Shtetet arabe të Gjirit nuk i kanë kërkuar SHBA-së të hyjë në luftë me Iranin, mirëpo shumë prej tyre tani po bëjnë thirrje që operacioni të mos ndalet pa u siguruar që Republika Islamike të mos ketë më mundësi të kërcënojë rrugët jetike të naftës.
Siç raporton Reuters, burime nga Gjiri bëjnë të ditur se shqetësimi kryesor mbetet mbrojtja e ekonomive që varen tërësisht nga ky rajon.
Sipas burimeve diplomatike perëndimore dhe arabe, Uashingtoni po ushtron presion mbi shtetet e Gjirit që t’i bashkohen luftës SHBA-Izrael. Presidenti Donald Trump dëshiron të tregojë mbështetje rajonale për fushatën, me qëllim që të forcojë legjitimitetin ndërkombëtar dhe mbështetjen e brendshme.
“Ekziston një ndjenjë e gjerë në të gjithë Gjirin se Irani ka kaluar çdo vijë të kuqe me çdo vend të rajonit,” tha Abdulaziz Sager, kryetar i Qendrës kërkimore të Gjirit me seli në Arabinë Saudite. Ai shtoi se sapo Irani nisi sulmet e drejtpërdrejta, u klasifikua si armik.
Irani sulmon gjashtë shtetet e Gjirit
Teherani ka demonstruar tashmë fuqinë e tij duke sulmuar aeroporte, porte dhe objekte të naftës në gjashtë shtetet e Gjirit përmes raketave dhe dronëve. Gjithashtu, është penguar qarkullimi në Ngushticën e Hormuzit, që shërben si “arteria” kryesore për një të pestën e furnizimit global me naftë.
Udhëheqësit e Gjirit besojnë se mosveprimi tani përbën rrezikun më të madh. Sulmet e fundit kanë dëmtuar imazhin e stabilitetit që këto vende janë përpjekur të ndërtojnë për të tërhequr tregtinë dhe turizmin.
Frika nga një luftë e gjerë
Pavarësisht kërkesave për dobësimin ushtarak të Iranit, brenda Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) ende mungon një konsensus i plotë për hapat e mëtejshëm. Ndërsa Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, deklaroi se partnerët e Gjirit po rrisin angazhimin, Emiratet e Bashkuara Arabe janë treguar më të përmbajtura, duke thënë se nuk kërkojnë të përfshihen në eskalime.
Nga ana tjetër, Sager paralajmëroi se Arabia Saudite mund të detyrohet të hakmerret nëse Irani godet pikat kritike, siç janë impiantet e shkripëzimit të ujit ose objektet madhore të naftës. “Në atë rast, Arabia Saudite nuk do të kishte zgjidhje tjetër veçse të ndërhynte,” u shpreh ai. /Reuters/