The Guardian ka shkruar se pamja e jashtëzakonshme dhe stili i veçantë, i mbuluar me tatuazhe, shpesh nuk i ka dhënë Angelina Joliet shumë hapësirë për të qenë aktore e larmishme.
Ajo prej kohësh nuk ka treguar interes të madh për aktrim. Që nga 2012, ka dalë fizikisht në ekran shtatë herë, duke preferuar regjinë, familjen dhe punën e saj humanitare. Filmat që ka realizuar si regjisore kanë pasur qëllime fisnike, por kanë pasur pak vlerë artistike.
Filmi i fundit, “Without Blood”, u shfaq vitin e kaluar në Festivalin e Torontos, por nuk ka shpërndarje në SHBA. Ndërsa hyn në të 50-at, duket se Jolie po e rigjen pasionin për aktrimin. Pas dështimit katastrofal në arkat filmike të Marvelit “Eternals”, që kritiku i “The Guardian, Benjamin Lee e quan “fantastikisht i mërzitshëm”, ajo u lirua nga pritshmëritë për vazhdime në filma superheronjsh.
Filmi biografik i vitit të kaluar për këngëtaren e operas, Maria Callas, nuk i solli nominim për “Oscar”, por e ktheu Jolien në qendër të vëmendjes. Megjithatë, filmi i saj i ri, “Couture”, që u shfaq premierë në Toronto, sipas Lee’s, nuk funksionon në asnjë nivel dhe është po aq i hollë e i konsumueshëm sikur diçka e blerë në dyqane të zakonshme.
Regjia është e Alice Winocour, e cila më parë në Toronto solli dramën “Paris Memories”. Por kujdesi dhe delikatesa e atij filmi mungojnë krejtësisht te filmi “Couture”.
“Çdo personazh dhe çdo ide janë tepër sipërfaqësore për t’u dukur të vërteta”, shkruan Lee.
Winocour përpiqet t’i japë filmit ndjesi dokumentari, por, siç thotë një personazh në film: “Vetëm pse diçka është e vërtetë, nuk do të thotë që është interesante”. Në letër, roli i Jolies tingëllon intriguese.
Ajo luan rolin e Maxine, një regjisore filmash të frikshëm që përballet me dyshimin se do diagnostikohet me kancer të gjirit.
Maxine angazhohet nga shtëpi franceze e modës për të realizuar një film të shkurtër që do të hapë shfaqjen e tyre në Javën e Modës në Paris.
Historia ndërthuret me dy rrëfime tjera, një modele 18-vjeçare nga Sudani i Jugut, Anyier Anei, që merr shansin e parë të madh, dhe një grimere, Ella Rumpf, me ëndrra për t’u bërë shkrimtare.
Por, Lee shkruan se gjithçka është po aq e lehtë dhe e parëndësishme sa një pupël, me dramë konvencionale që rrotullohet rreth diagnozës së Maxine’s. Shikuesi ndien emocion kur Jolie shfaqet në situata që i ka përjetuar vetë, por asgjë nga mënyra si janë shkruar a realizuar skenat nuk e jep ndjesinë e përvojës reale, gjithçka duket e zakonshme si një film televiziv.
Kritiku ka shtuar se Jolie mbetet padyshim yll karizmatik, por jo me shumë thellësi në këtë rol. Ajo nuk arrin ta gjallërojë një personazh pa tipare të dallueshme dhe asnjëherë nuk e bën shikuesin të harrojë se kë po sheh.
Edhe flirtimi i shkurtër i personazhit me kameramanin, Louis Garrel, nuk sjell asgjë më shumë se skena të thata dhe pa pasion.
Dy personazhet e tjera gra, modelja e re dhe grimerja e papërmbushur, kishin potencial, por Winocour nuk arrin ta shndërrojë jetën e tyre të zakonshme në histori që mbajnë peshë.
Rezultati është një dramë e zbrazët, që në momentet e fundit të saj, me një zë të zbehtë rrëfyes dhe një stuhie shiu të dramatizuar, fillon të ndihet po aq e pakuptimtë sa një film bosh i sponsorizuar nga një brend mode.
“Filmi e bën botën e modës të duket vdekjeprurëse e mërzitshme, sikur Winocour e urren po aq sa edhe protagonistja e saj”, përmbyll Lee.