Lajmet

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 1 prill, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

1 prill 1993

Lajm i plotë:

Bisedimet për arsimin shqip nuk mund të vazhdohen

Delegacioni i Kosovës për çështje të arsimit shqip brenda Konferencës së Gjenevës për ish-Jugosllavinë, mori një letër, në të cilën thuhet se më 7 dhe 8 prill është caktuar vazhdimi i bisedave.

Merret vesh se delegacioni i Kosovës nuk do të shkojë në vazhdimin e këtyre bisedimeve, pasi njëri nga anëtarët e delegacionit, dr.Ejup Statovci, rektor i Universitetit të Prishtinës, është burgosur nën akuzën se ka kërkuar nga rektori i dhunshëm serb hapjen e objekteve universitare edhe për studentët dhe profesorët shqiptarë.

Pasi kërkesa e dr.Ejup Statovcit për lirimin e objekteve shkollore dhe universitare për shqiptarët është edhe kërkesë themelore e delegacionit shqiptar, kërkesë kjo e inkriminuar nga Serbia me këtë burgosje, delegacioni nuk mund të marrë pjesë në vazhdimin e caktuar të bisedave.

 

Tituj të tjerë:

Institucionet arsimore pushojnë për festa fetare

Kërkohet ndihmë për kryerjen e praktikës profesionale të nxënësve

U shtrenjtua mielli, buka, qumështi…

U ndërpre uji në tri komuna

Në fshatrat e Prishtinës lëvizje të ushtrisë serbe

Në autobusin që qarkullonte për Mitrovicë u plaçkitën disa udhëtarë

Minatorit Fejzullah Ahmetit iu thye banesa

Policia serbe pengon mësimin në shkollat shqipe

Në fshatin Zhabar të Mitrovicës u bastisën katër familje

Mitrovicë: Policia serbe arrestoi të riun Nasuf Ademin

Një i ri u arrestua në Gadime të Lipjanit

U miratua Rezoluta për ndalimin me dhunë të fluturimeve mbi Bosnjë

“Nju-Jork Tajms”: Bosnja duhet të zvogëlohet që të mund të shpëtojë

Serbët e Kosovës në frontin e luftës në Kroaci

Marioneta serbe Basri Pllana i kërcënohet dr. Rugovës

Dobrica Qosiqi: Nëse Perëndimi përkrahë shqiptarët në Kosovë do të ketë luftë

Një zyrtar i Jugosllavisë së vetëshpallur i kërcënohet dr.Rugovës

 

 

1 prill 1994

Lajm i plotë:

Konferencë për gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova

Në Kosova vazhdon represioni. Gjatë javës vazhduan ekspeditat e bastisjet në komuna dhe në rrethinat e tyre, sidomos në Podujevë, Skënderaj, Vushtrri, Gjilan Lipjan, Obiliq, Istog, Gjakovë, Mitrovicë, Prizren, Pejë, Gllogovc, Viti, Shtimje, Kamenicë, Klinë, e të tjera. Në qytete janë bërë 33 bastisje, ndërsa nëpër fshatra mund të jenë rreth 60 raste, e vetëm në dy fshatra të komunës së Podujevës, më 24 mars u bastisën 22 familje, tha në fillim të konferencës së sotme për gazetarë kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova. Ky represion po bëhet larg syve të botës nëpër periferi të komunave dhe qyteteve, ndërsa bastisjet që bëhen me pretekst të kërkimit të armëve dhe që synojnë shtypjen e frikësimin e njerëzve, përcillen me demolime të mëdha, me keqtrajtimin e njerëzve dhe me arrestimin e tyre. Kryetari Rugova saktësoi se represioni është koncentruar në kohët e fundit më shumë në Kosovën lindore, në vijën Kaçanik – Mitrovicë, duke përfshirë edhe Drenicën.

Edhe gjatë javës që shkoi vazhdoi represioni mbi aktivistët politikë, sidomos kundër veprimtarëve të LDK-së dhe kundër deputetëve. Persona civilë, për të cilët nuk dihej se çka ishin, morën Jetish Jasharin, sekretar i FR të LDK-së dhe e dërguan në stacionin e policisë, ndërsa Bajram Mulaku, drejtor i Shkollës së Lartë Teknike në Mitrovicë, kryetar i Degës së LDK-së në Vushtrri dhe deputet i Parlamentit të Kosovës u burgos nën akuzë se ka organizuar mësimin në gjuhën shqipe, theksoi dr. Rugova dhe shtoi se këtyre ditëve u aktualizua ndalimi i qarkullimit të njerëzve. Akademik Rexhep Qosjes, nën pretekst se ka qenë në Shqipëri pa vizë dalëse iu ndalua pasaporta për disa vite. Dëshirohet që intelektualëve shqiptarë t’u kufizohet liria e qarkullimit me qëllim që të mos komunikojnë me botën dhe që të mos e përhapin të vërtetën për Kosovën, tha ai dhe vlerësoi se represioni i ngrit tensionet politike dhe njerëzore në Kosovë.

Kosova ishte në qendër të vëmendjes së opinionit dhe të forumeve ndërkombëtare gjatë javës që shkoi tha kryetari i Kosovës. Ai përshëndeti raportin e AI-së për burgosjet e torturat në kohën e fundit në Kosovë, si një raport shumë ekzakt dhe objektiv që ndihmon të njihet e vërteta për represionin. Ai përshëndeti edhe raportin e fundit të Komitetit të Helsinkit të Kongresit Amerikan për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, si një raport real dhe mjaft objektiv.

Në vazhdim ai përshëndeti projektligjin e kongresmenëve amerikanë, Molinari e Engëli që u paraqit këtyre ditëve dhe në të kërkohet ndalimi i represionit dhe kërkohet zgjidhje për çështjen e Kosovës. Kjo nuk është hera e parë që kongresmenët amerikanë angazhohen në Kongres për çështjen e Kosovës.

Kryetari Rugova i vlerësoi si shumë të rëndësishme tubimet e shqiptarëve nëpër vendet e ndryshme të Evropës, siç ishte tubimi i rreth 40.000 shqiptarëve në Bern të Zvicrës të shtunën e kaluar. Shqiptarët i treguan opinionit zviceran për kërkesat e tyre, po ashtu ata treguan se shqiptarët në Zvicër janë punëtorë të mirë dhe njerëz që respektojnë rregullat e vendit. Natyrisht, në secilin popull ka individë që mirren edhe me punë të tjera. Shqiptarët edhe me këto tubime a afirmuan veten, theksoi ai dhe i shprehu mirënjohje Qeverisë së Zvicrës për mirëkuptimin që ka treguar deri tash për shqiptarët.

Vizitën e presidentit Berisha në Britaninë e Madhe, kryetari Rugova e vlerësoi si shumë të rëndësishme sa u përket marrëdhënieve bilaterale Shqipëri – Britani e Madhe dhe për shtruarjen e çështjes së Kosovës në të gjitha nivelet dhe në të gjitha takimet që pati në Angli presidenti Berisha.

Kryetari i Republikës së Kosovës përsëriti edhe njëherë qëndrimin e njohur për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në bazë të rezultateve të e referendumit për pavarësinë e Kosovës, i cili përkrahet nga të gjitha partitë dhe institucionet në Kosovë.

Duke pasur parasysh situatën në Kosovë, kryetari Rugova përsëriti kërkesën për mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën.

Duke u përgjigjur në një pyetje të gazetarëve serbë që lidhej me spekulimet në disa gazeta për kinse fillimin e shpejtë të dialogut në mes të përfaqësuesve të Serbisë dhe të Kosovës, kryetari Rugova tha: “Shtypi shkruan në mënyrën e vet edhe për mundësinë eventuale të fillimit të bisedimeve. Tash për tash nuk ka indikacione se do të fillojnë bisedimet. Qëndrimi ynë dihet, ne jemi për dialog. Dëshirojmë që të fillojnë bisedimet dhe që çështja e Kosovës të zgjidhet me bisedime”.

Gazetari i gazetës “Veçernji List”, kërkoi koment për vizitën dhe deklaratat provokuese të një delegacioni të Parlamentit rus në Kosovë. “Këto janë takime ekstremistësh. Më vjen keq që në Parlamentin rus ka asi zërash ekstremistësh, të cilët dëshirojnë edhe të provokojnë edhe këtu në Kosovë, siç ishte ajo deklarata për gjoja gatishmërinë e ekstremistëve rus për të intervenuar edhe ushtarakisht në Kosovë, e të tjera. Këto kërcënime nuk janë serioze, por bëhen me qëllim që të frikësojnë shqiptarët në përgjithësi në Ballkan. Pavarësisht prej vështirësive me të cilat po ndeshet kryetari Jelcin, te rusët, në një komb të madh dhe në Rusi, do të sundojë arsyeja”.

Baahkëpunëtorja e “Zërit të Amerikës” kërkoi koment lidhur me marrëveshjen në mes të Kroacisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Krainës, si dhe për ngjashmëritë eventuale të tyre me problemin e Kosovës. “Nuk mund të tërhiqet ndonjë paralele në mes të Kosovës e Krainës serbe në Kroaci. Kosova është çështje në vete. Siç dihet, Kosova ka qenë një prej konstituentëve të ish-federatës së Jugosllavisë, me territor të vetin. Ndërsa marrëveshjen e kroatëve e serbëve për ndërprerjen e luftës ne e përshëndesim dhe dëshirojmë që ajo marrëveshje të ketë sukses”, përfundoi kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova.

 

Tituj të tjerë:

Sali Berisha: Britania e Madhe është thellësisht e shqetësuar për situatën në Kosovë

Sali Berisha viziton Turqinë

Kryetari Rugova uroi festën e Pashkëve

Edhe një proces gjyqësor i paralajmëruar kundër nëntë shqiptarëve

Represioni i policisë serbe në Kosovë

Polici serbe arrestoi tre persona në Gllarevë të Klinës

Shaip Beqirit iu ndërpre vuajtja e dënimit

KMDLNJ në Prishtinë u shkruan asociacioneve ndërkombëtare për situatën në Kosovë

U themelua Oda Ekonomike e Kosovës

“Mjekëve pa kufij” iu vazhdua afati i qëndrimit në Kosovë

Të respektohen të drejtat e njeriut në Kosovë

 

 

1 prill 1995

Lajm i plotë:

Në Kongresin Amerikan u paraqit Projektligji për njohjen e mëvetësisë së Kosovës

Kongresisti Eliot Engel në demonstratën e shqiptarëve në Uashington paralajmëroi se ai do ta paraqesë projektligjin për mëvetësinë e Kosovës.

Mirëpo zyra e tij në Uashington i deklaroi korrespondentit të “Rilindjes” se Projektligjin do ta paraqesë kongresisti Benxhamin Gilman.

Sipas shpjegimit të zëdhënësit për shtyp të zyrës së kongresistit Engël, paraqitja nga kongrësti Gilman është sinjifikative, meqë ai ka pozitë me peshë në politikën e jashtme amerikane, duke qenë kryetar i Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, njofton sot “Bujku”.

Bashkësponsorë primarë të projektligjit do të jenë edhe kongresistët Eliot Engel dhe Susan Molinari. Këta të dy, gjatë marsit të kaluar, patën paraqitur një projektligj të ngjashëm, të ashtuquajtur “Projektligj Paqësor dhe Demokratik për Kosovën 1994”.

Megjithëse projektligji pat fituar mjaft bashkësponsorë (gjithësej 26), nuk u paraqit për votim, sepse hartuesit e tij konsideronin se nuk do të mund të kishin vota të mjaftueshme për ta kaluar. Me fitoren e republikanëve në Kongres, nga radhët e të cilëve ka më tepër në pozita udhëheqëse, anëtarë që janë dashamirës dhe miq të Kosovës, vlerësohet se projektligji i sivjemë do të ketë më shumë fat në rrugën e miratimit dhe të hyrjes në fuqi si ligj.

“Për një gjë jam i sigurt. Këtë vit do të kemi më shumë sponsorë se sa kishim vitin e kaluar”, tha përfaqësuesi për shtyp i kongresistit Engel, Jason Steinbaum.

Steinbaum tha se që ditën e parë projektligjit iu bashkëngjitën edhe dy kngresistë, Peter King (nga Nju-Jorku) dhe Dana Rohrabasher nga Kalifornia, që të dy nga radhët e republikanëve.

Në vazhdim po e japim të plotë tekstin e “Projektligjit për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Kosovë 1995”, të përkthyer nga korrespondenti i “Bujkut” në Nju-Jork, Sylejman Gashi.

  1. Kushtetuta e Republikës Socialiste Federative e Jugoslavisë e miratuar më 1946, si dhe tjetra e vitit 1974, së cilës iu shtuan disa amendamente, e njihte statusin e Kosovës si njërin nga tetë njësitë territoriale konstituese të federatës jugosllave.
  2. Të drejtat politike të shumicës shqiptare në Kosovë në mënyrë të paligjshme u shkelën kur u ndërrua kushtetua serbe më 23 mars 1989, pa pëlqimin e popullit të Kosovës, me ç’rast u revokua autonomia e Kosovës.
  3. Më 1990 me amendamente të tjera të paligjshme u revokuan Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës.
  4. Në shtator 1991 u mbajt Referendumi për pavarësinë e Kosovës, me ç’rast 87 për qind të qytetarëve që morën pjesë në votime 99 për qind u deklaruan për pavarësinë e Kosovës;
  5. Në maj 1992, u zgjodh Parlamenti kombëtar i Kosovës, ndërsa dr.Ibrahim Rugova me shumicë absolute votash u zgjodh president i Republikës së Kosovës.
  6. Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës nuk iu lejua të mblidhet.
  7. Raporte të besueshme kanë informuar për politikën serbe të spastrimit etnik në Kosovë – Raporti i raportuesit special të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, ndërkaq në janar 1995 Serbia paralajmëroi një politikë të re, atë të kolonizimit të tokave shqiptare në Kosovë.
  8. Mbi 100 mijë shqiptarë të punësuar në administratën qeveritare, në organet e gjyqësisë, në polici, në ndërmarrje, në mjetet e informimit, në institucione arsimore dhe në spitale në Kosovë, janë larguar nga vendet e tyre të punës dhe janë zëvendësuar me serbë.
  9. Qeveria e Beogradit ka kufizuar në mënyrë të vrazhdë të drejtën e shqiptarëve të Kosovës në të gjitha nivelet e arsimit, në veçanti arsimimit në gjuhën shqipe, vetëm e vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike.
  10. Ekzistojnë raporte të përditshme mbi arrestimet dhe rrahjet brutale, kryesisht nga policia serbe, që shpeshherë kanë shkaktuar edhe vdekjen e shqiptarëve, vetëm e vetëm pse kanë shfaqur pikëpamjet e tyre kundër atyre të autoriteteve serbe.
  11. Mbikëqyrësit e Organizatës për Siguri e Bashkëpunim Evropian të vendosur në Kosovë më 1991 janë larguar nga qeveria e Beogradit në korrik 1993.
  12. Qeveria e Beogradit ka injoruar rezolutën 855 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të miratuar në gusht 1993, me të cilën i bëhej thirrje Beogradit që të vazhdojë misionin e mbikëqyrësve të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim Evropian si dhe t’ua garantojë atyre siguri dhe mbikëqyrje të lirë dhe të gjithanshme.
  13. Pas largimit të këtyre mbikëqyrësve, disa organizata të tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Amnesty International, Human Rights Ëatch/Helsinki dhe Federata e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut kanë dokumentuar shtimin masiv të shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovë.
  14. Kongresi, me sesionin 223 të Aktit mbi autorizimin për marrëdhënie të jashtme për vitin fiskal 1992 ka miratuar hapjen e Qendrës Kulturore të Agjencisë Informative të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, mirëpo Stejt Departamenti deri tash nuk e ka bërë këtë me arsyetim se çështja e sigurisë (së personelit amerikan) e ka penguar një hap të tillë.
  15. Presidenti në mënyrë eksplicite ia ka tërhequr vërejtjen Qeverisë së Serbisë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të reagojnë po qe se do të shkallëzojë konflikti në Kosovë i shkaktuar nga Serbia.
  16. Më 4 janar 1995, presidenti Klinton tha se “ekziston një numër çështjesh, përfshirë edhe Kosovën, të cilat duhet të shqyrtohen para se Beogradi të lirohet nga sanksionet e Kombeve të Bashkuara dhe të kthehet në bashkësinë ndërkombëtare… Vendimi ynë për suspendimin e sanksioneve do të ndërmerret pas konsultimeve të afërta me Kongresin”.
  17. Më 15 shkurt, presidenti Klinton paralajmëroi, pa konsultime paraprake me Kongresin, një sërë kushtesh, por pa përfshirë përmirsimet në Kosovë, të cilat po qe se do të përmbusheshin nga Serbia dhe Mal i Zi do të rezultonin me heqjen e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Serbisë dhe Malit të Zi.

 

Çfarë duhet të jetë politika e SHBA?

 

  1. Situata në Kosovë duhet të zgjidhet para se Beogradi të lirohet nga sanksionet ndërkombëtare dhe t’i mundësohet kthimi në bashkësinë ndërkombëtare.
  2. Nuk duhet të mohohet e drejta e popullit të Kosovës të vetëqeverisë dhe të themelojë identitet të mëvetësishëm.
  3. Në Kosovë duhet të rikthehen mbikëqyrësit ndërkombëtarë.
  4. Qeverisë së zgjedhur të Kosovës duhet t’i lejohet të veprojë dhe të ushtrojë mandatin e saj legjitim, si përfaqësuese e zgjedhur nga populli i Kosovës.
  5. Të gjithë individëve të cilëve u është mohuar e drejta për punë mbi bazë etnike duhet të rikthehen në pozita (vendet e tyre të punës) e mëparshme.
  6. Sistemi i edukimit në Kosovë duhet të hapet për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike dhe popullatës shumicë shqiptare duhet t’i lejohet e drejta për arsimim të të rinjve në gjuhën amtare.

Të mos hiqen sanksionet derisa të mos jenë përmbushur disa kushte.

Asnjë nga sanksikonet ndaj Serbisë dhe Malit të Zi të sanksionaur a me aktet relevante nuk mund të hiqen përderisa:

  1. të mos ekzistojë përparim substancial drejt:
  2. a) realizimit të mëvetësisë së Kosovës për vetëqeverim;

b( vendosjes së një protektorati ndërkombëtar për Kosovën.

  1. përderisa të mos ketë përmirësime përmbajtësore në fushën e të drejtave të njeriut në Kosovë;
  2. përderisa të mos kthehen mbikëqyrësit ndërkombëtarë në Kosovë dhe;
  3. përderisa të mos i lejohet qeverisë së zgjedhur të Kosovës që të konstituohet dhe të ushtrojë mandatin e saj legjitim si përfaqësuese e zgjedhur nga populli i Kosovës.

Jo më vonë se 60 ditë nga miratimi i këtij projektligji, presidenti duhet të përgatisë dhe t’ia përcjellë Kongresit një raport në të cilin do të vlerësohet:

  1. Situata në Kosovë, përfshirë mënyrën dhe format me të cilat politika e Serbisë ka afektuar ekonominë, gjendjen sociale dhe të drejtat kulturore, të popullatës shumicë të Kosovës;
  2. Masat që janë ndërmarrë për ndihma humanitare popullsisë së Kosovës, si dhe refugjatëve kosovarë, të cilët janë shpërngulur, si dhe efektin e sanksioneve të SHBA ndaj Serbisë dhe Malit të Zi, pas shpërndarjes së ndihmave humanitare Kosovës;
  3. rekomandimet (duke marrë parasysh pikëpamjet e anëtarëve të tjerë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe anëtarëve të Unionit Evropian) se çfarë modalitetesh duhet të ndiqen, përfshirë edhe vendosjen e një protektorati ndërkombëtar mbi Kosovën bashkë me anëtarët e tjerë e të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe anëtarët e Unionit Evropian në mënryrë që të jetësohen të drejtat ndërkombëtare të popullit të Kosovës; të rivendoset prezenca ndërkombëtare në Kosovë në mënyrë që të mbikëqyret në mënyrë më të efektshme situata në Kosovë, si dhe të sigurohet e drejta e popullit të Kosovës për vetëqeverim demokratik;
  4. të ritheksohen përpjekjet aktuale të Shteteve të Bashkuara për krijimin e Qendrës Kulturore të Agjencisë Informative të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, siç është miratuar me sesionin 223 të Aktit mbi autorizimin për marrëdhënie të jashtme për vitin fiskal 1992 dhe 1993, duke vlerësuar në hollësi kushtet e sigurisë dhe të të gjithë faktorëve të tjerë që pengojnë krijimin e kësaj qendre;
  5. prezencën e zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, para se të krijohet Qendra Kulturore e Agjencisë Informative të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, përfshirë numrin, shpeshtësinë dhe kohëzgjatjen e vizitave në Kosovë të personelit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Beograd gjatë 12 muajve të fundit nga data e miratimit të këtij projektligji.

 

Tituj të tjerë:

Në Oslo u mbajt tubimi për pavarësinë e Kosovës

Duke u kthyer nga tubimi në Uashington, humbi jetën Ali Dinë Lajçi

“Bujku”: Defetizmi është faktikisht i paqëndrueshëm dhe politikisht i dëmshëm

Në Gjilan ish-punëtorët shoqëroro-politik ende po mbahen në arrest

Maqedoni: U ngrit aktakuza kundër dr. Fadil Sylejmanit dhe Milaim Fejziut

Kryetari i Nëndegës së LDK-së në Bajgorë u dënua me 20 ditë burg

Radio “Evropa e Lirë” për “kuvendin gjithëserb”

Ekstremistët serbë paralajmërojnë tubimin e tyre më 29 prill në Prishtinë

Në Prishtinë po mbahet një tubim serb për popullsinë

Të gjithë kriminelët i dorëzohen Hagës

 

 

1 prill 1997

Lajmet kryesore:

U mor në bisedë informative Lulzim Peci

U liruan veprimtarët Ismail Mehmeti e Sylejman Hasani

Në Osllo organizata norvegjeze me emrin “Aksioni antifashist” sulmoi Ambasadën italiane

Agjencia serbe e lajmeve kritikon Uashingtonin

Arriti në 83 numri i të vdekurve në anijen shqiptare

Heshtja zyrtare në Itali për tragjedinë e refugjatëve shqiptarë

Vlorë: U plaçkit dhe u shkatërrua Dega e Bankës Bujqësore

Të martën rifillojnë lidhjet detare midis Italisë dhe portit shqiptar të Durrësit

SHBA do të ndihmojnë nëse kërkohet ndihma e tyre

 

1 prill 1998

Edicioni i parë (Ora 15:30)

Lajmet kryesore:

  1. Riçardson: Gjendja në Kosovë kërcënon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare

Forca policore shkuan nga Gllogoci drejt Skënderajt

Në Brojë më nuk ndodhet askush, pos policisë e ushtrisë

Ekspeditë e policisë në Lajthishtë të Obiliqit

  1. Bërdë: Policia keqtrajtoi një inkasant

 

 

Lajm i plotë:

Ora e mësimit pas masakrës

Dje në mesin e nxënësve dhe arsimtarëve të shkollës fillore “Petro Marko” të Skënderajt mbretëroi një atmosferë dhembjeje e pikëllimi të thellë. Të gjithë nxënësit dhe arsimtarët qanin pandërprerë për dhjetë nxënësit e kësaj shkolle të lagjes së Jasharajve në Prekaz, që u vranë para 27 ditësh nga okupatori serb. Në bankat ku ndodheshin të ulur nxënësit e vrarë sot u vunë lule të kuqe. Ndër nxënësit e vrarë janë: Valdete Rifat Jashari (14), nxënëse e klasës VIII, Lirie Hamëz Jashari (14), nxënëse e klasës VIII, Kushtrim Adem Jashari (13), nxënës i klasës VII, Igball Rifat Jashari (11), nxënës i klasës VI, Blerim Hamëz Jashari (11), nxënës i klasës V, Igballe Rifat Jashari (13), nxënëse e klasës VI, Fatime Hamëz Jashari (8), nxënëse e klasës II, Blerim Hamëz Jayshari (7), nxënës i klasës I, Bujar Zenë Jashari (12), nxënës i klasës VI dhe Makfirete Bajram Gashi (3), nxënëse e klasës VII, thuhet në një raport të korrespondentit të “Bujkut” nga Skënderaj.

 

Lajm i plotë:

Skënderaj: Deri tash 19 të zhdukur

Nënkëshilli për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut në Skënderaj shpalli dje listën e 19 të zhdukurve, shumica nga lagja e Jasharajve të Prekazit të Poshtëm, e këta janë: Sadik Hysni Jashari (65), Hafie Jashari (60), Hamdi Sadik Jashari (33), Elfie Sadik Jashari (28), e martuar në Qirez, Fatime Sadik Jashari (26), Ramiz Sadik Jashari (24), Mihrie Jashari (53), Sabrie Zymer Jashari (20), Hanife Zymer Jashari (16, Smajl Asllan Jashari (48), Shaban Qerim Jashari (25), Ukshin Qerim Jashari (21), Hajrie Jashari, Ajvaz Kajtaz Jashari (18), të gjithë nga Prekazi i Poshtëm, si dhe Fatime Bazaj (21) e Smajl Bazaj (18) motër e vëlla nga Tërsteniku, Bashkim Ali Sadiku (22), Tushilë, Ilmi Kastrati (28), Brojë, dhe Idriz Rexhep Idrizi (46), Prekaz. Këshilli i lut të gjithë ata që për personat e shënuar kanë ndonjë dijeni të lajmërojnë NKMDLNJ-në në Skënderaj në tel. 028/82-330 ose në NKMDLNJ-në më të afërt.

 

Lajm i plotë:

Gjakovë: Një tetëvjeçare, e dhunuar dhe e mbytur në rrethana të pasqaruara

Prishtinë, 1 prill (QIK)

Mbrëmë në morgun e spitalit të Gjakovës, policia serbe solli trupin e vdekur të fëmijës 8 vjeçar Drane Gjergj Perlaskaj nga fshati Smaq afër Bishtazhinit, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Sipas pohimeve të anëtarëve të familjes, Dranja, pasditen e datës 30 mars, së bashku me të vëllanë, kishte dalur me bagëti dhe më vonë, në kërkim të një lope të humbur ajo hyri në malin e fshatit.

Anëtarët e familjes e kërkuar ata tërë ditën, por arritën ta gjejnë vetëm dje, në mes të malit, të vdekur dhe të dhunuar, në rrethana tani për tani të panjohura.

Në spitalin e Gjakovës sot u bë obduksioni i kufomës së saj, ndërsa varrimi do të bëhet pasdite.

 

Edicioni i dytë (Ora 16:00)

Lajm i plotë:

Nga të shtënat serbe në Brojë të Skënderajt u plagos dje Violetë Hoti

Gjendja në Skënderaj dhe fshatrat përreth është edhe sot tepër e rëndë, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së. Forca të mëdha policore-ushtarake edhe më tej janë të fortifikuara në kondrinat që ndajnë Skënderajn me Llaushën. Në këtë hapësirë janë të vendosur armë të shumta artilerike, me të cilat kontrollohet Llausha dhe Skënderaj.

Burimet e LDK-së në fshatin Marinë, sot janë shtuar shumë forcat e armatosura, të cilat sot po hapin llogore të reja. Kërcënimi për shatin Marinë, Rezallë, Polac etj. është evident dhe janë shumë reale mundsitë e një sulmi të afërt.

Se sa janë të izoluara disa fshatra, flet shembulli i foshnjës së vdekur 14- muajshe, Marigonë Vojvoda, nga Llausha. Foshnja ishte bashkë me prindërit në një fshat të afërm,mirëpo prindërit nuk patën mundsi të varrosnin në Llaushë, prandaj e varrosën në Polac, edhepse këto dy fshatra janë fare pranë njëri-tjetrit.

Dje, përveç në Marinë e Llaushë, ku në orët e hershme të mëngjesit ka pasur të shtëna të shumta. Të shtëna ka pasur edhe në fshatin Brojë, ku si pasojë është plagosur Violeta Hoti, 18 vjeçe.

Sot është dita e dytë e rifillimit të mësimit në dhjetë shkolla fillore. Numri i nxënësve që ndoqi sot mësimin, në krahasim me dje, është solid.

Ndihmat nga Këshilli Qendror i Emergjencës dhe asociacione tjera humanitare kanë arritut edhe dje, mirëpo në sasi jo të mjaftueshme. Ato ndihma që kanë arritur janë shpërndarë në terren, thuhet në njoftimin ditor të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Skënderaj.

 

Tituj të tjerë:

Gjendje e rëndë në Deçan

Të shtëna me armë nga shtëpia e një serbi në fshatin Dobresh

 

Edicioni i tretë (Ora 20:00)

Titujt kryesorë:

Kryetari Rugova priti një delegacion të Asamblesë Nacionale të Francës

Forcat serbe tentojnë t’i frikësojnë shqiptarët e komunës së Skënderaj

Foto: Kongresi Amerikan

Continue Reading

Vendi

Qeveria prezanton projektbuxhetin për vitin 2027, parashihen 4.27 miliardë euro

Published

on

Qeveria e Kosovës ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën e 4.27 miliardë eurove.

Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se projektbuxheti i vitit të ardhshëm është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar për vitin 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i këtij viti.

Nga shuma e përgjithshme, 908 milionë euro parashihen të ndahen si financim i drejtpërdrejtë për komunat e Kosovës.

Gjatë prezantimit, Kurti tha se rritja e vazhdueshme ekonomike ka ndikuar në zgjerimin e buxhetit dhe në qëndrueshmërinë e financave publike.

Sipas tij, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.

“Kjo na vendos te vendet me rritjen më të shpejtë në rajon dhe më gjerë. Kjo nënkupton edhe rritjen në vazhdimësi të buxhetit dhe qëndrueshmërinë e financave publike”, deklaroi Kurti.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se, sipas projektbuxhetit për vitin 2027, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) parashihet të mbledhë të hyra në vlerë sa 60 për qind e të hyrave që pritet t’i mbledhë Dogana e Kosovës.

Kurti e cilësoi projektbuxhetin si rekord edhe për komunat, duke theksuar se rritja e financimit për pushtetin lokal vjen si rezultat i rritjes së vazhdueshme të granteve qeveritare.

Pas miratimit në Qeveri, projektligji për buxhetin e vitit 2027 pritet t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe votim.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vrasja e dyfishtë në Demiraj, Prokuroria kërkon paraburgim për të pandehurin B.D.

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet B.D., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja e rëndë ka ndodhur më 1 nëntor 2026, rreth orës 9:00 të mëngjesit në fshatin Demiraj të Komunës së Gjilanit. Viktimë të këtij meksuesi kanë mbetur vajza e tij A.D., 27 vjeçe, si dhe mbesa e tij D.D., foshnje vetëm tre muajsh. I dyshuari B.D. është ndaluar menjëherë për 48 orë me urdhër të prokurorit kujdestar.

“Më 01.11.2026, në fshatin Demiraj, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur një rast Vrasje e rëndë, ku viktimë janë A.D (27 vjeç) dhe D.D. (foshnje 3 muajsh), ku i dyshuari B.D, babai i viktimës A.D, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’”, thuhet në njoftim.

Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit i është dorëzuar sot Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Gjilan. Organet e hetimit bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha ekipet relevante policore dhe prokurori i rastit për mbledhjen e provave.

Në komunikaturën për media, Prokuroria nëntrimon angazhimin e saj për zbardhjen e tërësishme të tragjedisë:

“Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Republikës së Kosovës, ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të ndriçimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike.” /E.A/

Continue Reading

lajme

AUV ndalon hyrjen e mbi 1 ton patatinave me përmbajtje të rrezikshme

Published

on

By

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar hyrjen në Kosovë të 1,068 kilogramëve patatina “STIZA Potato Chips Paprika”, pas analizave laboratorike që konstatuan nivel të lartë të akrilamidit mbi vlerat e lejuara.

Ngarkesa me LOT 909073, e importuar nga kompania “BEST BT” nga Prizreni, është bllokuar nga Inspektorati Fitosanitar Kufitar dhe është vendosur kthimi i saj prapa, duke parandaluar hyrjen në tregun vendas.

Sipas AUV-së dhe Autoritetit Evropian për Sigurinë Ushqimore, ekspozimi afatgjatë ndaj kësaj substance kimike përbën rrezik për shëndetin publik për shkak të potencialit të saj kancerogjen. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

REL: Nga Gjermania në Shqipëri, çfarë po i nxjerr të rinjtë në rrugë?

Published

on

By

Kostoja e jetesës, mungesa e mundësive ekonomike, problemet në arsim dhe pakënaqësitë me qeveritë kanë nxjerrë mijëra të rinj në rrugët e qyteteve evropiane.

Nga Gjermania e Franca deri në Belgjikë dhe Shqipëri, protestat kanë kërkesa të ndryshme, por pasqyrojnë shqetësime të ngjashme për kushtet e jetesës dhe perspektivën e brezit të ri.

Protestat në disa vende janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe arrestime.

Çfarë ndodhi në Gjermani?

Më 31 tetor, rreth 120 mijë njerëz morën pjesë në protesta në më shumë se 30 qytete gjermane, sipas organizatorëve të nismës rinore “Gen Z regelt”.

Demonstruesit kërkuan më shumë investime në arsim, strehim të përballueshëm, drejtësi sociale dhe mbrojtje të klimës.

Ata kundërshtuan, gjithashtu, mundësinë e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Protestat ishin kryesisht paqësore gjatë ditës, por më vonë u shoqëruan me incidente të dhunshme në disa qytete, përfshirë Berlinin, Frankfurtin, Këlnin dhe Hamburgun.

Në Frankfurt, persona të maskuar hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë, ndërsa disa dyqane u dëmtuan dhe u plaçkitën.

Policia përdori topa uji dhe sprej irritues.

Organizatorët e protestave u distancuan nga dhuna, duke theksuar se demonstratat synonin të ishin paqësore.

Incidentet nxitën mospajtime brenda Qeverisë gjermane.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, fajësoi grupet e dhunshme të së majtës ekstreme dhe persona nga komunitetet migrante.

Ministrja e Arsimit, Karin Prien, tha se trazirat ngrenë pyetje për integrimin e migrantëve, duke kërkuar shqyrtimin e shkaqeve që mund t’i shtyjnë disa njerëz drejt dhunës.

Por, ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, u distancua nga deklaratat e Dobrindtit, duke vënë në pikëpyetje përdorimin e termit “grupe migrante”.

Ai pyeti nëse ky përkufizim përfshin edhe shtetas gjermanë, familjet e të cilëve jetojnë në këtë vend me gjenerata, dhe tha se nuk kishte informacion të mjaftueshëm për të konfirmuar pretendimet mbi prejardhjen e autorëve të dhunës.

Prien, ndërkohë, pranoi se shumë nga kritikat e të rinjve për arsimin janë të arsyeshme, duke theksuar se mundësitë arsimore në Gjermani vazhdojnë të varen shumë nga prejardhja sociale.

Pse po protestojnë të rinjtë në Francë?

Në Francë, protestat nisën në mesin e shtatorit, në periferi të Parisit, për shkak të mungesës së mësimdhënësve dhe kushteve të dobëta në shkolla.

Pakënaqësitë u përhapën në qytete të tjera dhe u zgjeruan te kostoja e jetesës, pabarazitë sociale dhe gjendja e shërbimeve publike. Nxënësve dhe studentëve iu bashkuan edhe mësimdhënës, sindikata dhe qytetarë të tjerë.

Protestat janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe mijëra arrestime.

Ndërhyrjet e forcave të rendit kanë nxitur gjithashtu kritika, sidomos pas lëndimit të rëndë të disa protestuesve të mitur.

Më 31 tetor, rreth 320 mijë njerëz dolën në rrugë në mbarë Francën, sipas autoriteteve, ndërsa organizatorët raportuan rreth 500 mijë pjesëmarrës.

Në Paris, disa protestues hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë.

Autoritetet raportuan 565 arrestime në nivel kombëtar, ndërsa prokuroria nisi hetime për tentativë vrasjeje pas sulmeve me mjete ndezëse ndaj forcave të sigurisë.

Më 2 nëntor, pas një pushimi dyjavor, nxënësit rifilluan bllokimin e shkollave, por në përmasa më të vogla.

Sipas Ministrisë së Arsimit, 41 shkolla u bllokuan ose u përballën me përpjekje për bllokim, krahasuar me qindra të tilla para pushimit.

Qeveria franceze ka propozuar katër miliardë euro për rinovimin e shkollave, kufizimin e numrit të nxënësve në klasa në 28, hapjen e 15 mijë vendeve të reja në arsimin e lartë dhe reformimin e sistemit të pranimit në universitete deri më 2028.

Por, përfaqësuesit e nxënësve dhe studentëve i konsiderojnë masat të pamjaftueshme dhe kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave.

Çfarë po kërkojnë të rinjtë në Belgjikë?

Në Belgjikë, studentët po protestojnë kundër rritjes së kostos së arsimit, mbipopullimit të klasave dhe reformave që, sipas tyre, mund ta vështirësojnë qasjen në studimet e larta.

Një nga shqetësimet kryesore është rritja e tarifave universitare nga 835 në 1.194 euro për shumicën e studentëve në komunitetin frëngjishtfolës të vendit.

Protestat, të frymëzuara pjesërisht nga lëvizja në Francën fqinje, janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe arrestime.

Në fillim të tetorit, në qytetin e Liezhit u raportuan mbi 100 ndalime dhe arrestime gjatë trazirave.

Më 9 tetor, studentët iu bashkuan një demonstrate më të gjerë në Bruksel kundër masave buxhetore të Qeverisë. Rreth 30 mijë njerëz morën pjesë në marshim, ndërsa përleshjet me policinë përfunduan me 21 persona të ndaluar ose arrestuar.

Incidentet vazhduan edhe më 17 tetor, kur policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit në Bruksel.

Përtej dhunës, studentët thonë se shqetësimet e tyre nuk janë marrë seriozisht nga autoritetet.

Maya Gourdel, një nxënëse 19-vjeçare në Bruksel, i tha agjencisë Reuters se përpjekjet e mëparshme për t’u dëgjuar në mënyrë paqësore nuk kishin tërhequr vëmendje.

“U përpoqëm ta bënim në mënyrë paqësore. Askush nuk na dëgjoi”, tha ajo, duke shtuar se mediat filluan t’u kushtonin vëmendje vetëm pasi nisën incidentet.

Si u përshkallëzuan protestat në Shqipëri?

Në Shqipëri, protestat kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama kanë kaluar nga kundërshtimi i një projekti turistik në një lëvizje më të gjerë, të udhëhequr nga të rinjtë, që kërkon ndryshime politike dhe ekonomike.

Demonstratat nisën në maj, fillimisht kundër një projekti turistik luksoz në bregdetin jugor, të mbështetur nga investitorë që përfshijnë Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump. Projekti është përballur me kundërshtime dhe konteste ligjore.

Në mesin e tetorit, protestat u përshkallëzuan, ndërsa nxënës dhe studentë dolën në rrugë për të kërkuar arsim më cilësor, ulje të kostos së studimeve dhe më shumë mundësi punësimi.

Pakënaqësitë u zgjeruan edhe te korrupsioni i pretenduar dhe mungesa e besimit ndaj institucioneve.

 

Protestat u përhapën nga Tirana në qytete të tjera, përfshirë Shkodrën, Lezhën, Elbasanin dhe Korçën, ndërsa disa demonstrata u shoqëruan me përleshje të dhunshme.

Në kryeqytet, protestues hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë, u vunë flakën ndërtesave qeveritare dhe dëmtuan banka e biznese. Policia përdori gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome.

Tensionet vazhduan edhe fundjavën që shkoi, kur persona të maskuar hodhën gurë dhe bomba ndezëse drejt policisë pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Qeveria ka paralajmëruar gjoba deri në 5.500 euro për pjesëmarrësit që ushtrojnë dhunë.

Rama ka dënuar incidentet dhe ka refuzuar të japë dorëheqje, duke theksuar se qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike.

A mund të sjellin ndryshime?

Serbia është shembulli më i fundit se si një lëvizje studentore mund të shndërrohet në forcë politike.

Pas gati dy vjetësh protestash kundër korrupsionit dhe kërkesash për përgjegjësi institucionale, lista e mbështetur nga studentët fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, duke i dhënë fund qeverisjes 14-vjeçare të partisë së Aleksandar Vuçiqit.

Por, fitorja zgjedhore nuk garanton se kërkesat e protestuesve do të përmbushen. Lëvizja studentore në Serbi ende përballet me sfidën e formimit të qeverisë dhe zbatimit të reformave të premtuara.

Në vendet e tjera evropiane, rezultatet e mobilizimit mbeten të paqarta.

Qeveritë po përballen me presion për t’iu përgjigjur kërkesave të të rinjve, ndërsa incidentet e dhunshme kanë hapur debate për kufijtë e ndërhyrjes policore dhe mbrojtjen e së drejtës për protestë paqësore.

Nëse protestat do të sjellin ndryshime të qëndrueshme, do të varet jo vetëm nga sa gjatë do të vazhdojnë, por edhe nga aftësia e lëvizjeve për t’i shndërruar kërkesat e tyre në rezultate konkrete. /REL/

Continue Reading

Të kërkuara