Lajmet

Kush është Mullah Baradar – fytyra më publike e talibanëve

Baradar është një durrani pashtun nga fisi Popalzai.

Published

on

Abdul Ghani Baradar, i njohur si Mullah Baradar, është bashkëthemelues i talibanëve dhe një lider i lartë i grupit militant islamik, i cili pritet të ketë një rol të lartë në qeverisjen e Afganistanit, pas marrjes së vendit nga talibanët.

Baradar – që është fytyra më publike e talibanëve – ka qenë gjithashtu përfaqësuesi i grupit kryengritës, që nënshkroi marrëveshjen historike të shkurtit të vitit 2020 në Doha me Shtetet e Bashkuara, marrëveshje që kishte për qëllim dhënien fund të luftës 20-vjeçare në Afganistan.

I lindur më 1968 në provincën Uruzgan, Baradar është një durrani pashtun nga fisi Popalzai. Ai po ashtu ka shërbyer si zëvendësministër i Mbrojtjes i talibanëve.

Baradar ishte larguar në Pakistan, pas pushimit të Afganistanit nga Shtetet e Bashkuara, që pasoi sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA, që çoi në rrëzimin nga pushteti të grupit.

Baradar kishte qëndruar për tetë vjet në burg në Pakistan, pasi raportohet se ishte arrestuar në Karaçi më 2010 gjatë një operacioni të agjentëve të inteligjencës së SHBA-së dhe Pakistanit. Ai ishte liruar nga burgu me kërkesë të të dërguarit të SHBA-së për Afganistanin, Zalmay Khalilzad, me qëllim që të luante rol në bisedimet e paqes, për shkak se ai kishte autoritet dhe reputacion si një njeri që ishte në gjendje të negocionte.

Por, përderisa marrëveshja e vitit 2020 me SHBA-në i dha fund luftës më të gjatë të Amerikës, kjo marrëveshje po ashtu i hapi rrugë kthimit triumfues të talibanëve në Kabul më 15 gusht, pasi grupi mori nën kontroll shumicën e vendit brenda një jave.

Baradar, që u raportua se ishte nisur për në Kabul më 15 gusht, për herë të parë pas pothuajse dy dekadash, mund të ketë një post të lartë në administratën e ardhshme të Afganistanit.

Suhail Shaheen, zëdhënës dhe negociator i talibanëve, tha më 16 gusht për Associated Press se militantët, gjatë ditëve në vijim do të mbajë bisedime, të cilat do të kenë për qëllim formimin “e një qeverie të hapur, gjithëpërfshirëse islamike”.

Baradar, që ka shërbyer si udhëheqës i byrosë politike të talibanëve, është një figurë e fuqishme që gëzon respekt në mesin e grupit, për shkak të aftësive të tij ushtarake dhe negociuese.

Gjatë një video-mesazhi të shkurtër, më 15 gusht, Baradar tha se fitorja e grupit kishte ndodhur shumë shpejt, duke shtuar se testi i vërtetë do të niste tani me shërbimin ndaj njerëzve dhe me zgjidhjen e problemeve të tyre.

Gazetari Sami Yousaifzai ka mbuluar aktivitetet e talibanëve për shumë vjet dhe është takuar me Baradarin.

“Baradar është një person shumë i qetë, e kam takuar tri apo katër herë. Ai është shumë diplomatik, flet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Edhe para se të kapej, ai ishte i njohur si një figurë që mendonte shumë (për talibanët). Ai gëzon shumë respekt në mesin e talibanëve”, tha Yousafzai për Radion Evropa e Lirë.

“Mendoj se ai ka ambicie që të bëhet lider dhe ai është i vetmi që në mënyrë të suksesshme arriti marrëveshje me amerikanët. Siç kam dëgjuar nga talibanët, ai po ashtu ka dëshirë që të marrë një rol të lartë në të ardhmen”, shtoi ai.

Baradar, që u bë njeriu i dytë në hierarkinë e talibanëve pas vdekjes së liderit të talibanëve Mullah Omar më 2013, raportohet se ka punuar në hije për vite me radhë, duke bërë strategji për kryengritjen e përgjakshme të talibanëve dhe duke emëruar komandantë ushtarakë të grupit.

Gjatë burgosjes së tij në Pakistan, ai raportohet se i ka ofruar SHBA-së informacione “të dobishme” lidhur me punën e brendshme të grupit militant.

Baradar vjen nga fisi i njëjtë sikurse ish-presidenti afgan, Hamid Karzai, i cili qëndroi në Kabul dhe tha se po punon “për të zgjidhur në mënyrë paqësore çështjen e Afganistanit me udhëheqësin e talibanëve”.

Baradar, që ka luftuar kundër sovjetëve në vitet e 80-ta, ka mbajtur një sërë postesh gjatë udhëheqjes brutale të talibanëve nga vitit 1996 deri më 2001, periudhë kjo kur grave iu hoqën të drejtat themelore, përfshirë edhe ndalimin e shkollimit dhe punës, si dhe ato kishin qasje të kufizuar në kujdesin shëndetësor.

Grupi, gjatë javëve të fundit, është munduar që të projektojë për veten një imazh më të moderuar, por shumë – përfshirë afganët që po largohen nga shteti dhe ata që viteve të fundit kanë jetuar në zonat e kontrolluara nga talibanët – vazhdojnë të mos jenë të bindur.

Gjatë një interviste dhënë më 2009 për Newsweek, Baradar tha se grupi ishte i vendosur që të luftonte deri në dëbimin e trupave amerikane nga vendi.

“Historia e Afganistanit tregon se afganët nuk lodhen kurrë duke luftuar deri në çlirimin e vendit të tyre. Ne do ta vazhdojmë xhihadin tonë deri në dëbimin e armikut tonë nga tokat tona”, kishte deklaruar ai.

Në mars të vitit 2020, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump, zhvilloi një bisedë telefonike, që zgjati 35 minuta, me liderin politik të talibanëve. Këtë bisedë, Trump e përshkroi si “shumë të mirë”.

Në nëntor, Baradar u takua në Doha të Katarit me ish-sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Ai po ashtu ishte përfshirë në bisedimet e zhvilluar ditëve të fundit – që dështuan – me administratën e presidentit Ashtraf Ghani, i cili u largua nga Afganistani më 15 gusht.RFE

Continue Reading

Vendi

UBT nis bashkëpunim ndërkombëtar me Liberty University për “Virtual NATO Simulation”

Published

on

By

Është mbajtur takimi i parë online i punës që shënon nisjen e një bashkëpunimi të rëndësishëm akademik ndërkombëtar në kuadër të aktivitetit “Virtual NATO Simulation”, i cili për herë të parë po zhvillohet në Kosovë me përfshirjen e studentëve të University for Business and Technology.

Ky projekt inovativ synon të sjellë një përvojë të drejtpërdrejtë të proceseve vendimmarrëse dhe diplomatike në kuadër të NATO, përmes një simulimi virtual që përfshin role të nivelit të lartë politik, diplomatik dhe të sigurisë.

Në kuadër të këtij simulimi, me iniciativë të Dekanes së Fakultetit Shkenca Politike në UBT, dy grupe studentësh, do të përfaqësojnë shtete anëtare të NATO-s përmes formatit role play. Njëri grup do të simulojë rolin e Turqia, ndërsa grupi tjetër atë të Italia, duke u angazhuar në diskutime dhe vendimmarrje që pasqyrojnë realitetin e sfidave të sigurisë ndërkombëtare.

Përmes këtij angazhimi, studentët do të përjetojnë nga afër dinamikën e negociatave, koordinimit institucional dhe diplomacisë shumëpalëshe.

Ky bashkëpunim po realizohet në partneritet me Liberty UniversityShtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me universitete të tjera të rajonit, duke krijuar një hapësirë të përbashkët akademike për shkëmbim përvojash, njohurish dhe praktikash ndërkombëtare.

Virtual NATO Simulation u ofron studentëve një qasje praktike dhe ndërvepruese ndaj çështjeve të sigurisë globale, duke zhvilluar aftësi konkrete në analizë strategjike, komunikim institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Takimi i parë online përbën hapin fillestar të një rrugëtimi të ri për UBT-në dhe studentët e saj, duke e pozicionuar Kosovën në një platformë aktive të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe duke dëshmuar rolin në rritje të institucioneve vendore në nisma që ndërlidhin arsimin e lartë me realitetet globale.

Continue Reading

Vendi

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku pjesë e konferencës shkencore në Universitetin e Bolonjës

Published

on

By

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku mori pjesë në një konferencë shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Bolonjës, në bashkëpunim me disa universitete shqiptare.

I themeluar në vitin 1088, Universiteti i Bolonjës konsiderohet universiteti më i vjetër në botë dhe një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në Evropë, me një traditë të gjatë akademike dhe kërkimore.

Konferenca, e mbajtur më 19 dhe 20 shkurt 2026, kishte për temë kryesore: “Arbëreshët e Italisë, një qytetërim midis dy brigjeve të Adriatikut” (The Arbëreshë of Italy, a civilization between the two shores of the Adriatic Sea).

Gjatë dy ditëve të zhvillimit të saj, studiues nga fusha të ndryshme trajtuan aspekte historike, kulturore, gjuhësore dhe identitare të komunitetit arbëresh, duke theksuar rolin e tyre në ndërlidhjen mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në kuadër të kësaj konference, Prof. ass. dr. Xhevahire Millaku prezantoi kumtesën me temë: “Gjuha dhe arti diplomatik e letrar i Ismail Kadaresë në studimet italiane”.

Në paraqitjen e saj, ajo trajtoi dimensionin gjuhësor dhe estetik të veprës së shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, duke u ndalur në mënyrën se si krijimtaria e tij është studiuar dhe interpretuar në qarqet akademike italiane, si dhe në rolin që ajo ka luajtur në ndërtimin e urave kulturore ndërmjet dy vendeve.

Continue Reading

Vendi

Pjesëmarrje rekord në Testin Provues të Arritshmërisë të organizuar nga UBT International Smart Schools: Mbi 1,500 nxënës nga e gjithë Kosova

Published

on

By

UBT International Smart Schools organizoi me sukses edicionin e dytë të Testit Provues të Arritshmërisë, me mbi 1,500 nxënës të klasave të 9-ta nga e gjithë Kosova që morën pjesë. Ky test, i vetmi i këtij lloji në vend, ka për qëllim vlerësimin gjithëpërfshirës të njohurive të nxënësve dhe do t’u ofrojë atyre që kanë sukses mundësinë për të fituar bursa shkollimi nga 25% deri në 100% në UBT International Smart Schools.

Testi u zhvillua online dhe pa pagesë, duke mundësuar pjesëmarrje të lehtë nga çdo vend. Ai u nda në katër pjesë kryesore:

  • Gjuhët dhe Komunikimi – Gjuhë Shqipe dhe Gjuhë Angleze
  • Shkencat e Natyrës – Biologji, Kimi dhe Fizikë
  • Shkencat Shoqërore – Histori dhe Gjeografi
  • Matematika dhe Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)

Ky test provues ishte një mundësi unike për nxënësit që të testojnë njohuritë e tyre dhe të hapin rrugën drejt një arsimi cilësor, inovativ dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja rekord e mbi 1,500 nxënësve tregon interesin e madh të të rinjve për të zhvilluar potencialin e tyre akademik dhe për të përfituar nga mundësitë e bursave të ofruara.

UBT International Smart Schools falënderon të gjithë nxënësit dhe prindërit për besimin dhe pjesëmarrjen, duke theksuar se përkushtimi ndaj arsimit dhe inovacionit mbetet prioritet kryesor i institucionit.

Për më shumë informacione mbi programet dhe mundësitë e tjera të UBT International Smart Schools, mund të kontaktoni në 046 332 233.

Continue Reading

Lajmet

Fatlume Bunjaku nderohet me çmimin “European Shooting Star” në Berlinale

Published

on

By

Aktorja shqiptare nga Kosova, Fatlume Bunjaku, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz European Shooting Stars në kuadër të Berlinale, duke shënuar një arritje të jashtëzakonshme për kinematografinë shqiptare dhe atë ballkanike në skenën ndërkombëtare. Ky program, i organizuar çdo vit nga European Film Promotion në bashkëpunim me Berlinalen, konsiderohet një nga platformat më prestigjioze për promovimin e aktorëve evropianë me potencial për një karrierë ndërkombëtare të suksesshme.

Juria e këtij edicioni përbëhej nga emra të njohur të botës së filmit, përfshirë regjisorin fitues të Oscar-it, Danis Tanović, aktoren Danica Ćurčić, kritiken e filmit Leila Latif, regjisoren Jo Monteiro dhe producentin Jacques-Henri Bronckart. Sipas vlerësimit të tyre, Bunjaku lë një gjurmë të pashlyeshme te shikuesi, duke shfaqur një prezencë të fuqishme në ekran dhe një thellësi emocionale mbresëlënëse. Juria theksoi se talenti dhe angazhimi i saj e bëjnë atë një aktore me potencial të jashtëzakonshëm.

Përveç suksesit në film, Fatlume Bunjaku njihet edhe si profesoreshë në Fakultetin e Arteve Dramatike në UBT, ku ndan eksperiencën dhe pasionin e saj me studentët, duke i frymëzuar ata drejt karrierave në art dhe aktrim. Prania e saj si “Shooting Star” në Berlinale u cilësua si një moment historik jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Gjatë ceremonisë, Bunjaku tërhoqi vëmendjen e agjentëve dhe regjisorëve ndërkombëtarë, jo vetëm për interpretimin e saj bindës, por edhe për qasjen modeste dhe të ngrohtë. Në fjalimin e saj, ajo bëri thirrje që industria globale e filmit të vlerësojë kineastët e Ballkanit, duke theksuar potencialin e madh të rajonit dhe nevojën për më shumë mundësi dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

Aktorja u nominua në këtë program për filmin Hana, me regji nga Ujkan Hysaj, ku interpreton rolin suportues të Mrikës. Ky vlerësim i hap rrugë prezantimit të saj në një nga skenat më të rëndësishme të kinematografisë botërore dhe shënon një kapitull të ri krenarie për artin shqiptar në nivel evropian dhe global.

Continue Reading

Të kërkuara