Lajmet

Marrëveshja për energji Kosovë-Shqipëri i hap rrugën bursës shqiptare

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u bë në kuadër të konferencës “Integrimi i tregut të energjisë elektrike”.

Published

on

Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRrE) dhe Enti Rregullator i Energjisë së Shqipërisë (ERE), kanë nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi për njohjen reciproke të licencave për veprimtarinë e tregtimit dhe furnizimit të energjisë elektrike, e që po vlerësohet të jetë hap i rëndësishëm drejt funksionalizimit të një burse shqiptare të Energjisë.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u bë në kuadër të konferencës “Integrimi i tregut të energjisë elektrike”, e që u quajt një hap i rëndësishëm drejt integrimit të tregut të energjisë elektrike mes Kosovës dhe Shqipërisë, derisa përfaqësuesit e të dyja shteteve u zotuan se do të punojnë që brenda vitit 2022 të funksionalizohet bursa shqiptare e energjisë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u shpreh se integrimi i tregut të energjisë me atë të Shqipërisë është një ndër orientimet kyçe strategjike për sektorin e energjisë.

Ajo potencoi se sektori i energjisë është një prej shtyllave kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës, mirëpo tha se për arsye dhe rrethana të ndryshme sektori i energjisë fatkeqësisht nuk ka tërhequr investimet e duhura për të siguruar në afat të gjatë furnizimin me energji elektrike.

“Duke qenë se kapacitet tona gjeneruese vijnë nga burime të ndryshme integrimi i tregut të energjisë do të lejojë që të shfrytëzojmë burimet që i kemi secili prej nesh në mënyrën më optimale, si rrjedhojë sistemet tona do të bëhen më të afta për të përballuar luhatjet në kërkesën për furnizim me energji elektrike në të dy vendet tona… […] Andaj përfitimet e të dyja vendeve nga ky proces përforcojnë besimin tim se së shpejti do ta funksionalizojmë një bursë shqiptare të energjisë. Hap i rëndësishëm në këtë drejtim është nënshkrimi i memorandumit për njohje të ndërsjellë të licencave”, tha ajo.

Ajo tha se të dyja vendet varen pothuajse plotësisht nga vetëm një burim i energjisë, e që sipas saj, kjo do të thotë që të dyja palët kanë nevojë për diversifikim të energjisë. Rizvanolli tha se kjo mund të realizohet vetëm me përfshirjen e sektorit privat, pasi që u shpreh se investimet e sektorit privat, po edhe ekspertiza e tyre janë shumë të rëndësishme në këtë aspekt.

Edhe zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Ilir Bejtja, nënshkrimin e memorandumit për njohjen reciproke të licencave e ka quajtur si hap tejet të rëndësishëm drejt integrimit të tregut të energjisë elektrike.

Ai tha se marrëveshje të tilla nuk duhet të mbesin vetëm në letër, por duhet të jenë të aplikueshme dhe të fillojë realizimi i asaj që quhet tregu i përbashkët shqiptar i energjisë.

“Kjo do të bëjë të mundur që ne të kemi investime të reja në fushën e energjive të rinovueshme, për të rritur dhe diversifikuar prodhimin e energjisë në të dy krahët e kufirit, në këtë treg do të thosha, në tregun shqiptar të energjisë dhe do të bëjë të mundur që këtu të vijnë edhe investime ose interesa të vendeve fqinje për t’u furnizuar me energji, po edhe për të sjell energji nga burimet e tyre. I gjithë rajoni do të ndikohet nga dekarbonizimi, asimetria që është vendosur tani do të thellohet për gjetjen e burimeve për t’u furnizuar me energji në tregun rajonal. Kjo do të bëjë të vështirë edhe transmetimin e energjisë nga një vend në tjetrin, nuk furnizojmë më dot thjeshtë vendet kufitare, por duhet të shkojmë në dy, tre kufij larg për ta marrë energjinë. Në këtë aspekt një sfidë për të gjithë ne është jo thjeshtë të mbyllim atë që na ndot, por të krijojmë burime të reja, siguri të re të furnizimit me energji, qoftë ju, qoftë ne energji të erës, energji gjeotermike, apo energji të diellit”, tha ai.

Pas nënshkrimit të memorandumit, kryesuesi i Bordit të ZRRE-s, Ymer Fejzullahu, u shpreh se me këtë Kosova dhe Shqipëria konfirmojnë gatishmërinë e tyre për integrim të tregjeve energjetike.

Fejzullahu tha se integrimi i tregjeve në mes dy vendeve mundëson shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve gjeneruese në Kosovë dhe në Shqipëri, derisa tha se një integrim i tillë garanton një siguri në furnizim me energji elektrike.

“Me qëllim të integrimit të dy tregjeve, në tetor të këtij viti në Tiranë ne kemi nënshkruar marrëveshjen kornizë për bashkimin e tregjeve, ndërsa sot ne nënshkruajmë memorandumin për njohjen ndërsjellë të licencave. Kosova dhe Shqipëria me zbatimin e këtij procesi konfirmojnë gatishmërinë e tyre për integrimin e tregjeve si një nga obligimet themelore të Komunitetit të Energjisë. Përtej përmbushjes së këtij obligimi në raport me Komitetin e Energjisë, integrimi i tregjeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe rajonit mundësojnë shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve gjeneruese në Kosovë dhe në Shqipëri. Në rastin tonë integrimi i tregjeve na sjell dobi të mëdha për të garantuar siguri në furnizimin me energji elektrike dhe konkurrueshmërinë brenda këtij tregu të përbashkët… Konfirmojmë gatishmërinë e ZRRE-së që në muajt në vijim do të vazhdojmë të punojmë në funksionalizimin e bursës shqiptare të energjisë brenda vitit 2022, ashtu siç jemi zotuar”, tha ai.

Ai tha se një treg i përbashkët do t’i hap rrugë tërheqjes së investimeve në sektorin privat, e në veçanti investimeve në burimet e ripërtëritshme si një nga teknologjitë e së ardhmes në sektorin e energjisë.

Kryesuesi i Bordit të ERE, Petrit Ahmeti, është shprehur i bindur se marrëveshja e nënshkruar sot do të gjejë zbatim në të dyja vendet, derisa theksoi se kjo marrëveshje është një hap konkret i bashkëpunimit në mes të dy Rregullatorëve.

“Mungesa e diversifikimit të burimeve gjeneruese në të dy vendet, ku Shqipëria mbulon kryesisht me prodhim prej hidrave dhe Kosova prej termocentraleve, si dhe pamundësia e shfrytëzimit maksimal deri më sot të burimeve tona në këto kohë të vështira e bënë më të rëndësishëm përshpejtimin e bashkimit të tregjeve të dy vendeve. Fakt që do të ndikojë në uljen e kostove dhe efiçiencën e përdorimit të energjisë elektrike… Këto dokumente janë hapat e parë konkret të një bashkëpunimi mes dy Rregullatorëve të vendeve tona, është si një kurorëzim i një përpjekje shumëvjeçare midis Rregullatorëve për të pasur një platformë të njëjtë dhe për të pasur rregulla e një bashkëpunim më të frytshëm mes nesh”, tha ai.

Në këtë konferencë foli edhe zëvendësdrejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike në USAID, Loauy Samouie, i cili tha se ndër vite kanë ndihmuar Kosovën dhe Shqipërinë në fuqizimin e sektorëve të energjisë.

Konferenca “Integrimi i tregut të Energjisë Elektrike”, përveç sot do të mbahet edhe nesër ku do të mbahen diskutime të ndryshme që për fokus kanë energjinë elektrike.

Live

27 vjet nga konferenca e Rambujesë

Published

on

By

Para 27 viteve, më 6 shkurt të vitit 1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.

Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christopher Hill nga SHBA-të, Boris Maiorsky, Rusi dhe Wolfgang Petritsch nga BE.

Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Edhe rrethi i dytë i bisedime që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike – marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Holbrooke nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bind presidentin e atëhershëm të RSFJ, Sllobodan Millosheviq që të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.

Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovës, UNMIK-ut si mision civil dhe KFOR-it, mision ushtarak.

Ndërkaq, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë./Kosovapress/

Continue Reading

Aktualitet

Presidentja Osmani takon Presidentin e Emirateve, paralajmërohen mbështetje për projekte të reja

Published

on

By

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe është takuar me Presidentin e Emirateve, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.

Osmani ka falënderuar Presidentin e Emirateve për lidershipin dhe mbështetjen e treguar për gjithë rrugëtimin e shtetësisë së Kosovës.

“E nderuar me mikpritjen dhe diskutimet gjithnjë përmbajtjesorë me Presidentin e Emirateve, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, të cilin e falënderova për lidershipin e tij vizionar dhe për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, që nga ditët më të vështira e deri më sot”, njofton Zyra e Presidencës së Kosovës.

Ndër të tjera, Presidentja Osmani vlerësoi lartë partneritetit ndërmjet dy vendeve, duke përmendur bashkëpunimin në shumë fusha që kanë ndikuar në zhvillimin e Kosovës.

“Në veçanti, shpreha mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Emirateve në fushën e shëndetësisë, si dhe për vijimin me projektin e rëndësishëm të ndërtimit të spitalit të ri të gjinekologjisë, i mbështetur në dakordimin tonë të mëhershëm”, njofton Zyra e Presidencës së Kosovës.

Në këtë takim Osmani shprehet se ka marrë mbështetjen e Presidentit për projektet e reja në fushën e shëndetësisë dhe në fusha të tjera zhvillimore.

Continue Reading

Vendi

Rektori i UBT-së në Washington, mes liderëve botërorë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit në SHBA

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit në Washington, një ngjarje prestigjioze ku mori pjesë edhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, si dhe liderë të lartë politikë dhe institucionalë nga e gjithë bota.

Ky manifestim tradicional, i cili organizohet që nga viti 1953, mbahet çdo të enjte të parë të muajit shkurt dhe përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme shpirtërore dhe institucionale në SHBA.

Lutjet Nacionale të Mëngjesit mbledhin anëtarë të Kongresit Amerikan, politikanë, liderë ushtarakë, si dhe mysafirë nga mbi njëqind vende të botës.

Pjesëmarrja e Prof. Dr. Edmond Hajrizi në këtë ngjarje të rëndësishme përbën një moment domethënës për përfaqësimin akademik dhe institucional të Kosovës në një platformë globale me ndikim të veçantë.

Continue Reading

Lajmet

Rektori Hajrizi merr pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Kosovës në SHBA

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasadori i Kosovës në SHBA, z. Ilir Dugolli, për delegacionin nga Kosova që po merr pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit në Washington.

Gjatë këtij takimi, Rektori Hajrizi pati mundësinë të takohet me deputetë, sipërmarrës, përfaqësues të komunitetit dhe medias, si dhe personalitete të tjera nga jeta akademike dhe institucionale, duke forcuar lidhjet ndërkombëtare dhe duke përfaqësuar Kosovën në një nivel institucional dhe akademik.

Continue Reading

Të kërkuara