Botë

Kina, Meksika, Kanadaja reagojnë ndaj kërcënimeve të Trumpit për tarifa

Published

on

Kina dhe Meksika kanë reaguar ashpër pasi presidenti i ardhshëm i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi se do ta nisë presidencën e tij me një luftë të menjëhershme tregtare kundër tre partnerëve kryesorë ekonomikë të SHBA-së – Kinës, Meksikës dhe Kanadasë.

Trump paralajmëroi në rrjete sociale për tarifa të mëdha importi ndaj fqinjëve, Kanadasë dhe Meksikës, si dhe ndaj Kinës, nëse këto vende nuk ndalojnë emigracionin ilegal dhe trafikimin e drogës në Shtetet e Bashkuara.

Kina reagoi duke thënë se “askush nuk do të fitojë në një luftë tregtare”, ndërsa presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, paralajmëroi se “për çdo tarifë, do të ketë një përgjigje të ngjashme”.

Një burim nga qeveria kanadeze tha se kryeministri Justin Trudeau kishte bërë një telefonatë me Trumpin dhe kishte zhvilluar një diskutim “produktiv”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Këto tarifa kërcënojnë të çrregullojnë ekonominë globale, të thellojnë tensionet tashmë të mëdha me Kinën dhe të përmbysin marrëdhëniet me dy fqinjët e mëdhenj të SHBA-së.

Në platformën e tij Truth Social, Trump tha të hënën vonë se do të zbatojë tarifat menjëherë pasi të marrë detyrën më 20 janar, nëse kërkesat e tij nuk plotësohen.

Postimet sinjalizojnë seriozitetin e Trumpit për premtimin e tij kryesor të fushatës për të përdorur fuqinë ekonomike të SHBA-së si levë për çështje që shpesh nuk kanë lidhje me tregtinë – veçanërisht pretendimet e tij se Shtetet e Bashkuara janë të rrezikuara nga krimi dhe migrantët e rrezikshëm të huaj.

Të martën, Trump emëroi dy figura të rëndësishme në ekipin e tij ekonomik: Jamieson Greer si përfaqësuesin e tij tregtar dhe Kevin Hassett si këshilltarin e tij kryesor ekonomik, në krye të Këshillit Ekonomik Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë.

Të dy kanë pasur role në administratën e tij të parë, me Greer që ka shërbyer si shef i kabinetit të ish-përfaqësuesit tregtar të SHBA-së, Robert Lighthizer.

“Do të nënshkruaj të gjitha dokumentet e nevojshme për t’i ngarkuar Meksikës dhe Kanadasë një tarifë 25 për qind për TË GJITHA produktet që hyjnë në Shtetet e Bashkuara”, postoi më herët Trump.

“Kjo tarifë do të mbetet në fuqi deri në atë moment kur droga, veçanërisht Fentanili, dhe të gjithë emigrantët e paligjshëm të ndalin këtë pushtim të vendit tonë!”, shtoi ai.

Në një postim tjetër, Trump tha se do të vendosë një tarifë dhjetë për qind ndaj Kinës, “mbi çdo tarifë shtesë”, sepse ekonomia e dytë më e madhe në botë “po dështon të ekzekutojë trafikantët e fentanilit”.

Liu Pengyu, zëdhënës i ambasadës kineze në SHBA, i tha AFP-së se “Kina beson se bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar midis Kinës dhe SHBA-së është i ndërsjelltë dhe përfitues”.

Presidentja e Meksikës, Sheinbaum, i është kundërpërgjigjur Trump, duke thënë se diplomacia e tij e tarifave është “e papranueshme” dhe e bazuar në pretendime të gabuara.

“Nuk është me kërcënime apo tarifa që do të ndalet fenomeni i migracionit, as konsumimi i drogës në Shtetet e Bashkuara”, tha ajo.

Sheinbaum theksoi se industria narkotike e Meksikës ekziston kryesisht për të shërbyer kërkesën në Shtetet e Bashkuara.

“Shtatëdhjetë për qind e armëve të paligjshme të konfiskuara nga kriminelët në Meksikë vijnë nga vendi juaj”, tha ajo. “Tragjikisht, është në vendin tonë ku humben jetë nga dhuna që vjen si pasojë e përmbushjes së kërkesës për drogë në vendin tuaj”.

William Reinsch, këshilltar i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, tha se kërcënimet online të Trumpit mund të jenë bllof – një strategji e “kërcënimit, e ndjekur nga negociatat”.

Megjithatë, ndërsa ishte në detyrë, Trump nisi një luftë të plotë tregtare me Kinën, duke vendosur tarifa të rëndësishme mbi qindra miliarda dollarë mallra kineze.

Kina u kundërpërgjigj me tarifa hakmarrëse ndaj produkteve amerikane, duke prekur veçanërisht fermerët amerikanë.

Ekonomistët thonë se tarifat mund të dëmtojnë rritjen ekonomike të SHBA-së dhe të nxisin inflacionin, pasi ato paguhen nga importuesit që shpesh ia kalojnë këto kosto konsumatorëve.

Trump ka thënë se do ta vendosë Howard Lutnickun, një kritik të Kinës, si sekretarin e tij të tregtisë për të udhëhequr politikën tregtare.

Aktualitet

Shkon në 68 numri i të vdekurve në Spanjë nga përplasja e trenave, shpallet tri ditë zi kombëtare

Published

on

By

Spanja ka hyrë në tri ditë zie kombëtare pas një prej aksidenteve më të rënda hekurudhore në historinë moderne të Evropës, ku të paktën 68 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së mërkurës në Urda (Toledo), kur një tren me shpejtësi të lartë i kompanisë shtetërore “Renfe”, me 397 pasagjerë në bord, u përplas nga prapa me një tren tjetër të kompanisë private “Iryo”, i cili kishte ndaluar në tirë me 147 pasagjerë për shkak të një defekti kompjuterik. Ndikimi i fuqishëm bëri që disa nga vagonët të dilnin nga shinat dhe të rrëzoheshin në buzë të rrugës.

Sipas informacioneve të para, qendra e kontrollit në Madrid kishte marrë përsipër menaxhimin e linjës pas defektit, por bëri një lëvizje “të pashpjegueshme” duke dhënë leje për lëvizjen e trenave pa asnjë kufizim shpejtësie. Rregjistrimet audio sugjerojnë se trenit të dytë i është dhënë dritë jeshile për të ecur edhe pse treni përpara tij kishte ndaluar.

Kryeministri Pedro Sánchez deklaroi se “e gjithë Spanja është në zi” dhe se “jetët janë shkatërruar”, ndërsa e quajti “të papranueshme” që vendi të përballet me dy tragjedi të tilla brenda të njëjtit vit, pas aksidentit të janarit ku humbën jetën 46 persona.

Ekipet e emergjencës punuan gjatë gjithë natës me mjete prerëse për të nxjerrë trupat nga vagonët e dëmtuar, ndërsa po përdoren dronë dhe helikopterë për kërkimin e viktimave. Shumë prej të vdekurve ende nuk janë identifikuar.

Ngjarja ka nxitur edhe reagime të ashpra politike e sociale:

  • Protestat në Madrid: Rreth 1,500 persona u mblodhën para Ministrisë së Transportit duke kërkuar dorëheqjen e zyrtarëve përgjegjës. Policia përdori gaz lotësjellës për të shpërndarë protestuesit.
  • Greva e punonjësve: Sindikata e makinistëve (Semaf) konfirmoi se do të zhvillojë një grevë të enjten në mbrojtje të sigurisë hekurudhore.
  • Pezullimi i fushatës: Shumica e Partive Politike pezulluan fushatën zgjedhore, përveç partisë së e djathtë “Vox”, e cila refuzoi të heshtë ndaj problemeve të infrastrukturës.

Garda Civile Spanjolle ka hapur zyra të posaçme në Madrid, Toledo, Sevilje dhe Kordobë për të mbledhur mostra ADN-je dhe për të ndihmuar familjarët në identifikimin e personave të zhdukur. /BBC/

 

Continue Reading

Aktualitet

Të paktën 64 të vdekur nga përplasja e trenave në Spanjë

Published

on

By

Numri i viktimave nga aksidenti hekurudhor në Spanjë ka arritur në 64 persona, sipas medieve vendase. Në dy trenat e përfshirë në përplasje udhëtonin gjithsej 544 pasagjerë. Megjithëse numri i saktë i të plagosurve nuk është konfirmuar ende, raportohet se disa prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Ky aksident tragjik shënon ngjarjen e dytë me pasojë vdekjeprurëse në rrjetin hekurudhor spanjoll përgjatë këtij viti. Më 18 janar, një tjetër përplasje mes dy trenave që udhëtonin nga dhe drejt Madridit në zonën e Adamuzit (Spanja jugore) la të vdekur 45 persona dhe plagosi 170 të tjerë.

Në aksidentin e janarit, një tren i kompanisë Iryo me rreth 300 pasagjerë në bord, i cili po udhëtonte nga Malaga në Madrid, doli nga shinat dhe goditi trenin përballë që po shkonte nga Madridi në Huelva me rreth 200 udhëtarë. Hetimet e mëvonshme për atë ngjarje konstatuan se aksidenti u shkaktua nga një thyerje në shinë përpara përplasjes. /E.A/

 

Continue Reading

Aktualitet

Zgjedhjet në Izrael pa fitues: Ushtria dhe partitë arabe vendosin rezultatin

Published

on

By

Sondazhet e para pas mbylljes së qendrave të votimit tregojnë se zgjedhjet e përgjithshme në Izrael nuk kanë nxjerrë një fitues të qartë. As kryeministri i tanishëm Benjamin Netanyahu dhe as rivali i tij kryesor, ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, nuk kanë arritur të sigurojnë shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë së re.

Sipas projeksioneve të dy transmetuesve kryesorë izraelitë, “Blloku i Ndryshimit” i udhëhequr nga Eisenkot me partinë e tij Yashar dhe aleatët opozitarë parashikohet të marrë 51 vende në Knesset-in prej 120 vendesh. Po me aq vende (51) projektohet edhe partia Likud e Netanyahut së bashku me aleatët e saj të së djathtës ekstreme dhe ultra-ortodoksë. Një sondazh i tretë i jep Netanyahut një avantazh të lehtë prej tre vendesh, por përsëri pa arritur pragun e 61 vendeve.

Në këtë situatë bllokade, rolin përcaktues pritet ta luajnë dy partitë arabe, të cilat parashikohet të arrijnë një rezultat rekord prej 18 deri në 19 vendesh në parlament.

Zgjedhjet u karakterizuan nga një pjesëmarrje jashtëzakonisht e lartë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se deri në mbylljen e votimeve në orën 22:00, pjesëmarrja arriti në 77.7% — shifra më e lartë e regjistruar në këtë orë që nga viti 1999.

Rezultatet e para zyrtare kanë nisur të publikohen gjatë natës, mirëpo verdikti përfundimtar do të varet nga numërimi i rreth 600,000 votave me postë (absentee ballots), të hedhura kryesisht nga ushtarakët. Këto vota përbëjnë rreth 10% të totalit dhe numërimi i tyre i plotë pritet të përfundojë të enjten. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

Izraeli voton të martën: Netanyahu në garë të ngushtë për mbijetesë politike pas tre vitesh luftë

Published

on

By

Tre vjet pas sulmit të 7 tetorit 2023, Izraeli përballet të martën me zgjedhje parlamentare vendimtare, ku kryeministri 77-vjeçar, Benjamin Netanyahu, kërkon rizgjedhjen në një garë jashtëzakonisht të ngushtë.

Zgjedhjet shihen si një plebishit për të ardhmen e vendit dhe llogaridhënien e pushtetit:

Kundërshtarët: Të udhëhequr nga ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, kërkojnë përgjegjësi për dështimet e sigurisë të 7 tetorit dhe e akuzojnë Netanyahun për udhëheqjen e një “luftë të përjetshme” pa fitore politike.

Mbështetësit: E shohin Netanyahun si të vetmin lider që i bëri ballë Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit, ndërsa vetë ai ka mbështetur fushatën në sloganin e djathtë kundër krijimit të një shteti palestinez dhe mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Përveç pasojave të luftës, votuesit mbeten të ndarë edhe për përjashtimin e ultraortodoksëve nga shërbimi ushtarak dhe reformën e diskutueshme në gjyqësor. Meqë asnjë parti nuk pritet të fitojë vetëm shumicën prej 61 mandatesh, rezultati do të përcaktohet nga bisedimet e vështira për koalicion.

 

Continue Reading

Të kërkuara