Botë

Kina vendos tarifa 84% për mallrat amerikane, paraqet ankesë të re në OBT

Published

on

Kina ka njoftuar se do të vendosë tarifa prej 84 për qind për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara, duke rritur më tej tarifën e shpallur më parë prej 34 për qind, si dhe ka paraqitur një ankesë të re në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).

Është vendosur në përgjigje të një mase të mëparshme të administratës së presidentit amerikan Donald Trump, e cila vendosi tarifa prej 125 për qind për mallrat kineze, raporton BBC.

Përveç tarifave, Kina ka vendosur kufizime shtesë për më shumë se një duzinë firmash amerikane, duke përfshirë ndalimin e hyrjes për drejtuesit e tyre, si dhe kufizime për investimet në tregun kinez.

Ndërkohë, Pekini paraqiti një ankesë të re në OBT, duke akuzuar administratën amerikane për “agresion të njëanshëm”.

Rritja prej 50 për qind e tarifave është një gabim pas një gabimi, gjë që konfirmon më tej natyrën e njëanshme dhe të dhunshme të masave të SHBA-së”, njoftoi Ministria Kineze e Tregtisë.

Zëdhënësi i asaj ministrie shtoi se Kina “do të mbrojë me vendosmëri të drejtat dhe interesat e saj legjitime në përputhje me rregullat e OBT-së dhe do të mbrojë me vendosmëri sistemin tregtar shumëpalësh dhe rendin ekonomik ndërkombëtar”.

Të mërkurën, Trump njoftoi një ngrirje të plotë të të gjitha tarifave “reciproke”, në fuqi në mesnatë, me përjashtim të Kinës.

Lajmet

Spanja dhe Franca përballen me valë ekstreme të nxehti, mbi 300 mijë persona evakuohen nga zjarret

Published

on

Spanja dhe Franca po përballen me një valë të re të të nxehtit, ndërsa temperaturat në disa rajone pritet të kalojnë mbi 40 gradë Celsius.

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i Spanjës ka paralajmëruar se kushtet ekstreme të motit do të vazhdojnë të paktën deri të dielën, duke rritur rrezikun për zjarre masive. Paralajmërimi vjen në kohën kur zjarrfikësit po luftojnë me disa nga zjarret më të mëdha të regjistruara në vend.

Edhe Franca është përfshirë nga temperaturat e larta, ku rajonet jugperëndimore Gironde dhe Landes janë vendosur në nivel alarmi për shkak të valës së nxehtit. Temperaturat e larta po vështirësojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve, të cilat autoritetet i kanë cilësuar si shumë të paparashikueshme.

Kryetari i Bashkisë së Bordosë, Thomas Cazenave, ka deklaruar se qyteti po përgatitet për çdo skenar, pasi një nga vatrat e zjarrit ndodhet vetëm 15 kilometra larg tij.

Sipas autoriteteve, rreth 220 mijë persona janë evakuuar në Francë, ndërsa në Spanjë mbi 100 mijë banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të zjarreve.

Presidenti francez Emmanuel Macron e ka përshkruar situatën në zonat e prekura si një zjarr “plotësisht të paprecedentë”, duke e cilësuar si një nga sfidat më të mëdha me zjarret që nga Lufta e Dytë Botërore.

Operacionet për shuarjen e flakëve vazhdojnë, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut të përhapjes së mëtejshme të zjarreve./BBC//A.K/

Continue Reading

Lajmet

Britania i premton mbështetje të palëkundur Ukrainës, Zelensky viziton për herë të parë kryeministrin e ri

Published

on

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, ka deklaruar se Britania do të jetë “me Ukrainën 100%”, gjatë takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili u bë vizitori i parë ndërkombëtar në Downing Street pas hyrjes së tij në detyrë.

Burnham tha se vizita e Zelenskyt kishte për qëllim të dërgonte një mesazh të qartë për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Ukrainës.

“Volodymyr, dua që ju të dini se ne ju mbështesim. Mund të mbështeteni tek unë dhe tek ne. Mund të mbështeteni te Mbretëria e Bashkuar për aq kohë sa të duhet”, tha Burnham gjatë një takimi në bazën detare në Portsmouth.

Ndërkohë, Zelensky e cilësoi marrëdhënien mes Ukrainës dhe Britanisë si “më të fortë se kurrë”.

Gjatë takimit, Burnham njoftoi edhe ndarjen e teknologjisë së sistemit të ri britanik të luftës elektronike “Stone Cloak”, i cili do t’i mundësojë Ukrainës prodhimin e pajisjeve në shkallë të gjerë për mbrojtje ndaj dronëve.

Sipas autoriteteve britanike, kjo teknologji do të ndihmojë në goditjen e objektivave dhe në shpëtimin e jetëve të ukrainasve.

Dy liderët u takuan gjithashtu me mbi 200 ushtarë ukrainas që kanë marrë pjesë në një stërvitje detare në Mbretërinë e Bashkuar, pjesë e programit “Sea Breeze”, që synon forcimin e aftësive luftarake dhe masave kundër minave në Detin e Zi.

Burnham theksoi se Britania do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën për arritjen e një armëpushimi të plotë dhe rifillimin e negociatave, duke insistuar se Ukraina duhet të jetë pjesë e çdo procesi paqësor.

Mbretëria e Bashkuar ka angazhuar rreth 25 miliardë paund për mbështetjen e përpjekjeve të Ukrainës që nga nisja e luftës me Rusinë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tragjedi në Turqi, vetura bie në përrua – pesë të vdekur

Published

on

Pesë persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të lënduar pasi një automjet me shtatë pasagjerë doli nga rruga dhe ra në një përrua në zonën Manavgat të Antalyas, në jugperëndim të Turqisë.

Aksidenti ndodhi në lagjen Beidigin, në aksin rrugor Tasayil–Derebutzhak.

Pas njoftimit nga dëshmitarët, në vendngjarje mbërritën ambulancat, zjarrfikësit, ekipet e Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) si dhe forcat e xhandarmërisë.

Ekipet e shpëtimit zbritën në përrua dhe konstatuan se pesë prej pasagjerëve kishin humbur jetën në vendngjarje.

Dy personat e lënduar u nxorën nga automjeti dhe u transportuan me helikopter drejt spitalit.

Guvernatori i Antalyas, Hulusi Sahin, bëri të ditur se njëra prej të lënduarve ishte shtatzënë, ndërsa konfirmoi se në automjet udhëtonin gjithsej shtatë persona.

Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sekuestrohen 2.6 tonë kokainë në Portugali, arrestohet edhe një shqiptar

Published

on

Autoritetet policore sekuestruan më shumë se 2.6 tonë kokainë – me një vlerë prej rreth 500 milionë eurosh në tregun e shitjes me pakicë – në brigjet e Portugalisë në Atlantik, njoftoi të hënën Policia italiane e Kufirit dhe Doganave.

Droga u gjet në bordin e një gomoneje të shpejtë për lundrim në det të hapur – një mjet që kontrabandistët e përdorin zakonisht për të marrë ngarkesat e paligjshme të hedhura në det nga anije të mëdha që vijnë nga Amerika e Jugut – thuhet në njoftimin e Policisë Financiare italiane.

Katër persona që ndodheshin në mjet u arrestuan: dy shtetas spanjollë, një banor i Gjibraltarit dhe një shtetas shqiptar me vendbanim në Itali.

Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet spanjolle dhe portugeze, ndërsa hetimet u koordinuan nga prokurorët italianë në qytetin verior të Breshias.

Sipas autoriteteve italiane, vlera e kokainës në tregun me shumicë vlerësohet në rreth 78 milionë euro.

Pasi të përzihej me substanca të tjera dhe të shitej në tregun me pakicë, ajo mund të gjeneronte të ardhura prej rreth 500 milionë eurosh.

Shtetas shqiptarë janë përfshirë vazhdimisht në hetime ndërkombëtare për trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.

Autoritetet në Itali, Belgjikë, Holandë dhe Spanjë kanë identifikuar gjatë viteve të fundit grupe kriminale shqiptare si pjesë të rrjeteve që organizojnë transportin, magazinimin dhe shpërndarjen e drogës, shpesh në bashkëpunim me organizata kriminale nga vende të tjera.

Sipas agjencive evropiane të zbatimit të ligjit, këto rrjete kanë zgjeruar aktivitetin e tyre veçanërisht në tregtinë e kokainës, duke shfrytëzuar rrugët detare që lidhin Amerikën e Jugut me Evropën.

Burimi: Radio “Evropa e Lirë”

Continue Reading

Të kërkuara