Lajmet

Latifi: Gjatë ditës kam nënshkruar vendimin për pagesat e kujdestarive të specializantëve

Ai ka premtuar që gjatë këtij mandati do të ndërtojnë Qendrën për Trajtimin e Traumës.

Published

on

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka nënshkruar gjatë ditës së sotme vendimin për pagesat e kujdestarive për specializantët.

Ai ka premtuar që gjatë këtij mandati do të ndërtojnë Qendrën për Trajtimin e Traumës dhe se do të bëjnë akreditimin e procesit të edukimit të specializantëve. Në raportimin para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi, anëtarët e komisionit kanë kritikuar atë për listat e pritjeve të gjata për operacione dhe procedura diagnostikuese. Latifit i është kërkuar edhe shkarkimi i bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK).

Gjatë raportimit para anëtarëve të komisionit, ministri Rifat Latifi tha se ka krijuar një grup të ekspertëve për hartimin e Ligjit për Shëndetësi, ku u shpreh se gjatë vitit do të përfundojë.

Në raportimin e ministrit prej më shumë se dy orëve, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka folur edhe për listën esenciale, ku tha se me buxhetin aktual nuk ka mundësi që të përmirësohet kjo gjendje.

“Hap tjetër që do të ju pengojë, është që nuk kemi shtete dhe qendra jashtë Kosovës, që ministritë paraprake kanë nënshkruar marrëveshje që t’i dërgojmë studentët e specializuar tanë në specializime shtesë. Ka marrëveshje me institucionet të cilat nuk punojnë asgjë më shumë se sa ne që punojmë këtu. Nëse e keni në plan që këta studentë ose mjekët e rinj që janë në programet post-dok t’i dërgoni në shtetet e rajonit, mendoj mos u lodhni. Nuk kemi nevojë për mjekësi rajonale. Kosova ka nevojë për avancim real, jo për avancim me letra. Këtë duhet ta bëni me një marrëveshje të sigurt”, tha Dreshaj.

Edhe për kryetaren e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku-Mullhaxha problemet kryesore janë specializimet, meqë sipas saj, të rinjtë po pengohen për avancim.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi u zotua se gjatë këtij mandati, do te bëjnë akreditimin e procesit të edukimit të specializantëve dhe ndërtimin e Qendrës së Traumës.

“Asgjë nëse nuk mundemi të bëjmë në këtë mandat, akreditimin e procesit të edukimit të specializantëve edhe ndërtimin e Qendrës së Traumës, që do të thotë trauma me kujdesin intensiv edhe me emergjencë do ta bëjmë”, është zotuar ministri Latifi.

E, anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu theksoi se MSh duhet të shkarkojë bordin e ShSKUK-së.

“Listat e pritjes së pacientëve për operacione janë rritur me bordin aktual të ShSKUK-së, për më keq lista e pritjeve është rritur edhe për procedurat diagnostikuese. A ka i nderuar ministër ndonjë llogaridhënie nga bordi, pasi ai i përgjigjet Ministrisë së Shëndetësisë? Më intereson të dijë a do të vazhdoni me këtë bord të dështuar, që ka vënë në lajthitje jo vetëm pacientët dhe profesionistët shëndetësor, por i ka lajthitur edhe krerët e shtetit kur e ka prerë shiritin, gjashtë muaj më parë për spitalin e fëmijëve. I cili spital kur i është prerë shiriti, as nuk ka qenë i pranuar në aspektin teknik dhe as nuk ka pasur leje për përdorim, që nuk e ka as sot”, ka deklaruar Haxhiu.

Në lidhje me këtë, ministri i Shëndetësisë premtoi se gjatë këtij muaji do të hapet spitali i fëmijëve. Ai është përgjigjur edhe për bordin e ShSKUK-së.

“Unë e kam përsipër vet me udhëheq atë proces edhe po shkon shumë mirë. Unë jam shumë optimist se në këtë muaj do ta hapim atë spital. […] Besoj që do të bëhet, raportet teknike kanë qenë dje edhe sot. Besoj që kjo punë do të bëhet… Për çështjen e bordit, ne jemi duke e analizuar. Unë nuk mund të them se çfarë do të bëjë nesër me bordin, me drejtorin e bordit. Kryesisht na duhet të merremi me rregullimin e statutit të ShSKUK-së”, ka vijuar Latifi me deklarimin para anëtarëve të komisionit.

Sa i përket listës së pritjeve, Latifi tha se në Klinikën Ortopedike, ku janë edhe pritjet më të gjata, kjo po ndodhë për shkak të mungesës së sallave dhe materialeve.

I zëshëm për çështjen e specializantëve ka qenë edhe deputeti Burim Meta, i partisë “Guxo”.

“Ministër nuk e di a e dini që ekziston një udhëzim administrativ për specializantët në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë. A e dini? Dhe është një nen dhe një pikë. Meqë jemi te specializantët, ju keni target shumë të madh të specializantëve, fuqizimin e tyre, kthimin e tyre, nuk po ua paguani kujdestaritë i nderuar ministër. E dini që ekziston edhe një kontratë kolektive nga ish-ministri në raport me sindikatat. As këtë nuk je duke e zbatuar, ministër i nderuar në raport me specializantët”, i tha ai ministrit Latifi.

Por, Latifi tha se gjatë ditës ka nënshkruar vendimin për pagesën e kujdestarisë së specializantëve.

“Sot e kam nënshkruar këtë udhëzim administrativ. Të parën punë që e kam bërë sot në zyrën, e kam nënshkruar këtë vendim. MSh me rregullat e të kaluarës i paguan specializantët vetëm dy kujdestari në muajt. Por, ato është dashur të jenë prej kësaj dite deri në të enjten. Me rekomandimin e bordit për specializime ne e kemi shtyrë këtë, që ta bëjmë në gjitha ditët. I paguan Ministria e Shëndetësisë, pavarësisht se cilën ditën ata janë kujdestarë”, ka deklaruar Rifat Latifi.

Lajmet

Ka vdekur Eqrem Kryeziu, ish-kryetar i Prizrenit dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës

Published

on

Ka ndërruar jetë Eqrem Kryeziu, ish-kryetar i Komunës së Prizrenit, ish-nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar përmes një postimi në Facebook drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Prizrenit, i cili ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të Kryeziut.

Ai e ka vlerësuar Kryeziun si një prej figurave të rëndësishme të jetës politike dhe publike të Prizrenit dhe të LDK-së.

“Për vite me radhë, ai dha kontributin e tij në shërbim të qytetit, qytetarëve dhe vendit”, ka shkruar ai, duke theksuar se Kryeziu, përmes angazhimit të tij politik dhe institucional, ka lënë gjurmë në historinë e Prizrenit dhe të LDK-së.

Eqrem Kryeziu ka mbajtur disa poste politike dhe institucionale, ndërsa ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në disa mandate.

Për vdekjen e tij janë shprehur ngushëllime për familjen, të afërmit, miqtë, bashkëpunëtorët dhe strukturat e LDK-së./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 25 gusht 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 25 gusht 1993

22 profesorë të shkollës së mesme “Jeta e re” në Suharekë u mbajtën 6 orë në polici

Dje, rreth orës 10, në shkollën e mesme “Jeta e re” në Suharekë, policia serbe ndërpreu mbajtjen e riprovimeve të nxënësve të kësaj shkolle, si dhe arrestoi 22 arsimtarë, sekretarin dhe një punëtor ndihmës të kësaj shkolle, të cilët u dërguan në stacionin e policisë ku u morën në pyetje dhe u keqtrajtuan.

Merret vesh se ata u liruan pasdite, rreth orës 16.

 

 25 gusht 1994

Në Bukosh të Vushtrrisë – një i vrarë dhe një i lënduar rëndë

Kundër M. Sh. (65) nga fshati Bukosh i Vushtrrisë në Gjyqin e qarkut serb të Mitrovicës po zhvillohen hetimet për shkak të vrasjes dhe tentimit për vrasje.

Ai më 20 gusht në orët e mbrëmjes në fshatin Bukosh, së pari në arë me disa të rëna me thikë lëndoi rëndë B. A. (72), e pastaj në oborrin e tij me revole, me disa plumba vrau të birin e B., Sh. (26).

Thuhet se motivi i kësaj vrasjeje është kontesti pazgjidhur pronësor.

 

25 gusht 1995

Ushtria serbe edhe dje gjuajti me trombllone afër shtëpive të shqiptarëve në Ferizaj

Pas incidentit që ndodhi në Ferizaj në rrugën e “Prizrenit”, ku në disa shtëpi ranë me dhjetëra trombllone nga pushkët gjysëmautomatike të ushtrisë serbe të kazermës “Millan Zeçar”, tek anëtarët e këtyre familjeve ende ndihej shqetësimi dhe pasiguria, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Ferizaj.

Dje, në familjen e Faik Rizanit ishte Ramë Buja, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili u informua me situatën e krijuar nga provokimi i ushtrisë serbe.

Duke shpjeguar ngjarjen, Faik Rizani deklaroi se në momentin kur janë hedhur trombllonet, anëtarët e kësaj familjeje gjendeshin në punë të fushës. Kjo ishte arsyeja pse nuk pësoi askush nga ky provokim i rëndë, shpjegon ai.

Faik Rizani, i deklaroi QIK-ut se rastin në organet e policisë serbe e ka paraqitur po këtë ditë rreth orës 18:00. Inspektorët e sigurimit serb erdhën në vendin e ngjarjes në orën 21:00 dhe se ata u sollën në mënyrë cinike.

Në shtëpinë e Faik Rizanit kudo shiheshin gjurmët e tromblloneve, ndërsa njëra prej tyre`kishte shpuar derën e dhomës së pritjes. Nga trombllonet, që me gjasë ishin hedhur nga pushkët, ishin qëlluara edhe oborret dhe çatitë e shtëpive të tjera në këtë lagje, si ato të Shefki Ukëzmajlit, të vëllezërve Ilmi e Salih Ukëzmajlit, si dhe shtëpi të tjera. Inspektorët serbë, thonë pronarët e këtyre shtëpive, i mblodhën rreth 30 trombllonë.

Përfaqësuesit e Degës së LDK-së në Ferizaj dhe ata të Nënkëshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thonë se provokimet e këtilla të ushtarëve e rezervistëve serbë, janë shtuar veçanërisht nga rifillimi i luftës së fundit kroato-serbe. Ata po ashtu thonë se nuk kanë pasur njohuri se ditën kur janë gjuajtur trombllone në lagjen “Prizreni” ka patur stërvitje të ushtrisë serbe.

Dje sërish nga ora 11:00 deri në orën 13:00, ushtria serbe gjuajti me trombllon dore të pushkëve gjysmëautomatike në afërsi të lagjes “Prizreni” në Ferizaj, e cila ndodhet 100 deri 150 metra larg kazermës ushtarake së “Millan Zeçar”.

Ndryshe nga provokimi që u bë më 22 gusht, dje prapë pati gjuajtje afër disa shtëpive të tjera të ksaj lagjeje.

Ndonëse kaluan dy ditë pas incidentit të përmendur, përgjegjësit e ushtrisë e të policisë serbe nuk dhanë kurrfarë shpjegimi.

 

 

25 gusht 1998

Forca e ushtrisë dhe policisë serbe vazhdojnë t’i sulmojnë fshatrat e Suharekës

 Njoftohen emrat edhe të dy të vrarëve në Suharekë, Bahri Hajrush Gollopeni (20) nga Suhareka, dhe Mehmet Misin Bytyçi (20) nga Reshtani

Gjatë natës së mbrëmshme, por edhe sot në orët e mëngjesit, nga Qafa e Duhlës forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe kanë sulmuar pandërprerë fshatrat Javor, Luzhnicë, Grejçevc, Bllacë, Reshtan, Peçan e Sllapuzhan të komunës së Suharekës, duke mos e kursyer as vetë qytezën e Suharekës.

KI i Degës së LDK-së në Suharekë njofton se sulmi i sotëm filloi në orën 8. 30 dhe po vazhdon me një intensitet shumë të madh.

Shumë shtëpive u vihet zjarri, sidomos në Reshtan e Sllapuzhan. Sllapuzhani është rrafshuar me tokë.

Në Suharekë dje është kallur me benzin shtëpia e veprimtarit të LDK-së, Shyqyri Kuçit, e cila ndodhet në lagjen e Gradinave. Janë shkatërruar edhe shtëpi të tjera. Nga granatimet në periferi të Suharekës, përveç dëmeve materiale, ka edhe të vrarë e të plagosur. Përveç dy emrave të njoftuar më parë, të vrarë janë edhe dy të rinj, Bahri Hajrush Gollopeni (20) nga Suhareka, i cili u varros në Dobërdolan, dhe Mehmet Misin Bytyçi (20) nga Reshtani. Druhet se numri i të vrarëve mund të jetë më i madh. Është i madhe dhe numri i të plagosurve, ndërsa vetëm në Suharekë dihet për gjashtë të plagosur.

Dje dhe sot në mëngjes, një numër i madh i popullatës së zhvendosur shqiptare nga fshatrat Krojmir e Pjetërshticë të Shtimes janë vendosur në objektin e shkollës fillore në Ngucat, ndërsa gjendja e tyre është shumë e rëndë.

Njoftohet se vetëm në katër fshatra të komunës së Suharekës janë vendosur më tepër se 15 mijë civilë shqiptarë.

Popullata e këtushme shqiptare kërkon nga shoqatat humanitare ndërkombëtare që të bëj më shumë për popullatën e zhvendosur shqiptare, pasi atyre po u mungojnë gjësendet elementare ushqimore dhe barnat.

 

Malishevë: Tre shqiptarë u vranë derisa po shpërndanin ndihmat humanitare

 Dje, nga ora 14. 30 deri në orën 17, forcat serbe të stacionuara në Malishevë, Carrallukë dhe në disa fshatra të tjera të komunës së Malishevës, granatuan fshatrat Lubizhdën, Drenocin, Carrallukën, Lladrocin, Tërpezën etj. , njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.

Si pasojë e granatimeve, u vranë Hajriz Haxhi Morina (26) nga Drenoci, Adem Morina, mësues, nga i njëjti fshat, dhe një qytetar nga Vërmica e kësaj komune, emri i të cilit nuk është bërë i ditur. Me këtë rast është plagosur edhe një qytetar tjetër.

Ata u qëlluan nga granatat serbe derisa me traktor po shpërndanin ndihma për popullatën e rrezikuar.

I njëjti burim bën me dije se parmbrëmë, gjatë granatimeve të forcave serbe, në fshatin Balincë u plagos një i moshuar, ndërsa në Lubizhdë u plagosën fëmijët Astrit Xhevat Paçarizi (8), Neshat (11) dhe Bejtullah (14) Ferat Paçarizi, dhe axha i tyre Tafil Paçarizi (31).

Nga granatimet janë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Ndërkohë po vazhdon edhe më tej lëvizja e njerëzve drejt fshatrave që tash për tash janë pak më të sigurta.

Continue Reading

Lajmet

Kuriozitetet e ditës

Published

on

Lexoni pesë kuriozitete. Mund të mos i keni ditur:

 

  1. Është çuditërisht e lehtë të shpëtosh nga rëra lëvizëse. Dendësia e rërës lëvizëse është më e lartë se ajo e trupit të njeriut, duke e bërë të pamundur fundosjen e plotë. Për t’i shpëtuar rërës lëvizëse, uluni ose shtrihuni, përpiquni t’i mbani krahët lart dhe jashtë rërës lëvizëse, dhe lëvizni ngadalë këmbët nga njëra anë në tjetrën ose para-mbrapa.

 

  1. Një pinguin mund të arrijë thellësi prej 550 metrash në një zhytje. Zakonisht, pinguinët perandorë (pinguinët që zhyten më thellë) zhyten në 100-200 metra, por zhytja më e thellë e pinguinëve e regjistruar ishte më shumë se 550 metra.

 

  1. Kafshët mund të jenë alergjike ndaj njerëzve. Kafshët mund të jenë alergjike ndaj qelizave të vdekura të lëkurës sonë – zbokthit. Këto reaksione alergjike mund të jenë njësoj si tonat, duke përfshirë vështirësi në frymëmarrje dhe acarim të lëkurës.

 

  1. Të qenit i mërzitur është në fakt një ‘gjendje e lartë eksitimi’ fiziologjikisht. Kjo ndodh sepse kur je i mërzitur, rrahjet e zemrës të rriten.

 

  1. Sistemet tona imunitare mund të dallojnë bakteret e këqija nga të mirat. Sistemi imunitar zbulon modelet e patogjenëve përmes receptorëve dhe do të nisë një sulm. Njëkohësisht, ai do të bashkëpunojë me mikrobet dhe bakteret e dobishme.

Continue Reading

Lajmet

Kalaja e Prizrenit mbyllet përkohësisht për vizitorët

Published

on

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka njoftuar se Kalaja e Prizrenit do të mbyllet përkohësisht për vizitorët, për shkak të fillimit të punimeve për zbatimin e masave emergjente.

Sipas njoftimit, mbyllja do të zgjasë dy javë, duke filluar nga 25 gushti 2026.

Vendimi është marrë nga Njësia Menaxhuese e Kalasë së Prizrenit, me miratimin e Institutit Arkeologjik të Kosovës, me qëllim krijimin e kushteve të sigurta gjatë zhvillimit të punimeve.

Ministria ka bërë të ditur se për çdo ndryshim sa i përket afatit të mbylljes dhe rihapjes së kalasë për vizitorë, publiku do të njoftohet me kohë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara