Autore: Diona Hajrizi dhe Diellza Beka – studente të vitit të dytë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT
Nga 13 shtatori, kur nisi fushata për raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Prishtinë, e deri më 11 tetor, një ditë para mbajtjes së tyre, kandidatët për kryetar të kryeqytetit e zhvilluan fushatën e tyre elektorale jo vetëm në terren, por edhe në rrjetet sociale, duke synuar që të jenë “in” me kohën përmes platformave si Facebook dhe TikTok.

Megjithatë, rezultatet përfundimtare të raundit të parë nuk përputheshin gjithmonë me ato të klikimeve dhe shikimeve në platformat digjitale. Kjo tregon se angazhimi politik në Kosovë ende kërkon bashkërendimin mes fushatës tradicionale dhe asaj moderne, me një dominim të vazhdueshëm të asaj të parës – në shtëpi, kafene apo oda.
Fushata online: Kush ndikoi më shumë në publik
Të dhënat e grumbulluara tregojnë se kandidatja e PSD-së, Besa Shahini, ishte më e klikuar dhe më e shikuar në rrjetet sociale sesa kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ndonëse ky i fundit arriti të kualifikohej për në balotazh.
Rezultati përfundimtar i raundit të parë të zgjedhjeve për Prishtinën, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i renditi kandidatët kështu: Përparim Rama (LDK) mori 35 mijë e 595 vota, apo 33.71 për qind, Hajrulla Çeku (LVV) mori 35 mijë e 77 vota, apo 33.21 për qind, Uran Ismaili (PDK) mori 29 mijë 203 vota, apo 27.65 për qind, Bekë Berisha (AAK) mori 3 mijë 298 vota, apo 3.12 për qind, dhe Besa Shahini (PSD) mori 1 mijë 652 vota, apo 1.56 për qind.
Por në arenën digjitale, përparësitë ishin disi të ndryshme.
Uran Ismaili – më shumë shikime, më pak pëlqime
Postimet e kandidatit të PDK-së, Uran Ismaili, në Facebook arritën 16 milionë shikime, 230 mijë pëlqime dhe 3 mijë shpërndarje. Përmbajtja e tij ishte kryesisht e fokusuar në prezantimin e programit katërvjeçar dhe takimet me qytetarët.
Në TikTok, ai shënoi 10 milionë shikime, 250 mijë pëlqime dhe 40 mijë shpërndarje, duke shfrytëzuar trendet për të tërhequr vëmendjen e të rinjve. Me 26 milionë shikime gjithsej në të dy rrjetet, Ismaili del kandidati më i shikuar në total, por jo më i pëlqyeri.
Përparim Rama – dominim në Facebook
Kandidati i LDK-së, Përparim Rama, numëroi 18 milionë shikime, 500 mijë pëlqime dhe 8 mijë shpërndarje në Facebook, ku fushata e tij u fokusua në projektet e realizuara dhe planin për katër vitet e ardhshme.
Në TikTok, Rama grumbulloi 2 milionë shikime, 60 mijë pëlqime dhe 8 mijë shpërndarje, duke u renditur i dyti për nga popullariteti në rrjetet sociale. Totali i tij në të dy platformat arriti në 20 milionë shikime dhe 560 mijë pëlqime.
Besa Shahini – mesazhe autentike dhe përmbajtje sociale
Kandidatja e PSD-së, Besa Shahini, u vlerësua për stilin e saj autentik në komunikim. Ajo kishte 7 milionë shikime, 28 mijë pëlqime dhe 1 mijë shpërndarje në Facebook, ndërsa në TikTok arriti 4 milion shikime, 60 mijë pëlqime dhe 2 mijë shpërndarje.
Videot e saj shpesh fokusoheshin në probleme konkrete të banorëve të Prishtinës, të cilat ajo i përcillte me ton empatik dhe të drejtpërdrejtë.
Hajrulla Çeku – aktiv në terren, më pak online
Kandidati i LVV-së, Hajrulla Çeku, kishte një prezencë më të kufizuar digjitale. Në Facebook regjistroi 4 milionë shikime, 170 mijë pëlqime dhe 6 mijë shpërndarje, ndërsa në TikTok arriti vetëm 150 mijë shikime, 4 mijë pëlqime dhe 600 shpërndarje.
Ai qëndroi i katërti për nga popullariteti në rrjetet sociale, megjithëse arriti të siguronte vendin e dytë në zgjedhje.
Ekspertët: Rrjetet sociale, pjesë e domosdoshme e politikës moderne
Eksperti i komunikimit digjital, Valon Kerolli, thekson se rrjetet sociale janë bërë mjeti kryesor i fushatave zgjedhore në Kosovë, duke ndryshuar mënyrën e komunikimit me publikun.
“Në Kosovë, rrjetet sociale janë bërë mjeti kryesor i fushatave. Tek votuesit e rinj ndikimi i tyre është dominues. Politikanët e kanë kuptuar se komunikimi i shpejtë dhe direkt është më efektiv sesa format tradicionale”, deklaron Kerolli.
Ai shton se përmbajtja kreative dhe organike shpesh ka ndikim më të madh se reklamat e paguara.
“Nëse përmbajtja është e mirë dhe autentike, ajo ka më shumë ndikim sesa reklamat. Politikanët duhet të përdorin video të shkurtra e dinamike, sepse këto konsumohen më shpejt dhe ndikojnë më shumë tek audienca e re”.
Ndërsa analisti politik Visar Xani thekson se rrjetet sociale kanë marrë rol qendror në politikën kosovare, duke zëvendësuar format tradicionale të komunikimit.
“Çdo reagim, video apo postim mund të kthehet në temë dite dhe të ndikojë në orientimin e opinionit publik”, thotë Xani.
Sipas tij, autenticiteti dhe sinqeriteti i komunikimit janë faktorët që përcaktojnë besueshmërinë e një kandidati.
“Kur komunikimi është i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë, votuesi e ndjen. Por kur përmbajtja bëhet vetëm marketing politik, efekti është i kundërt – krijon lodhje dhe dyshim tek publiku”.
Ai përfundon se, ndonëse rrjetet sociale krijojnë momentum dhe imazh, fitorja në zgjedhje ende varet nga kontakti real me qytetarin dhe struktura organizative në terren.
“Rrjetet sociale krijojnë energji, por për fitore duhen edhe besueshmëria dhe kontakti real me qytetarin”.
Edhe pse fushatat digjitale e rritën dukshmërinë e kandidatëve, rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve për Prishtinën treguan se shikimet dhe klikimet në Facebook e TikTok nuk garantuan fitore. Kandidatët që dominuan online nuk përputheshin gjithmonë me renditjen finale në kutitë e votimit, duke treguar se autenticiteti, angazhimi në terren dhe kontakti real me qytetarin mbeten çelësi i suksesit politik në Kosovë./UBTNews