Aktualitet

Kina rrit ndikimin në Ballkan përmes universiteteve në Serbi

Published

on

Me projektin për universitetin kinez në Hungari, që po nxit polemika për shkak të mungesës së transparencës dhe shqetësimeve për liri akademike, ndikimi i Pekinit në arsimin e lartë në Serbi po vazhdon të rritet.

Një marrëveshje strategjike e nënshkruar në prill ndërmjet Hungarisë dhe universitetit prestigjioz të Shangait, Universitetit Fudan, u bë lajm ndërkombëtar dhe nxiti pakënaqësi në Hungari.

Vendimi për të ndërtuar më 2024 kampusin në Budapest, duke përdorur 1.5 miliard hua nga një bankë kineze, vuri në qendër të vëmendjes marrëdhëniet e ngushta të kryeministrit hungarez, Viktor Orban me Kinën dhe rriti shqetësimin lidhur me ndikimin afatgjatë që mund të ketë një projekt i tillë në sistemint e lartë të arsimit.

Por, në Serbi – ku Kina ka marrëdhënie të ngushta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe në dy dekadat e fundit këto dy shtete kanë thelluar marrëdhëniet – bashkëpunimi në rritje me shkollat dhe universitetet kineze po vazhdon i papenguar.

Aktualisht tri universitete serbe – Universiteti i Beogradit, Universiteti i Novi Sadit dhe Universiteti i Nishit – kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Jiao Tong të Shangait, duke i hapur rrugën thellimit të lidhjeve arsimore dhe kulturore ndërmjet Serbisë dhe Kinës.

Marrëveshjet, që ishin nënshkruar më 2018, përfshijnë edhe klauzola në mënyrë që bashkëpunimi të rritet me kalimin e kohës. Aty përfshihet edhe shkëmbimi i studentëve dhe stafit, si dhe bursa e po ashtu edhe mbështetje financiare për orët për mësimin e gjuhës kineze.

Përveç marrëveshjeve me universitetet publike, Serbia gjithashtu është nikoqire e instituteve Konfuci në Beogradi dhe Novi Sad. Këto entitete, që udhëhiqen nga shteti, e që ofrojnë programe të gjuhës dhe kulturës jashtë vendit, janë akuzuar nga kritikët se përdoren nga Pekini për të shpërndarë propagandë, duke u fshehur pas mësimdhënies dhe për të ndërhyrë në fjalën e lirë nëpër kampuset universitare.

Vuçiqi ka çimentuar marrëdhëniet me Pekinin, duke bashkëpunuar në fushën e infrastrukturës, turizmit dhe në projekte teknologjike që kanë sjellë më shumë se 10 miliardë dollarë investime të huaja direkte në Serbi që nga viti 2005.

Por, fokusi në bashkëpunimin në arsim dhe kulturë paraqet një fazë të re të përfshirjes kineze në Ballkan, Evropë dhe më gjerë.

“Ky është një shembull tipik i përdorimit të fuqisë së butë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Stefan Vladisavljev, analist në Fondin për ekselencë politike të Beogradit. “Teksa Kina po është ende duke ndjekur vendet si Rusia (në Ballkan), kjo gjë mund të sjellë më shumë njerëz më afër Pekinit. Ideja është që ta bëjmë Kinën më të arritshme dhe më të njohur, dhe të lë gjurmë edhe në shoqëri”, tha ai.

Serbia bën pjesë në nismën e Kinës “Brezi dhe Rruga” dhe po ashtu mbështet formatin 17+1 të Kinës, një forum i udhëhequr nga Pekini më 2012, që ka për qëllim ta angazhojë Kinën me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Por, marrëdhëniet e ngushta të Kinës me Beogradin, sipas analistëve, e lejojnë Serbinë që të veprojë si një qendër politike dhe ekonomike për zgjerimin e Pekinit përgjatë Ballkanit Perëndimor dhe të shërbejë si një shembull për meritat e iniciativave kineze, që prej bashkëpunimit në vëzhgim e deri tek ai për luftën kundër pandemisë së koronavirusit.

“Serbia është shembull i bashkëpunimit në rajon dhe një prej shteteve që Pekini e merr shembull kur dëshiron të tregojë se si duken raportet e suksesshme”, thotë Vladisavljev.

Thellimi i bashkëpunimit

Tena Preleci, hulumtuese në Universitetin e Oksfordit, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se rritja e ndikimit të Pekinit në arsimin e lartë në Serbi duhet të shihet në një kontekst më të gjerë të investimeve që Kina bën në universitete në mbarë botën. Këto investime janë një përpjekje e gjerë e Kinës për të promovuar kulturën, gjuhën e saj dhe raportet ndërkombëtare.

“Dëshira e Kinës është që ta formësojnë mënyrën se si prezantohet në nivel botëror, dhe mendoj se ishte çështje kohe që (Kina) të kishte prezencë më të fuqishme në sferën akademike në Serbi”, tha Prelec.

Por, Serbia përfaqëson gjithashtu një hapësirë relativisht të sigurt për t’u zgjeruar në arsimin e lartë, në shtetin ku Kina gëzon popullaritetin në mesin e popullatës, ka mbështetje nga qeveria dhe iniciativat, të tilla si Instituti Konfuci nuk përballen me nivelin e njëjtë të kritikave, siç po përballen aktualisht në mbarë Bashkimin Evropian, ku disa prej degëve të këtij instituti së fundmi janë mbyllur.

Përderisa programe të tilla ofrojnë mundësi të reja për studentët dhe pedagogët, profesoresha në Universitetin e Beogradit, Dragana Mitroviq thotë se këto përpjekje për diplomaci kulturore janë pjesë e një përpjekjeje më të madhe të Pekinit, që kanë për qëllim përhapjen e një “narrative kineze” në çështjet globale.

“Forcimi i ndikimit kulturor kinez është pjesë integrale e këtij bashkëpunimi (me Serbinë) dhe një qëllim për Qeverinë kineze”, tha Mitroviq për REL-in.

Bashkëpunimi nuk është i kufizuar vetëm ndërmjet universiteteve. Kompanitë kineze po ashtu kanë filluar që të përfshihen në projekte në edukimin e lartë në Serbi.

Kragujevci, një qytet në Serbinë qendrore, në shkurt të vitit 2020 nënshkroi një marrëveshje që universiteti i tij lokal të bashkëpunojë me kompaninë kineze, Dahua Technology. Kjo kompani fokusohet në teknologjinë e video-mbikëqyrjes.

Kompania kineze Linglong, që po ndërton një fabrikë gomash në Zrenjanin, në vlerë pothuajse një miliard dollarë dhe njëherësh është edhe sponsori kryesor i ligës së parë të futbollit në Serbi, në mars të vitit 2020 krijoi një program bursash për studentët serbë.

Një fazë e re

“Kinezët janë duke e diversifikuar qasjen e tyre ndaj edukimit dhe bashkëpunimit akademik, në kuptimin se ata tani po shkojnë përtej institucioneve shtetërore”, tha për Radion Evropa e Lirë, Vladimir Shopov, anëtar në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.

Ky lloj i bashkëpunimit, që Shopov thotë është i dizajnuar për të zhvilluar raporte dhe për të shtrirë ndikimin në shoqëri, politikë dhe ekonomi, tashmë po kalon përtej fushëveprimit tradicional me universitetet dhe përmes instituteve Konfuci.

Në vend të kësaj, theksi po vendoset në bashkëpunimin me autoritetet lokale, kompanitë private dhe organizata të ndryshme kineze.

Qendra kulturore kineze në Beograd, që do të fokusohet në arte, letërsi dhe në fusha të tjera kulturore, është planifikuar që të hapet më 2021. Kjo qendër do të krijohet bazuar edhe në qendra të tilla që Kina ka hapur në Bullgari, Greqi dhe Rumani. Qendra kulturore po ndërtohet në një vend simbolik, në Ambasadën kineze, që NATO-ja e bombardoi më 1999 dhe kjo qendër do të jetë si një dritare për artin, literaturën dhe gjuhën kineze.

“Kjo lloj e përfshirjes është hapi tjetër logjik për prezencën e Pekinit në rajon”, tha Shopov. “Kina shikon se si lëvizjet e saj interpretohen në mbarë botën dhe është e qartë për ta se ata duhet të jenë më aktiv, në mënyrë që ta përhapin narrativin e tyre”.

Në Serbi, prezenca e Kinës është përballur me pak rezistencë, por së fundmi punëtorët dhe ambientalistët në mbarë vendin kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me ndotjen e ajrit, që po shkaktohet nga projektet që po zhvillohen nga kompanitë kineze.

Protesta për degradimin e mjedisit në Beograd më 10 prill, ku protestuan mijëra persona, shtyn qeverinë që të urdhërojë minierën e bakrit Zijin në Bor, që udhëhiqet nga kinezët, që të ndalojë punën, pasi kjo minierë dështoi që të respektonte standardet mjedisore.

Autoritetet po ashtu kanë urdhëruar fabrikën e riciklimit, në pronësi të kinezëve, që të ndalojë prodhimin për shkak të dëmeve që i ka shkaktuar mjedisit.

Por, bashkëpunimi i Kinës me Serbinë në fushën e arsimit dhe kulturës pritet të vazhdojë.

“Ne jemi në fillim të këtij bashkëpunimi dhe është diçka që ende është duke filluar që të zhvillohet”, thotë Vladisavjev. “Ne tani jemi dëshmitarë të fillimit të këtij bashkëpunimi”.

Lajmet

Profesoreshat e UBT-së, Blertë Zylfiu-Latifi dhe Miranda Sejdiu-Abazi, publikojnë studim të ri shkencor në bashkëpunim ndërkombëtar

Published

on

By

Në kuadër të avancimit të kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, profesoreshat e Fakultetit të Stomatologjisë në UBT, Dr. Blertë Zylfiu-Latifi si autore e parë dhe Dr. Miranda Sejdiu-Abazi si autore korrespondente, kanë publikuar një studim të ri hulumtues në fushën e ortodoncisë. Ky punim shkencor është realizuar në partneritet me studiues nga Departamenti i Ortodoncisë dhe Antropologjisë Dentare i Universitetit të Zagrebit, si dhe me profesionistë të stomatologjisë nga Gjermania.

Punimi me titull “Tooth Crown Dimensions among Angle Occlusion Classes in Kosovar Adolescents” është publikuar si artikull origjinal në revistën ndërkombëtare Acta Stomatologica Croatica (Vol. 60, Nr. 3, 2026, fq. 289–301). Ky organ shkencor është i indeksuar në platformat më prestigjioze globale si Scopus, PubMed dhe Web of Science Core Collection (ESCI), duke mbajtur Faktor Ndikimi (Impact Factor) 1.8 në JCR dhe 1.9 në SJR. Autorët e këtij studimi janë Blertë Zylfiu-Latifi, Senka Meštrović, Jelena Dumančić, Miranda Sejdiu-Abazi dhe Fatbardha Mustafa.

Hulumtimi është shtrirë në shtatë qytete kryesore të Kosovës – Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan – ku janë përfshirë 400 adoleshentë të moshës 13 deri në 19 vjeç. Pjesëmarrësit janë kategorizuar sipas klasave I, II dhe III të okluzionit sipas Angle, me qëllim që të analizohet lidhja mes këtyre klasave dhe dimensioneve të kurorave të dhëmbëve permanentë.

Përmes një analize multidimensionale të dimensioneve meziodistale, bukolinguale, cervikoincizale dhe diagonale, studimi nxori në pah se ekzistojnë dallime të dukshme ndërmjet klasave të okluzionit, sidomos në dimensionet meziodistale dhe cervikoincizale. Në anën tjetër, dimensionet bukolinguale shfaqën një shkallë më të ulët të variacionit.

Kontributi kryesor i këtij hulumtimi qëndron në përcaktimin e vlerave të para referente specifike për popullatën e adoleshentëve kosovarë. Këto të dhëna do të shërbejnë si një bazë e rëndësishme për përmirësimin e saktësisë në diagnostikimin ortodontik, analizën e hapësirës dhe planifikimin e trajtimeve klinike në Kosovë. Ky publikim dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të UBT-së për zhvillimin e kërkimit shkencor me standarde të larta ndërkombëtare.

Punimi është publikuar me Open Access dhe mban DOI-në 10.15644/asc60/3/3.

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Vendimi i Kushtetueses: Zgjedhja e Qeverisë është kushtetuese, Presidenti duhet të zgjidhet deri më 6 tetor

Published

on

By

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur aktgjykimin lidhur me kërkesat e, të parashtruara nga deputeti Arian Tahiri dhe deputetë të tjerë të Kuvendit, duke konfirmuar kushtetutshmërinë e zgjedhjes së Qeverisë së re, ndërsa ka përcaktuar afate strikte për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Në vendimin e marrë me vota unanime më 23 shtator 2026, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se zgjedhja e ekzekutivit është kryer në përputhje me aktin më të lartë juridik të vendit.

“Vendimi [Nr. 11-V-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në aktgjykimit.

Pavarësisht legjitimimit të Qeverisë, Gjykata vërejti se Kuvendi është konstituuar pas kalimit të afatit të paraparë 30-ditor (Neni 66, paragrafi 1), gjë që automatikisht ka vënë në lëvizje afatet kushtetuese për postin vakant të Presidentit.

Lidhur me këtë proces sovran, Kushtetuesja ka caktuar një datë të prerë për përmbylljen e tij:

“Afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026”, nënvizon Gjykata në pikën VI.

Gjithashtu, aktgjykimi i obligon deputetët e Kuvendit të Kosovës që sa më parë të zgjedhin Nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në përputhje me nenin 67 të Kushtetutës. Kërkesa e parashtruesve për caktimin e masës së përkohshme është refuzuar, ndërsa vendimi hyn në fuqi menjëherë në ditën e publikimit zyrtar. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Donjeta Sadiku siguron medalje evropiane në boks

Published

on

By

Boksierja e Kosovës, Donjeta Sadiku, ka arritur një tjetër sukses të madh ndërkombëtar duke siguruar medalje në Kampionatin Evropian të Boksit.

Në ndeshjen çerekfinale të kategorisë deri në 60 kilogramë, Sadiku dominoi tërësisht përballjen ndaj boksieres nga Holanda, Maud van der Toorn, duke e mposhtur me rezultatin e pastër 5:0 me vendim të njëpërfshishëm të gjyqtarëve.

Me këtë fitore, boksierja kosovare ka siguruar të paktën medaljen e bronztë evropiane, ndërsa synon ngjitjen në majën e podiumit.Në gjysmëfinale, Donjeta Sadiku do të përballet me garuesen që përfaqëson Serbinë, rusen Kristina Kuluhova. Kjo do të jetë një përballje e njohur për kosovaren, e cila e kishte mposhtur Kuluhovën në finalen e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.

 

Continue Reading

Lajmet

Të dielën mërgata në Austri proteston kundër vendimit të Speciales

Published

on

By

Edhe në Graz të Austrisë do të protestohet kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas njoftimit, protesta do të zhvillohet më 27 shtator nga ora 12:00.

Protesta të qytetarëve shqiptarë si në Kosovë ashtu edhe në diasporë janë në vazhdim qysh nga 16 shtatori, kur Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi u dënuan me plot 81 vjet burgim.

Continue Reading

Të kërkuara