Trajneri i Kombëtares së Kosovës Franco Foda e ka bërë të qartë se Kosova do ta synojë kualifikimin në Kampionatit Botëror 2026, edhe pse pranon se nuk janë skuadër favorite në një grup ku bëjnë pjesë Zvicra, Suedia dhe Sllovenia.
Ai konfirmoi se Edon Zhegrova do të mungojë në ndeshjet kundër Zvicrës duke zbuluar edhe arsyen e kësaj mungese.
“Sigurisht se Zhegrova është lojtar i rëndësishëm për ekipin e Kosovës, ai është i pazëvendësueshëm, por tani ka tetë muaj që nuk ka luajtur e vetëm në muajt e fundit ishte në bakë për ekipin e Lille prandaj kur e kemi parë që është ftuar nga Lille e kemi ftuar por gjatë javës së kaluar e kemi telefonuar së bashku dhe e kam pyetur për angazhimet e tani e ka ndryshuar ekipin, është transferuar te Juventusi dhe e kemi parë të arsyeshme që të mos angazhohet”, tha Foda.
Për sfidën me Zvicrën, Foda tha se i njeh pikat e forta dhe të dobëta të tyre dhe se presin së paku një barazim të premten.
“Ne e njohim mirë kombëtaren zvicerane dhe ia njohim mirë njohim mirë pikat e forta dhe ato të dobëta e vendimtare do të jetë si do paraqitemi ne ndeshjen e radhës, nëse do të paraqitemi si ekip i bashkuar dhe nëse i zbatojmë prioritetet tona në fushë atëherë presim që të fitojmë ose së paku një barazim.”, theksoi Foda.
Përzgjedhësi i Kosovës u shpreh i bindur se Kosova ka ndërtuar skuadër nga e cila mund ta synojë kualifikimin në këtë Kampionat Botëror.
“Unë jam i bindur që kemi ndërtuar një ekip të mirë e këtë bindje do t’ia transmetoj edhe ekipit tani. Sigurisht se nuk jemi favorit, mund të jemi të rrezikshmë. Sigurisht se nuk jemi favorit gjithçka do të bëjmë që të kualifikohemi. Këto dy ndeshjet e radhës do të tregojnë se çfarë drejtimi to të marrë ky udhëtimi ynë, do të jetë një udhëtim jo i lehtë”, shtoi më tutje Foda.
Me pak fjalë Foda e përshkroi si ‘mesfushor shumë fleksibil’, ardhjen e re te Kosova, mesfushorin Leon Avdullahu.
“E kam një përshtypje të mirë nga ai, ka një personalitet shumë të mirë, jemi shumë të lumtur për atë. Është një lojtar mjaftë fleksibil, sidomos në mesfushë, ai mund të luajë ku do që e vendosim prandaj jemi shumë të lumtur dhe të gëzuar që e kemi në ekip”, tha Foda.
Kosova do të përballet me Zvicrën më 5 shtator në Basel.