjera me interes për historinë e zhvillimeve artistike në Shqipëri. Nga trazirat pas vitit 1990, studioja u dëmtua bashkë me pjesën më të madhe të veprave.

Një pjesë e arkivit tani ruhet nga fondacioni “Paskali”, që u krijua nga vajza e skulptorit, studiuesja e spikatur e artit, Floriana Paskali.

Pas titujve Skulptor i Popullit dhe Akademik, Odhise Paskali është vlerësuar edhe me titullin Nderi i Kombit. Emrin e tij e mban sot një shkollë arti në Pejë dhe sheshi i qytetit në Përmet.

Ai ndërroi jetë në Tiranë, më 13 shtator 1985, i nderuar dhe i përcjellë me një ceremoni madhështore nga mijëra bashkatdhetarë e adhurues të veprës së tij të pavdekshme./S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara