Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 2 tetor 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

2 tetor 1993

Vazhdojnë arrestimet e aktivistëve në Gjakovë

Gjatë javës së fundit, vala e arrestimeve të aktivistëve në Gjakovë nga ana e policisë serbe, vazhdon edhe më tej. Kështu sot në orët e hershme të mëngjesit u arrestuan Shefqet Vokshi, anëtar i Kryesisë së Partisë Fshatare të Kosovës, Dega në Gjakovë dhe Teki Dobroshi, kryetar i Orrganizatës sindikale të PTT-së në Gjakovë.

Komisioni për Informim i LDK-së së Gjakovës, gjithashtu njofton se policia serbe e mori peng Qazim Thaçin në vend të djalit të tij, Ilirit, të cilin kohë më parë e kërkoi policia serbe.

 2 tetor 1995

Në Mitrovicë policia financiare serbe plaçkiti sasi të madhe të mallit dhe të parave

Më 30 shtator, siç kemi informuar edhe më parë, një ekspeditë e policisë financiare serbe ndërhyri në tregun e Mitrovicës, me ç’rast plaçkiti sasi të konsiderueshme parashë nga pronarët shqiptarë të firmave e dyqaneve, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Policia serbe dhe ajo financiare ndërhynë edhe në kompleksin e sharrave për përpunimin e drurit në fshatin Zhabar të Epërm të Mitrovicës. Ekspeditës plaçkitëse i printe njëfarë Safet Jakupi me përkatësi gorane, i cili plaçkiti sasi të mëdha parashë. Kështu, Arif Hysenit iu plaçkitën 2.000 dinarë, Bedri Mujës 400, Sylejman Jetullahut 700, Rexhep Ceranit 1.000, Fadil Bajraktarit 300, Basri Hysenit 1.000, Bedri Çitakut 300, Sabedin Ramës 500, Sahit Padruzit 2.000, Zenë Mujës 500, Sahit Pepiqit (mysliman) 1.000, Brahim Ahmetoviqit 1.000 dhe Hamit Pepiqit 500.

Njoftohet se disa pronarë të dyqaneve janë plaçkitur edhe në lagjet “Tavnik” dhe “Ura e gjakut”, si ato të Haki Shabanit nga i cili u plaçkitën 1.200 dinarë, Ali Malokut 600, Sami Krasniqit 400, Bajram Shabanit 1.200, Fehmi Avdiut 2.700, Selim Eminit 200, Shaban Sadikut 500, Sabri Jasharit 500, Sabri Haxhiut 100, Sejdi Parallankës 200, Abedin Behramit 400, Bedri Vocës 250, Beqir Morinës 300, Nerxhivane Vocës 600 dhe Mustafë Aruçit 2080.

Bëhet e ditur se inspektorët serbë plaçkitën edhe mobile, tavolina e gjësende të ndryshme.

Bëhet e ditur se policia finaciare dhe ajo e uniformuar në tregun e pemëve dhe perimeve në Mitrovicë, nga tregtarët shqiptarë kanë plaçkitur edhe artikuj të ndryshëm ushqimorë, pa u lëshuar kurrfarë vërtetimi, ashtu siç ndodhi edhe me plaçkitjen e parave, për të cilat gjithashtu nuk u dhanë kurrfarë vërtetimesh me shkrim.

Në Informatën shtesë të KI të Degës së LDK-së në Mitrovicë bëhet me dije se janë plaçkitur edhe këta pronarë dyqanesh: Ilaz Vojvodës i janë plaçkitur 7500 DM, Bashkim Behramit 600 dinarë, Pajazit Bekës 600, Qerim Galicës 300, Afrim Shabanit 700, Abdullah Ymerit 500, Musa Dragës 600, Osman Skënderit 500, Ramadan Rexhepit 600 dhe Lavdim Vojvodës 2000 dinarë.

Izet Bilallin nga Zhabari i Poshtëm inspektorët e ndalën në rrugë dhe ia plaçkitën 450 kilogamë fasule, në vlerë prej rreth 1350 dinarë.

Në këtë njoftim gjithashtu bëhet me dije se në tregun e druve, ku ekspozohet për shitje edhe druri ndërtimor, policia plaçkiti një sasi të madhe të devizave nga tregtarët muslimanë.

Sipas shënimeve të mbledhura deri më tash, llogaritet se në këtë treg janë plaçkitur rreth 65.000 DM.

 

2 tetor 1997

  1. Engël kërkon që SHBA-të të dënojnë energjikisht Serbinë

Kongresisti amerikan Eliot Engël lidhur me intervenimin e forcave policore serbe ndaj demonstruesve studentë shqiptarë në Kosovë i bëri thirrje administratës së Klintonit që t’i dënojë me forcë autoritetet serbe për ndërhyrje me forcë ndaj protestave të studentëve në Kosovë. Ai theksoi se ky është momenti i përshtatshëm që administrata të emërojë një përfaqësues të posaçëm për Kosovën.

Eliot Engël, ligjdhënës nga Nju-Jorku, i cili kryeson grupin e deputetëve të interesuar për çështjen shqiptare, tha se e kishte indinjuar ndërhyrja e forcave policore serbe ndaj protestave të studentëve në Prishtinë.

Jam i skandalizuar nga kjo që ndodhi dhe besoj se Shtetet e Bashkuara duhet që me fjalë më të ashpra t’i japin Sllobodan Millosheviqit dhe Qeverisë serbe që të kuptojë se kjo është krejt e papranueshme dhe se ne do t’i mbajmë S. Millosheviqin dhe Qeverinë serbe përgjegjëse për veprimet e tyre. Z. Engël tha se po i shkruan sekretares ameriakne të Shtetit Medlin Ollbrajt për t’i kërkuar asaj që të protestojë ashpër ndaj një veprimi të tillë të Qeverisë serbe. Ligjvënësi tha se do të përfitojë nga ky rast për të kërkuar vazhdimin e sanksioneve ndaj Jugosllavisë së vetëshpallur.

I bëj thirrje gjithashtu asaj që të vazhdojë sanksionet ndaj Serbisë dhe t’u lihet serbëve që të kuptojnë se veprimet e tilla do të kuptojnë se veprimet e tilla do të çojnë në sanksione shtesë dhe se komuniteti ndërkombëtar nuk do të qëndrojë duarkryq për të lejuar që protestat paqësore të shtypen me dhunë. I bëj thirrje edhe njëherë presidentit Klinton, tha z. Engël, që të caktojë një përfaqësues të posaçëm për Kosovën. Z. Engël është një nga kritikët më të hapur në kongres kundër politikave të autoriteteve serbe në Kosovë dhe ka bërë vazhdimisht thirrje që administrata të emërojë një përfaqësues të posaçëm për Kosovën. Vitin e kaluar dhoma e përfaqësuesve miratoi një rezolutë të hartuar prej tij ku shtrohej me forcë kjo kërkesë. Ajo nuk është bërë realitet. Ligjvënësi tha se tani është koha më e përshtatshme pë të ndërmarrë një hap të tillë. Z. Engël tha se nëse “të drejtat” e serbëve si ajo që të shtypen me dhunë protestat e shqiptarëve në Kosovë nga forcat e armatosura e gaz lotsjellës, të cilët rrahën brutalisht njerëzit aksionet shkojnë drejt rrijtes. Shtohet pakënaqësia dhe kjo e bën shumë të vështirë që z. Rugova t’i qetësojë protestuesit. Z. Engël tha se mundësia e gjakderdhjes ekziston, por ai shfaqi shpresën se njerëzit do t’i përgjigjen thirrjes dr. Rugovës që protestat të zhvillohen paqësore, pasi siç theksoi ai, çdo akt dhune do të shkonte në favor të z. Milosheviq, njofton “Bujku”.

 

2 tetor 1998 (Ora 14:30).

Ferizaj: Në Jezerc forcat serbe plagosën disa shqiptarë – fshati sërish sulmohet e mbahet në rrethim

Nga e shtuna e kaluar, forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe pandërprerë kanë granatuar fshatin Jezerc, ndërsa granatimet serbe në drejtim të këtij fshati kanë vazhduar edhe mbrëmë, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Ferizaj.

I njëjti burim bën të ditur se në këtë fshat nga forcat serbe janë plagosur disa civilë shqiptarë dhe gjendja e tyre shëndetësore është shumë e rëndë. Lidhur me këtë, banorët e këtij fshati apelojnë te organizatat e huaja ndërkombëtare humanitare që t’u vijnë në ndihmë të plagosurve, por edhe rreth 1.500 banorëve të zhvendosur të këtij fshati, të cilët kanë mbetur pa ushqime, ilaçe e gjësende tjera më elementare.

 

Suharekë: U identifikuan trupat e pajetë edhe të 3 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe

Dje në komunën e Suharekës janë gjetur trupat e pajetë edhe të 3 civilëve shqiptarë të vrarë nga forcat serbe, njofton KI i Degës së LDK-së në Suharekë.

Bëhet e ditur se janë identifikuar trupat e pajetë të Qazim Kolollit (60) në Budakovë dhe trupat e djegur të bashkëshortëve Arif Ndrecaj (80) dhe të Xhyzide Ndrecajt (78) në Maçitevë, kufomat e të cilëve ende janë të paprekura dhe nuk janë varrosur.

 

Malishevë: Nëntë të vrarë gjatë ditëve të fundit

Ditëve të fundit Në fshatrat Golluboc, Plaçicë e Llazicë të Malishevës, forcat serbe kanë vrarë edhe 9 civilë shqiptarë.

Njoftohet se forcat serbe kanë vrarë edhe Fazli Hoxhajn (41), Selman Gashin (31), Rrustem Malokun (42), Rasim Malokun (38), Muhamet Malokun (35), Halim Malokun (37), Ahmet Malokun (25) Aziz Malokun (48) e Ilaz Maliq Javorin.

 

KMDLNJ dëshmon edhe identitetin e 11 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe

Më 26 shtator të këtij viti, në afërsi të tuneleve të Murgës në Klinë, forcat serbe kanë ndarë nga turma e civilëve të zhvendosur shqiptarë dhe kanë ekzekutuar Smail Millakun (72) dhe djalin e tij Sefer Millakun (49) nga Ujmiri, bën të ditur KMDLNJ me seli në Prishtinë.

I njëjti burim bën të ditur se po këtë ditë në fshatin Gollubovc, paramilitarët serbë kanë ekzekutuar edhe 8 të rinj shqiptarë si Agron Miftar Hasanin (25), Hysen Rifat Pantinën (20), Ahmet Pantinën (25) dhe Shaip Sali Manajn (19) nga Gllareva. Po ashtu forcat serbe kanë vrarë edhe Remzi Veselajn (35) e Zeqir Berishën (40) nga Gjurgjeviku i Madh dhe vëllezërit Rasim (39) e Halim Maloku (37), që të dy mësimdhënës nga Ceroviku i Klinës.

Ndërkaq, më 29 shtator në malin e Oshlanit të Vushtrrisë, banorët e këtushëm kanë gjetur trupin e pajetë dhe të masakruar të fëmijës, Arsim Ibrahimi (13) nga Oshlani.

Njoftohet se në fshatin Gollubovc, forcat serbe kanë plagosur edhe dy të rinj shqiptarë, emrat e të cilëve nuk janë konfirmuar ende.

 Foto: Kongresisti amerikan Eliot Engël

Continue Reading

lajme

Dy persona të vrarë dhe një i plagosur në Livoç të Ulët, i dyshuari vetëdorëzohet në polici

Published

on

By

Policia e Kosovës ka konfirmuar se dy persona kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër është plagosur nga të shtënat me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit.

Sipas policisë, një burrë rreth 30-vjeçar është gjetur i vrarë brenda një veture, ndërsa një grua e së njëjtës moshë është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Gjilanit. Dyshohet se edhe ajo është qëlluar me armë zjarri nga i njëjti person.

Një person tjetër ka mbetur i plagosur dhe, pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin e Gjilanit, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm.

Sipas informatave të policisë, i dyshuari dhe viktimat dyshohet se kanë pasur lidhje familjare.

I dyshuari është vetëdorëzuar në polici, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri që dyshohet se është përdorur në rast.

Ngjarja është raportuar rreth orës 14:25 të së premtes. Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat dhe motivin e kësaj ngjarjeje, i cili ende nuk dihet.

D.L

Continue Reading

Aktualitet

Dy persona të vdekur dhe një i plagosur në Gjilan

Published

on

By

Një rast i rëndë është raportuar në Gjilan, ku dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur.

Sipas drejtorit të QKMF-së në Gjilan, Basri Kamberi, personat që janë gjetur pa shenja jete janë një burrë dhe një grua, raporton Ekonomia Online.

Continue Reading

Lajmet

Rektori Hajrizi takon studenten e UBT-së, Era Deva, gjatë qëndrimit në Korenë e Jugut

Published

on

By

Në kuadër të qëndrimit në Korenë e Jugut, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka takuar studenten e UBT-së, Era Deva, e cila po përfundon studimet master në Menaxhimin e Sportit në Seul.

Gjatë takimit, Rektori Hajrizi u interesua për ecurinë e studimeve të saj, përvojën akademike dhe jetën studentore në Korenë e Jugut, duke vlerësuar rëndësinë e përvojave ndërkombëtare në avancimin akademik dhe zhvillimin profesional të studentëve.

Takimi ishte një mundësi për të diskutuar mbi përvojën e Erës në një mjedis të avancuar akademik dhe mundësitë që studimet jashtë vendit ofrojnë për zgjerimin e njohurive, zhvillimin e kompetencave profesionale dhe krijimin e perspektivave të reja për karrierën e saj.

UBT i kushton rëndësi të veçantë ndërkombëtarizimit të arsimit dhe krijimit të mundësive që studentët të përfitojnë nga përvojat akademike ndërkombëtare, të shkëmbejnë njohuri dhe të zhvillohen në fusha të ndryshme profesionale. Përmes këtyre mundësive, UBT synon të mbështesë studentët në rrugëtimin e tyre akademik dhe profesional, duke nxitur mobilitetin ndërkombëtar dhe lidhjen me përvojat dhe praktikat bashkëkohore në nivel global.

Continue Reading

Vendi

Rektori Hajrizi prezanton vizionin e UBT-së për qytetet e së ardhmes përmes modelit UBT 5S në Smart Life Week 2026

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, gjatë qëndrimit në Seul të Koresë së Jugut, në kuadër të panairit ndërkombëtar Smart Life Week 2026, ka zhvilluar takime dhe bashkëbisedime me pjesëmarrës dhe përfaqësues të institucioneve e organizatave të ndryshme, me të cilët ka shkëmbyer ide dhe perspektiva mbi zhvillimin e qyteteve inteligjente, robotikën, inovacionin dhe mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.

Gjatë këtyre takimeve dhe shkëmbimeve, rektori Hajrizi ka ndarë vizionin dhe përvojën e UBT-së në zhvillimin e qyteteve inteligjente, duke vënë në pah modelin UBT 5S – Small Scale Smart Self-Sustained System, të zhvilluar prej tij dhe të zbatuar fizikisht përmes UBT Smart City.

Modeli UBT 5S përfaqëson një qasje konkrete ndaj zhvillimit të sistemeve inteligjente dhe të qëndrueshme, ku teknologjia, inovacioni, edukimi dhe kërkimi shkencor ndërthuren për të krijuar zgjidhje të aplikueshme në jetën e përditshme. Përmes UBT Smart City, ky vizion merr formë fizike, duke ofruar një mjedis real ku konceptet e qytetit inteligjent zbatohen në praktikë dhe shërbejnë si bazë për zhvillimin e modeleve të reja të jetesës.

UBT Smart City paraqet një model inovativ që synon të tregojë se si teknologjia dhe zgjidhjet inteligjente mund të integrohen në një ekosistem të përbashkët, me fokus në mirëqenien e njeriut, përdorimin efikas të burimeve, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e shërbimeve moderne. Në këtë kuptim, modeli UBT 5S po konceptohet si një model i ri i jetesës për të ardhmen, ku qyteti nuk shihet vetëm si hapësirë fizike, por si një sistem i integruar që lidh njeriun, dijen, teknologjinë dhe mjedisin.

Gjatë panairit, rektori Hajrizi është ftuar nga bashkëbisedues të ndryshëm për vizita dhe prezantime të modelit të zhvilluar prej tij. Deri më tani, ky model është prezantuar në më shumë se 100 ngjarje të ndryshme akademike dhe profesionale në mbarë botën.

Përveç shkëmbimit të përvojave dhe ideve, takimet e zhvilluara gjatë panairit kanë shërbyer edhe si mundësi për diskutime formale mbi perspektivat e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimin e ekspertizës dhe identifikimin e fushave me interes të përbashkët. Këto kontakte krijojnë bazë për shqyrtimin e mundësive të bashkëpunimit në të ardhmen, veçanërisht në fushat e teknologjisë, inovacionit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit të qyteteve inteligjente.

Për UBT-në, modeli UBT 5S dhe zbatimi i tij fizik në UBT Smart City dëshmojnë orientimin e institucionit drejt inovacionit të aplikuar, duke e lidhur vizionin akademik me zgjidhje konkrete dhe duke krijuar mundësi për bashkëpunime të reja që mund të kontribuojnë në zhvillimin e qyteteve dhe modeleve të jetesës së së ardhmes.

 

Continue Reading

Të kërkuara