Aktualitet

Kinë, direktivat për mediat zbulojnë nivelin e kontrollit nga shteti

Published

on

Komiteti për mirëseardhjen e drejtueses së kompanisë Huawei Meng Wanzhou nuk ja la asgjë rastësisë: që nga ngjyra e gërmave në banderola dhe deri tek udhëzimet se si do të mbulohej nga mediat marrëveshja që siguroi kthimin e saj. Mediave shtetërore iu dhanë udhëzime strikte.

Një direktivë e autoriteteve i udhëzonte kompanitë të shfaqnin mbi godina slloganin “Mirësevjen në shtëpi, Meng Wanzhou!”, për të përshëndetur drejtoren e financave të kompanisë gjigande të telekomunikacionit, e cila ishte mbajtur nën arrest shtëpie në Kanada për tre vjet.

Udhëresa të tjera i udhëzonin mediat të raportonin objektivisht dhe saktë, por t’i trajtonin përgjithësisht “me ton të ulët dhe zbutur” rrethanat e kthimit të zonjës Meng.

Ajo iu rikthye në Kinë në fund të shtatorit pasi arriti marrëveshje me Departamentin amerikan të Drejtësisë për të mos u ngritur akuzat për mashtrim financiar. Marrëveshja zgjidhi një rast të tejzgjatur ligjor dhe politik në të cilin ishin përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Kina.

Në një video të televizionit shtetëror kinez më 25 shtator 2021 shfaqet Meng Wanzhou ndërsa pritet me lule dhe banderola
Në një video të televizionit shtetëror kinez më 25 shtator 2021 shfaqet Meng Wanzhou ndërsa pritet me lule dhe banderola

Direktiva e hollësishme për mediat shtetërore për mbulimin e rastit të saj, u zbulua nga China Digital Times. Që nga viti 2010, kjo faqe e pavarur lajmesh në internet, me seli në SHBA, ka publikuar qindra direktiva të lëshuara nga autoritetet kineze për mediat shtetërore.

Sipas analistëve, direktivat nxjerrin në pah natyrën strikte dhe ndonjëherë të çuditshme të çensurës shtetërore – që nga mbulimi mediatik për përmbytjet e korrikut në Henan (direktiva ishte “të zhvendoset vëmendja e raportimeve drejt përpjekjes për rimëkëmbje pas fatkeqësisë natyrore”), apo për çështjen e shitësve të rrugës (“lutemi mos ta theksoni më tej”), si dhe deri tek masat për pandeminë në Kinë dhe jashtë saj.

“Direktivat janë vërtet të dobishme sepse një nivel i tillë çensure nuk ishte i ditur më parë”, i tha Zërit të Amerikës, Angeli Datt, një analiste për Kinën në organizatën Freedom House. “Partia Komuniste Kineze ende dëshiron të përpiqet ta bëjë atë të duket sa më organike dhe natyrale. Nuk dëshiron të tregojë dorën e rëndë të shtetit, edhe pse aty është, dhe njerëzit e dinë që është e pranishme”.

Përqëndrimi i Pekinit në detajet më të vogla ka rëndësi, thanë analistët. Kjo demonstron kontrollin e qeverisë mbi të gjitha aspektet e medias, edhe kur bëhet fjalë për tema në dukje të padëmshme.

Ambasada e Kinës në Uashington i tha Zërit të Amerikës se liria e fjalës mbrohet në vend.

“Media kineze, e angazhuar për mbulim objektiv, të paanshëm, të vërtetë dhe të saktë, ka luajtur një rol aktiv në rritjen e mirëkuptimit reciprok midis Kinës dhe vendeve të tjera”, tha një zëdhënës i ambasadës për Zërin e Amerikës përmes postës elektronike. “Liria e fjalës së qytetarëve kinezë, një e drejtë kushtetuese, është mbrojtur plotësisht”.

Vijat e kuqe

Analistja për Kinën në organizatën Human Rights Watch, Yaqiu Wang i përshkroi direktivat e publikuara nga China Digital Times si “një vështrim i brendshëm se si funksionon sistemi”.

Ky sistem ka dy fusha kryesore: autocensurën dhe censurën e zbatuar nga qeveria, sipas zonjës Wang.

Megjithatë, represioni tenton të funksionojë sipas rastit, tha ajo për Zërin e Amerikës, duke shtuar se, “Nuk ka rregulla të qarta”.

Kjo qasje e paqartë ka të ngjarë të jetë e qëllimshme, tha zonja Datt, e organizatës Freedom House.

“Linjat e kuqe politike mbahen gjithmonë qëllimisht të paqarta, sepse nëse nuk e dini kur e keni kaluar atë, me siguri do të jeni më në mëdyshje për të bërë ndonjë gjë që potencialisht mund ta kalojë atë”, tha zonja Datt.

Gazetarët që punuan në mediat shtetërore të Kinës kanë një pikëpamje të ngjashme, dhe thonë se shpesh personeli largohet nga çështjet që ata besojnë se mund të jenë të ndjeshme, për të shmangur probleme.

Dhe ndërsa kishin njëfarë lirie për të mbuluar lajme më pak të ndjeshme politikisht, në përgjithësi gazetarët thanë se kontrolli duket se është rritur vitet e fundit.

Tony Cheng, një gazetar kinezo-britanik, punoi për kanalin kinez CGTN nga viti 2011 deri në 2020. Kur iu bashkua për herë të parë këtij rrjeti, ish-korrespondenti i Al Jazeera-s në gjuhën angleze dhe i BBC-së, tha se kishte shumë liri.

Në selinë qendrore në Pekin të kanalit shtetëror CGTN / CCTV
Në selinë qendrore në Pekin të kanalit shtetëror CGTN / CCTV

“Unë udhëtova gjerësisht në Lindjen e Mesme, shkruajta artikuj të mrekullueshëm për të cilët isha shumë krenar”, tha zoti Cheng për shërbimin në gjuhën kineze mandarin të Zërit të Amerikës në fillim të këtij viti. “Por në katër vitet e fundit, ndjeva se kontrolli editorial po shtohej”.

Kur Kina filloi projektin e saj të madh infrastrukturor të njohur si politika Një Brez Një Rrugë, “befas artikujt për Azinë Juglindore u bënë shumë më të prirura për t’u konsideruar si çështje të ndjeshme”.

Zoti Cheng, i cili kohët e fundit punoi si gazetar i pavarur në kryeqytetin tajlandez, Bangkok, tha se kanali me qëllim ka lënë jashtë disa histori nga Azia Juglindore.

Çështjet e të drejtave të njeriut, përfshirë gjenocidin Rohingya në Mianmar, trazirat në Tajlandë, zhvillimin e faqes kineze të tregtisë elektronike Alibaba në Tajlandë dhe protestat në Hong Kong, ishin të gjitha jashtë kufijve të lejueshëm.

Zëri i Amerikës u dërgoi email-e dy personave që shërbejnë si kontakte për shtypin në kanalin mediatik kinez CGTN, duke u kërkuar të komentojnë, por nuk mori përgjigje.

Gazetari Michael Ottey thotë se ai kaloi dy vjet duke punuar si redaktor me banim në Kinë tek China Daily nga viti 2014, për të kuptuar më mirë se si funksionon media shtetërore.

Gjatë asaj kohe, ai punoi së bashku me një redaktor kinez, të cilin gazetari e përshkroi si një “ndërmjetës” ose dikë të cilit duhej t’ia lije në dorë nëse tema të caktuara ishin shumë të ndjeshme.

“Ju mund të kritikoni armikun gjatë gjithë ditës, por nuk mund të kritikoni miqtë tuaj”, i tha Zërit të Amerikës zoti Ottey, i cili tani është ndihmës redaktor në gazetën Los Angeles Times.

Sidoqoftë, listat e miqve dhe armiqve të Pekinit ndryshuan shpesh, kështu që China Daily tentoi ta çensuronte veten në varësi të rrethanave.

Kjo media shpesh e mbante vështrimin tek nivelet e larta të Partisë Komuniste për sinjale se çfarë, ose kë mundeshin dhe kë nuk mundeshin të kritikonin, në varësi të qëndrimit të qeverisë në atë kohë, tha zoti Ottey.

“Ishte pothuajse si të punosh për një firmë të marrëdhënieve me publikun”, tha zoti Ottey. “Nuk ishte vërtet gazetari e ndershme. Ishte më shumë e llojit ‘Le ta bëjmë qeverinë kineze të duket e mirë’.”

China Daily nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për koment.

Steven Lee Myers, shefi i zyrës së gazetës New York Times në Pekin, tha se autoritetet kineze “përcaktuan një version – dhe ky është varianti i realitetit për të cilin ata flasin”.

Gazetari vuri në dukje se si Pekini i referohet një “lufte kundër terrorit” në Xinjiang. Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera kanë akuzuar Kinën për abuzime masive të të drejtave të njeriut në rajon, ku ka arrestuar më shumë se një milion ujgurë.

Një nga objektet që mendohet se përdoren si objekte riedukimi për uigurët në rajonin kinez Xinjiang
Një nga objektet që mendohet se përdoren si objekte riedukimi për uigurët në rajonin kinez Xinjiang

“Është një ortodoksi e ngurtë, të cilën ja kërkojnë njerëzve ta pranojnë”, tha zoti Myers për Zërin e Amerikës.

Ai është ndër rreth 12 gazetarët amerikanë që u dëbuan nga Kina në vitin 2020 si pjesë e një përplasjeje me SHBA-në për vizat për punonjësit e mediave.

Kina ka lëshuar direktiva në lidhje me pretendimet për trajtimin e saj të ujgurëve, përfshirë në marsin e vitit 2020, kur mediave iu tha që të shmangnin raportimin mbi “organizimin e pozicioneve të punës në Xinjiang për ujgurët dhe anëtarët e tjerë të pakicave etnike”.

Urdhëri erdhi pasi një qendër studimore australiane pretendoi se rreth 80 mijë ujgurë po përdoreshin për punë të detyruar në fabrikat që furnizojnë kompanitë e huaja.

Përveç veprimit për të treguar fuqinë, direktivat dhe censura e rreptë e Kinës demonstrojnë shqetësimet e Pekinit, thotë zonja Datt nga organizata Freedom House.

“Këto direktiva të dala në publik janë vërtet të dobishme për të ilustruar se si shteti po kontrollon mediat dhe po kufizon çfarë raportohet”, tha zonja Datt. Por, ajo shtoi, “Kjo ilustron pasigurinë e Partisë Komuniste”.VOA

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 9 gusht 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 Foto: Ilustrim

9 gusht 1993

Bastisjet dhe arrestimet e policisë serbe në Kosovë s’kanë të ndalur

Ekspeditat ndëshkuese të policisë serbe, bastisjet dhe arrstimet e shqiptarëve në Kosovë kohët e fundit kanë marrë përmasa të gjëra dhe janë shtrirë në gjithë Kosovën.

Dje, rreth orës 5 të mëngjesit, një ekspeditë e policisë serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, bastisi familjen e Beqir H.Krasniqit nga Ostrozubi i Malishevës. Me të njëjtin pretekst e njëjta ekspeditë, bastisi edhe dyqanin e djalit të të tij Ymerit, me ç’rast u provokua Hamiti tetëmbëdhjetë vjeçar.

Ndërsa pardje rreth orës 13 në Prizren, policët serbë arrestuan myezinin e xhamisë “Çoroga”, Sylejman Sylejmanin (53). Shkaku i arrestimit të këtij predikuesi të fesë nuk dihet.

Parmbrëmë, në fshatin Hade të Obiliqit, një ekspeditë e policisë serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, gjatë tërë natës bëri lëvizje në këtë fshat, ndërsa pikërisht në orën 5 të mëngjesit, rrethoi dhe bastisi shtëpinë e Isa Mirenës dhe njëkohësisht bllokoi të gjitha hurje-daljet në këtë fshat.

Gjatë bastisjes, policët kërkuan djalin e Isa Mirenës, Fadilin.

Pas bastisjes dhe arrestimeve që bëri pardje policia serbe në familjen Pllana në fshatin Shtitaricë të Vushtrrisë, dje u liruan vëllezërit Besim, Rexhep, Hasim dhe Selim Pllana, si dhe Selmanin, djalin e Hasimit dhe Fatmirin, djalin e Rexhep Pllanës, ndërsa Ramadan Pllanën, anëtar i Kryesisë së LDK-së, Dega në Vushtrri dhe ish- i burgosur politik i ndërgjegjës vazhdojnë ta mbajnë në paraburgim dhe sipas deklaratës që dhanë vëllezërit e tij, Ramadani është dërguar në burgun e Mitrovicës.

Merret vesh se të se të liruarit që u mbajtën pardje në stacionin u policisë në Vushtrri nga ora 7.30 deri në orën 22, u rrahën fizikisht gjatë tërë kohës sa qëndruan aty. Si pretekst për rrahjen e këtyre personave, policia përdori akuzën se gjoja ata kanë ndërtuar një strehimore në të cilën kanë fshehur armët.

Gjatë kohës sa qëndruan të lidhur në stacionin e policisë në Vushtrri personat në fjalë, policët serbë në ballë ua vizatuan simbolet e ustashëve duke u thënë se “këto simbole u qëndrojnë më mirë” etj.

 

9 gusht 1994

Shtatë shqiptarë në Prishtinë u dënuan me 21 vjet burg

Pas tembëdhjetë ditësh (20 korrik), përkatësisht shtatë seancave, dje në gjyqin serb të qarkut të Prishtinës u shpall aktgjykimi kundër shtatë shqiptarëve të akuzuar se kinse kanë bërë ushtrime ushtarake në Shqipëri (strehimoren e Fushës së Labinotit). Trupi gjykues i të treve, që të githë të akuzuarit i shpalli fajtorë, i dënoi me gjithsej 21 vjet burg.

Pra, shtatë të akuzuarve iu shqiptuan dënimet, serike, dy të akuzuarve nga 4, tre të tjerëve nga 3 e dyve nga 2 vjet burg. Fehmi Lestrani e Nexhmedin Sadriu u dënuan me nga 4 vjet burg, Shkëlzen Bajrami, Luan Heta dhe Beqir Muleci me nga 3, ndërsa me nga 2 vjet burg u dënuan Hysni Franca e Bajram Gallapeni, njofton sot “Bujku”.

 

9 gusht 1995

Paralajmërohet vendosja në Kosovë e mijëra refugjatësh serbë nga Kroacia

Deri tash në Serbi janë vendosur më se 15 mijë refugjatë serbë nga Kraina, një numër i konsiderueshëm i të cilëve është vendosur te të afërmit dhe miqtë, i deklaroi shtypit serb Tomica Raiçeviq shef i shtabit të “qeverisë federale” për ndihmë refugjatëve.

Mediumet serbe njoftojnë se regjimi i Beogradit ka organizuar edhe dofarë shtabesh për vendosjen e refugjatëve serbë të Krainës edhe në Kosovë.

Sipas njoftimeve të shtypit serb tashmë janë caktuar objektet për strehimin e këtyre refugjatëve në Vushtrri e Mitrovicë.

Urosh Stojanoviq, kryetar i instaluar i këshillit ekzekutiv të komunës së Vushtrrisë i deklaroi gazetës “Politika” se një numër refugjatësh do të vendosen në ndërtesat shkollore, konkretisht në Qendrën e Shkollore dhe në fshatrat përreth.

Në të ashtuquajturin “qark të Mitrovicës” , sipas parashikimeve serbe do të vendosen 2000 refugjatë.

Në një emision të Radio Beogradit dje thuhej se në Kosovë mund të vendosen deri në 6 000 refugjatë.

TV Beogradi njoftoi sot në mëngjes se në Gjakovë do të vendosen 2.000 refugjatë serbë dhe se janë bërë përgatitjet për pranimin e shumë refugjatëve edhe në Prizren, Suharekë, Rahovec etj.

Në Prizren është paraparë që refugjatët serbë të vendosen në internatin e shkollave të mesme dhe në objektet e okupuara shkollore, nga të cilat janë dëbuar nxënësit shqiptarë.

Në këtë mënyrë Beogradi synon sendërtimin e planit për kolonizimin e Kosovës dhe ndryshimin e dhunshëm të strukturës etnike të Kosovës.

Në një konferencë me gazetarët Novak Kilibarda, lider i Partisë Popullore të Malit të Zi (parti kjo proserbe), deklaroi se popullsinë serbe të Krainës, e cila tash po “bredh nëpër rrugë e uritur dhe etur” duhet urgjentisht vendosur në Kosovë. Sipas tij, Jugosllavia e vetëshpallur duhet të krijojë ligje në bazë të të cilave kësaj popullsie do t’u jepej tokë dhe çdo gjë tjetër që nënkuptohet.

Ai tha se propozimi ka të bëjë me tokën, që në Kosovë ka me bollëk, e ndaj të cilës qytetarët nuk kanë tapia të ligjshme.

Kjo do të thotë se shqiptarëve duhet t’u mirret toka dhe t’u jipet refugjatëve serbë të Krainës.

 

 9 gusht 1997

Gjakovë: Një shqiptar u plaçkit dhe u rrah nga policia

Në Gjakovë, policia serbe dje ia konfiskoi 12 metra kub dru Bislim Ademit nga Miroci i Podujevës dhe e keqtrajtoi atë fizikisht.

  1. Ademi i tha QIK-ut se policët ia konfiskuan atij drutë pa shpjegim, e mbajtën tri orë në polici dhe e keqtrajtuan, edhe pse ai kishte dokumentacionin në rregull.

Pas keqtrajtimit, policët e detyruan atë që t’i dërgojë drutë në ndërmarrjen pyjore të administruar nga serbët dhe e detyruan t’i shkarkojë ato vetë.

 

 9 gusht 1998

Dy gra e dy burra u vranë dje në Deçan

Pjesëtarët e forcave serbe vranë dje katër shqiptarë në Deçan. Tre u vranë në banesën e Zymer Zymerajt në rrugën “Car Dushani” nr. 53/6 në Deçan, kurse një në banesën e afërt.

Janë vrarë Shaban Osaj, Ajne Zymer Zymeraj dhe Çaush Arif Bajraktari, kurse në banesën tjetër është vrarë bashkëshortja e Çaushit, e moshës 70-vjeçare, njoftoi Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Pejë.

Disa qindra shqiptarë kanë mbetur peng në Deçan nga eskalimi i agresionit serb kundër qytetit dhe fshatrave në muajin qershor.

 

Shtatë të vrarë janë dërguar dje në morgun e Gjakovës

Në morgun e spitalit të Gjakovës janë dërguar dje trupat e pajetë të katër të vrarëve nga Deçani, dy të vrarëve nga fshati Vraniq i Gjakovës dhe të një të vrari nga Meqa, njoftoi mbrëmë vonë Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Besohet se katër trupat e të vrarëve nga Deçani janë trupat e të vrarëve në banesën e Zymer Zymerajt.

Ndërkohë, trupat e katër të vrarëve nga Deçani, nga morgu u spitalit të Gjakovës janë dërguar në morgun e spitalit në Pejë.

Mbrëmë është varrosur me urdhër të policisë Nekë Pajaziti nga fshati Dobrish. Ai ishte vrarë para disa ditësh. Trupi i tij disa ditë kishte mbetur në rrugë.

 

Tre shqiptarë të vrarë gjatë sulmeve serbe kundër fshatrave rreth Zllakuçanit

Forcat serbe kanë sulmuar edhe tri fshatrat që gjendën në afërsi të Zllakuçanit të Klinës. Popullata shqiptare është larguar nga ky fshat për shkak të granatimeve.

Në fshatin Kërnicë janë djegur të gjitha shtëpitë.

Mirret vesh se nga operacionet e fundit të forcave serbe janë vrarë tre shqiptarë: Daut Bojaj (55), Musë Bojaj (56) dhe Ramë Sharka (65), njoftoi KI i Degës së LDK-së në Klinë.

 

Continue Reading

Vendi

Dy aksidente me fatalitet dhe me dhjetëra të lënduar në rrugët e Kosovës brenda 24 orëve

Published

on

By

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar dy aksidente trafiku me pasojë fataliteti, si dhe 32 aksidente të tjera ku kanë mbetur të lënduar disa persona.

Sipas statistikave zyrtare të publikuara nga Policia e Kosovës, përgjatë kësaj periudhe kohore janë shënuar edhe 69 aksidente trafiku që kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Në kuadër të zbatimit të rregullave të komunikacionit dhe rritjes së sigurisë rrugore, zyrtarët policorë kanë shqiptuar gjithsej 1 mijë e 985 tiketa trafiku për shkelësit e ligjit.

Po ashtu, në raportin 24-orësh të Policisë bëhet e ditur se janë arrestuar 16 persona për vepra të ndryshme penale, nga të cilët 11 prej tyre janë dërguar në mbajtje. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Sabedini: Procesi në Hagë ka humbur besueshmërinë, pres vendim lirues për të akuzuarit

Published

on

By

Profesori universitar, Musa Sabedini, në një intervistë për Ekonomia Online ka analizuar procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke shprehur kritika të ashpra ndaj mënyrës së zhvillimit të tij.

Duke iu referuar përvojës së tij shumëvjeçare në përcjelljen e proceseve gjyqësore gjatë administrimit të UNMIK-ut, Sabedini vlerëson se ky proces është shoqëruar me mungesë transparence, zvarritje dhe probleme serioze procedurale.

Sipas tij, vlerësimi përfundimtar i gjykatës duhet të mbështetet vetëm në prova të verifikuara dhe dëshmi të besueshme, ndërsa shpreh bindjen se të akuzuarit duhet të shpallen të lirë. Ai gjithashtu argumenton se një vendim i tillë, sipas këndvështrimit të tij, do të kishte ndikim të rëndësishëm në zhvillimet politike dhe institucionale në Kosovë.

EkonomiaOnline: Zoti Sabedini, si e vlerësoni procesin gjyqësor në Hagë dhe cilat janë vërejtjet tuaja, duke pasur parasysh se keni përcjellë qindra procese gjyqësore gjatë administrimit të UNMIK-ut?

Musa Sabedini: Nga këndvështrimi im, Gjykata Speciale në Hagë ka zhgënjyer pritjet e shumë qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë besuar se ky institucion do të ishte sinonim i drejtësisë, profesionalizmit, korrektësisë dhe transparencës. Përkundrazi, ky proces është shoqëruar me dilema dhe dyshime të shumta, duke lënë përshtypjen e një procedure të rënduar nga mangësi serioze.

Sipas bindjes sime, gjatë zhvillimit të këtij procesi janë paraqitur materiale dhe dëshmi që në shumë raste kanë ngritur pikëpyetje për besueshmërinë e tyre. Unë besoj se një pjesë e tyre kanë ardhur nga struktura të lidhura me Serbinë dhe rrjete të tjera që, sipas vlerësimit tim, kanë qenë të interesuara ta rëndojnë pozitën e të akuzuarve.

Një tjetër shqetësim është mungesa e transparencës. Për dikë që ka ndjekur nga afër procese të shumta gjyqësore në kohën e UNMIK-ut, ngjashmëritë në mënyrën e zhvillimit të disa seancave janë të dukshme. Kam trajtuar këto çështje edhe në librin tim “Vrasja e Drejtësisë në Kosovë”, ku kam argumentuar se në disa procese të administruara nga UNMIK-u ka pasur paragjykime ndaj shqiptarëve dhe vendimmarrje që, sipas vlerësimit tim, nuk kanë reflektuar standardet më të larta të drejtësisë.

EkonomiaOnline: Profesor Sabedini, a besoni se Gjykata Speciale do të marrë një vendim të drejtë në këtë proces?

Sabedini: Unë shpresoj që trupi gjykues do t’i japë peshën e duhur dëshmive të figurave kredibile, përfshirë personalitete politike dhe ushtarake të NATO-s dhe përfaqësues të institucioneve amerikane, të cilët kanë dëshmuar gjatë këtij procesi.

Bazuar në mënyrën se si unë e kam përcjellë procesin, besoj se akuzat ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve nuk janë arritur të provohen në nivelin që kërkon standardi penal. Për këtë arsye pres që vendimi përfundimtar të jetë lirues dhe që të akuzuarit të kthehen pranë familjeve të tyre.

Sipas mendimit tim, një vendim i kundërt do të kishte pasoja të rëndësishme politike dhe morale për Kosovën. Gjithashtu, do t’i jepte Serbisë mundësi që ta përdorte këtë proces si argument në narrativën e saj ndërkombëtare kundër Kosovës.

EkonomiaOnline: Nga këndvështrimi juaj, sa mund të ndikojnë dëshmitarët e Prokurorisë në vendimin përfundimtar?

Sabedini: Është e natyrshme që Prokuroria të përpiqet të mbështesë dhe të argumentojë akuzën. Ky është roli i saj në çdo proces penal. Megjithatë, sipas vlerësimit tim, gjatë gjithë zhvillimit të gjykimit ajo nuk ka arritur të bindë trupin gjykues, përtej dyshimit të arsyeshëm, se të akuzuarit mbajnë përgjegjësi për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Në drejtësi nuk duhet të ketë vend për hamendësime apo deklarime që nuk mbështeten në prova të verifikueshme. Çdo pretendim duhet të jetë në përputhje me faktet, kohën, vendin dhe rrethanat konkrete të ngjarjeve.

Pikërisht për këtë arsye, mendoj se përgjegjësia kryesore tani i takon trupit gjykues, i cili duhet të marrë një vendim të bazuar në prova dhe në standardet ndërkombëtare të drejtësisë. Sipas bindjes sime, një vendim lirues do të ishte epilogu që përputhet me provat e paraqitura gjatë procesit.

Continue Reading

Vendi

Kurti: Konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për presidentin na çon pashmangshëm në zgjedhje të reja

Published

on

By

Lajm në zhvillim:

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar pas seancës konstituive se ndonëse subjekti i tij i ka votat e nevojshme për ta votuar kryetarin e ri të Kuvendit, një hap i tillë pa një dakordësi më të gjerë politike do ta dërgonte vendin sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas Kurtit, garantimi i zgjedhjes së presidentit është kusht kyç për të shmangur krizën e re elektorale.

“Ndonëse i kemi votat për të votuar një kryeparlamentar të ri, çfarëdo konstituimi i organit ligjvënës, pa një marrëveshje që garanton edhe zgjedhjen e presidentit, pashmangshëm na shpie në zgjedhje të reja,” u shpreh ai.

Kreu i LVV-së ritheksoi nevojën për dialog të drejtpërdrejtë me krerët e partive të tjera parlamentare për të arritur një paketë të plotë marrëveshjeje për të gjitha institucionet kryesore të vendit.
“Andaj insistimi ynë i drejtë është që të ulemi, të bisedojmë, të merremi dhe vetëm nga lartësia e një marrëveshjeje politike dhe nga gjerësia e një marrëveshje mes meje dhe liderët e partive të tjera parlamentare, të konstituojmë Kuvendin, Qeverinë dhe ta zgjedhim presidentin,” deklaroi Kurti.

Në përmbyllje, Kurti u bëri sërish thirrje udhëheqësve politikë që të ulen në tryezën e bisedimeve, duke nëvizuar se nuk dëshiron që procesi i votimit të presidentit të mbështetet vetëm te deputetët e LVV-së dhe ata të komuniteteve joserbe.

Pas përplasjeve në Kuvend: Opozita fajëson Lëvizjen Vetëvendosje për krizë, LVV-ja i përgjigjet me akuza për sulme

Zhvillimet e sotme dhe ndërprerja e seancës në Kuvendin e Kosovës kanë nxitur një seri reagimesh të ashpra mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës. Derisa Lëvizja Vetëvendosje akuzon opozitën për sulme ndaj kryeministrit, përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së e shohin Lëvizjen Vetëvendosje si përgjegjësen kryesore për bllokadën dhe përshkallëzimin e situatës.

Basha: Kurti i fton për diskutim, këta sulmojnë e ofendojnë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ka kritikuar ashpër sjelljen e opozitës përballë ftesave të kryeministrit Albin Kurti për dialog.
“Albin Kurti i fton partitë për diskutime që të arrihet një marrëveshje, ndërkaq këta sulmojnë e ofendojnë. Edhe kush? Këta që Radojçiqin e pritshin në kryeministri e Listën Serbe e mbanin në Qeveri,” deklaroi Basha.

Basha i është referuar një takimi të mëparshëm në Qeveri mes kryeministrit të atëhershëm nga radhët e AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq — i cili sot kërkohet nga organet e drejtësisë në Kosovë për sulmin e armatosur në Banjskë në vitin 2023 dhe për krime lufte në Gjakovë.

Jehona Lushaku-Sadriu: Pamje e keqe e Kuvendit, LVV po tregon papërgjegjësi

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, e ka cilësuar ngjarjen e sotme si një imazh mjaft të dëmshëm për institucionin më të lartë ligjvënës në vend.

“Pamje e keqe e Kuvendit. Deputetët duhet ta konstituojnë Kuvendin,” u shpreh Lushaku-Sadriu pas përfundimit të seancës.

Ajo ka hedhur fajin drejtpërdrejt mbi Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar atë për papërgjegjësi totale në përmbushjen e detyrës së saj kushtetuese për mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit.

Arian Tahiri: LVV po refuzon propozimin e kryetarit për të prodhuar krizë politike

Nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, deklaroi se dita e sotme përbën një moment regresiv për vendin, duke theksuar se që nga mbrëmja e djeshme është cenuar rëndë rendi kushtetues.

LVV ka vota për ta zgjedhur kryetarin. Ata refuzojnë të propozojnë emër dhe provojnë që të prodhojnë krizë politike,” tha Tahiri gjatë deklaratës së tij për mediat.

Sipas Tahirit, refuzimi i shumicës për të proceduar me propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit është një përpjekje e qëllimshme për të thelluar ngërçin politik në vend.

Deputetja e AAK-së gjuan me vezë drejt Kurtit, përplasje fizike mes deputetëve

Menjëherë pas përfundimit të fjalës së Kryeministrit Albin Kurti, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, është afruar drejt foltores dhe ka gjuajtur me vezë në drejtim të tij. Ky veprim ka nxitur reagimin e menjëhershëm të deputetëve nga grupe të ndryshme politike, të cilët janë ngritur në këmbë dhe kanë filluar shtyrjet fizike mes vete. Për shkak të përshkallëzimit të tensioneve dhe pamundësisë për të vazhduar punimet, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka vendosur të ndërpresë seancën.

 

Tensione dhe ndërprerje në Kuvend: Kurti kërkon kohë shtesë për marrëveshje, dështon sërish konstituimi

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë sërish mes tensioneve të ashpra në sallën plenare. Dështimi i dytë radhazi për të konstituar legjislaturën e re erdhi pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk prezantoi asnjë emër për pozitën e kryetarit të Kuvendit, duke kërkuar kohë shtesë për konsultime politike.

Në fjalën e tij para deputetëve, Kurti deklaroi se kërkon mirëkuptim për të shmangur zgjedhjet e parakohshme.

“Nuk duhet të shkojmë sërish drejt shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të reja. Prandaj, që t’i evitojmë zgjedhjet e reja, ju lus për kohë shtesë për bisedime politike,” u shpreh Kurti nga foltorja.

Deklarata e Kurtit dhe vendimi i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për të ndërprerë punimet menjëherë pas kësaj kërkese, nxitën reagime të menjëhershme dhe përplasje fizike e verbale mes deputetëve të opozitës dhe pushtetit.

Opozita akuzoi kryesuesin për abuzim me detyrën dhe bllokim të qëllimshëm të procesit.

Kryesuesi Avni Dehari njoftoi se vazhdimi i seancës do të caktohet në një moment të dytë, ndërsa mbetet e paqartë se si do të kapërcehet bllokada pa një dakordësi mes subjekteve politike. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara