Aktualitet

Kuvendi mban dy seanca këtë javë

Në mungesë të kuorumit, sot, ka dështuar të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit.

Published

on

Kuvendi i Kosovës këtë javë mban dy seanca. Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila.

Në një konferencë për media të mbajtur pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Kusari – Lila tha se të martën do të mbahet seancë e jashtëzakonshme për lidhur me rritjen e çmimeve.

“Pastaj për seancë të re të rregullt mbetet të shihet në mbledhjen e radhës së Kryesisë, qoftë nesër ose një nga ditët në vazhdim. Megjithatë këtë javë priten dy seanca, nesër seancë e jashtëzakonshme dhe pasnesër vazhdim i seancave të pambyllura deri më tani”, tha Kusari Lila.

Përveç vendimeve të cilat janë në kompetencë të kryetarit të Kuvendit, Kusari Lila bëri të ditur që nesër me kërkesë të grupeve parlamentare të opozitës, do të mbahet një debat në lidhje me rritjet e çmimeve.

“U morën vetëm vendimet të cilat janë ose obligime kushtetuese ose në kompetencë të kryetarit të Kuvendit. Kemi një kërkesë të grupeve parlamentare të opozitës, për debat parlamentar i cili mbahet nesër në fillim në orën 11:00 për rritjet e çmimeve dhe situatën aktuale të ndërtuar. Ndërsa, kryetari i Kuvendit caktoi seancën tjetër ditën e mërkurë, e cila do të përfshijë vazhdimin e trajtimit të pikave të pambyllura nga seancat e mëhershme, nga seancat e datës 24-26 janar, 22,23,24,25 shkurt”, tha Kusari Lila.

E pyetur se a janë caktuar këto në bazë të mandatit që ka kryetari, ajo tha se debati parlamentar parashihet të mbahet në bazë tët nënshkrimeve të deputetëve.

“E para kërkesë për debat parlamentar ishte me 40 nënshkrime, që është me automatizëm në ditën, orën që e caktojnë deputetët që kanë nënshkruar, ndërsa e dyta po në kompetencë të Kryetarit të Kuvendit”, u shpreh Kusari Lila.

Në mungesë të kuorumit, sot, ka dështuar të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. 

Aktualitet

UBT hap thirrjen për pjesëmarrje në Konferencën Ndërkombëtare mbi Artet Performuese 2025

Published

on

UBT ka hapur thirrjen për pjesëmarrje në Konferencën e 14-të Ndërkombëtare për Arte Performuese, e cila organizohet në kuadër të Konferencës së 14-të Ndërkombëtare të UBT-së për Biznes, Teknologji dhe Inovacion, me fokus të veçantë këtë vit tek Qëndrueshmëria dhe Rezilienca.

Ky aktivitet shkencor ndërkombëtar është i rishikuar nga ekspertë akademikë (peer reviewed) dhe ka për synim të sjellë së bashku studiues, praktikues, doktorantë, studentë pasuniversitarë, si dhe profesionistë të industrisë për të shkëmbyer njohuri, përvoja dhe qasje të reja në fushën e artit performues.

Datat e rëndësishme:

  • Dorëzimi i abstrakteve: 10 tetor 2025
  • Njoftimi i pranimit: 17 tetor 2025
  • Rishikimi nga ekspertët: 17 tetor 2025
  • Afati i hershëm i regjistrimit: 17 tetor 2025
  • Afati i vonshëm i regjistrimit: 20 tetor 2025
  • Dorëzimi i punimeve të plota: 14 nëntor 2025

Fushat që mbulon konferenca përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm tek:

  • Zhvillimi i teatrit pas luftës në Kosovë
  • Roli i muzikës në ndërtimin e karakterit skenik
  • Përgatitja psikologjike e aktorit në interpretimin e roleve
  • Përgatitja fizike dhe rëndësia e saj për zhvillimin e aktorit
  • Kinematografia para dhe pas luftës në Kosovë dhe trajtimi i temave të luftës
  • Ndikimi i maskave greke në krijimin e maskave të teatrit modern
  • Audicionet, monologët dhe përzgjedhja e tyre
  • Teatri për fëmijë dhe të rinj
  • Teatri si terapi për fëmijë dhe të rritur
  • Inteligjenca Artificiale (AI) në aktrim

Konferenca synon të nxisë dialogun ndërdisiplinar dhe të krijojë një platformë unike për të diskutuar sfidat dhe prirjet e reja në artet performuese, duke i lidhur ato me zhvillimet globale në teknologji dhe shoqëri.

Punimet e paraqitura duhet të jenë origjinale, të papublikuara më parë dhe jo në proces shqyrtimi në ndonjë konferencë tjetër. Gjatësia maksimale e punimit është 6 faqe, sipas standardeve të specifikuara në faqen zyrtare të konferencës.

Për më shumë detaje dhe aplikim, vizitoni: KONFERENCA E UBT-së

Continue Reading

Aktualitet

Von Der Leyen: Rusia e ka treguar plotësisht përbuzjen ndaj diplomacisë dhe ligjit

Published

on

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në deklaratën e saj tha se Rusia e ka treguar plotësisht përbuzjen ndaj diplomacisë dhe ligjit ndërkombëtar gjatë muajit të fundit, duke kritikuar sulmet më të mëdha me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës.

Ajo veçoi sulmet ruse në Kiev që goditën zyrën e BE-së në kryeqytet, si dhe shkeljet me dronë rusë në Poloni dhe Rumani.

“Këto nuk janë veprimet e dikujt që dëshiron paqe”.

Paketa e 19-të e sanksioneve vjen si përgjigje ndaj kësaj përshkallëzimi nga Putini, shpjegoi Von Der Leyen duke paraqitur elementët kryesorë të asaj që propozohet.

Ajo tha se BE-ja do të kërkojë të shkurtojë të ardhurat e Rusisë nga lëndët djegëse fosile, duke ndaluar importin e LNG-së ruse në tregjet evropiane.

118 anije shtesë nga “flota hije” ruse do të shtohen në listën e sanksioneve, që tani arrin në 560 anije.

Ajo shtoi se kompanitë kryesore të tregtimit të energjisë Rosneft dhe Gazpromneft tani do të jenë nën ndalim të plotë transaksionesh, dhe kompani të tjera do t’i nënshtrohen ngrirjes së aseteve.

“Në tre vjet, të ardhurat e Rusisë nga nafta në Evropë kanë rënë me 90%. Ne tani po e mbyllim këtë kapitull përgjithmonë. Ne po forcojmë luftën tonë kundër shmangies së sanksioneve. Ndërsa taktikat e shmangies bëhen më të sofistikuara, sanksionet tona do të përshtaten për të qëndruar përpara. Për herë të parë, masat tona kufizuese do të godasin platformat e kriptovalutave dhe do të ndalojnë transaksionet në kriptovaluta. Ne po listojmë banka të huaja të lidhura me sistemet alternative të pagesave të Rusisë. Dhe po kufizojmë transaksionet me entitete në zonat ekonomike speciale”, tha Von Der Leyen.

Paketa do të shtojë kufizime të reja direkte të eksportit për artikujt dhe teknologjitë e përdorura në fushëbetejë, duke ndikuar në 45 kompani në Rusi dhe në vende të treta./S.K/KP/

Continue Reading

Aktualitet

​Komanda e Forcave Tokësore realizoi garën “Ujku Garues 2025”

Published

on

Gara tradicionale “Ujku Garues 2025”, është përmbyllur me sukses, aktivitet ky i cili realizohet nga Komanda e Forcave Tokësore ku marrin pjesë ekipe nga njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Këtë vit, pjesëmarrës ishin 21 ekipe dhe aktiviteti u mbajt në kazermën “Ushtarët e NATO-s” në Istog.

“Garën e ka fituar, Policia Ushtarake e FSK-së, dhe është shpërblyer me vendin e parë. Vendi i dytë i takoi Kompanisë B nga Regjimenti i Parë i Këmbësorisë dhe vendi i tretë shkoi për Kompaninë MB nga Regjimenti i Parë i Këmbësorisë”, njoftoi Forca e Sigurisë së Kosovës.

Gara “Ujku Garues” për herë të parë është mbajtur në vitin 2015 si rezultat i shkëmbimit të përvojave mes nënoficerëve të FSK-së dhe atyre të kontigjentit slloven.

Garën e karakterizon aspekti organizativ, vlerësues, shpirti garues, profesionalizmi dhe angazhimi maksimal i ekipeve./S.K/KP/

Continue Reading

Aktualitet

​Qeveria bart 904 mijë euro për subvencionet e efikasitetit të energjisë

Published

on

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar bartjen e 904 mijë eurove nga pakoja për përballje me krizën energjetike, fonde këto që vijnë nga Bashkimi Evropian, për të përmbyllur disbursimin e subvencioneve në kuadër të Pakos së Mbështetjes Energjetike (IPA 2023).

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se këto mjete do të shërbejnë për disbursimin e subvencioneve për pajisje efiçiente ngrohëse të aprovuara nga Ministria e Ekonomisë, si dhe për trajtimin e listës së pritjes për izolimin e shtëpive nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Ministria e Ekonomisë dhe Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë kanë premtuar se do të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për realizimin sa më të shpejtë të këtyre procesve.

Që nga viti 2022, përmes masave të Ministrisë së Ekonomisë dhe mbështetjes së Bashkimit Evropian, janë përkrahur mbi 43 mijë familje dhe biznese në Kosovë me mbi 19.6 milionë euro, duke ulur kostot e energjisë dhe përmirësuar kushtet e jetesës.

Ministria e Ekonomisë falënderoi Bashkimin Evropian për partneritetin e vazhdueshëm dhe mbështetjen që bën të mundur realizimin e këtyre programeve të rëndësishme për qytetarët./S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara