Kulturë

Magjia e Tahir Baçovës: Një epokë përmbyllet në Cirkun shqiptar

Published

on

Artisti i njohur i Cirkut shqiptar, Tahir Baçova, ka ndërruar jetë sot në moshën 88-vjeçare. Lajmi është pritur me pikëllim të thellë nga komuniteti artistik dhe publiku shqiptar.

Tahir Baçova, një figurë emblematike në botën e cirkut, lindi në Tiranë më 23 korrik 1936. Karriera e tij artistike nisi në moshën 17-vjeçare dhe zgjati për më shumë se 65 vjet. Edhe pasi doli në pension, pasioni i tij për zbutjen e kafshëve dhe për transformimin e këtij arti në një formë argëtimi për të gjitha grupmoshat nuk u shua kurrë.

Baçova e filloi karrierën e tij në Cirkun Amator dhe më pas vazhdoi si profesionist në Cirkun e Tiranës, i njohur sot si Cirku Kombëtar. Ai është i njohur për përkushtimin e tij të palodhur në krijimin e një profili unik të zbutësit të kafshëve, duke kontribuar në zhvillimin e këtij arti në Shqipëri.

Në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Sanie Baçova, e cila ishte gjithashtu një artiste e njohur në këtë fushë, Tahir Baçova ka ndihmuar në krijimin e një tradite të pasur në zbutjen e kafshëve në cirk. Sanie Baçova ishte e para dhe e vetmja artiste grua në këtë profil në Cirkun shqiptar.

Në përpjekjet e tij të vazhdueshme, Baçova arriti të kthejë kafshët në pjesë të pandashme të shfaqjeve të cirkut, duke i integruar ato në ndërveprime emocionuese me akrobatët dhe publikun. Ai e bëri të pamundurën të mundur, duke i dhënë jetës cirkut një dimension të ri dhe të paharrueshëm.

Artisti i merituar, Tahir Baçova ia kushtoi jetën dhe pasionin e tij punës me kafshët për më shumë se 40 vjet. Me këmbëngulësinë e tij dhe dëshirën e paepur për të dhuruar art, ai ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme që do të kujtohet dhe nderohet për shumë vite.

Ndaj dhe ky ndërrim jete është një humbje e madhe për artin e cirkut dhe për të gjithë ata që e kanë pasur privilegjin ta njohin dhe ta vlerësojnë. Tahir Baçova do të mbetet gjithmonë një simbol i pasionit dhe profesionalizmit në Cirkun shqiptar./UBTNews/

Lajmet

54 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Published

on

Sot shënohen 54 vjet nga hapja e punimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i cili nisi më 20 nëntor 1972 në Tiranë, me pjesëmarrjen e albanologëve nga të gjitha trevat shqiptare.

Në Kongres morën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe arbëreshët e Italisë.

Qëllimi i këtij tubimi ishte përcaktimi i parimeve dhe drejtimeve kryesore për hartimin e një sistemi të njësuar të drejtshkrimit, me synimin e krijimit të një standardi të përbashkët të gjuhës shqipe.

Në këtë proces, rol të rëndësishëm luajti edhe delegacioni nga Prishtina. Kongresi u parapri nga një takim me rëndësi i mbajtur në Prishtinë, ku ishin diskutuar dhe përcaktuar disa nga standardet gjuhësore.

Kongresi i vitit 1972 shënoi një moment të rëndësishëm në historinë e gjuhës shqipe dhe në përpjekjet për njësimin e saj në të gjitha trevat shqiptare./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Reka dhe Çitaku diskutojnë promovimin e filmave kosovarë në garën për Oscar

Published

on

Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Blerim Reka, ka pritur në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju-Jork, Lum Çitakun, drejtor i Programeve në Qendrën Kinematografike të Kosovës. Në takim është diskutuar promovimi ndërkombëtar i kinematografisë kosovare.

Në fokus të takimit ishte filmi “DUA”, me regji të Blerta Bashollit, i cili po shfaqet këto ditë në Nju-Jork dhe është propozimi zyrtar i Kosovës për edicionin e 99-të të çmimeve Oscar, në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”.

Në të njëjtën kategori garon edhe filmi “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, i cili, sipas raportimit të Telegrafit, është kualifikuar drejtpërdrejt pas fitimit të çmimit kryesor të jurisë, World Cinema Grand Jury Prize, në Festivalin e Filmit Sundance në janar të këtij viti.

Gjatë takimit, Reka theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për krijimtarinë filmike dhe promovimin e kulturës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai vlerësoi kinematografinë si një nga mënyrat e rëndësishme për përfaqësimin dhe afirmimin e vendit në botë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vazhdojnë punimet për rinovimin e teatrit ODA në Prishtinë

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka njoftuar se po vazhdojnë punimet për rinovimin e teatrit ODA në Prishtinë, duke bërë të ditur se kjo hapësirë së shpejti do të jetë e gatshme për artistët dhe publikun.

Përmes një njoftimi, Bogujevci ka theksuar se rinovimi i teatrit ODA është pjesë e investimeve në infrastrukturën teatrore në vend.

Ajo ka përmendur edhe projektet e përfunduara, përfshirë rinovimin e teatrit të qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë dhe të hapësirave teatrore në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, si dhe ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Suharekë.

Sipas ministres, punimet po vazhdojnë edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe në teatrin “Adriana” në Ferizaj, ndërsa Qendra për Arte në Rahovec ndodhet në fazën përfundimtare të ndërtimit.

Ndërkaq, Teatri i Operës dhe Baletit në Prishtinë është në fazën e fundit të projektimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Palimpsest”, projekt artistik që rikthen në vëmendje trashëgiminë muzikore shqiptare

Published

on

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka prezantuar projektin artistik “Palimpsest”, i cili synon të rikthejë në vëmendje trashëgiminë muzikore shqiptare të viteve ’30, ’40 dhe ’50.

Përmes krijimeve origjinale dhe përpunimeve të këngëve popullore, projekti sjell vepra të kompozitorëve Antonio Muçi, Karlo Pali, Muharrem Xhediku, Koço Uçi, Ramadan Sokoli dhe Çesk Zadeja.

Në këtë mbrëmje artistike do të interpretojnë Ardita Bufaj në piano, Armando Likaj në bariton dhe Maida Resulbegoviç në soprano, ndërsa e ftuar speciale do të jetë pianistja Norena Gaxha.

Koncepti artistik, hulumtimi arkivor dhe mbledhja e partiturave janë realizuar nga pedagogia Ardita Bufaj.

Projekti organizohet në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, në kuadër të Festivalit “Netët e Muzikës Shqiptare”, me synimin për të promovuar vlerat e trashëgimisë muzikore dhe për t’i përcjellë ato te brezat e rinj./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara