Kulturë

Kujdes kur komunikoni me menaxherin tuaj

Mos u bëni të bezdisshëm me telefonin.

Published

on

Janë disa gjëra të cilave punonjësit duhet t’iu kushtojnë kujdes në relacion me eprorin në punë. Ne kemi përzgjedhur pesë:

1. Asnjëherë mos u vononi – Ndoshta një ose dy herë është në rregull, por nëse e bëni zakon, sigurisht që kjo do të bëjë që menaxheri juaj të humbasë durimin.

Si ta parandaloni: Gjithmonë vendosni alarmin e orës më herët. Gjithmonë zgjohuni në kohë, duke i paraprirë incidenteve të tilla si bllokimi i trafikut, i rrugëve apo ndonjë aksident.

2. Tavolina e punës e çrregullt – Një tavolinë punë e çrregullt reflekton personalitet negativ. Çdo herë që keni mundësi dhe kohë për të pastruar vendin ku punoni, pastrojeni! E njëjta gjë edhe në fundin e ditës, gjithmonë mbani të pastër dhe të rregullt tavolinën e punës.

Si ta parandaloni: Shumë thjeshtë: Pastroni në kohë. Mbani tavolinën e punës sa më të thjeshtë që të duket e pastër dhe e rregullt.

3. Të bëni pyetje kot – Shumë menaxherë pëlqejnë që vartësit t’i bëjnë pyetje sesa të bëjnë gabime në punën e tyre. Megjithatë shmangni pyetje për të cilat mund të merrni përgjigje me anë të një kërkimi të shpejtë.

Si ta parandaloni: Shfrytëzoni mundësinë e internetit në maksimum. Përdorni google ose faqe që tregojnë se “si të bëni…” dhe është e sigurt se do të keni impakt shumë pozitiv tek menaxheri juaj. Gjithnjë mendohuni, më pas pyesni dhe jo e kundërta.

4. Mos u bëni të bezdisshëm me telefonin – E mbani mend herët e fundit që keni qenë në një takim dhe celulari i shokut tuaj ka rënë pa pushim? E njëjta gjë ndodh edhe me menaxherin tuaj: ai nuk do ta pëlqejë fare nëse celulari bie dhe shqetëson bisedën e tij.

Si ta parandaloni: Kujtohuni që të vendosni celularin në “heshtje” apo lëreni në sirtar. Mos e merrni me vete celularin në sallën e takimit me zilen në maksimum.

5. Mënyra të gabuara të komunikimit – Përdorimi i mënyrave të gabuara të komunikimit me drejtuesin tuaj mund të rezultojnë shkatërruese. Ai/ajo mund të urrejë njerëzit që dërgojnë mesazhe me celular. Duke njohur mënyrat e tij/saj puna juaj do të shkojë shumë mirë, të paktën derisa të keni të njëjtin menaxher.

Si ta parandaloni: Gjithmonë vëzhgoni stilin e tij/saj të komunikimit. Email apo mesazhet mund të jenë një mënyrë e pëlqyer për disa menaxherë, ndërsa të tjerë mund të pëlqejnë komunikimin ballë për ballë.

Continue Reading

Lajmet

Nisin xhirimet e filmit “Dua të shkoj sërish në det”, me skenar dhe regji nga Leart Rama

Published

on

Kanë nisur xhirimet e filmit të metrazhit të gjatë “Dua të shkoj sërish në det”, me skenar dhe regji nga regjisori kosovar Leart Rama.

Filmi sjell historinë e Valit, një studenti të ri të filmit, i cili zgjohet pas një ëndrre në të cilën sheh trupin e tij të vdekur buzë detit. Përballë pritshmërive të familjes dhe të fejuarës së tij, Tringës, që ai t’i rikthehet jetës së planifikuar për të, Vali strehohet pas filmit të diplomës.

I bindur se përmes filmit mund të shprehë atë që nuk ka guxuar ta thotë vetë, ai përballet me një proces të brendshëm mes asaj që pritet prej tij dhe asaj që dëshiron të shprehë.

Në rolet kryesore interpretojnë Redon Kika, Florist Bajgora, Gjeni Basha, Don Shala dhe Alban Ukaj, së bashku me aktorë të tjerë.

Xhirimet po zhvillohen në Kosovë dhe Shqipëri dhe pritet të përfundojnë në mesin e tetorit.

Filmi është bashkëprodhim mes Plan Bee Films nga Kosova, me producente Valmira Hyseni, dhe ArtAlb Film Productions nga Shqipëria, me bashkëproducentë Blerina Hankollari dhe Gentian Koçi.

Projekti mbështetet nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ministria reagon pas incidentit me alpinistët pranë “Liqenit të Zemrës”

Published

on

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka reaguar pas rastit të raportuar në zonën e Gjeravicës, pranë “Liqenit të Zemrës”, ku një grup alpinistësh dyshohet se janë penguar gjatë rrugëtimit dhe janë përballur me fjalë dhe kërcënime nga një person i pranishëm në atë zonë.

Ministria ka bërë të ditur se për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit ka kërkuar informacione nga institucionet relevante, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Komunën e Junikut.

Sipas Ministrisë, është e rëndësishme që destinacionet natyrore dhe turistike të jenë të qasshme për qytetarët, turistët dhe vizitorët, duke respektuar njëkohësisht të drejtat, sigurinë dhe rregullat që vlejnë për të gjithë.

Ndërkohë, Komuna e Junikut ka reaguar më herët duke bërë thirrje që rasti të trajtohet nga organet kompetente. Komuna ka sqaruar se, ndonëse incidenti ka ndodhur brenda territorit të saj administrativ, personi i përfshirë, sipas informatave të deritanishme, nuk është banor i Junikut.

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka theksuar se në zhvillimin e turizmit duhet të respektohen të drejtat dhe siguria e vizitorëve, por edhe e banorëve dhe komuniteteve lokale.

Rrethanat e incidentit pritet të sqarohen nga institucionet kompetente./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Filharmonia e Kosovës hap sezonin e ri me “The Planets” të Gustav Holstit

Published

on

Filharmonia e Kosovës do ta hapë sezonin koncertal 2026/2027 me veprën monumentale “The Planets” të kompozitorit britanik Gustav Holst.

Koncerti do të mbahet më 25 shtator, nga ora 19:30, në Klan Arena në Prishtinë. Në skenë do të jenë rreth 110 muzikantë, në një format të zgjeruar të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.

Në koncert do të marrin pjesë edhe instrumentistë mysafirë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjermania dhe Holanda, si dhe Kori i Grave i Filharmonisë së Kosovës.

Orkestra do të drejtohet nga dirigjenti Gregory Charette, i cili është edhe dirigjenti kryesor mysafir i sezonit 2026/2027.

“The Planets” përbëhet nga shtatë pjesë, të dedikuara për planetet Mars, Venus, Merkur, Jupiter, Saturn, Uran dhe Neptun.

Koncerti shënon nisjen e sezonit të ri të Filharmonisë së Kosovës dhe pritet të sjellë një program të zgjeruar orkestral para publikut në Prishtinë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Uta në Sharr”, filmi i animuar shfaqet në Prishtinë dhe Prizren

Published

on

Filmi i shkurtër i animuar “Uta në Sharr”, i bazuar në librin me të njëjtin titull, do të shfaqet më 22 shtator në Kino ARMATA në Prishtinë dhe më 23 shtator në Dokukino në Prizren.

Shfaqjet do të mbahen në orën 17:30, 18:00 dhe 18:30, ndërsa hyrja është falas. Për shkak të kërkesës së madhe, pjesëmarrësit duhet të rezervojnë biletat paraprakisht.

Filmi, i cili zgjat 10 minuta, sjell në ekran bukuritë natyrore të Kosovës dhe e përdor natyrën si hapësirë për bashkim dhe mirëkuptim mes komuniteteve.

Në qendër të tregimit janë Uta dhe Deltari, të cilët udhëtojnë nëpër malet e Sharrit, duke i ftuar fëmijët të zbulojnë këtë botë së bashku, pavarësisht komunitetit nga i cili vijnë.

Animacioni është realizuar nga Anibar Studios, ndërsa skenari dhe tregimi janë të Tuba Safçiut. Kënga “Uta në Sharr” është kompozuar, shkruar, interpretuar dhe prodhuar nga Arbër Salihu (La Fazani), me vokal nga Lisa Zuka.

Projekti është pjesë e nismës “Uta në Sharr – Edukim Gjithëpërfshirës dhe Ndërgjegjësim Mjedisor përmes Tregimit të Historive, Animacionit dhe Mësimit në Natyrë”, e financuar nga Sida përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë dhe e zbatuar në partneritet me Save the Children Kosova/o.

Nisma po zbatohet në 12 komuna të Kosovës dhe synon të promovojë edukimin gjithëpërfshirës, ndërgjegjësimin mjedisor dhe tregimin e historive për fëmijët dhe të rinjtë nga komunitete të ndryshme./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara