Ekspozita “Rikthim në traditë – Veshjet popullore të shqiptarëve” është hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare Kosovë–Shqipëri.
Ekspozita është organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, ku janë prezantuar fotografi historike nga fondet arkivore të të dy institucioneve.
Përmes këtyre fotografive, publiku pati mundësinë të shohë larminë dhe veçantinë e veshjeve tradicionale shqiptare, si dhe të njihet me aspekte të jetës së përditshme dhe figura të njohura të historisë, artit e kulturës shqiptare.
Përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, dr. Denald Prifti, vlerësoi kontributin e fotografëve të hershëm shqiptarë, përfshirë edhe fotografët e familjes Marubi, për dokumentimin e kësaj pasurie të trashëgimisë kombëtare.
Ai theksoi rëndësinë e fotografive historike në ruajtjen dhe përcjelljen e traditës te brezat e rinj, si dhe vlerën e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Ndërkaq, zëvendësdrejtori ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Mehmed Xhemajli, i cilësoi veshjet popullore si një nga shprehjet më të pasura të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke veçuar xhubletën si dëshmi të rrallë të mjeshtërisë tradicionale.
Ekspozita synon të kontribuojë në ruajtjen, promovimin dhe përcjelljen e vlerave të përbashkëta të trashëgimisë kulturore shqiptare./A.K/