Lajmet

​Liderët në tubime të diskutueshme me diasporën

Published

on

Vetëm në dy javët e para të nëntorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, ka takuar diasporën kosovare në së paku katër shtete të Evropës: Zvicër, Austri, Norvegji dhe Gjermani.

Në postimet e bëra në Facebook, ai shkruan se takimet me bashkatdhetarë i ka të shpeshta dhe i falënderon ata për mikpritjen.

Me afër 300 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër, ne jemi shumë krenarë për lidhjet e forta, të cilat i kemi ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës”, shkruan në njërin prej postimeve më 2 nëntor.

Në më pak se tre muaj, Kosova do t’i mbajë zgjedhjet e rregullta parlamentare.

Përfaqësues të disa partive opozitare dhe njohës të zhvillimeve politike thonë se udhëheqësit e Qeverisë janë duke i shfrytëzuar ambasadat dhe burimet e shtetit të Kosovës për fushatë elektorale.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se disa prej takimeve të tilla, në të cilat ka marrë pjesë edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, janë organizuar nga ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në vendet përkatëse, e disa nga vetë Lëvizja Vetëvendosje.

Për të parat, thotë se “njoftimi për organizimin e tyre ka qenë publik dhe ftesa ka qenë e hapur për të gjithë”.

Gjatë muajve shtator e tetor, Kurti ka takuar mërgatën edhe në Shtetet e Bashkuara, në Francë dhe në së paku katër qytete të Gjermanisë.

“Organizimet që realizohen nga strukturat partiake, siç ka qenë rasti në Gjermani, muajin e kaluar, nuk kanë të bëjnë fare me organizimet e ambasadave dhe konsullatave. Në ato raste, për takime të tilla nuk shfrytëzohen objektet e institucioneve tona diplomatike, e as burimet financiare të tyre”, thotë Kryeziu.

Sipas tij, në secilin takim me mërgatën, Kurti ka bërë thirrje për regjistrimin online të saj, në kuadër të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, si dhe për regjistrimin për votim nga jashtë në zgjedhjet që po afrohen – “pa asnjë paragjykim për preferencat e tyre”.

Afati i diasporës kosovare për regjistrim skadon më 31 dhjetor, ndërsa për votim nga jashtë për zgjedhjet e 9 shkurtit mbyllet më 26 dhjetor.

Akuzat nga opozita

Në tubime me pjesëtarët e mërgatës kosovare në Gjemani dhe Itali, gjatë muajit nëntor, ishte edhe Bedri Hamza, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër.

Ne do ta forcojmë dhe institucionalizojmë lidhjen e shtetit me diasporën. Kuvendi do të ketë deputetë që vijnë nga diaspora jonë”, shkroi Hamza në Facebook, pas, siç tha, “tubimit madhështor” në Shtutgart të Gjermanisë.

Nga partia e tij nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se kush i financoi tubimet e tyre.

Në një postim në Facebook më 9 nëntor, sekretarja e përgjithshme e kësaj partie, Vlora Çitaku, tha se Qeveria po i përdor ambasadatdhe burimet e shtetit për fushatë elektorale.

Ditëve të fundit, kryeministri i Kosovës dhe ministrja e Punëve të Jashtme po keqpërdorin hapur pushtetin e tyre politik, paratë e taksapaguesve dhe institucionet tona për të kryer fushatë partiake në diasporë”, tha Çitaku.

Sipas saj, Qeveria “po tenton të kamuflojë agjendën partiake si punë zyrtare qeveritare”.

Ajo nuk i përmendi tubimet e partisë së saj në diasporë.

Tubim me mërgatën në Zvicër mbajti edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në fund të shtatorit.

Por, sipas Muharrem Nitajt, i cili drejton shtabin zgjedhor të AAK-së, ai është mbuluar financiarisht nga fondi i partisë dhe partia nuk ka kërkuar ndihmë nga ambasada.

Nitaj, po ashtu, thotë se Kurti dhe Gërvalla, përmes ambasadave të Kosovës, organizojnë tubime me pjesëtarët e mërgatës dhe bëjnë fushatë parazgjedhore.

Nuk ka problem që kryeministri të zhvillojë fushatë, por së paku atë do të duhej ta zhvillonte nën petkun e partisë së vet politike dhe jo t’i shfrytëzojë përfaqësitë diplomatike që i ka Kosova nëpër vende të ndryshme të BE-së ose në SHBA”, thotë Nitaj për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, çështjet për të cilat Kurti e Gërvalla thonë se u kanë bërë thirrje pjesëtarëve të mërgatës, nuk janë kompetencë e tyre, por e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, përkatësisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Lidhja Demokratike e Kosovës, deri më tash, nuk ka të publikuar ndonjë takim me pjesëtarët e diasporës.

Zyrtarët e saj nuk iu përgjigjën kërkesave të Radios Evropa e Lirë për t’i komentuar takimet e organizuara të liderëve me diasporën.

A mund të organizojnë e financojë tubime ambasadat?

Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skënder Xhakaliu, duke u bazuar në përvojën e tij disavjeçare si diplomat, shpjegon për Radion Evropa e Lirë se roli primar i ambasadave është përfaqësimi diplomatik i Kosovës në vendet përkatëse ku janë ato.

Sipas tij, në kuadër të vizitave diplomatike të krerëve të institucioneve shtetërore në vendet nikoqire, “mund të organizohen edhe takime me bashkatdhetarët, për shkak të informimit të nevojshëm të tyre”, lidhur me çështje të caktuara.

Jashtë vizitave diplomatike, natyrisht që çdo institucion i qeverisë apo çdo individ i partisë politike ka të drejtë të organizojë tubime, por ato janë tubime jashtë procesit diplomatik”, thotë Xhakaliu.

Ai shton se ndihma që ofron shërbimi diplomatik, duhet të jetë vetëm mbi bazën e përfaqësimit diplomatik, ku nuk hyjnë organizimet e tubimeve.

Tubimet e tilla, sipas tij, mund të organizohen nga individë, shoqata apo organizata të ndryshme, të cilat kanë të drejtë të ftojnë përfaqësues institucionesh, liderë të partive etj.

Për çdo organizim që bëhet jashtë përfaqësimit diplomatik, ambasadat dhe shërbimet konsullore nuk kanë obligime financiare”, thotë Xhakaliu.

“Fjalime elektorale” në tubimet me mërgimtarët

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu” në Prishtinë, thotë se takimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministres Donika Gërvalla me pjesëtarët e diasporës së Kosovës në vende të ndryshme evropiane, janë tubime parazgjedhore.

Sipas tij, fjalimet e zyrtarëve të lartë qeveritarë të Kosovës në këto tubime kanë përmbajtje politike dhe elektorale.

Fjalimet që i ka publikuar zëvendëskryeministrja dhe kryeministri, thjesht, janë elektorale. Po ashtu, ka pasur raste ku takimi është mbajtur nga kryeministri, lajmërimi ka dalë nga Zyra e Kryeministrit, por njëkohësisht edhe nga ana e partisë [Lëvizjes Vetëvendosje]. Krejt këto janë të lidhura me njëra-tjetrën”, thekson Demhasaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se, në këtë kontekst, zyrtarët e Qeverisë janë duke i keqpërdorur resurset publike për interesa partiake.

Po keqpërdoren resurset publike, sidomos ambasadat, sepse krejt këto takime po ftohen, po organizohen nga ana e ambasadave të Kosovës me diasporë dhe, pastaj, kryeministri dhe zëvendëskryeministrja po shkojnë dhe po bëjnë fushatë në këto takime”, thotë Demhasaj.

Diaspora e Kosovës është e përqendruar kryesisht në Gjermani, Zvicër, Austri dhe vende të tjera të Evropës.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850.000.

Ndonëse partitë politike në Kosovë kanë nisur takime dhe tubime edhe me qytetarë brenda Kosovës, me rregulloren e KQZ-së, periudha e fushatës së zgjedhjeve fillon 30 ditë para ditës së zgjedhjeve.

Në rastin konkret, sipas KQZ-së, periudha e fushatës zgjedhore për partitë politike dhe kandidatët e certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit, fillon zyrtarisht më 11 janar, 2025./REL/

Rajoni

Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim

Published

on

By

Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.

I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.

Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.

Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.

Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.

Continue Reading

Lajmet

ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës

Published

on

By

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.

ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.

Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.

“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.

Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.

Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.

 

Continue Reading

Vendi

27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën

Published

on

By

Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.

Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.

Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.

Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.

Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.

Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.

 

Continue Reading

Lajmet

MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara

Published

on

By

Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.

Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.

Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.

Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.

Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/

 

Continue Reading

Të kërkuara