Aktualitet

Luftë juridike: Sovraniteti kombëtar përballë të drejtës së BE

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki fajësoi BE para Parlamentit Europian, se po kalon kompetencat dhe mbrojti sovranitetin kombëtar. Eurodeputetët e fajësojnë atë se po cënon bazën e përbashkët ligjore të BE.

Published

on

Mateusz Morawiecki e tejkaloi kohën e fjalimit, sepse dukej se donte të kapte dimensione të mëdha. Ai erdhi në Parlamentin Europian për t’i paraqitur kritikëve qëndrimin e qeverisë polake për kompetencat ligjore dhe politike të BE. Një qëndrim që është diametralisht i kundërt me atë të shumicës së eurodeputëteve dhe Komisionit Europian në lidhje me bazën e  përbashkët të veprimit në BE. Një debat emocional i gjatë.

Grindje për sovranitetin kombëtar dhe të drejtën e BE

Para Parlamentit Europian dhe presidentes së Komisionit të BE, që kishte ardhur për t’i dalë ballë qëndrimit polak dhe të mbronte ligjshmërinë sipas BE, kryeministri polak, Morawiecki bëri thirrje që Europa të qëndrojë e bashkuar. Ai bëri një hyrje të gjatë fillimisht tek krizat ndërkombëtare që duhen tejkaluar dhe që kërkojnë bashkëpunim. Që nga mungesa e enegjisë tek migracioni deri tek agresioni rus. Ai pranoi, se anëtarësimi i Polonisë në BE i ka ndihmuar jashtëzakonisht zhvillimit ekonomik të vendit.

Pastaj Morawiecki kaloi në sulm. Në BE shihet gjithnjë e më shumë një tendencë që “vende anëtarë të trajtohen si të klasit të dytë”, që Polonia sulmohet në mënyrë të njëanshme nga institucionet e BE, dhe se për këtë ai nuk do të heshtë. Kryeministri polak mbrojti me forcë vendimin e kontestuar të Gjykatës Kushtetuese polake që e kishte porositur qeveria e tij. Sipas sistemit kombëtar të drejtësisë merr fund në Poloni kompetenca e Gjykatës Europiane për kushtetutën polake, kështu argumentoi Morawiecki, gjithçka tjetër është tejkalim i kompetencave që marrëveshjet europiane i japin Gjykatës së Luksemburgut. Në fund të fundit BE nuk është supershtet, por një aleancë shtetesh. Nëse kërkohet më shumë shumë, kjo duhet vendosur politikisht. Kryeministri polak bën pikërisht atë, prej së cilës paralajmërojnë juristët gjithmonë: Ai shkëput nga konteksti citate të gjykatave të tjera kushtetuese europiane për të provuar tezat e tij, se kudo në BE, gjykatësit më të lartë e kritikojnë përparësinë e vendimeve të Gjykatës Europiane.

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki

Vërtet që ka grindje për raste të caktuara, por dallimi është se asnjëherë një Gjykatë Kushtetuese nuk e ka vënë në pikëpyetje kompetencën e Gjykatës Europiane në parim. “Shtete anëtare mbeten sovrane”, solli në mendje Morawiecki. Kjo nuk vihet në diskutim, por nga ky sovranitet ai nxjerr konkluzionin që në fund e drejta polake qëndron para asaj europiane. “Shteti ligjor është në Varshavë po aq i rëndësishëm sa në kryeqytetet e tjera”, deklaroi kryeministri, por ai përdoret si pretekst për të kërkuar gjëra nga vendet anëtare që nuk gjenden në marrëveshjet europiane.

Me sëpatë në themelet e BE

“Nuk bëhet fjalë për Poloninë, bëhet fjalë për politikën e kësaj qeverie polake”, deklaroi Manfred Weber, kreu i grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane. Kristiandemokrati e sulmoi frontalisht kryeministrin polak. I gjithë debati është ndezur, kur qeveria polake filloi t’i bjerë “me sëpatë themeleve të pavarësisë së drejtësisë”. Shumë gjykatës në BE e shohin Gjykatën Kushtetuese polake si “fasadë”, tha Weber. Akuza është se qeveria polake ka vendosur në Gjykatën Kushtetuese gjykatës që i shkojnë pas asaj. “Kush e vë në pikëpyetje pavarësine e rendit ligjor praktikisht del si vend anëtar jashtë BE”, shtoi Weber.

Demonstratë pro BE në Poloni

Përkundër kësaj kryeministri polak kishte siguruar, se kryetitujt për Polexit nuk janë gjë tjetër veçse, gënjeshtra të motivuara politikisht. Kristiandemokrati Weber kujtoi, se “kushtetutat e vendeve anëtare janë fondamentale por rendi ligjor i BE është më i rëndësishëm se kushtetutat e veçanta.” E kjo është përcaktuar në marrëveshjet europiane. Ai kërkoi që Komisioni i BE dhe Këshilli i BE në grindjen që zien me Poloninë të “qartësojnë” sitiatën, pra të veprojnë. Eurodeputetët që morën fjalën e paralajmëruan qeverinë polake. Cilat ligje europiane janë kaq të padurueshme, pyeti eurodeputetja liberale holandeze, Malik Azmani: “A është liria e shtypit apo pavarësia e drejtësisë?” Kurse eurodeputetja e Të Gjelbërve, Ska Keller e shikon qeverinë polake në “një rrugë të rrezikshme” që po vë në dyshim shtyllat e rendit të përbashkët të së drejtës.

Kryeministri polak, Morawiecki pati mbështetje nga krahu i vet politik. Nicolas Bay nga populistët e “Rassemblement National” bëri fjalë për “një shumicë të majtë në Parlamentin Europian” ku ai futi edhe Partitë Popullore Europiane. Polonia merret peng”, nëse ndalen fondet e Coronës. Synime të tilla “janë të tmerrshme”, tha Bay. Ryszard Legutko, eurodeputeti luftarak i PiS bëri fjalë për “një tirani të shumicës”, që zhvillon luftë kundër qeverive konservatore në Europë. Ai e quajti përparësinë e së drejtës europiane një lodër monstruoze juridike.

Ursula von der Leyen

Komisioni Europian do të veprojë

Vijat e frontit në Parlamentin Europian janë përcaktuar qartë sidomos me debatin aktual pas vendimit të gjykatës polake. Presidentja e KE, Ursula von der Leyen u shpreh me keqardhje, që kemi ardhur në një pikë të tillë, megjithë përpjekjet e shumta për dialog. Por tani, si roje e marrëveshjeve, ajo nuk do të lejojë “të vihen në pikëpyetje vlerat e përbashkëta” dhe premtoi se “ne do të mbrojmë ligjshmërinë me të gjitha mjetet.” Ajo përmendi arsenalin e BE: mund të niset edhe një procedurë e re ligjore e BE ndaj Polonisë për shkelje të marrëveshjeve, ka një mekanizëm të ri të kondicionalitetit në livrimin e fondeve të BE dhe në fund neni 7. Ursula von der Leyen u shpreh, se ajo e ka shtyrë këtë procedurë qëllimiisht prej vitesh për të shmangur konfrontimin me qeverinë polake. Një procedurë e tillë mund të përfundojë me heqjen e së drejtës së votës, që njihet si “opcioni nuklear” në grindjen parimore.

“Nuk ka hapësirë për kompromise në grindjen me Poloninë për shtetin ligjor”, siguroi Sekretari gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth në kuadër të një takimi me homologët e BE të martën. Mund të bisedohet, por në fund duhet një konfirmim i qartë tek bazat e përbashëta. “Nuk mund të ketë ‘deals’ të veçantë për Poloninë”, shtoi Roth. Samitet e ardhshme të BE do të tregojnë, nëse shtetet anëtarë do të jenë të gatshmë t’i hyjnë kësaj lufte me Poloninë.DW

Continue Reading

Vendi

Zëvendës Shefi i Misionit të Ambasadës Gjermane dhe OEGJK vizitojnë Qytetin e Mençur të UBT-së

Published

on

By

Zëvendës Shefi i Misionit të Ambasada Gjermane në Kosovë, Christian Böttcher, vizitoi Qytetin e Mençur të UBT-së, ku u mirëprit nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi.

Gjatë takimit u theksua roli i UBT-së si institucion i arsimit të lartë që po vendos standarde të reja në ndërlidhjen e arsimit me sipërmarrjen dhe industrinë. Modeli i zhvillimit të UBT-së, i bazuar në integrimin strategjik të arsimit, kërkimit shkencor, inovacionit dhe zhvillimit të biznesit, u vlerësua si një qasje vizionare që sjell rezultate të matshme.

Rektori Hajrizi prezantoi para delegacionit ekosistemin unik të UBT-së, ku përmes Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik në Lipjan ndërthuren laboratorët e avancuar, teknologjitë e sofistikuara dhe bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me industrinë. Ky mjedis krijon ura konkrete mes akademisë dhe sektorit privat, duke përgatitur studentët për tregun global të punës.

U theksua se UBT, si anëtar Premium i OEGJK-së, luan rol kyç në lidhjen e Kosovës me universitete dhe institucione të arsimit të lartë në Gjermani, Austri dhe më gjerë. Partneritetet e forta ndërkombëtare dhe orientimi praktik e bëjnë UBT-në një pikë natyrore takimi ndërmjet dijes akademike dhe zhvillimit ekonomik.

Diskutimet u përqendruan në zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit, me theks në zhvillimin e qëndrueshëm, fuqizimin e inovacionit dhe thellimin e bashkëpunimit akademik ndërkufitar. Shkalla e zhvillimit të UBT-së, qartësia strategjike dhe fryma sipërmarrëse lanë përshtypje të veçantë te përfaqësuesit gjermanë, të cilët shprehën gatishmërinë për ta ndërtuar këtë momentum të përbashkët edhe në të ardhmen.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Siemens Healthineers viziton UBT-në, theksohet potenciali për bashkëpunim në mjekësinë digjitale

Published

on

By

Një delegacion nga kompania globale Siemens Healthineers, e njohur për lidershipin në teknologjitë mjekësore, digjitalizimin klinik dhe zgjidhjet e avancuara të e-Health, ka vizituar Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT në Lipjan.

Delegacioni i Siemens Healthineers u mirëprit nga Rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, së bashku me stafin akademik. Me këtë rast, Rektori Hajrizi prezantoi zhvillimin strategjik të UBT-së, programet në shkencat shëndetësore, teknologji dhe inxhinieri, si dhe kapacitetet infrastrukturore që ofron Parku Shkencor për kërkim, inovacion dhe ndërlidhje të drejtpërdrejtë me industrinë.

Gjatë vizitës në laboratorë, qendra simulimi dhe hapësira kërkimore, u diskutua konkretisht mbi rëndësinë e sistemeve të menaxhimit spitalor dhe ndërtimit të një sistemi të integruar shëndetësor.

Në këtë kontekst, ekosistemi i Qytetit të Mençur të UBT-së u vlerësua si hapësira e përshtatshme për zhvillimin e projekteve pilot në shëndetësi digjitale, trajnime profesionale për stafin mjekësor, si dhe partneritete strategjike që mund të kontribuojnë në modernizimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.

Continue Reading

lajme

Presidentja Osmani u prit në takim nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio

Published

on

By

Në kuadër të vizitës zyrtare në Washington, D.C., dhe në shënim të 18-vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u prit në Departamentin e Shtetit në takim me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Në një takim të shkëlqyeshëm dhe të përzemërt, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për ftesën që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ia bëri Kosovës për të qenë shtet bashkëthemelues i Bordit të Paqes dhe pjesë e takimit inaugurues. Ajo po ashtu shprehu falënderimet për garancat e fuqishme që Presidenti Trump i dha dje për paqen në rajonin tonë dhe, me këtë rast, e falënderoi edhe Sekretarin Rubio për lidershipin dhe bashkëpunimin e tij në këtë proces.

Në këtë takim u diskutuan çështje të partneritetit strategjik, nga fusha e sigurisë rajonale dhe diplomacisë, deri te ekonomia dhe mbrojtja. Ajo, në veçanti, theksoi disa procese me rëndësi jetike për stabilitetin në rajon: fuqizimin e partneritetit strategjik Kosovë–SHBA, anëtarësimin e Kosovës në NATO, rëndësinë strategjike të pranisë ushtarake amerikane në Kosovë, si dhe hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në ekonomi dhe mbrojtje.

Presidentja e falënderoi Sekretarin Rubio për mbështetjen e fuqishme amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Në këtë frymë, Presidentja theksoi rolin historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çlirimin,

shtetndërtimin dhe konsolidimin e paqes në Kosovë, si dhe rëndësinë e veçantë të pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të misionit të NATO-s, si faktor kyç për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Në këtë frymë, ajo nënvizoi se rruga natyrore e këtij partneriteti strategjik është anëtarësimi i Kosovës në NATO, proces ky i domosdoshëm për të siguruar paqe afatgjatë në rajonin tonë.

Presidentja gjithashtu theksoi rëndësinë e avancimit të dialogut strategjik bilateral Kosovë–SHBA si mekanizëm për koordinimin e prioriteteve të përbashkëta dhe hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Për më tepër, ajo theksoi se partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përbën interes jetik kombëtar dhe është ekzistencial për Republikën e Kosovës, duke vënë në pah prioritetet strategjike për thellimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik.

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi miraton buxhetin e Kosovës për vitin 2026

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka miratuar buxhetin për vitin 2026 me 62 vota për, 36 kundër dhe asnjë abstenim.

Buxheti i paraparë për këtë vit është 4 miliardë euro.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka theksuar se ky është një buxhet i përkohshëm emergjent, ndërsa procesi i miratimit ka qenë i shpejtë për të garantuar funksionimin normal të institucioneve.

Ai ka sqaruar se për shkak të kohës së kufizuar, nuk është dhënë hapësirë për ndryshime, madje as ministrave që menaxhojnë dikasteret e tyre, duke u fokusuar në sigurimin e një baze që komunat dhe institucionet qendrore të mund të funksionojnë pa probleme. Murati po ashtu ka kërkuar që të mos ketë amandamente me implikime financiare.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar mënyrën se si janë trajtuar amandamentet e partisë së tij gjatë seancës plenare, duke thënë se nuk është lënë hapësirë reale për ndryshime.

“Asnjë amandament i AAK-së nuk kaloi, dhe i gjithë procesi duket si një mashtrim optik,” ka thënë Tahiri.

Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, ka deklaruar se Lidhja Demokratike ka paraqitur 21 amandamente që nuk janë shqyrtuar nga komisionet përkatëse.

Ajo ka paralajmëruar se pa vënien e këtyre amandamenteve në votim, LDK nuk do ta mbështesë buxhetin, duke argumentuar se ato adresojnë probleme reale të qytetarëve, përfshirë arsimin, shëndetësinë dhe investimet kapitale.

Gjithashtu, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka njoftuar se partia e tij nuk e mbështet buxhetin dhe tërheq të gjitha amandamentet.

Ai ka thënë se vërejtjet e PDK-së, që lidhen me aspektet profesionale, teknike dhe nevojat reale që buxheti duhet të adresojë, nuk kanë marrë vëmendje, duke përfshirë edhe kërkesat për rritje të mbështetjes financiare për të akuzuarit dhe çlirimtarët në Hagë.

 

Continue Reading

Të kërkuara