Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka refuzuar të përgjigjet lidhur me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Derisa Gjykata Kushtetuese ka vendosur dy ditë më parë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk ka përfunduar, Kurti tha shkurt se duhet pritur aktgjykimi i plotë.
I pyetur nga gazetarët lidhur me publikimin e aktgjykimit, Kurti tha shkurt se “ta presim aktgjykimin i plotë”.
Këto komente Kurti i bëri pas pjesëëmarrjes së tij në hapjen zyrtarë të fushatës sensibilizuese kundër kancerit të gjirit.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar sot se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk ka përfunduar.
Gjykata Kushtetuese ka vendos që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Sipas këtij vendimi të Gjykatës, seanca konstituive e Kuvendit duhet të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 30 shtator 2025 vendosi përkitazi me kërkesën KO265/25, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Procesverbaleve të seancave të Kuvendit të Kosovës”, si dhe vendimeve të nxjerra në kuadër të Seancës Konstituive më 26 dhe 28 gusht 2025, të parashtruar nga Igor Simic dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës./D.B/KP