Lajmet

Kurti: Sulmi në Iber-Lepenc na bëri me dije të forcohemi në aspektin energjetik

Published

on

Për herë të parë në Kosovë sot është hapur ankandi i parë i erës me një kapacitet prej 100 MW. Ky ankand është hapur nga Ministria e Ekonomisë dhe mbështetur nga Korporata Ndërkombëtare Financiare si dhe USAID.

Gjatë ceremonisë hapëse të këtij ankandi u tha se Kosova po tregon se është e gatshme të kaloj në energji të pastër.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se këtë vit të suksesshëm në sektorin energjetik po e përmbyllin me hapjen e ankandit të parë të erës. Sipas tij, rritja ekonomike në vend duhet të shoqërohet me ndërtim të kapaciteteve të reja energjetike.

“Ekonomia jonë po rritet me ritmin më të shpejt në rajon me rritje të Bruto Produktit Vendor prej 6.36 për qind mesatarisht tri vitet e fundit 2021-2023. Sot në krahasim me fillimin e mandatit tonë qeverisës kemi dyfishim të eksporteve dhe më shumë se dyfishim të investimeve të huaja direkte… Kjo rritje ekonomike duhet të shoqërohet edhe me ndërtim të kapaciteteve të reja energjetike, në politikat e energjisë si në çdo vendim të qeverisë tonë jemi përkushtuar për një Kosovë e cila teksa rritet e zhvillohet nga parimi i drejtësisë, drejtësisë ekonomike, drejtësisë shoqërore dhe mjedisore”, deklaroi kryeministri Kurti.

Kryeministri, Kurti u shpreh se sulmi ndaj infrastrukturës në kanalin e Iber-Lepencit dëshmoi se Kosova duhet të forcohet në aspektin energjetik.

Kurti tha se Kosova është me fat se ka kapacitete të mëdha për energji të ripërtritshme e veçanërisht për atë të erës.

“Edhe tash para këtij ankandi që po e lansojmë u përballëm me një rikujtim të ngjashëm, sulmi kinetik ndaj infrastrukturën kritike në kanalin Iber-Lepenc për furnizim me ujë dhe energji na e bëri me dije se sa është e rëndësishme që ne të forcohemi edhe në kuptimin energjetik të qeverisjes dhe jetës sonë. Andaj diversifikimi dhe shumëfishimi i burimeve të energjisë përmes energjisë së ripërtritshme nuk është vetëm zgjidhje për zhvillimin e sektorit energjetik dhe ekonomik, por edhe domosdoshmëri për të mbrojtur pavarësinë energjetike të Kosovës. Këtu jemi me fat Kosova ka kapacitet të madh për energji të ripërtritshme me rrezatim të bollshëm për energji të diellit dhe erërat të forta në malet tona për energji të erës”, theksoi Kurti.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi se Kosova ka kapacitete që mundësojnë prodhimin e energjisë me erë. Ajo garantoi një garë transparente, ku siç tha ajo përfituesi kryesor do të jetë qytetari i Kosovës.

“Kërkesa jonë për energji që është veçanërisht në orët e mbrëmjes dhe veçanërisht gjatë muajve të ftohtë përkojnë shumë mirë me profilin e prodhimit të energjisë nga era. Andaj, ky lloj projekti është veçanërisht i rëndësishëm për gjenerimin dhe ekonominë tonë. Sot po e lansojmë fazën e parakualifikimit të ankandit të erës e cila do të pasoj nga faza e ofertave financiare. Që nga sot e deri në përzgjedhjen e ofertuesit me çmim më të ulët kemi përpara një garë mes kompanive të kualifikuara e të motivuara për investime domethënëse në Kosovë. Këtë garë zotohemi ta udhëheqim në mënyrë të drejtë e transparente siç kemi bërë edhe në ankandin e parë në mënyrë që të sigurohemi që pavarësisht se cili do të jetë konzorciumi që përzgjedhjet përfundimisht për ndërtimin e parkut të erës, fituesi më i madh përfundimisht të jetë qytetari i Kosovës me çmim të përballueshëm, energji të pastër, energji të sigurt dhe përballueshmëri”, tha ministrja Rizvanolli.

Zëvendës ambasadori gjerman në Kosovë, Martthias Conrad u shpreh se Kosova po tregon që është e gatshme të kaloj në energji të pastër.

Ai tha po ashtu se shteti gjerman e ka mbështetur këtë projekt me 800 mijë dollarë.

“Ky është një hap i madh për të krijuar një të ardhme miqësore për dy arsye, e para 100 MË është një sasi domethënë e prodhimit dhe energjisë së pastër dhe kjo e ndryshon këtë përzierjen e prodhimit të energjisë në Kosovë dhe kjo tregon se Kosova e gatshme të kaloj nga prodhimi i energjisë të ndotur në energji të pastër. Dhe me këtë Kosova tregon se beson që do të jetë partneri kryesor për të punuar në energji të pastër. Ky është një drejtim i duhur dhe përgëzoj qeverinë e Kosovës për këto vendime”, theksoi Conrad.

Drejtori Regjional për Ballkanin Perëndimor i Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), Nicolas Marquier u shpreh se hapja e ankandit të erës është hap i rëndësishëm drejtë një të ardhme të qëndrueshme.

Marquier theksoi se me këto kapacitete shtesë të energjisë së erës do të mbulohet rreth 4 deri në 6% e kërkesës për energji.

“Ky momentum përfaqëson jo vetëm përparimin në sektorin e energjisë, por edhe një hap të rëndësishëm drejtë një të ardhme të qëndrueshme dhe të gjelbër për vendin tuaj dhe Evropën. Ne jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë me Kosovën për të sfiduar problemet socio-ekonomike, ky projekt i veçantë synon të rris ndërtimin e kapaciteteve të energjisë së erës duke 137 në 237 MW që do të mbuloj rreth 4-6 për qind të kërkesës së përgjithshme të Kosovës për energji”, thotë ai.

lajme

Kurti takon në Paris emisarin Sorensen: Diskutohet për normalizimin dhe dialogun me Serbinë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.

Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

lajme

Murati prezanton buxhetin për 2027-ën, opozita kritikon investimet kapitale

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.

Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.

Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.

“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.

Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Foda rindërton mbrojtjen pas largimit të Dellovës

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.

Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.

Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.

“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara