Lajmet

Kryetarët që rifituan postet në komunat e tyre

Disa prej tyre fituan pozitat e tyre për herë të dytë e disa prej tyre edhe për herë të tretë dhe më shumë.

Published

on

Zgjedhjet lokale që u mbajtën në Kosovë në shumë komuna nuk sollën ndonjë befasi sa i përket rezultatit dhe fitores të disa kandidatëve që u rikonfirmuan në pozitat e tyre si kryetarë komunash.

Madje disa prej tyre fituan pozitat e tyre për herë të dytë e disa prej tyre edhe për herë të tretë dhe më shumë.

Gazmend Muhaxheri i Lidhjes Demokratike të Kosovës në raundin e parë duke marrë 60.49 përqind. Muhaxheri në pozitën e kryetarit të Pejë arriti të konfirmohet për herën e tretë. Ai i fitoi garat në vitin 2013, pastaj në vitin 2017 e tash edhe në vitin 2021.

Fati i njëjtë e ka përcjellë edhe bashkëpartiakun e tij Imri Ahmetin në Lipjan. Edhe Ahmeti e përfundoi çështjen e fituesit në raundin e parë, duke marrë 56.42 përqind kështu duke e fituar postin e kryetarit të Lipjanit për herën e tretë radhazi,

Bashkim Ramosaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do ta vazhdojë qeverisjen edhe për katër vjet të tjera në Deçan. Ramosaj po ashtu arriti të fitojë në raundin e parë duke marrë 64.90 përqind të votave. Kështu ai rizgjidhet për herën e dytë në krye të kësaj komune.

Gjithashtu edhe Bali Muharremaj, që vjen po ashtu nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dilemën e fituesit e përfundoi qysh në raundin e parë duke marrë 51.30 përqind të votave. Kështu ai rizgjidhet si kryetar i Suharekës për herën e dytë.

Postin e tij në Ferizaj e ruajti edhe Agim Aliu, i Partisë Demokratike të Kosovës. Aliu si kryetar i këtij qyteti u rikonfirmua pasi fitoi pa balotazh duke marrë 62.38 përqind të votave. Ai rizgjidhet për më shumë se dy herë në këtë pozitë.

Në të njëjtin post edhe për katër vitet e ardhshme do të qëndrojë edhe Ardian Gjini, që kandidojë për kryetar të Gjakovës. Ai arriti të rikonfirmohet për herën e dytë pasi në raundin e dytë e mposhti kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila. Gjini mori 56.06 përqind të votave.

Edhe kolegu i tij nga AAK, Zenun Elezaj, do të jetë kryetar i Klinës edhe për një mandat. Ai fitoi përball Esat Racit nga Partia Demokratike e Kosovës. Elezaj në raundin e dytë mori 55.11 përqind të votave.

Karriken e kryetarit nuk do ta lëshojë as Ramiz Lladrovci, i Partisë Demokratike të Kosovës. Ai fitoi përballë Driton Ajazit, që vie nga Iniciativa Qytetare “Demokratët për Drenasin”. Lladrovci mori 54.14 përqind duke fituar mandatin për herën e dytë.

Po ashtu edhe bashkëpartiaku i tij Besim Ilazi, nuk do të lëviz nga pozita e të parit të Kaçanikut. Ai triumfoi në raundin e dytë duke e mposhtur kundërkandidatin nga Lëvizja Vetëvendosje Jeton Raka. Ilazi mori 53.20 përqind të votave.

Gjithashtu edhe Smajl Latifi i AAK-së konfirmohet edhe njëherë si kryetar i Rahovecit. Ai në raundin e dytë mori 65.32 përqind të votave duke e mundur Visar Korenicën nga Lëvizja Vetëvendosje. Kështu edhe Latifi merr më shumë se një mandat në krye të komunës së Rahovecit.

Edhe një mandat në krye të Vitisë do të jetë Sokol Haliti i LDK-së. Haliti rizgjidhet duke marrë mandatin për herën e tretë. Ai e mundi Arsim Ademin të Lëvizjes Vetëvendosje duke marrë 51.48 përqind të votave në raundin e dytë.

Në pozitën e kryetarit u rizgjodh edhe Shpejtim Bulliqi, nga Lëvizja Vetëvendosje i cili do ta udhëheqë Podujevën për katër vjet. Ai e mposhti Ekrem Hysenin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Bulliqi për herë të parë në krye të komunës së Podujevës u zgjodh në nëntor të vitit 2020.

Në krye të komunës së Obiliqit për herë të dytë do të jetë Xhafer Gashi. Ai fitoi në raundin e dytë përballë Halil Thaçit të Vetëvendosjes, duke marrë 61.41 përqind.

Kryetar i Fushë Kosovës edhe për një mandat do të jetë sërish Burim Berisha i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Berisha është konfirmuar në krye të kësaj komune për më shumë se katër mandate. Ai në raundin e dytë e mposhti Enver Bajçincën e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi mori 66.04 përqind të votave.

Ndërkaq bazuar në rezultatet e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të ketë ndryshim të rezultatit në komunën e Junikut dhe në Dragash.

Në Junik kryetari aktual Agron Kuçi nga AAK është në disavantazh ndaj kandidatit të LDK-së Ruzhdi Shehu.

Epërsia e Shehut ndaj Kuçit është 29 vota dhe me numërimi e votave me postë dhe të personave me aftësi të kufizuar mund të ketë përmbysje të rezultatit dhe konfirmim të Agron Kuçit edhe për një mandat në krye të Junikut.

E rezultat i ngushtë është edhe në Dragash ku në garë janë Shaban Shabani, nga PDK i cili është kryetar aktual dhe është në epërsi ndaj kandidati të LDK-së Behxhet Xheladinit. Edhe në këtë komunë mund të ketë përmbysje të rezultatit. Në rast se konfirmohet rezultati aktual Shaban Shabani i PDK-së rikonfirmohet në krye të Dragashit edhe për një mandat.

Lajmet

Miratohet buxheti dhe marrëveshjet ndërkombëtare

Published

on

By

Në mbledhjen e parë të kabinetit të ri qeveritar, Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar angazhim të menjëhershëm, duke e kthyer takimin ceremonial në një mbledhje pune.

Ai theksoi se përvoja e fituar dhe përgatitja e kabinetit janë garanci se “ky kabinet i ka të gjitha parakushtet që të jetë më i suksesshmi në historinë e re të Kosovës”.

Fokus i veçantë iu dha zhbllokimit të fondeve ndërkombëtare që kishin mbetur peng i shpërndarjes së Kuvendit.

Kurti vuri në dukje rëndësinë e votimit të planit të rritjes nga BE-ja prej 882.6 milionë eurosh dhe marrëveshjeve me Bankën Botërore, duke deklaruar: “Me votën tuaj sot po i japim vendit një mundësi tjetër për t’i ratifikuar këto marrëveshje”.

Në përfundim të mbledhjes, kabineti miratoi pa asnjë kundërshtim projektligjin për buxhetin e vitit 2026, i cili kap vlerën rekord prej mbi 4 miliardë eurosh.

Kurti e përmbylli këtë pikë duke konfirmuar riprocedimin e menjëhershëm të këtij projektligji drejt Kuvendit për miratim final.

Qeveria Kurti 3 u votua më 11.02.2026. Për kanë votuar 66 deputetë për, 49 kundër dhe asnjë abstenim.

Continue Reading

Lajmet

Avokati i Veselit: ZPS-ja po përdor dëshmitë e pasluftës sepse nuk ka prova për periudhën e luftës

Published

on

By

Në Gjykatën Speciale në Hagë, mbrojtja e Kadri Veselit ka argumentuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar po tenton të përdorë zhvillimet e pasluftës për të mbuluar mungesën e provave gjatë periudhës së luftës.

Avokati Rodney Dixon ka sqaruar para trupit gjykues se dëshmitë që lidhen me Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK) i përkasin një periudhe shumë më të vonshme se ajo e pretenduar në aktakuzë.

Gjatë fjalës së tij, Dixon deklaroi se: “Dëshmia e Veselit, së cilës ata i referohen, ka të bëjë me SHIK-un pas luftës, ku ai përshkruan zhvillimet në periudhën pasluftës në gjysmën e dytë të vitit ’99 dhe pastaj në vitin 2000 deri në zhbërjen e strukturës së SHIK-ut në vitin 2008. Veseli shprehet se kapacitetet e SHIK-ut si strukturë në fillim ishin të kufizuara sa i përket numrit dhe trajnimeve, dhe vetëm më vonë, në gjysmën e dytë të vitit 2000, kishin filluar një bazë të strukturës që funksiononte në mënyrën e duhur sa i përket operacioneve.”

Më tej, mbrojtja u ndal edhe te dëshmitë e bashkëluftëtarëve të tij, duke specifikuar se asokohe nuk kishte trajnime të mirëfillta të inteligjencës.

Avokati përmendi se: “Për këtë dha dëshmi edhe Jakup Krasniqi, se ai ishte rekrutuar në verën e vitit 2000 dhe në dëshminë e tij ai tha se kur bëri trajnimin e parë nga miqtë ndërkombëtarë, ishte trajnimi i parë që kishte të bëjë me shërbimet e zbulimit.” Në mbyllje të argumentit të tij, Dixon akuzoi ZPS-në për mungesë faktesh konkrete për periudhën e konfliktit, duke theksuar se: “Pra, e gjitha kjo është pas lufte dhe ajo çfarë bëri ZPS-ja është se kaloi në periudhën e pasluftës, sepse nuk kanë asgjë gjatë luftës.”

Mbrojtja e Veselit kërkon hetim të thellë për dokumentet e Beogradit

Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me provat që dorëzohen nga autoritetet serbe në procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara.

Ai ka kërkuar që çdo material që vjen nga Beogradi t’i nënshtrohet një analize të rreptë për të vërtetuar origjinën dhe vërtetësinë e tij, duke insistuar se Prokuroria ka detyrim të verifikojë çdo detaj përpara se t’i paraqesë ato si prova.

“Duhet kushtuar rëndësi e veçantë dokumenteve që u janë dhënë autoriteteve e sigurisht që do t’i cekim shënimet dhe dokumentet; duhet trajtuar po ashtu edhe autenticiteti, zinxhiri i ruajtjes e të tjerë. Dhe, sipas Dhomës së Apelit, është shumë e rëndësishme që të shikohen me shumë imtësi provat që janë dhënë nga autoritetet e Beogradit lidhur me përgjimet dhe dokumentet e tjera, dhe kjo është një gjë që duhet ta bëjë realisht prokuroria. Është tjetër gjë t’i japësh të gjitha dokumentet në grup pa vënë në diskutim asnjë prej tyre, por është tjetër gjë të shohësh me hollësi se çfarë origjine kanë këto dokumente dhe çfarë autenticiteti; kjo si punë duhet të bëhet absolutisht me shumë hollësi.”, tha avokati i Veselit

Dixon: ZPS po përdor dokumente pa vërtetësi nga frika e dëshmitarëve

Gjatë seancës gjyqësore në Hagë, avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka hedhur akuza të rënda ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke e cilësuar qasjen e tyre për nxjerrjen e provave si tërësisht jo logjike.

Dixon argumentoi se prokuroria po tenton të fusë dokumente si prova pa i ballafaquar dëshmitarët me to, pasi sipas tij, prokurorët janë të pasigurt për atë që mund të thuhet në sallë.

“Sigurisht kur je i frikësuar se çfarë mund të thotë dëshmitari, është më e sigurt që të kërkosh pranimin e provave jo gojore,” u shpreh ai, duke kujtuar se shumë dëshmitarë kanë deklaruar se nuk dinë asgjë për dokumentet që u janë treguar.

Avokati theksoi se ZPS-ja ka për detyrë të vërtetojë autenticitetin e çdo materiali, por në vend të kësaj po tenton të shmangë lidhjen direkte midis dëshmisë dhe dokumentit.

Sipas Dixon, prokuroria po aplikon standarde të dyfishta, duke kundërshtuar dokumentet e mbrojtjes kur nuk i volit, ndërsa insiston në vërtetësinë e dokumenteve të veta pa asnjë bazë solide: “ZPS-ja e ka për detyrë të tregojë që këto janë dokumente autentike në qoftë se duan të mbështeten në vërtetësinë e përmbajtjes së tyre.”

Mbrojtja e Veselit nis fjalët përfundimtare

Pas përfundimit të mbrojtjes së Hashim Thaçit, procesi gjyqësor në Gjykatën Speciale ka vazhduar me paraqitjen e fjalëve përfundimtare nga ekipi mbrojtës i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Para trupit gjykues, Veseli po përfaqësohet nga avokati i tij, Rodney Dixon, i cili po shpalos argumentet përmbyllëse kundër akuzave të Prokurorisë.

Ky proces po zhvillohet në një moment kyç, pasi vetëm një ditë më parë ekipi mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi mbylli zyrtarisht fjalën e tij përfundimtare.

Të dy udhëheqësit, së bashku me Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, po gjykohen për pretendimet mbi krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Pas përfundimit të fjalëve përmbyllëse nga të gjitha ekipet e mbrojtjes, trupi gjykues do të tërhiqet për të shqyrtuar provat përpara shpalljes së aktgjykimit.

Continue Reading

Lajmet

Kallas: Qeveria e re, momentum per dialogun Kosovë- Serbi

Published

on

By

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka përshëndetur formimin e Qeverisë së re të Kosovës, pas më shumë se një viti bllokade politike.

Përmes një reagimi në rrjetin “X”, ajo e cilësoi si lajm inkurajues krijimin e institucioneve të reja dhe uroi kryeministrin Albin Kurti për marrjen e detyrës.

“Pas më shumë se një viti ngërçi politik, formimi i qeverisë së re të Kosovës është lajm inkurajues. Urime Albin Kurti!”, thuhet në reagim e Kallasit.

Ajo theksoi se tani është thelbësore që qeveria të veprojë shpejt në zbatimin e reformave, duke nënvizuar se kjo është mënyra më e shpejtë për të zhbllokuar mbështetjen e BE-së me vlerë qindra miliona euro dhe për të avancuar në rrugën drejt integrimit evropian.

Sipas saj, ky zhvillim krijon një momentum të ri për avancimin e marrëdhënieve mes BE-së dhe Kosovës, si dhe për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Shefja e diplomacisë evropiane ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për të organizuar së shpejti një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut

Kuvendi i Kosovës ka votuar Qeverinë e re të Kosovës, dje më 11.02.2026, në krye me Albin Kurtin. Pro qeverisë votuan 66 deputetë, 49 votuan kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim.

Me këtë votim, Kuvendi zgjodhi zyrtarisht Qeverinë e re të Kosovës, e cila do të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Të shtëna me armë në Graçanicë dhe Hajvali, konfiskohen armë e municion

Published

on

By

Policia e Kosovës në Raportin një ditor ka njoftuar për dy raste të ndara të të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur mbrëmjen e 11 shkurtit 2026 në Graçanicë dhe në fshatin Hajvali të Prishtinës.

Sipas raportit policor, rreth orës 22:19 në Graçanicë është raportuar për të shtëna me armë. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja dhe 71 fishekë. Rasti është iniciuar si “Armëmbajtje pa leje” dhe po hetohet nga organet kompetente.

Ndërkaq, rreth orës 21:52 në Hajvali, pas pranimit të informatës për të shtëna me armë zjarri, policia ka kontrolluar banesën e një të dyshuari mashkull kosovar. Gjatë kontrollit është gjetur dhe konfiskuar një revole me një karikator dhe shtatë fishekë. I dyshuari është arrestuar, ndërsa me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet lidhur me të dyja rastet janë në vazhdim.

Continue Reading

Të kërkuara