Lajmet
Kurti për AFP: Presidenti despotik Putin është në kërkim të një konference të re të Jaltës
Kurti: Ai është lider i luftës, nuk është i paqes. Ai është i interesuar që ta marrë gjithë Ukrainën
Published
4 years agoon
By
Betim GashiIntervista e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti për Agjencinë Franceze të Lajme, AFP
Pyetja: Z. Kryeministër, po fillojmë me krizën në Ukrainë. Agresioni mbi Ukrainën nga Rusia, ta krijon përshtypjen që e ka tronditur, e ka rrezikuar thellësisht rendin ekzistues të sigurisë në Evropë, i cili është krijuar me përmbysjen e Murit të Berlinit. Shumë analistë thonë që bëhet fjalë për një goditje tektonike dhe pyetja jonë e parë është, a mendoni, a ka gjasa, a ka shpresë, që ky sistem të rikthehet, të rikuperohet?
Kryeministri Kurti: Agresioni ushtarak dhe invazioni rus ishin shokues, por jo edhe të befasishëm. Nuk ishin të befasishëm, meqenëse e kemi parë duke u përgatitur dhe duke ndërtuar edhe në aspektin e ligjërimit politik nga Kremlini, por edhe të grumbullimit të forcave të mëdha ushtarake me artileri të rëndë në kufijtë lindor të Ukrainës. Pamjet janë shokuese, është vështirë ta besosh çfarë po sheh, mirëpo askush nuk mund të shtiret se ka qenë i befasuar. Kjo është një luftë e paralajmëruar më herët, për shkak se hegjemonia ruse, imperializmi rus dëshironte me çdo kusht territore të reja, dëshironte zgjerim dhe përballje me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n. Presidenti despotik rus, Putin, është në kërkim të një konference të re të Jaltës, por konferenca e re e Jaltës nuk është e mundshme pa luftë. Andaj, edhe kishim këtë agresion ushtarak dhe invazion rus.
Padyshim që arkitektura e sigurisë së kontinentit evropian duhet të rimendohet, sepse nuk i kemi më kushtet e paqes pas rënies së Murit të Berlinit. Luftërat, të cilat u zhvilluan gjatë këtyre tri dekadave nëpër kontinentet e tjera, tash kanë ardhur në Evropë dhe atë në përballje me Rusinë, e cila udhëhiqet nga një person, që është njëkohësisht edhe shumë i hidhëruar edhe shumë nostalgjik. I kishim edhe luftërat në kuadër të shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë, mirëpo, ajo çfarë shohim sot, është marshimi i ushtrisë ruse, njëra ndër ushtritë më të fuqishme të botës e të kohës dhe padyshim që NATO-ja do të duhej që tash ta rris mobilizimin e vet, por gjithashtu edhe të mendojë se si t’i përgjigjet Rusisë, në kushtet kur qartazi lufta hibride doli se nuk na paska qenë zëvendësim për luftën, por fazë përgatitore për të.
Pyetja: Është sulmuar shteti më i madh, vendi më i madh në Evropë. Madje në mesin e observuesve perëndimorë mund të dëgjohet që e konsiderojnë këtë sulm, këtë agresion edhe si sulm mbi civilizimin perëndimor. A mendoni që ky agresioni dhe i gjithë impakti që e ka krijuar ky agresion, i ka bërë të pakuptimta ndarjet në Evropë, në vende të NATO-s, vende jo të NATO-s, vende të Bashkimit Evropian, vende jo të Bashkimit Evropian, domethënë të gjithë i shtrohen rrezikut të njëjtë?
Kryeministri Kurti: Pajtohem. Dallimet, të cilat ekzistojnë brenda Bashkimit Evropian dhe brenda Evropës si kontinent në përgjithësi, janë bërë çështje të dorës së dytë për të mos thënë çështje të dorës së tretë, karshi invazionit rus dhe agresionit ushtarak në Ukrainë. Andaj, nëse Bashkimi Evropian dhe NATO-ja nuk e shfrytëzojnë këtë moment për të qenë të bashkuar, ashtu siç e imponon koha, por unë besoj edhe vullneti i popujve, të drejtat qytetare dhe mirëqenia në kontinentin evropian, atëherë do ta paguajmë shumë shtrenjtë me të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.
Prandaj, është e domosdoshme që të ketë një unitet të shtuar edhe institucional, ashtu siç është popullor. Unë jam i bindur që tash popujt e Evropës kurrë nuk kanë qenë më të bashkuar, veçse ky lloj bashkimi duhet ta gjejë shprehjen e vet edhe në politikë edhe në institucionet përfaqësuese.
Bashkimi Evropian duhet të jetë i bashkuar, sepse është sulmuar Ukraina, e cila paraqet me territor shtetin më të madh në kontinentin evropian. Pra, nuk ka një shtet tjetër, i cili me gjithë territorin e vet, është në kontinentin evropian, e ka më shumë se 600 mijë kilometra katrorë, siç është rasti me Ukrainën. Pra, shteti më lindor në kontinentin evropian, është njëkohësisht edhe më i madhi me territor dhe tash ndodhet në një sulm shkatërrues, që e dëshiron territorin e Ukrainës për Rusinë, por pa ukrainasit.
Pyetja: Keni thënë që agresioni e imponon bashkimin e Evropës si përgjigje të parë ndaj këtij sulmi mbi një vend sovran dhe të pavarur evropian. A mendoni që kanë filluar të krijohen konditat dhe të imponohen konditat nga agresioni rus, për ngritjen e rendit të ri të sigurisë kolektive, ku do të bashkohen nën të njëjtën ombrellë të gjenden të gjitha vendet evropiane, pa marrë parasysh a i takojnë apo nuk i takojnë mekanizmave të Bashkimit Evropian dhe NATO-s?
Kryeministri Kurti: Evropa dhe perëndimi demokratik në përgjithësi ka nevojë për një koalicion, i cili është i mbrojtjes dhe i sigurisë, por jo vetëm, kundrejt Federatës Ruse. Dhe, ajo çfarë po ngjanë në Federatën Ruse, Evropa mund ta gjej edhe në historinë e vet.
Përshtypja ime e fuqishme është se periudha nga Gorbachevi te Yeltsini paraqiste veçse versionin rus të Republikës së Vajmarit. Kishim një dekadë të Republikës së VajmaritnëFederatën Ruse dhe tash kemi një lider despotik, i cili makinerinë e vet të luftës e ka ndërsyer kundër një populli, i cili as nuk e provokoi dhe as nuk dëshiron luftë. Në këtë kontekst politik e të sigurisë, duhet të përgjigjemi me një koalicion, me ç’rast nuk do të duhej të kufizohemi tek formulat ekzistuese të organizatave ndërkombëtare, por do të duhej që të avancohen ato, e mbase edhe të krijohen të reja, sepse situata është e jashtëzakonshme.
Pyetja: A ka Kosova arsye që të ndjehet e rrezikuar pas agresionit rus, sidomos kur kihet parasysh ekzistimi i marrëdhënieve dhe tensioneve shumë të larta me Serbinë e cila konsiderohet si aleati kryesor i Rusisë në këtë rajon?
Kryeministri Kurti: Presidenti despotik rus po e kërkon një konferencë të re të Jaltës. Për këtë është e nevojshme lufta dhe këtë e bëri, por për këtë është e nevojshme edhe zgjerimi i konfliktit edhe jashtë Ukrainës, e këtë nuk e ka bërë ende. Përshtypja ime është që Putini dëshiron që të ulet në tryezë të negociatave me presidentin amerikan Biden e jo me presidentin ukrainas Zelensky. Synimi i tij është një konferencë e re e Jaltës, Jalta 2, me ç’rast do të ndaheshin sferat e interesit dhe në këtë mënyrë Federata ruse do të synonte të kompensohej për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Prandaj, meqë ata do të synojnë edhe konflikte të reja, Ballkani Perëndimor në përgjithësi, e posaçërisht Kosova janë të rrezikuar. Në të kaluarën presidenti rus na përmendte një herë në muaj, tash na përmend nga disa herë në javë dhe duket qartazi se Republika e Kosovës është një halë të cilën ai e konsideron që e pengon në projektin e vet. Dy muaj pas çlirimit të Kosovës, presidenti rus u pat bërë kryeministër i Federatës ruse, në gusht të vitit 1999, ndërkaq me rastin e dy vjetorit të ardhjes së trupave ruse në Aeroportin e Prishtinës nga Bosnja dhe Hercegovina në qershorin e vitit 1999, pra në qershorin e vitit 2001 ai pat vizituar Kosovën, për t’i vizituar trupat ruse pikërisht në Aeroportin e Prishtinës. Le të mos harrojmë që është ky president ai i cili edhe i aneksoi Osetinë Jugore dhe Abkhazinënë Gjeorgji, pikërisht në vitin kur Kosova e shpalli pavarësinë, ndërkaq një javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Serbisë edhe Federatës Ruse për dhënien e shumicës së aksioneve të industrisë së naftës në Serbi te Gazprom-i dhe po ashtu të bazenit të gazit në Banatski Dvor në Vojvodinë, sërish tek Gazprom-i. Nga 250 deputetë sa i ka Kuvendi i Serbisë, 151, pra më shumë se 60 për qind, janë në grupin e miqësisë Serbi – Federatë Ruse. Në Kuvendin e Kosovës janë një dyzinë deputetësh në grupe të miqësisë me shtete të ndryshme. Pra, atje mbi 60 për qind të parlamentit janë në grupin e miqësisë me Federatën Ruse. Kur kësaj ia shtojmë edhe faktin që ka ma shumë se një dekadë që Rusia është shumë aktive në Serbi, sidomos me “Qendrën Humanitare Ruse” siç e quajnë ata në Nish dhe me Sputnikun që e ka në rajon qendrën në Beograd, natyrisht që ne duhet të jemi shumë vigjilent, të kujdesshëm, por nuk do të frikësohemi asnjëherë prej tyre.
Pyetja: Nuk ka pas asnjë prononcim të vetëm të liderëve të lartë të Kosovës prej shpërthimit të krizës në Ukrainë, të paktën unë nuk kam parë, ku nuk apelohet për pranimin e Kosovës në NATO. A mendoni që Ballkani si zonë tradicionale e interesit të Rusisë mund të jetë targeti i radhës i Rusisë pasi të përfundojë ky në Ukrainë?
Kryeministri Kurti: Në rastin më të mirë mund të themi që presidenti rus është i paparashikueshëm. Realisht ai është i parashikueshëm. Ai është lider i luftës, nuk është i paqes. Ai është i interesuar që ta marrë gjithë Ukrainën, nëse s’mund ta marrë gjithë atëherë ta ndajë sikurse Bosnjën, ta shndërroj Kievin në një Grozni apo Sarajevë të dytë dhe gjithashtu ta shpërndajë edhe gjetiu konfliktin, ku do t’i përdorë faktorët e aktorët të cilët i kontrollon edhe në Ballkanin Perëndimor. Në këtë situatë të jashtëzakonshme ne nuk mund të sillemi në mënyrë të zakonshme. Andaj, edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian edhe anëtarësimi në NATO nuk mund të jenë sipas mënyrave të vjetra.
Është tejet e domosdoshme që Brukseli si kryeqytet i dyfishtë, edhe i NATO-s edhe i Bashkimit Evropian ta rimendojë një mënyrë të re për integrimin e brendshëm dhe për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor. Ballkani Perëndimor dhe Kosova në zemër të këtij Ballkani Perëndimor është pjesë e kontinentit evropian. Me rastin e integrimit në BE dhe në NATO, kufiri i jashtëm i këtyre dy organizmave më të rëndësishëm të paqes që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, kufiri i jashtëm zvogëlohet për rreth 3 mijë kilometra,që do të thotë edhe për sigurinë është shumë mirë.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ende të paintegruara në Bashkimin Evropian për nga popullsia janë përafërsisht sa Holanda, e për nga bruto produkti vendor i kombinuar janë përafërsisht sa Sllovakia. Rrjedhimisht nuk është barrë e madhe për Bashkimin Evropian integrimi i përshpejtuar i rajonit tonë.
Pyetja: Do të thotë mendoni që emergjenca e situatës e imponon edhe emergjencën në procedurë të pranimit, zgjerimit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian?
Kryeministri Kurti: Metodat e vjetra të zgjerimit të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian mund të kenë kosto shumë të lartë pas agresionit ushtarak dhe invazionit rus në Ukrainë, i cili unë besoj që synon të mos ngelet vetëm në Ukrainë.
Pyetja: Dhe në fund Kosova dhe Ukraina nuk kanë marrëdhënie diplomatike. Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por përkrahja e deritanishme e Kosovës për Ukrainën, politike, morale, financiare me këto kushtet modeste të Kosovës, e ka bërë Kosovën, të krijohet përshtypja, lidere në rajon në përkrahjen e Ukrainës. Nga buron ky solidarizim me një vend që s’e ka njohur Kosovën?
Kryeministri Kurti: Tek lufta mbrojtëse dhe çlirimtare e popullit të Ukrainës, ne gjejmë shumë ngjashmëri me situatën tonë para një çerek shekulli, kur një fqinj shumë më i madh verior dëshiron të të okupojë, të të shtypë, të të shfrytëzojë, të të diskriminojë, të krijojë aparteid dhe gjithashtu provon edhe gjenocidin, i cili në Kosovë u nis, por u ndalua nga intervenimi i NATO-s, që të mos kishim shfarosje të shqiptarëve në vendin tonë. Pra, ne kishim në njërën anë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila e nisi rezistencën dhe luftën për çlirim e për liri dhe kjo e ndërgjegjësoi opinionin publik ndërkombëtar, diplomacinë botërore për të na mbështetur. Askush sikurse populli i Kosovës nuk e sheh ngjashmërinë e asaj çfarë na ka ndodhur në jetën tonë, jo në librat e historisë, në jetën tonë, me kontekstin aktual në Ukrainë, ku lufta mbrojtëse dhe çlirimtare te popullit të Ukrainës, po gjen një solidaritet dhe admirim të jashtëzakonshëm në botën perëndimore demokratike, sikurse tek ne në vitet 1998 dhe 1999.
You may like
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 31 maj – 1993-1998?
Published
6 hours agoon
May 31, 2026By
UBTNews
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
(Foto: Butrol Gali, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara)
31 maj 1993
Kryetari Rugova i dërgoi letër Butros Butros Galit
Kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova, i dërgoi letër Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Butros Butros Galit, me të cilën e njofton për grevën e urisë së Adem Demaçit dhe të shkrimtarëve e të gazetarëve të “Rilindjes” dhe për keqësimin e vazhdueshëm të gjendjes në Kosovë. Në letër thuhet:
“Gjendja në Kosovë kohëve të fundit është duke u keqësuar. Pushteti serb ka shtuar dhunën. Përpos represionit të përdishtëm, të cilit shqiptarët i janë nënshtruar posaqërisht në tri vitët e fundit, prej kur u suprimua Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, pushteti serb përfundimisht po i shkatërron të gjitha institucionet arsimore, kulturore e informative të shqiptarëve.
Këtë javë, me një ndëryrje nga Beogradi, u shkatërrua e vetmja shtëpi botuese-informative “Rilindja”. Në këtë mënyrë informimit dhe veprimtarisë botuese në gjuhën shqipe iu dha goditja e fundit.
Ju njoftoj, zoti Sekretar, se Adem Demaçi, shkrimtar dhe i dënuar i ndërgjegjes, që vuajti nëpër burgjet komuniste jugosllave 28 vjet, fitues i Çmimit Saharov (1991) dhe veprimtar i njohur për të drejtat e njeriut, sot bashkë me shkrimtarët, gazetarët dhe punëtorët e tjerë shqiptarë, po hyjnë në ditën e tetë të grevës së urisë. Ai me këtë gjest po kundërshton shkatërrimin e institucionit të fundit kulturor, informativ e botues në gjuhën shqipe në Kosovë.
Gjendja shëndetësore e Adem Demaçit dhe e grevistëve tjerë po keqësohet dhe po bëhet kritike.
Ndërkohë, pushteti serb po vazhdon të jetë indiferent ndaj kërkesave më fundamentale për lirinë e mendimit dhe të shtypit, të cilat i garanton Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut dhe dokumentet tjera ndërkombëtare.
Ju njoftoj se gjendja mund të eksalojë duke marrë rrjedhë, e cila do të ishte tragjike për Kosovën dhe për tërë rajonin.
Kërkoj nga Ju, zoti Sekretar, që të ndërmerrni aksion konkret për të shpëtuar jetën e grevistëve dhe që të mbroni një të drejtë themelore të një populli të shtypur, që rrugën paqësore e ka pranuar si mjet për zgjidhjen e të gjitha çështjeve”, thuhet në fund të letrës që kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova ia dërgoi Butros Butros Galit.
31 maj 1994
Policia ndërpreu punimet e Kuvendit dhe bastisi Rektoratin e Universitetit të Prishtinës
Sot në orën 11,15, punëtorët të sigurimit shtetëror të Serbisë ndërhynë në lokalet e medresës “Alauddin” në Prishtinë dhe ndërprenë punimet e Kuvendit të Universitetit të Prishtinës.
Në Kuvend duhej të shqyrtoheshin dekretligji për Universitetin, përgatitjet për regjistrimin e studentëve të rinj dhe përfundimi i semestrit veror.
Forca të mëdha policore serbe bllokuan sallën dhe legjitimuan të gjithë pjesëmarrësit.
Në fillim të legjitimimit policia pasi ua mori shënimet gazetarëve që përcillnin punimet e Kuvendit, i urdhëroi që të dalin jashtë lokaleve.
Pastaj u legjitimuan delegatët dhe pjesëmarrësit e tjerë të Kuvendit.
Policia ndaloi në lokalet e medreses prof.dr.Ejup Statovci, rektor, prorektorin Selman Bryma, kryetarin e Kuvendit të Universitetit, Fadil Berisha, këshilltarin e kryetarit të Republikës së Kosovës, dr.Xhavit Ahmeti, sekretarin e Universitetit, Destan Halimi, administratorin Salih Maqedonci dhe disa të tjerë, emrat e të cilëve nuk mundëm t’i sigurojmë.
Më vonë policia ndërhyri edhe në lokalet e Rektoratit dhe të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës. Me këtë rast policia konfiskoi dokumentacionin e Rektoratit dhe disa mjete të tjera teknike, si kompjutër, makina shkrimi etj.
31 maj 1995
Dhuna e përditshme në Kosovë
Kaçanik: – Më 19 maj, policia nën pretekst të kërimit të armëve, bastisi shtëvonë e Skënder Asajt (1968) në fshatin Gabricë të Kaçanikut. Policia pas bastisjes mori me vete Skënder Asajn dhe e dërgoi në stacionin e policisë në Kaçanik. Ai u pyet për armë, si dhe u urëdhërua që të paraqitet sërish me 21 maj në polici.
Të njëjtën ditën, në të njëjtin fshat, policia ia la thirrjen edhe Ismail Asajt (1944), që të paraqitet në stacionin e policisë në Kaçanik dhe të dorëzojë armën. Ismaili të nesërmen dorëzoi revolen për të cilën kishte edhe lejen.
Po këtë ditë, policia kërkoi edhe Avdyl Terziun nga fshati Gabrricë, i cili tash një kohë punon përkohësisht në botën e jashtme. Policia ia la thirrjen djalit të tij Muhamet Teryiut që të parqitet në polici. Ai u lirua me kusht që të paraqitet sërish në stacionin e policisë në Kaçanik.
Prizren: – Më 26 maj, policët morën në shtëpinë e tij Zejnullah Kabashin (59) nga Prizreni, me pretekst të dorëzimit të armëve. Ai u mor në polici edhe më 29 maj, kur u mbajt rreth nëntë orë dhe u keqtrajtua rëndë fizikisht, për çka ishte i detyruar të kërkojë ndihmën e mjekut. Veç me peterkst të armës, atë në polici e keqtrajtuan edhe për faktin se ai e ka lëshuar shtëpinë për nevojat e shkollës shqipe. Policët e kanë urdhëruar Zejnullahun që të paraqitet sërish në stacionin e policisë në Prizren.
Më 28 maj, me pretekst të kërkimit të armëve, dy policë bastisën shtëpinë e Ramadan Zogajt nga Dushanova e Prizrenit. Meqë ai gjindet në punë në Gjermani, policët urdhëruan gruan e tij që ta ftojë Ramadanin që të kthehet në shtëpi për të dorëzuar armët.
Më 29 maj rreth orës 14:00, policia serbe bastisi shtëpinë e Veli Hodës në Prizren, me ç’rast gjeti një revole.
Policia bastisi edhe shtëpinë e Abdullah Hodajt, tek i cili nuk gjetën asgjë.
Po këtë ditë, policia bastisi edhe shtëpinë e Rrustem Çoçajt, nga i cili morën një pushkë gjuetie, për të cilën ai kishte leje. Rrustemit, policia ia la thirrjen që të paraqitet në stacionin e policicë në Prizren.
Të njëjtën ditë, për herë të tretë policia mori në pyetje, Ridvan Hoxhën, kryetar i Aktivit të drejtorëve. Ai u mbajt një kohë të shkurtër në polici dhe u lirua me kusht që të parqitet sërish.
Skënderaj: – Më 26 maj, në orët e hershme të mëngjesit policia rrethoi shtëpinë e Sali Kaçkinit në fshatin Llaushë, të cilin e arrestuan dhe e dërguan në stacionin e policisë në Skënderaj. Sali Kaçkini tash 23 vjet punon përkohësisht në botën e jashtme, ndërsa policia nga ai kërkoi armë të cilit më vonë ia morën edhe pasaportën dhe e urdhëruan që të paraqitet sërish në polici.
Më 24 maj, policia serbe ndali në rrugë Ukshin Lushtakun, të cilin e pyetën për vëllain e tij Sami Lushtakun nga Prekazi i Ulët, i cili tash në kohë gjendet në botën e jashtme.
Më 25 maj, policia serbe e postkomandës së Runikut, mori në shtëpinë e tij Agim Koshutanin në fshatin Çubrel të Skënderajt. Ai u mor nën pretekst të dorëzimit të armës, të cilën e kishte dorëzuar ditë më parë.
Suharekë: – Më 25 maj, policia mori një revole nga Nazif S. Zenelaj (1918) nga fshati Gjinoc i Suharekës.
Më 27 maj, policia thirri edhe Mahmut Aliajn nga fshati Gjinoc, të cilin policët e sugjeruan që t’i pyes babain dhe vëllezërit e tij se a kanë revole. Ai u urdhërua që dje të paraqitet sërish në polici.
Më 29 maj, policia mori një revole edhe nga Beqir S. Seferaj nga i njëjti fshat. Ai u urdhërua që të paraqitet të nesërmes në polici.
31 maj 1997
Sekretarja amerikane e shtetit Madlin Olbrajt i dërgoi një letër kryetarit Rugova
Sekretarja amerikane e shtetit Madlin Olbrajt i ka dërguar sot një letër kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova, në të cilën ajo shpreh keqardhjen për pamundësinë që të vijë edhe në Prishtinë, gjatë turneut të saj në rajon.
Në letrën e zonjës Olbrajt në mes tjerash thuhet se
gjendja në Kosovë qëndron fuqimisht në agjendat SHBA-ve dhe se mohimi i të drejtave elementare të njeriut dhe të lirive të shqiptarëve të Kosovës është e papranueshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë e kanë element qendror gjatë dialogut aktual me Beogradin dhe progresi real në Kosovë mbetet kusht fundamental për zbutjen e murit të jashtëm të sanksioneve, theksohet mes tjerash në letër.
Më tutje në letrën e sekretarës Ollbrajt thuhet se SHBA-të fuqimisht mbështesin politikën e mosdhunës dhe se përmbajtja e shqiptarëve ndaj provokimeve meriton respektin shumë të thellë të mbarë bashkësisë ndërkombëtare.
Në letër po ashtu thuhet se fillimi i një dialogu gjithëpërfshirës në mes të autoriteteve serbe në Beograd dhe udhëheqjes shqiptare të Kosovës në Prishtinë, duhet të jet hapi i parë drejt zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
Sekretarja Olbrajt në këtë letër shpreh gatishmërinë që sa më shpejt ta takojë kryetarin Rugova në Uashington.
31 maj 1998
Gjendja dramatike në Deçan e rrethinë – shumë të vrarë, të plagosur dhe të arrestuar
Forcat serbe kanë nisur tash tri ditë një sulm të ashpër kundër fshatrave të komunës së Deçanit e të Pejës, ku gjendja ëhstë e rëndë dhe dramatike. Për shkak të bllokadës së plotë dhe ndërprerjes së plotë të lidhjeve telefonike, ky është raporti i parë për gjendjen në komunën e Deçanit pas plot tri ditësh.
Burimet e LDK-së në këto komuna njoftojnë se në sulmet që kanë filluar që më 29 maj, fshatrat: Carrabreg, Beleg, Dranoc, Hulaj Isniq e Strellc të komunës së Deçanit dhe në fshatrat: Lubeniq, Kryshec, Vranoc e të tjera të komunës së Pejës, janë granatuar pandërprerë nga forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe.
Në njoftim thuhet se forcat serbe janë përqëndruar prej Deçanit deri në Raushiq dhe prej Raushiqit deri në thellësi të Lugut të Baranit.
Banorët shqiptarë të këtyre fshatrave, po u bëjnë rezistencë të fuqishme forcave serbe, duke u vënë në mbrojtje të shtëpive tyre, nga të cilat janë evakuuar gratë, pleqt e fëmijët. Pohohet se në përleshje ka pasur të vrarë e të plagosur nga të dy palët.
Në Carrabreg është vrarë Shaqir Dobra dhe dy gra, emrat e të cilave ende nuk dihen, ndërsa në Deçan është vrarë Xajë Curr Kuqi dhe është plagosur vëllai i tij, Isa dhe nëna e tij.
Bëhet e ditur se në Deçan rreth 20 shtëpi janë rrënuar rrafsh me tokë e shumë të tjerave forcat serbe ua kanë vënë flakën. Po ashtu rreth 70 persona nga Deçani janë arrestuar dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre.
Sulme të mëdha ka pasur edhe në Isniq, por edhe rezistencë nga ana e banorëve e UÇK-së. Në orët e pasditës së 30 majit nga granatimet në Isniq janë plagosur Muhamet Bojku dhe fëmijët Burim Bruqi 11 vjeçar, Rexhep Bruqi 8 vjeç, Granit Januzaj 11 dhe Arsim Januzaj 10 vjeç dhe dy fëmijë tjerë emrat e të cilëve nuk arritëm t’i mësojmë si dhe një grua.
Njoftohet se sot në mëngjes në Isniq janë zhvilluar luftime të rrepta, ndërkaq qyteti i Deçanit është thuaja në flakë.
Në Strellc nga sulmet e artilerisë së rëndë shumë shtëpi janë në flakë.
Mësohet se në këtë vendbanim janë vrarë Arif Mahmutaj (44) dhe Rexhep Pavataj (75), por ka edhe të plagosur. Sulmet në këtë vendbanim kanë filluar më 28 maj kur forcat e kombinuara ushtarako-policore të pajisura me armatimin më të rëndë u nisën nga dy anë ajo e Pejës dhe Deçanit, së pari nga largësia fshati u gjuajt me topa dhe armë tjera të rënda e pastaj ato depërtuan edhe deri në këtë fshat.
Gjithashtu edhe në fshatin Kryshec të komunës së Pejës, u granatuan 6 shtëpi kryesisht të lagjës Gërvallaj, me ç’rast u plagos Demush Gërvalla.
Sot, më 31 maj, në orët e paraditës, po dëgjohen të shtëna nga armatimi i rëndë si me topa dhe me mjete tjera të kalibrit të madh të vendosura në fshatin Lubeniq, Lëbushë, Strellc e deri në Deçan, në oborrin e fabrikës së pompave me piston mbi fshatin Isniq dhe në Podin e Gështenjave mbi Deçan.
Duhet theksuar se nga shumë vendbanime të sulmuara në komunat e Pejës dhe Deçanit janë evakuar gra, fëmijë dhe pleq, madje ka fshatra krejtësisht të boshatisura, dhe kanë shkuar në drejtim të Isniqit dhe fshatrave tjera ku është grumbulluar një numër i madh i popullatës. Ndihet mungesë e madhe me artikuj ushqimorë, barnat por edhe gjërat e tjera të nevojshme për ekzistencë.
Në këto treva nuk ka rrymë elektrike, as lidhje telefonike, e është ndëprerë qarkullimi për në viset tjera ngase shumë rrugë janë bllokuar dhe izoluar nga forcat e mëdha ushtarako-policore. Mbi shumë shtëpi banimi përgjatë rrugës që shpie për Deçan janë të vendosur snajperistë serbë të cilët me dylbi përcjellin çdo lëvizje dhe qëllojnë mbi kalimtarë.
Përfaqësuesit e banorëve të kësaj ane bëjnë apel te subjektet ndërkombëtare dhe organizatat humanitare që të ndërmarrin masa urgjente në mënyrë që të shpëtohet jeta nga uria dhe epidemitë e ndryshme.
lajme
Profesoresha Gonxhe Beqiri prezanton punimin shkencor në konferencën e 10-të ndërkombëtare mbi ESG dhe Inteligjencën Artificiale
Published
6 hours agoon
May 31, 2026By
ubtnews
Profesoresha e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE) në UBT, Prof. Gonxhe Beqiri, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare shkencore “10th FEB International Scientific Conference: Sustainable Governance and Management: Navigating the ESG and AI Transformation”, e mbajtur më 12 dhe 13 maj 2026.

Në kuadër të kësaj konference, ajo prezantoi punimin shkencor me titull “Business Communication and Presentation Techniques in the Era of Artificial Intelligence: Advantages and Challenges to a Better Sustainable Decision-Making Process”, i cili trajton ndikimin e inteligjencës artificiale në komunikimin bashkëkohor të biznesit dhe në proceset e vendimmarrjes organizative.
Punimi analizoi rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të inteligjencës artificiale në transformimin e praktikave të komunikimit dhe prezantimit në biznes, duke evidentuar avantazhet që kjo teknologji sjell në rritjen e efikasitetit, qasjen në informacione dhe mbështetjen e proceseve vendimmarrëse. Njëkohësisht, studimi adresoi edhe sfidat që lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale, përfshirë aspektet etike, besueshmërinë e informacionit dhe nevojën për zhvillimin e kompetencave të reja profesionale.
Konferenca mblodhi studiues, profesorë dhe ekspertë nga vende të ndryshme, duke shërbyer si platformë për shkëmbimin e ideve dhe diskutimin e zhvillimeve më të fundit në fushën e qeverisjes së qëndrueshme, menaxhimit modern, ESG-së dhe transformimit digjital.
Lajmet nga UBT
“Savings Game” fuqizon njohuritë financiare të studentëve të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT
Published
6 hours agoon
May 31, 2026By
ubtnews
Studentët e vitit të tretë të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE) në UBT morën pjesë në trajnimin praktik “Savings Game”, një aktivitet edukativ i organizuar nga Deutsche Sparkassenstiftung für Internationale Kooperation (DSIK) dhe i mbështetur nga BMZ – Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Përmes një simulimi interaktiv, studentët patën mundësinë të zhvillojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në menaxhimin e financave personale, planifikimin e shpenzimeve dhe rëndësinë e kursimit afatgjatë. Aktiviteti u konceptua për t’i vendosur pjesëmarrësit në situata reale financiare, duke i sfiduar ata të marrin vendime ekonomike dhe të analizojnë pasojat e tyre.
Të organizuar në ekipe, studentët punuan me skenarë të ndryshëm që përfshinin menaxhimin e të ardhurave, planifikimin e buxhetit, krijimin e kursimeve dhe përballimin e sfidave të papritura financiare. Kjo qasje praktike u mundësoi atyre të kuptojnë më mirë rëndësinë e planifikimit financiar dhe të zhvillojnë shkathtësi të vlefshme për jetën profesionale dhe personale.
Gjatë aktivitetit, studentët treguan interesim dhe angazhim të lartë, duke kontribuar aktivisht në diskutime dhe në procesin e vendimmarrjes brenda ekipeve. Trajnimi “Savings Game” u vlerësua si një metodë inovative dhe efektive e të mësuarit, e cila kombinon edukimin financiar me punën ekipore, analizën praktike dhe zhvillimin e kompetencave që kërkohen në tregun bashkëkohor të punës.
Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të UBT-së për t’u ofruar studentëve përvoja praktike dhe mundësi të reja për zhvillimin e aftësive profesionale, duke i përgatitur ata për sfidat e botës reale dhe të ekonomisë moderne.


Vendi
Profesorët e UBT-së publikojnë punim ndërkombëtar për vlerësimin e cilësisë së ujit të lumit Drenicë
Published
7 hours agoon
May 31, 2026By
ubtnews
Profesorët e UBT-së në bashkëpunim me studiues nga universitete të rajonit, Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera, kanë publikuar një punim shkencor ndërkombëtar mbi cilësinë e ujit të lumit Drenicë.
Punimi me titull “Integrated water quality assessment of the Drenica River using macroinvertebrates and Promethee decision method” analizon gjendjen ekologjike të lumit duke përdorur metoda shkencore të avancuara për vlerësimin e ndotjes dhe cilësisë së ujit.
Studimi synon të kontribuojë në menaxhimin e integruar të burimeve ujore, duke ofruar të dhëna dhe informacione aktuale për cilësinë e ujit të lumit Drenicë, të rëndësishme për institucionet politikëbërëse, si dhe për hulumtues e studiues të shkencave të natyrës, ekologjisë, inxhinierisë, etj.
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 31 maj – 1993-1998?
Profesoresha Gonxhe Beqiri prezanton punimin shkencor në konferencën e 10-të ndërkombëtare mbi ESG dhe Inteligjencën Artificiale
“Savings Game” fuqizon njohuritë financiare të studentëve të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT
Profesorët e UBT-së publikojnë punim ndërkombëtar për vlerësimin e cilësisë së ujit të lumit Drenicë
Studentët e Studimeve të Sigurisë në UBT zhvillojnë bashkëbisedim profesional me përfaqësues të KFOR-it
Diplomojnë maturantët e UBT International Smart Schools
UBT International Smart Schools organizon ceremoninë e diplomimit të gjeneratës 2026
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 30 maj – 1993-1998?
Prof. Blerim Canaj në “Inside Politics with Anisa”: Demokracia në Kosovë mes formalitetit, liderëve të fortë dhe rolit të mediave
Të kërkuara
-
Vendi3 months agoKoordinatorja e projektit AKIL-EU në UBT, prof. Manjola Zaçellari, referon në University of Oxford
-
Opinione3 months agoAvdimetaj: Ekonomia e Kosovës e rrezikuar nga luhatjet në tregut ndërkombëtar
-
Vendi2 months agoProf. Dr. Marigona Bekteshi Ferati, recensuese e 20 punimeve shkencore në revista ndërkombëtare të indeksuara në Web of Science dhe Scopus (Q1)
-
Live2 months agoUji dhe Gjinia” – Shtytës i Zhvillimit të Qëndrueshëm
