Lajmet

​Kurti: Administrata Publike efikase çon në Bashkim Evropian

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Reforma e Administratës Publike sjell përmirësime në jetën e qytetarëve, rritjen ekonomike, drejtësinë, punësimin, e sipas tij edhe në integrimin evropian e euroatlantik. Ai shtoi se kjo reformë është prioritet i qeverisë.

Kurti në konferencën “KosovaPar2023”, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, potencoi se një administratë publike efikase, moderne, transparente dhe llogaridhënëse, është çelësi i të gjitha reformave tjera.

“Kur jemi tek Reforma e Administratës Publike duhet të theksoi se ajo është prioritet i qeverisë sonë. Praktika e shteteve të tjera në botë ka dëshmuar se një administratë publike efikase, moderne, transparente dhe llogaridhënëse, është çelësi i të gjitha reformave tjera… Përveç funksionimit të mirë të institucioneve, reforma e Administrata Publike, gjithashtu sjell përmirësime në jetën e qytetarëve tanë, rritjen ekonomike, drejtësinë dhe punësimin, e rrjedhimisht edhe integrimin evropian e euroatlantik. Andaj, ne jemi të përkushtuar që këto reforma t’i bëjmë realitet. Ka një mori studimesh të cilat vërtetojnë se shpejtësia e integrimit evropian të një vendi që aspiron anëtarësim në Bashkimin Evropian, me cilësinë e administratës publike e ka korrelacionin më të fortë edhe se me mirëqenin qytetare, zhvillimin ekonomik apo progresin shoqëror”, tha Kurti.

Ndër të tjera, shefi i ekzekutivit, Albin Kurti theksoi se “nuk mund të kemi barazi shoqërore, nëse nuk kemi barazi gjinore”. Ai shtoi se dallimi mes pagës më të ulët dhe asaj më të lartë ka kaluar nga 20 herë në 4.78 herë.

Kurti tha se numri i shërbimeve të digjitalizuara ka kaluar nga 20 në mbi 150 shërbime përmes portalit “E-Kosova”, derisa shtoi se 56 për qind e qytetarëve i besojnë qeverisë, sipas parametrit për Ballkanin 2023.

“Nuk mund të kemi barazi shoqërore nëse nuk kemi barazi gjinore dhe luftimi i pabarazisë, testin më të saktë e ka pikërisht tek pjesëmarrja e grave dhe te vendimmarrja e grave. Përfaqësimin e drejtë të komuniteteve jo shumicë në çdo kategori, mundësi të barabarta për punësimin e personave me aftësi të kufizuara… Dallimi mes pagës më të ulët dhe asaj më të lartë…ka kaluar nga 20 herë sa ishte në vetëm 4.78 herë…numri i shërbimeve publike të digjitalizuara ka kaluar nga më pak se 20 në mbi 150 shërbime përmes portalit unik ‘E-Kosova’, duke përfshirë shërbimet e gjendjes civile… Kosova mund të jetë një vend relativisht jo i madh, por ajo dhe populli i saj janë pishtar të idealeve të inspiruara nga mendjet më të ndritura në botë… Sipas parametrit për Ballkanin 2023, 56 për qind e qytetarëve i besojnë qeverisë, rritje mesatare ekonomike për vitet 2021 dhe 2022 mesatarisht ka qenë 7.9 për qind”, tha ai.

Ndërkaq, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se janë këmbëngulës që Administratën Publike ta kthejnë në shërbim të përkushtuar për mbështetje të zhvillimit shoqëror, forcimit të shtetit e ngritje të shërbimeve.

Ai shtoi se Administrata Publike është përgjegjëse e drejtpërdrejt për ekzekutimin e politikave qeveritare, për çka tha se duan një administratë që përveç tjerash “respekton qytetarin dhe jep kontribut në dinjitetin, vlerën dhe potencialin e tij”.

“Kjo konferencë ndërkombëtare që është e para e këtij lloji që organizohet në Kosovë, tregon se synimi ynë për një administratë shtetërore, moderne dhe efikase, nuk ishte vetëm një premtim. Ne kemi filluar formimin dhe jemi këmbëngulës që Administratën Publike ta kthejmë në një shërbim të përkushtuar për mbështetje të zhvillimit shoqëror, forcimit të shtetit e ngritje të shërbimeve për secilin qytetar e komunitet të bindur se kjo është mënyra më e mirë për rritjen e objektivave qeveritare për mirëqenie dhe zhvillim…Administrata Publike është përgjegjëse e drejtpërdrejtë për ekzekutimin e politikave qeveritare dhe ne duam një administratë që përveç tjerash respekton qytetarin dhe jep kontribut në dinjitetin vlerën dhe potencialin e tij. Ministria e Punëve të Brendshme ka arritur që ta hartojë dokumentin ligjore, akte nën ligjore dhe kemi ndërmarrë një sërë veprimesh për zbatimin e tyre”, theksoi Sveçla.

Ndërsa, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, tha se administrata publike garanton stabilitet dhe praktikë për njerëzit dhe bizneset, derisa shtoi se “tani më shumë se kurrë kemi nevojë për një administratë publike të fortë, fleksibile dhe të aftë”.

Rohde theksoi se çdo sukses i projektit varet nga funksionaliteti i administratës publike.

“Administrata publike garanton stabilitet dhe praktikë për njerëzit dhe bizneset. Veçanërisht ndërsa jemi dëshmitarë se bota po ndryshon me shpejtësi, sfidat e reja shfaqen shpesh, ne më shumë se kurrë kemi nevojë për një administratë publike të fortë, fleksibile dhe të aftë. Në fund por jo për nga rëndësia, pagesë adekuate për t’i përballuar këto sfida… Gjithsesi, ju jeni duke u përballur me pritshmëri të mëdha në rritje qofshin ato nga qytetarët, që dëshirojnë të funksionojnë gamën e shërbimeve, qoftë nga bizneset që dëshirojnë të kenë një mjedis miqësor ndaj biznesit, me gjithë pritshmëritë nga BE-ja duke shpresuar të shohin administratën të zbatojë politikat e arritjes… Ne gjithashtu zbatojmë projekte që mbështesin integrimin në BE, efiçencën e energjisë, menaxhimin e ujërave të zeza, fuqinë punëtore të kualifikuar dhe sipërmarrjen. Megjithatë, çdo sukses i projektit varet nga funksionaliteti i administratës publike”, potencoi Rohde.

Ministria e Punëve të Brendshme sot (e mërkurë) ka bërë hapjen e konferencës KosovaPar2023, në të cilën po marrin pjesë pjesëmarrës nga 20 shtet të botës.

Kjo konferencë do të vazhdoje për dy ditë, ku do të diskutohet për Reformat në Administratën Publike për një qeverisje të mirë, të qëndrueshme dhe fleksibile.

Rajoni

Vjenë: Katër shqiptarë humbin jetën gjatë punimeve ndërtimore

Published

on

By

Katër shqiptarë dyshohet se kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti të rëndë në një kantier ndërtimi në Vienna.

Sipas raportimeve të mediave austriake, ngjarja ka ndodhur të martën pasdite në lagjen Alsergrund, rreth orës 14:30, kur një pjesë e skelave bashkë me kallëpet e betonit janë shembur gjatë punimeve.

Siç raporton Der Standard, fillimisht ishte raportuar për një person të plagosur rëndë, ndërsa më vonë u konfirmua se katër persona kishin humbur jetën nga ky aksident.

Sipas shërbimeve emergjente, një punëtor 45-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda në kokë dhe shtyllën kurrizore, si dhe fraktura në duar.

Zëdhënësi i zjarrfikësve, Martin Hofbauer, ka deklaruar se e gjithë konstruksioni është shembur, duke zënë poshtë pesë persona që ndodheshin mbi të në momentin e aksidentit.

Sipas Hofbauer, në këtë aksident u shemb e gjithë konstruksioni bashkë me pesë personat që ndodheshin mbi të.

Operacioni i shpëtimit është zhvilluar në kushte të vështira, pasi ekipet emergjente dhe punëtorët e tjerë janë detyruar në disa raste të largojnë materialet edhe me duar për të arritur te të lënduarit.

Aksidenti ndodhi gjatë punimeve të betonimit në kuadër të një projekti për ndërtimin e një kati shtesë në një objekt banimi, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet e ngjarjes.

Continue Reading

Lajmet

Konjufca pret ambasadorin bullgar: Diskutohet forcimi i bashkëpunimit në siguri dhe politikë të jashtme

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në një takim njoftues ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski.

Gjatë këtij takimi, ambasadori Kraevski e uroi ministrin Konjufca për mandatin e tij të ri, duke rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.

Fokus i diskutimit ishte thellimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në fushën e sigurisë dhe koordinimin e politikave të jashtme.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se partneriteti ndërmjet Prishtinës dhe Sofjes mbetet stabil dhe me interes të ndërsjellë për stabilitetin rajonal.

Me këtë rast, ambasadori Kraevski i dorëzoi ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në takimin e radhës të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP). Ky takim i rëndësishëm i nivelit rajonal pritet të mbahet në Sofje gjatë muajit qershor të vitit 2026.

Në fund të takimit, u rikonfirmua se Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar për të avancuar partneritetin me Bullgarinë, si një shtet mik dhe mbështetës i rrugëtimit euro-atlantik të Kosovës.

Continue Reading

Vendi

Nënshkruhet kontrata 24 milionëshe për finalizimin e Spitalit të Ferizaj

Published

on

By

Pas një pritjeje të gjatë dhe shumë sfidave procedurale, është hedhur hapi final për kryerjen e punimeve në Spitalin e Ferizajt. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar sot se ka nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve, një projekt ky që kap vlerën prej 24 milionë eurove.

“Kam nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve në Spitalin e Ferizajt. Pas shumë sfidave dhe vështirësive të trashëguara e të reja, ky projekt do të finalizohet brenda 30 muajsh”, ka bërë të ditur Vitia.

Ai ka shtuar se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për këtë rajon dhe se do të realizohet sipas standardeve më të larta të infrastrukturës spitalore.

Përzgjedhja e fituesit erdhi pas një procesi të gjatë prokurimi ku morën pjesë tetë grupe operatorësh ekonomikë. Ndonëse fituesi ishte shpallur që në nëntor të vitit 2025, nënshkrimi u zvarrit për shkak të ankesave në Ministri dhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Ky hap pason kontratën për riprojektimin e plotë të spitalit që ishte nënshkruar në mars të vitit 2024, duke i hapur rrugë tenderit aktual për ndërtim.

Kontrata e parë për nisjen e punimeve ishte nënshkruar në janar të vitit 2018, në kohën kur ministria udhëhiqej nga Uran Ismaili, i cili asokohe premtonte përfundimin e objektit brenda tri viteve.

Megjithatë, punimet ishin ndërprerë në vitin 2021, duke lënë projektin në pritje deri në riprojektimin e fundit që i dha rrugë marrëveshjes së sotme.

Continue Reading

Lajmet

REL: Mali i Zi bën thirrje për paqe dhe bashkëpunim pasi Serbia blen raketa kineze

Published

on

By

Zyra e Presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se Podgorica mbetet e përkushtuar ndaj “marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë” dhe bashkëpunimit në rajon, pasi Serbia konfirmoi blerjen e raketave kineze CM‑400AKG me aftësi sulmuese.

Në një përgjigje për portalin malazez, Vijesti, zyra e Millatoviqit deklaroi se Mali i Zi ka besim dhe bashkëpunim me të gjitha vendet në rajon, duke theksuar se këto janë parakushte të rëndësishme për “paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm”.

Sipas deklaratës, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO në vitin 2017 “e ka forcuar sigurinë” e këtij vendi dhe një gjë e tillë mbetet themeli i sistemit të tij të mbrojtjes.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi javën e kaluar se Serbia ka blerë raketa balistike supersonike nga Kina, CM‑400AKG, duke u bërë vendi i parë në Evropë që i posedon ato.

Ky veprim ndezi alarmin në rajon, sepse objektivat e këtyre raketave, me fuqi të madhe shkatërruese, mund të jenë disa qindra kilometra larg.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se me këtë blerje, Serbia shpërfaqi tendencat hegjemoniste ndaj fqinjëve të saj.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, tha se e ka informuar sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për blerjen e raketave kineze nga Serbia, ndërsa presidenti kroat, Zoran Millanoviq, tha se nuk e kupton “përse Serbia furnizohet me armë sulmuese”, duke përmendur edhe shqetësimet për prishjen e mundshme të sigurisë rajonale.

Vuçiq tha se Serbia “nuk po përgatitej për sulm”, por pretendoi se vendet fqinje, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, janë duke krijuar një aleancë ushtarake, të cilën Beogradi e sheh si kërcënim.

Tri vendet i hodhën poshtë këto pretendime.

Bashkimi Evropian, ku Serbia synon të anëtarësohet, tha se rruga e saj evropiane kërkon “zgjedhje të qarta strategjike”, përfshirë shmangien e varësive që nuk janë në përputhje me integrimin evropian.

NATO-ja, partnere e së cilës është Serbia, nuk reagoi ende. /REL/

 

Continue Reading

Të kërkuara