Kulturë

Ethan Hawke zbulon rolin që i ndryshoi jetën: “Tape më bëri aktor të pjekur”

Published

on

Ylli i Hollywood-it, Ethan Hawke, ka interpretuar gjatë karrierës së tij një sërë personazhesh të paharrueshëm. Megjithatë, kur pyetet për rolin që ka pasur ndikimin më të madh në jetën dhe karrierën e tij, aktori zgjedh një film të papritur: “Tape”, drama e errët dhe klaustrofobike e vitit 2001, e realizuar së bashku me regjisorin Richard Linklater.

Hawke është shfaqur në ekran në role nga më të ndryshmet gjatë një karriere rreth 40-vjeçare. Ai u bë i njohur si nxënësi i turpshëm që gjen zërin e tij te “Dead Poets Society”, ndërsa në “Reality Bites” interpretoi një muzikant cinik, rol që e shndërroi në një prej figurave simbolike të brezit X. Më pas erdhi prifti alkoolik dhe i përfshirë nga dyshimet në “First Reformed”, ndërsa së fundmi ai portretizoi tekstshkruesin e talentuar, por të plagosur, Lorenz Hart në “Blue Moon”, një rol që i siguroi nominimin e tij të parë për Oscar si aktori më i mirë në moshën 54-vjeçare.

Këtë javë, në Mbretërinë e Bashkuar publikohet edhe filmi i tij më i ri, “The Weight”, një dramë aventureske e vendosur gjatë viteve të Depresionit të Madh. Hawke luan Murphy-n, një të dënuar që pranon të kontrabandojë ar përmes zonave të thella të Oregonit në këmbim të lirimit nga një kamp pune.

Por, pavarësisht numrit të madh të roleve të luajtura ndër vite, Hawke thotë se filmi që shënoi kthesën më të rëndësishme në karrierën e tij ishte “Tape”.

“Nëse do të më duhej të zgjidhja një rol që më ndryshoi jetën, do të ishte ‘Tape’”, tha Hawke për BBC-në. “Ishte hyrja ime në aktrimin e pjekur. Isha gati të mbushja 30 vjeç dhe po bëhesha një i rritur.”

“Tape” u realizua në një periudhë kur teknologjia e videos digjitale sapo kishte nisur të përdorej në mënyrë të gjerë. Hawke dhe Linklater ishin të intriguar nga mundësitë që kjo teknologji e re mund t’i sillte kinemasë dhe vendosën të realizonin një film jashtëzakonisht minimalist: gjithçka zhvillohet brenda një dhome hoteli.

“Askush nuk dëshiron vërtet të shohë një film që zhvillohet në një dhomë të vetme. E dinim se duhej të ishim jashtëzakonisht të saktë, të përqendruar dhe qesharakë”, kujton Hawke.

Filmi, i xhiruar në vetëm gjashtë ditë me kamera dore digjitale, zgjat 86 minuta dhe në kast përfshin edhe ish-bashkëshorten e Hawke, Uma Thurman, si dhe Robert Sean Leonard, me të cilin ai kishte luajtur më parë në “Dead Poets Society”.

Në “Tape”, Hawke interpreton Vince, një shpërndarës droge në kohë të pjesshme, i cili regjistron fshehurazi një mik të vjetër, Jon, të luajtur nga Leonard. Jon rrëfen se ka përdhunuar Amy-n, një ish-shoqe klase e cila dikur kishte pasur marrëdhënie me të dy burrat. Kur Amy mbërrin në hotelin ku ndodhen Vince dhe Jon, versionet e tyre për të kaluarën fillojnë të përplasen dhe të zbulojnë gjithnjë e më shumë sekrete.

Mënyra e xhirimit e bën filmin veçanërisht intensiv. Kamera lëviz vazhdimisht nëpër dhomën e vogël, duke krijuar ndjesinë se edhe shikuesi është i mbyllur në të njëjtën hapësirë me personazhet.

“Sollëm një mënyrë krejt tjetër pune, për shkak të mënyrës se si funksiononin këto kamera. Nuk kishte vend për neglizhencë”, shpjegon Hawke. “Askush nuk dëshiron të shohë një film të vendosur në një dhomë të vetme. E dinim se duhej të ishim jashtëzakonisht të saktë, të mprehtë dhe argëtues.”

Fakti që Hawke, Thurman dhe Leonard njiheshin prej kohësh e ndihmoi procesin. “Ne të tre ishim miq dhe kjo bëri që provat të bëheshin shumë shpejt më të thella”, thotë ai.

Një tjetër element interesant ishte lidhja me “Dead Poets Society”. Linklater kishte vënë re se marrëdhënia mes Hawke dhe Leonard sillte një nëntekst të veçantë, pasi të dy kishin luajtur më herët shokë dhome në shkollë. “Tape” zhvillohet dhjetë vjet pasi personazhet e tyre kanë përfunduar shkollën.

Në kohën e publikimit, një kritik shkroi se “Tape” kishte nxjerrë në pah “aktorin e brendshëm” të Hawke. Vetë aktori thotë se përvoja e këtij filmi e përgatiti për një nga rolet më të rëndësishme të karrierës së tij: policin e ri dhe idealist Jake Hoyt në “Training Day”, ku luajti përkrah Denzel Washington.

“E bëra ‘Tape’ menjëherë përpara ‘Training Day’ dhe kujtoj se sa mirënjohës isha që kisha kaluar atë përvojë. Denzel ishte artisti më i jashtëzakonshëm me të cilin kisha punuar ndonjëherë. Imagjinata e tij është jashtëzakonisht e fuqishme dhe karizma e tij të përfshin plotësisht. ‘Training Day’ vuri në provë gjithçka që kisha mësuar”, shprehet Hawke.

Bashkëpunimi mes Hawke dhe Linklater ka vazhduar për rreth 30 vjet dhe përfshin nëntë filma. Ata punuan për herë të parë së bashku në dramën romantike “Before Sunrise” në vitin 1995, e cila më pas u pasua nga “Before Sunset” dhe “Before Midnight”. Të dy vazhduan bashkëpunimin edhe në “Blue Moon”, të publikuar në vitin 2025.

Hawke thotë se Linklater ishte një prej njerëzve që i dha mundësinë të eksperimentonte pa pasur nevojë të fitonte sërish besimin e tij.

“Kur takova Linklaterin, e kuptova se po takoja dikë absolutisht unik. Tani është 66 vjeç dhe vazhdon të jetë po aq lozonjar dhe krijues sa gjithmonë. Nuk mund ta parashikosh kurrë se çfarë do të bëjë më pas”, thotë ai.

Duke reflektuar mbi karrierën e tij, Hawke thotë se e sheh atë si një seri kapitujsh të ndryshëm.

“Kam luajtur që kur isha 14 vjeç. Disa role kanë hapur një pjesë tjetër të vetes sime ose një kapitull tjetër të marrëdhënies sime me aktrimin. Është e qartë se ‘Dead Poets Society’ më dha një karrierë, por ‘Reality Bites’ ndryshoi mënyrën se si dukej ajo karrierë, sepse papritur gjithçka lidhej me ‘Generation X’. Pastaj erdhi ‘Training Day’ dhe hapi diçka tjetër. Por unë kisha fituar shumë vetëbesim nga ‘Tape’ – ai film më kishte bërë një aktor të pjekur.”

Edhe pas gati katër dekadash në skenë dhe ekran, Hawke thotë se ende ka role që nuk i ka provuar. Një prej tyre ishte personazhi Murphy në “The Weight”, një hero tradicional, të cilin aktori thotë se nuk e kishte interpretuar më parë.

“Deri tani nuk më ishte kërkuar të luaja një djalë të mirë të stilit të vjetër si Murphy. Nuk e kuptoj pse. Më dukej se nuk shihja shumë personazhe të tillë në filma. Doja të provoja diçka ndryshe dhe t’i jepja pak shpirt.”

“The Weight”, me regji të Padraic McKinley, vendos Hawke në rolin e Murphy-t, ndërsa Russell Crowe interpreton një gardian të korruptuar të një kampi pune. Ky i fundit i ofron Murphy-t një marrëveshje: të kontrabandojë ar në këmbim të lirisë dhe mundësisë për t’u ribashkuar me vajzën e tij të vogël.

Për Hawke, filmi ishte gjithashtu një mundësi për të realizuar një lloj kinemaje që e kishte ëndërruar që fëmijë.

“Nuk do të bëje një film të tillë nëse nuk do të kërkoje aventurë në natyrë. E xhiruam verën e kaluar në pyllin bavarez. Nuk kishim shumë para, por kishim një mision: të bënim një film aksion të stilit të vjetër, llojin e filmit që ëndërroja të bëja kur isha fëmijë.”

Një çerek shekulli pas publikimit të “Tape”, Hawke tashmë është në një pozicion ku mund të ndihmojë edhe në realizimin e filmave eksperimentalë dhe të guximshëm.

“Duhet të vazhdosh të kërkosh gjëra që mendon se ia vlejnë kohën e dikujt, por edhe gjëra që do të të shtyjnë përpara”, thotë ai.

Megjithatë, aktori pranon se me kalimin e moshës ka kuptuar se sa e madhe është bota dhe sa shumë mbetet ende për të mësuar.

“Një nga gjërat më interesante të plakjes është se të duket sikur një jetë e vetme nuk mjafton. Sa më shumë mëson, aq më shumë kupton se sa shumë gjëra nuk i dije.”

“The Weight” publikohet në kinematë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës më 2 tetor 2026.

BBC

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 21 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

21 tetor 1993

Nga fshati Stançiq u shpërngulën dhjetë familje

Disa fshatra të Karadakut, komuna e Gjilanit, në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, pas njohjes së këtij shteti, janë vënë në një trajtim të posaçëm ushtarak e policor. Njëri nga më të goditurit, gjthsesi, është Stançiqi, prej ku, në katër-pesë muajt e fundit, u shpërngulën dhjetë familje shqiptare në rrethinën e Kumanovës e të Shkupit, për shkak të lidhjeve farefisnore e gjeografike me këto treva. Për shkak të presionit policor e ushtarak në këtë brez kufitar, ka rrezik për shpërngulje edhe më të mëdha nga fshatrat përreth kësaj zone.

Sipas të dhënave të Këshillit për mbrojtjen e të drejtave e lirive të njeriut në Gjilan, për këto arsye, prej qershorit e deri para dy ditësh, nga Stançiqi u shpërngulën familjet e Kadri Bajramit (me 8 anëtarë), Destan Bajramit me 11 anëtarë, Shefki Dautit me 6 anëtarë, Isuf Veliut me 10, Salih Ajetit, gjithashtu me 10 anëtarë, pastaj familjet e Sejdi Osmanit, Baftiar e Naip Osmanit, Fehmi Murselit dhe familja e Rabit Latifit. Pra, një lagje e tërë shqiptarësh braktisi fshatin e lindjes dhe u vendos në Haraqinë, Qerkez, Kumanovë e gjetiu nëpër Maqedoni, pos dy familjeve të fundit, të cilat u vendosën në Zhegër, përkatësisht në Gjilan, njofton gazeta e sotme “Bujku”.

 

21 tetor 1994

Në komunën e Mitrovicës në nëntë muajt e fundit u bastisën 228 familje

Në komunën e Mitrovicës në nëntë muajt e fundit, policia serbe kryesisht nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi gjithësej 228 familje shqiptare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Policia serbe gjatë kësaj kohe ndërhyri 44 herë në institucione shkollore, në pyetje i mori 46 persona, plaçkiti 55 tregtarë dhe qytetarë shqiptarë, i konfiskoi 22 pasaporta, maltretoi në forma të ndryshme 39 persona, nën pretekst të dorëzimit të armëve dhe në forma të tjera i arrestoi dhe i mbajti deri në 3 ditë në burg 140 persona, u bë hapja e procedurave gjyqësore kundër 33 personave, u rrahën 218, u dënuan me burg 12 persona, ndërsa u dërguan me dhunë në ushtrinë serbe 13 të rinj shqiptarë.

21 tetor 1995 

New York Times: A është në rend eksplodimi në Kosovë?

Gazeta autoriative amerikane “The New York Times” botoi në numrin e sotëm (21 tetor 1995) një vështrim për Kosovën të autorit Julie Mertus (Xhuli Mertës) me titull “A është në rend eksplodimi në Kosovë?”. Në artikull thuhet:

“Iniciativa paqësore amerikane në ish-Jugosllavi po sjell një lehtësim të nevojshëm në Bosnjë-Hercegovinë, por ajo gjithsesi nuk do të arrijë të vendosë paqe afatgjatë në Ballkan po qe se në negociata nuk përfshihen të gjithë liderët e grupeve më të mëdha etnike në rajon. Duke i dhënë përparësi pragmatizmit para drejtësisë, ndihmëssekretari amerikan i shtetit Hollbruk e ka lënë pasdore përbërësin kryesor në zgjidhjen e problemit të Ballkanit: shqiptarët etnikë në Kosovë.

Ndonëse shqiptarët përbëjnë më tepër se 85 për qind të popullsisë së Kosovës, e cila ishte rajon autonom në ish-Jugosllavi, ata qe një kohë të gjatë po kontrollohen nga minoriteti etnik serb.

Presidenti serb Sllobodan Millosheviq hypi në pushtet pas një fjalimi në Kosovë më 1989 me të cilin ai denonconte, siç thoshte ai, brutalitetin e shqiptarëve ndaj serbëve të Kosovës. Fjalët e tij çuan në një dhunë të tmerrshme policore kundër shqiptarëve; arrestime masive, gjykime të montuara në bazë të deklaratave të nxjerra me dhunë. Shumë shqiptarë u përzunë nga puna pasi që refuzonin të nënshkruanin deklarata të lojalitetit ndaj Jugosllavisë së re.

Kështu, shqiptarët kanë organizuar shoqërinë e tyre paralele dhe shkollat, spitalet, qeveritë lokale etj. Komisioni i të Drejtave të Njeriut i OKB-së thotë: “Pjesa dërrmuese e popullsisë jeton me frikë konstante”.

Millosheviqi ka kundërshtuar të bisedojë rreth Kosovës në takimet ndërkombëtare, duke e quajtur këtë çështje të brendshme. Ai ka penguar OKB-në që të njohë Ibrahim Rugovën, i zgjedhur kryetar i Kosovës në zgjedhjet e vitit 1992, të cilat nuk njihen nga autoritetet serbe. Nëse përkrahja për presidentin Millosheviq në Serbi bie pas marrëveshjes paqësore në Bosnjë dhe disfatave ushtarake në Kroaci, ai mund të përpiqet të forcojë pushtetin e vet duke provokuar një konflikt në Kosovë. Luftimet në Kosovë padyshim do të përhapeshin në Shqipëri dhe do të mund të përfshinin edhe Maqedoninë (me 23 për qind popullsi shqiptare), Greqinë dhe Bullgarinë. Në rrafshin diplomatik, kjo do të vinte Amerikën kundër Rusisë, e cila mbështet regjimin serb në Kosovë.

Për të evituar këtë skenar, Kosova duhet të jetë e pranishme në tryezën ndërkombëtare të negociatave. Kjo mund të arrihet vetëm po qe se Shtetet e Bashkuara e injorojnë qëndrimin e OKB-së, sipas të cilit Qeveria e zgjedhur e shqiptarëve të Kosovës nuk meriton karrikë në tryezën e negociatave.

Një rol negociues (i SHBA-ve) nuk është i pamundur. Shtetet e Bashkuara, të brengosura për Kosovën, kanë dërguar atje miliona dollarë në vit për shërbime shëndetësore.

Për më tepër, tashmë është bërë presedan që të bisedohet me liderë të cilët nuk udhëheqin shtete të njohura ndërkombëtarisht. Zoti Holbruk po rropatet me Radovan Karaxhiqin dhe Ratko Mlladiqin, liderë të serbëve të Bosnjës, të cilët akuzohen për krime të luftës. Prandaj, zoti Rugova nuk mund të përjashtohet nga negociatat vetëm pse ka fituar në zgjedhjet “e paligjshme”.

Çka mund të shpresojnë shqiptarët e Kosovës? Shtetet e Bashkuara do të duhej së paku të përkrahnin kërkesat e tyre për mbikëqyrje ndërkombëtarë të shkeljeve drastike të të drejtave të njeriut. Zoti Rugova, sipas të gjitha gjasave, po ashtu do të kërkojë një palë të tretë, helmetkaltërit e OKB-së ose trupat e NATO-s, për të ndihmuar normalizimin e një procesi në rajon, i cili do të zbuste praninë policore serbe dhe do të mundësonte rihapjen e shkollave lokale, spitaleve, shërbimeve qeveritare e të tjera. Duhet të jemi të sigurtë se një vend rreth tavoline për shqiptarët do ta iritonte Millosheviqin, por të përpiqesh të arrish paqe në Ballkan pa e pasë shqyrtuar çështjen e Kosovës është sikur të përpiqesh ta fikësh zjarrin duke e lënë thëngjillin të ndezur”, përfundon shkrimi i autorit Xhuli Mertës, që po shkruan një libër për Kosovën.

 

21 tetor 1997 

Policët e stacionuar në Morinë keqtrajtojnë kalimtarët

Që nga 17 tetori, Skenderaj e sidomos rruga në drejtim të Gllogocit po vërshohet nga patrulla të policisë, të përcjella me autoblinda e armatim të ndryshëm. Viktimë e policëve janë të gjithë qytetarët që kalojnë në këtë drejtim pas orës 20.

KI i Degës së LDK-së në Skenderaj njofton se tash pesë netë me radhë policët stacionohen në afërsi të deposë së materialit ndërtimor të Nuredin e Kajtaz Deliut nga Rrezala, e cila ndodhet në fshatin Morinë. Në këtë vend policia nga orë 20 deri në orën 24 maltreton kalimtarët. Nga policët ka pësuar rëndë edhe vetë Kajtazi. Policët madje djegin dërrasa dhe material tjetër të kësaj depoje, duke dëmtuar kështu pronarët e deposë edhe materialisht.

Në këtë vend, më 17 tetor u keqtrajtuan Petrit Murtezaj, student nga Klina e Poshtme, Vezir Ymeri nga Kopriva e Mitrovicës dhe Bajram Haziraj nga Llausha. Ata po udhëtonin me veturë dhe u keqtrajtuan pa ndonjë pretekst. Në Morinë u keqtrajtuan rëndë edhe Musa, Musdtafë e Mehdi Koca nga Polaci dhe Tafil e Daut Gjinofci nga Makermali.

Po në Morinë, siç njofton KI i Degës së LDK-së në Gllogoc, më 17 tetor, pas orës 22, u keqtrajtua fizikisht edhe Adem M. Kiqina (40) nga Baica e kësaj komune, punëtor në Ferronikel. Sipas deklaratës së tij, këtu është keqtrajtuar edhe një punëtor tjetër.

21 tetor 1998

Vdiq edhe një anëtare e familjes Deliu nga Obria e Epërme

Mbrëmë, në shok dhomën e spitalit të Prishtinës vdiq Bedrie Deliu (25) nga Obria e Epërme e Skënderajt, nënë e katër fëmijëve.

Burime nga spitali bëjnë të ditur se ajo ishte sjellë në spital me lëndime të rënda në kokë, si pasojë e torturës fizike.

Bedria është anëtare e familjes Deliu, 25 pjesëtarë të së cilës u vranë e u masakruan gjatë një aksioni të forcave serbe në fund të muajit të kaluar.

Foto: New York Times

 

Continue Reading

Lajmet

Galeria Kombëtare e Kosovës hap thirrjen për Programin Vjetor 2027

Published

on

Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) ka hapur thirrjen për propozime për Programin Vjetor 2027, duke ftuar artistë, kuratorë, hulumtues dhe profesionistë të tjerë të arteve pamore të aplikojnë me projektet e tyre.

Thirrja përfshin propozime për ekspozita ndërdisiplinare në fusha si piktura, skulptura, grafika, instalacioni, fotografia, videoja dhe performanca. Gjithashtu, pranohen projekte edukativo-arsimore, hulumtuese, botuese dhe multimediale.

Projektet mund të realizohen brenda ose jashtë hapësirave të Galerisë, në bashkëpunim me stafin e saj. Për aplikim janë të ftuara edhe kolektivet, organizatat dhe komunitetet kulturore, ndërsa kontratat do të lidhen me individë.

Programi do të zhvillohet në dy hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës: GKK Qendrore dhe GKK QAFA.

Afati i fundit për aplikim është 30 dhjetor 2026. Informacionet e hollësishme për thirrjen dhe mënyrën e aplikimit mund të gjenden përmes kanaleve zyrtare të Galerisë Kombëtare të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Restaurohet Mulliri i Cermjanit në Gjakovë, rikthehet një pjesë e trashëgimisë kulturore

Published

on

Mulliri i Cermjanit në Gjakovë është restauruar, duke rikthyer në jetë një pjesë të trashëgimisë kulturore që dëshmon traditën dhe mënyrën e jetesës së brezave të kaluar.

Përmes këtij restaurimi synohet ruajtja e vlerave historike dhe kulturore, si dhe përcjellja e tyre te brezat e ardhshëm.

Puna për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore vazhdon, me qëllim që monumentet dhe traditat që përbëjnë identitetin tonë të ruhen edhe në të ardhmen./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“WALL NOT I”, projekt artistik në Muzeun e Burgut të Prishtinës

Published

on

Një ligjëratë performative dhe videoinstalacion i frymëzuar nga vepra e shkrimtarit Samuel Beckett do të prezantohet më 16 tetor në Muzeun e Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit.

Projekti “WALL NOT I”, i realizuar nga autori dhe përkthyesi Idlir Azizaj dhe artisti Mentor Berisha, nis në orën 19:00 dhe ndërthur ligjëratën, imazhin dhe videoinstalacionin për të eksploruar raportin mes trupit, hapësirës, kujtesës dhe rrëfimit.

Përmes dialogut mes veprës së Beckettit dhe historisë së Burgut të Idealit, projekti trajton temat e mbylljes, mungesës së lirisë dhe rezistencës njerëzore.

Aktiviteti do të mbahet më 16 tetor 2026, duke filluar nga ora 19:00, në Muzeun e Burgut të Prishtinës./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara