Lajmet

Lufta është “bijë” e tiranisë, kushdo që dëshiron ta kundërshtojë atë duhet të luftojë tiranët

Nga Alexei Navalny

Published

on

“I pandehuri Navalni, mund të bëni deklaratën tuaj të fundit!”. Nëse do të më jepnin para sa herë që do ta dëgjoja këtë frazë, do të isha i pasur shumë kohë më parë, madje edhe me zhvlerësimin e rublës. Madje e pohoj se të gjitha këto deklarata “të fundit” më argëtojnë.  “Nëse është e vërtetë deklarata e fundit, pse ai vazhdon të flasë, të flasë, të flasë e të flasë?” – do të mendojë logjikisht shumëkush. Unë dua të jem i sinqertë: në fillim të këtij procesi mendova seriozisht që të heq dorë nga deklarata ime e fundit. Edhe sa herë mund të jetë e fundit? Pastaj vendosa ta bëj gjithsesi, dhe kjo sepse “deklarata e fundit” është në fakt diçka e pazakontë.

E çfarë shkruajnë për ditën e fundit të hapjes së një dyqani? “Nuk ka shitje, por likuidim të mallit!”. Ndaj shumë njerëz hyjnë atje dhe blejnë diçka. Po kështu, edhe deklarata e fundit është një mundësi për t’i treguar të gjitha duke e ditur se do të ketë më shumë njerëz që do të dëgjojnë atë që do të thuash.

Prandaj unë do të bëj deklaratën time të fundit. Më lejoni ta filloj me një lloj përgjigjeje. Sepse në thelb këto procese gjyqësore janë një lloj dialogu mes meje dhe shokëve të mi dhe juve që e keni pushtetin. Nëse themi: “Ne po e bëjmë këtë”, ju thoni: “Epo, kjo dënohet me 5 vite burg”.

Ne kundërpërgjigjemi: “Kjo do të thotë që ne do ta bëjmë këtë”, dhe ju: “Shumë mirë, do t’iu japim një dënim tjetër”. “Nuk do të na ndaloni sot!”. “Ekstremistë!”. Ky është toni i bisedës. Prandaj, përfitoj nga deklarata ime e fundit për t’i njoftuar zyrtarisht ata që besojnë se për shkak të izolimit tim të gjatë, Fondacioni Kundër Korrupsionit do të ndalojë apo ngadalësojë punën e tij, se e gjithë kjo nuk do të ndodhë kurrë.

Puna e fondacionit jo vetëm që nuk do të ndalet, por përkundrazi do të ketë një shtrirje globale. Ne do të realizojmë edhe më shumë dokumentarë, akoma më shumë hetime dhe do të demaskojmë akoma më shumë njerëz që e pengojnë vendin tonë të jetojë. Kjo është arsyeja pse Fondacioni Kundër Korrupsionit vetëm do të rritet, derisa të bëhet ndërkombëtar.

Dhe tani të vijmë tek procesi. Ai ka një veçori të rëndësishme: është shumë ndryshe nga të gjithë të tjerët. Jo për arsye proceduriale, apo sepse ndodh gjatë kohës që jam në burg, apo edhe për dënimin jo-proporcional që është kërkuar. Gjithashtu sepse me gjithë respektin e duhur, procesverbali i gjykimit i mbajtur në gjykatën e Chimki është një farsë.

Atje unë kisha mbi kokë portretet e Jezhov dhe Yagoda. Një çmenduri. Megjithatë, ky proces ka një veçori të paprecedentë. Askush nuk shqetësohet për të. Jo se nuk ka audiencë, por për shkak të luftës në Ukrainë interesi po bie.

Për të arritur në qelinë time, duhet të kaloj të ashtuquajturën “pika e kontrollit”. Aty ku duhet të zhvishesh, të heqësh gjithçka nga trupi. Dhe ku të kontrollojnë imtësisht. Unë i nënshtrohem të paktën 4 herë në ditë një kontrolli të tillë. Madje edhe 8 herë kur pauzat shumëfishohen.

Dhe duke qenë se të gjitha qelitë janë të zëna, shpeshherë përfundoj në zyrën që ndodhet prapa këtij muri, që është shkolla e burgut, klasa e gjuhës dhe letërsisë ruse. Dhe në klasën e gjuhës dhe letërsisë ruse ju kërkojnë: çdo ditë, madje disa herë në ditë.

Atje Buratinkin (një gardian) më merr të brendshmet dhe i kalon nëpër një detektor metali. Ndërkohë unë tërësisht lakuriq ia ngul sytë murit, prej nga më shikon Lev Tolstoi, një rus i madh që ka shkruar shumë për luftërat dhe që ka thënë shumë gjëra të drejta. Në një nga këto thënie Tolstoi thotë: “Lufta është ‘bijë’ e tiranisë. Kushdo që dëshiron ta kundërshtojë atë, duhet të luftojë tiranët”./ “Linkiesta”

Vendi

Prokuroria del me detaje për vrasjen e gruas në Prizren

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje zyrtare lidhur me vrasjen e rëndë që ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme, më 26 gusht 2026.

Sipas njoftimit zyrtar nga organet e ndjekjes, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30 pas mesnatës. Bazuar në të dhënat e para të hetimit, i dyshuari me inicialet B.D. dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij duke ushtruar dhunë fizike ndaj saj.

Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, njësitet e Policisë së Kosovës, krim-teknika si dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML). Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari B.D. është ndaluar për 48 orë nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë”. Brenda afatit ligjor, Prokuroria ka bërë të ditur se do të parashtrojë kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit.

Hetimet nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës po vazhdojnë me intensitet të lartë për të zbardhur të plota rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje tragjike.

80-vjeçarja gjendet pa shenja jete, dyshohet për vrasje të rëndë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të së mërkurës në Prizren, ku një grua 80-vjeçare është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj. Për rastin dyshohet bashkëshorti i saj, rreth 81-vjeç.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar për KosovaPress se rreth orës 01:30 Policia ka pranuar informatën për një grua të gjetur pa shenja jete në një shtëpi banimi.

Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore dhe ekipi i urgjencës mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Në shtëpi është gjetur edhe bashkëshorti i saj, i cili është shoqëruar në stacionin policor.

Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit policorë, forenzika dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, ka lindur dyshimi për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas Policisë, lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës dyshohet se janë shkaktuar me forcë duarthatë, pa përdorimin e ndonjë arme apo mjeti tjetër.

Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor. Ndërkohë, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.

Policia ka bërë të ditur se, sipas evidencave të saj, çifti nuk kishte pasur raste të mëhershme të raportuara të dhunës në familje. Në momentin e incidentit, ata dyshohet se kanë qenë vetëm në shtëpi.

Hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur motivin dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë. /Kosova Press/

Continue Reading

Vendi

Parandalohet kontrabandimi i mbi 11 mijë produkteve ushqimore në kufirin me Maqedoninë e Veriut

Published

on

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandës me mallra përgjatë kufirit me Maqedoninë e Veriut.

Sipas Policisë së Kosovës, më 26 gusht, nga drejtimi i fshatit Tanushë në Maqedoninë e Veriut është vërejtur një furgon me targa vendore duke hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës, në drejtim të fshatit Mjak të Vitisë.

Njësitet e Task Forcës–Jugu kanë reaguar dhe e kanë ndaluar automjetin pranë brezit kufitar. Gjatë kontrollit janë gjetur 9,525 copë çipsa, 700 pashteta dhe 750 gulash viçi, të gjitha me mbishkrime të Maqedonisë së Veriut.

Sipas autoriteteve, drejtuesi i automjetit nuk posedonte dokumentacion për prejardhjen apo importimin e mallrave.

Vlera preliminare e mallrave të dyshuara si të kontrabanduara është vlerësuar në mbi 5 mijë euro, pa përfshirë detyrimet dhe taksat doganore të shmangura.

Mallrat dhe automjeti janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor. Rasti do të procedohet më tej nga njësitet kompetente të Doganës së Kosovës./A.K/

Continue Reading

Vendi

William Walker propozon Faton Bislimin për president të Kosovës

Published

on

Ish-ambasadori amerikan, William G. Walker, ka propozuar Faton Bislimin, lobuesin për cështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në SHBA, si kandidat për president të Kosovës.

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, përmes një letre dërguar kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini, ka shprehur shqetësimin e tij për krizën politike për zgjedhjen e presidentit të ri.

Në letrën që ka siguruar KosovaPress, Walker e konsideron person adekuat për postin e presidentit Faton Bislimim, i cili ka qenë edhe deputet i parlamentit të Kosovës.

“Kam dëgjuar emrat e disa kandidatëve të mundshëm. Të gjithë ia vlen të merren në konsideratë, por sipas gjykimit tim, asnjëri prej tyre nuk i zotëron të gjitha aftësitë e nevojshme, përvojën dhe personalitetin që kërkon ky post. Më lejoni të sugjeroj një zgjedhje të mundshme. E njoh Faton ‘Tony’ Bislimin prej shumë vitesh. Kemi diskutuar shpesh për politikën e Kosovës, si në planin e brendshëm, ashtu edhe për vendin e këtij shteti të ri në Evropë dhe në botë. Nuk kam asnjë dyshim për pavarësinë e mendimit të Tonit dhe për aftësinë e tij për të shprehur qëndrimin e tij mbi çdo temë. Sipas mendimit tim, i vetmi ndër emrat e mundshëm, Toni i zotëron të gjitha aftësitë e nevojshme – si dhe personalitetin që u përshtatet atyre – për të qenë një President i suksesshëm. Më lejoni të rendis aftësitë që i konsideroj thelbësore për një presidencë të suksesshme”, thuhet në letrën e tij dërguar.

Walker thekson veçanërisht se Kosova ka nevojë për një president që përfaqëson vendin në tërësi, e jo një parti apo një qëndrim të caktuar politik./KosovaPress//A.K/

Continue Reading

Lajmet

Konjufca: VV-ja i ka emrat për president, nuk do t’i bëjmë publikë para takimit me LDK-në

Published

on

Lëvizja Vetëvendosje tashmë i ka përcaktuar emrat që mund t’i propozojë për presidentin e ardhshëm të Kosovës, por nuk do t’i bëjë publikë para takimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Këtë e ka deklaruar ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se VV-ja dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë të gatshëm për takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Sipas Konjufcës, në takimin e ardhshëm pritet të diskutohen emra konkretë dhe ekziston mundësia që nga kjo përpjekje të arrihet një marrëveshje për presidentin.

“Lëvizja Vetëvendosje është gati. Kryeministri Kurti është gati. Emrat i kemi, po nuk mund t’i ndaj këtu me ju, sepse kjo do ta humbte kuptimin e procesit të negociimit”, ka deklaruar Konjufca.

Ai ka thënë se LVV-ja është në pritje të një ftese nga LDK-ja për caktimin e ditës së takimit, pasi Abdixhiku kishte deklaruar më herët se bisedimet do të zhvilloheshin gjatë kësaj jave.

Konjufca ka shprehur keqardhje që takimi nuk u zhvillua javën e kaluar, por ka thënë se e mirëkupton nevojën e partive për të përcaktuar emrat konkretë para se të diskutohet për një marrëveshje përfundimtare.

LVV-ja dhe LDK-ja po zhvillojnë prej një kohe diskutime për zgjedhjen e presidentit. Në takimin e fundit mes Kurtit dhe Abdixhikut, ku morën pjesë edhe ish-presidentja Vjosa Osmani dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, është thënë se është arritur pajtim për profilin e presidentit të ardhshëm dhe se në takimin vijues do të diskutohen kandidatura konkrete.

Ndërkohë, gjatë ditës është raportuar se ish-shefi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka propozuar Faton Bislimin për president në një letër drejtuar liderëve të partive parlamentare./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara