Lajmet

Kremlini thotë se SHBA-ja po “hedh benzinë mbi zjarr” pasi Biden ia lejoi Kievit të godasë më thellë në Rusi

Published

on

Kremlini e ka akuzuar presidentin e SHBA-së, Joe Biden, për hedhje të benzinës në zjarr dhe përpjekje për të përshkallëzuar konfliktin në Ukrainë pas heqjes së kufizimeve për armët me rreze të gjatë veprimi.

Deklaratat e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, më 18 nëntor, pasojnë raportimet se Biden i ka dhënë Ukrainës leje për të përdorur armë amerikane për të goditur më thellë brenda territorit rus.

Ky zhvillim ndodhi pas muajsh të tërë lobimi nga zyrtarë ukrainas, përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky, që shtetet perëndimore t’ia japin dritën e gjelbër Kievit për t’i përdorur armët e dhuruara me kapacitet të plotë për të goditur caqe jashtë rrezes aktuale.

Deri tani, Shtetet e Bashkuara, së bashku me shtetet e tjera të NATO-s, kanë vendosur një kufi mbi distancën që raketat amerikane mund të godasin brenda territorit rus.

Peskov tha se një hap drejt ndryshimit të këtij kufiri, i cili nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Uashingtoni, do të hapte një raund të ri tensionesh dhe do të thellonte përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Është e qartë se administrata në largim në Uashington synon të ndërmarrë hapa për të vazhduar ndezjen e zjarrit dhe provokimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm të tensioneve”, tha Peskov.

Presidenti rus, Vladimir Putin, në shtator e paralajmëroi Perëndimin se Rusia mund të përgjigjet me armë bërthamore nëse sulmohet me raketa konvencionale dhe se Moska do ta konsideronte çdo sulm të mbështetur nga një fuqi bërthamore si një sulm të përbashkët.

Parlamentari rus, Leonid Slutsky, tha se një veprim i tillë do të çonte në përshkallëzim.

“Goditjet e raketave amerikane në thellësi të territorit rus do të çojnë në mënyrë të pashmangshme në një përshkallëzim të madh që rrezikon të ketë pasoja shumë më serioze“, tha Slutsky, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dumës Shtetërore, në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS.

Armatimi ka të ngjarë të përdoret si përgjigje ndaj vendimit të Koresë së Veriut për të dërguar mijëra ushtarë për të mbështetur Rusinë në rajonin Kursk, ku Ukraina ndërmori një inkursion ushtarak gjatë verës. Raportimet kanë sugjeruar se Ukraina do të jetë ende e kufizuar në goditjen e atij rajoni jugperëndimor të Rusisë.

Ky hap, gjithashtu, hap rrugën për Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën që të ndjekin shembullin, duke i mundësuar potencialisht Ukrainës që t’i japë Rusisë një goditje në një moment kritik të luftës. Ukraina po kërkon të ruajë fitimet territoriale në rajonin Kursk të Rusisë, të cilat mund të jenë vendimtare për çdo negociatë të ardhshme.

Megjithatë, reagimi i Zelenskyt ndaj lajmit ishte disi i rezervuar.

“Sot, shumë po flitet në media për marrjen e lejes për veprime të caktuara. Por, goditjet nuk bëhen me fjalë. Gjëra të tilla nuk shpallen. Raketat do të flasin vetë“, tha Zelenskiy në adresimin e tij të përnatshëm me video.

Ndërkohë, aleatët evropianë të Kievit kanë reaguar pozitivisht ndaj lajmit.
Presidenti polak, Andrzej Duda, tha se veprimi i Bidenit mund të jetë një moment vendimtar në luftë.

“Ky vendim ishte shumë i nevojshëm… Rusia po sheh se Ukraina gëzon mbështetje të fortë dhe se pozicioni i Perëndimit është i palëkundur dhe i vendosur. Është një moment shumë i rëndësishëm, potencialisht vendimtar në këtë luftë“, tha Duda për gazetarët.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se lëvizja e Uashingtonit ishte e rëndësishme në aspektin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, por theksoi se nuk sinjalizon një ndryshim të strategjisë nga Perëndimi.

“Vendimi nga ana amerikane, dhe dua të theksoj se ky nuk është një rishikim, por një intensifikim i asaj që është ofruar tashmë nga partnerët e tjerë, është kaq i rëndësishëm në këtë moment“, tha Baerbock në Bruksel përpara një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së.

Diplomatja e lartë gjermane, gjithashtu, lëshoi një paralajmërim për mbështetësit e presidentit rus, Putin, dhe tha se Bashkimi Evropian po përgatit sanksione të reja kundër Iranit, si dhe po shqyrton çështjen e mbështetjes kineze për dronët.

Duke folur në Bruksel, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se shpreson që anëtarët e bllokut të ndjekin shembullin e Uashingtonit.

“Kam thënë vazhdimisht se Ukraina duhet të jetë në gjendje t’i përdorë armët që ia kemi ofruar, jo vetëm për të ndaluar shigjetat, por edhe për të goditur harkëtarët“, deklaroi Borrell.

Edhe ministri i Jashtëm holandez, Caspar Veldkamp, tha se mendon që vendimi i Bidenit ishte “përgjigjja adekuate” ndaj Rusisë pas vendosjes së trupave nga Koreja e Veriut./REL/

Vendi

Fokus te Institucionet dhe Zhvillimi Ekonomik: Studiuesja nga Harvardi prezanton vizionin për prosperitet të qëndrueshëm në Kongresin e EOQ në UBT

Published

on

By

Për herë të parë, Kosova është bërë qendra e komunitetit evropian të cilësisë, duke mirëpritur në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së Kongresin e 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi. Ky organizim madhor shënon një moment historik për vendin dhe dëshmon angazhimin e UBT-së në fuqizimin e bashkëpunimit evropian dhe zhvillimin e inovacionit.

Në kuadër të këtij kongresi prestigjioz, punimet kanë vazhduar me sesione të rëndësishme në sallën e koncerteve, ku u zhvilluan prezantime kyçe përmes lidhjeve online me ekspertë të njohur ndërkombëtarisht.

Një nga pikat më kulmore të këtij sesioni ishte kontributi i znj. Fatema Z. Sumar, nga Qendra për Zhvillim Ndërkombëtar në Universitetin e Harvardit (Harvard Center for International Development).

Në fjalën e saj me titull “Institucionet cilësore, zhvillimi ekonomik dhe prosperiteti i qëndrueshëm”, znj. Sumar solli një analizë të thelluar mbi rolin e pazëvendësueshëm që luajnë strukturat e besueshme institucionale në nxitjen e rritjes ekonomike afatgjatë. Ajo shtjelloi se si standardet e larta të cilësisë dhe qeverisja e mirë janë çelësi për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme, duke ofruar shembuj dhe praktika ndërkombëtare të zbatuara në vendet në zhvillim.

Continue Reading

Vendi

EOQ Congress 2026 në UBT: Inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital në fokus të cilësisë 5.0

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ Congress 2026), në UBT u mbajt sesioni “Inteligjenca Artificiale, Transformimi Digjital dhe Cilësia 5.0”, i moderuar nga Prof. Dr. Blerton Abazi.

Ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të akademisë e industrisë diskutuan mbi ndikimin e inteligjencës artificiale, sistemeve inteligjente dhe transformimit digjital në zhvillimin e modeleve të reja të menaxhimit të cilësisë, duke trajtuar gjithashtu rëndësinë e qëndrueshmërisë, inovacionit dhe besueshmërisë së të dhënave.

Gjatë sesionit, u prezantuan këto tema:

Prof. Dr. Galia Marinova, Universiteti Teknik i Sofjes – “Transformimi digjital, sistemet inteligjente dhe Cilësia 5.0”.
Prof. Henriqueta Sampaio da Novoa dhe Fatima Carneiro – “Integrimi i strategjisë ESG me përsosmërinë operacionale: Një kornizë e integruar për menaxhimin e cilësisë të qëndrueshëm, rezistent dhe të fuqizuar nga inteligjenca artificiale”.
Mina Gavrilova, menaxhere e lartë e cilësisë në Huvepharma, dhe David Isaacson, nënkryetar i marketingut të produkteve në Octave – “Avancimi i menaxhimit të cilësisë në organizatë: Si ka nxitur Huvepharma cilësinë dhe inovacionin për ndikim më të madh në biznes”.

Prof. Dr. Bertan Karahoda, UBT – “Cilësia në shkallë globale: Inteligjenca artificiale, aftësitë dhe e ardhmja e të nxënit global”.
Prof. Dr. Blerton Abazi, UBT – “Sigurimi i cilësisë së inteligjencës artificiale, cilësia e të dhënave dhe sistemet inteligjente të besueshme”.

Përmes këtyre kontributeve, sesioni vuri në pah rëndësinë e ndërthurjes së inteligjencës artificiale me standardet e cilësisë, zhvillimin e aftësive dhe inovacionin organizativ.

Diskutimet theksuan se transformimi digjital dhe qasja e Cilësisë 5.0 krijojnë mundësi të reja për ndërtimin e sistemeve më efikase, të qëndrueshme dhe të besueshme në arsim, industri dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.

Continue Reading

Vendi

EOQ Congress 2026 në UBT: Ekspertët diskutojnë cilësinë, inteligjencën artificiale dhe menaxhimin e rrezikut

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ Congress 2026), në kampusin inovativ të UBT-së, ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë trajtuan çështje kyçe që lidhen me akreditimin, certifikimin, vlerësimin e konformitetit, menaxhimin e rrezikut dhe vazhdimësinë e biznesit, me theks të veçantë në rolin e inteligjencës artificiale në transformimin e sistemeve të menaxhimit të cilësisë.

Sesioni “Akreditimi, Certifikimi, Validimi dhe Vlerësimi i Konformitetit – Rreziku, Rezilienca dhe Vazhdimësia e Biznesit”, i moderuar nga Prof. Dr. Fisnik Laha, mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, akademisë dhe sektorit privat. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e standardeve ndërkombëtare, besueshmërisë së matjeve, inovacionit, qeverisjes së inteligjencës artificiale dhe ndërtimit të organizatave rezistente ndaj sfidave të së ardhmes.

Gjatë sesionit, ekspertët prezantuan temat e tyre përmes këtyre kontributeve:

Irfan Lipovica, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Akreditimit të Kosovës (DAK) – “Akreditimi si infrastrukturë e besimit: Nga kompetenca te njohja ndërkombëtare”.


Blerim Halabaku, menaxher i cilësisë në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës – “Roli i menaxherit të cilësisë në sigurimin e saktësisë, besueshmërisë dhe gjurmueshmërisë së rezultateve të matjeve”.

Prof. Maroš Finka, Universiteti Comenius në Bratislavë – “Modeli i katërfishtë i bashkëpunimit në ekosistemet e inovacionit: Rasti i Grupimit të Inovacionit për Transformim të Mençur në Sllovaki”.

Carlos Da Silva, ekspert kryesor në sistemet e integruara të menaxhimit, rrezikut dhe qeverisjes së inteligjencës artificiale – “Menaxhimi i integruar i biznesit dhe besimi në epokën e inteligjencës artificiale”.

Constantin Brescan, koordinator për sigurimin e cilësisë dhe auditimet e zinxhirit të furnizimit në Fusion for Energy – “Auditimet e cilësisë në zinxhirin e furnizimit – Fusion for Energy”.

Dr. Ömer Özkan, fitues i EQL 2025 – “Nga pajtueshmëria te besimi: E ardhmja e menaxhimit të cilësisë në epokën e inteligjencës artificiale”.

Luc Marivoet, menaxher i QHSE-së dhe partner në Pauwels Consulting – “Auditori i fuqizuar nga teknologjia: Si e forcon inteligjenca artificiale besimin, reziliencën dhe cilësinë përmes auditimit me në qendër njeriun”.

Merita Gjyshinca Peja, drejtoreshë financiare në Raiffeisen Bank Kosovo – “Rezilienca dhe vazhdimësia e biznesit në sisteme komplekse dhe të digjitalizuara”.

Genond Mesareja, kryetar i Bordit të Këshillit të Investitorëve Evropianë (EIC) – “Ndërtimi i organizatave rezistente: Udhëheqja, menaxhimi i rrezikut dhe vazhdimësia e biznesit në kohë ndryshimesh”.

Prof. Dr. Fisnik Laha, drejtues i laboratorëve të akredituar – “Matjet, besueshmëria dhe cilësia në sistemet shëndetësore dhe laboratorike”.

Përmes këtyre tematikave, sesioni theksoi rëndësinë e integrimit të standardeve të cilësisë me inovacionin teknologjik, menaxhimin e rrezikut dhe udhëheqjen efektive. Diskutimet nënvizuan gjithashtu rolin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, akademisë dhe sektorit privat në forcimin e besimit, rritjen e qëndrueshmërisë organizative dhe përgatitjen për sfidat e transformimit digjital.

Continue Reading

Lajmet

Inovacioni në mjekësi: UBT sjell ekspertët botërorë në sesionin kyç të Kongresit të 67-të të EOQ-së

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), një vëmendje e jashtëzakonshme iu kushtua sesionit mbi shëndetin dhe performancën, i cili shërbeu si një platformë kyçe për të adresuar sfidat globale, rritjen e rezistencës së sistemeve shëndetësore dhe ngritjen e standardeve të cilësisë përmes inovacionit.

Ky sesion i rëndësishëm, i mbështetur dhe promovuar fuqishëm nga UBT, u moderua nga Prof. Dr. Milaim Berisha, duke mbledhur ekspertë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë për të sjellë qasje të avancuara në fushën e mjekësisë dhe mirëqenies njerëzore.

Punimet e këtij sesioni u hapën nga Dr. Ardita Baraku, Drejtore Nacionale e Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, e cila theksoi rëndësinë e shëndetit publik, parandalimit efikas dhe nevojës parësore për ndërtimin e sistemeve shëndetësore rezistente ndaj sfidave të kohës.

Diskutimet vazhduan me kontributin e Prof. Dr. Norbert Bacht nga Universiteti i Vjenës, i cili u ndal tek aplikimi i teknologjive moderne, duke shpjeguar rolin kyç të inteligjencës artificiale në arritjen e një parandalimi sa më të saktë dhe funksional në mjekësi.

Në fokus të sesionit u sollën gjithashtu dimensionet e specializuara të performancës fizike dhe menaxhimit global. Prof. Dr. Milaim Berisha prezantoi standardet ndërkombëtare për mjekësinë sportive, duke vënë në pah ekselencën e kërkuar për shëndetin dhe performancën e atletëve.

Ky vizion u plotësua nga fjalimi kryesor i Ms. Fatema Z. Sumar nga Qendra e Harvardit për Zhvillim Ndërkombëtar, e cila e lidhi drejtpërdrejt forcimin e institucioneve të cilësisë me zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e qëndrueshëm shoqëror.


Pjesa e dytë e sesionit solli praktika të avancuara nga Azia, ku Assoc. Prof. Dr. Ryoko Shimono nga Universiteti Waseda prezantoi indikatorët gjithëpërfshirës të vlerësimit TQM në kujdesin shëndetësor, duke vizualizuar lidhjen mes qëllimeve dhe aktiviteteve të menaxhimit të cilësisë.

Ndërsa Dr. Shogo Kato nga Universiteti i Tokios shpalosi zhvillimin e një sistemi algoritmik për të ndihmuar në rehabilitimin e pacientëve pas goditjeve në tru në spitalet e rikuperimit, duke dëshmuar ndikimin e drejtpërdrejtë të inovacionit teknik në shërimin dhe përmirësimin e jetës së pacientëve.

Continue Reading

Të kërkuara