Lajmet

KFOR për situatën në veri: Jemi të përgatitur në rast të rritjes së tensioneve

Published

on

Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka thënë se KFOR po vëzhgon nga afër zhvillimet sa i përket aspektit të sigurisë pas që Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ditë më parë kishte alarmuar duke thënë se Serbia ka vendosur tri brigada afër kufirit me Kosovën.

Në një intervistë me shkrim, Ulutas tha se ai është në kontakte të rregullta me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsilovic, me të cilin është takuar në Beograd para disa ditësh.

“KFOR-i po vëzhgon nga afër zhvillimet, të cilat janë të rëndësishme për stabilitetin rajonal, dhe misioni ynë është i vendosur për të vazhduar zbatimin efektiv të mandatit tonë të OKB-së për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, dhe për t’u përshtatur me çdo zhvillim që mund të ndikojë në stabilitetin rajonal”, tha Ulutaş.

Ndërkaq, i pyetur se nëse ka rrezik të përsëritet sulmi i 24 shtatorit në Banjskë, Ulutas tha NATO ka përforcuar misionin e KFOR-it, duke vendosur rreth 1000 trupa shtesë në Kosovë.

Ai tha se përforcimi është më i madhi në dekadën e fundit, tregon “gatishmërinë të përshtatemi me shpejtësi dhe në mënyrë efektive me çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë dhe se KFOR-i ka mjetet për të vazhduar përmbushjen e mandatit të tij të OKB-së, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.

Ai shtoi se falë vendosjes së trupave shtesë është arritur aktiviteti i tyre në veri të Kosovës, duke trefishuar patrullimet, përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative.

Ulutaş gjithashtu ritheksoi se objektivi kryesor i tyre mbetet parandalimi i përshkallëzimit të situatës së sigurisë, duke thënë se janë të përgatitur dhe të pajisur “për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e mandatit tonë të OKB-së.”

Sa i përket numrit të ushtarëve të KFOR-it, ai tha se dislokimi shtesë i zbatuar nga KFOR-i e sjell fuqinë e tij totale në mbi 4800 trupa, gjë që i mundëson KFOR-it të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të OKB-së në mënyrë efektive.

“Objektivi ynë parësor mbetet parandalimi i përshkallëzimit dhe, për rrjedhojë, ne po ndjekim nga afër çdo zhvillim përkatës të sigurisë përmes një qëndrimi të dukshëm dhe fleksibil, me patrulla të rregullta dhe angazhime me komunitetet lokale. Në rast të rritjes së tensioneve, ne jemi të përgatitur dhe të pajisur për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e mandatit tonë të OKB-së. Dislokimi shtesë i zbatuar nga KFOR-i e sjell fuqinë e tij totale në mbi 4800 trupa, gjë që i mundëson KFOR-it të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të OKB-së në mënyrë efektive”, tha ai.

Kurse i pyetur se nëse ka numër të mjaftueshëm në veri të vendit dhe se a priten trupa shtesë, Ulutas tha se “misioni i tyre të mbetet me burime të mira dhe të pozicionuar mirë për të vazhduar zbatimin e mandatit të tij të OKB-së, si reagues i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit, të cilët janë përkatësisht reaguesit e parë dhe të dytë të sigurisë”.

“Angazhimi ynë për të kontribuar për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal është i palëkundur, në respekt të plotë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, përfundoi Ulutaş.

Vendi

Foda me ndryshime në formacion për ndeshjen ndaj Izraelit: Rikthehet Avdullahu, mbetet në dyshim Muriq

Published

on

By

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda, ka bërë publike listën e përditësuar të lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen e sontme përballë Izraelit.

Në listën zyrtare të dorëzuar në UEFA është përfshirë mesfushaari Leon Avdullahu, i cili është rikthyer me ekip pas një shkëputjeje të përkohshme për arsye familjare. Po ashtu, në listë janë përfshirë Muharrem Jashari dhe Lindon Emërllahu, ndërsa jashtë grumbullimit për këtë sfidë kanë mbetur Baton Zabërgja, Vesel Demaku dhe Leard Sadriu.

Në dyshim për këtë përballje mbetet portieri Arijanet Muriq, i cili pësoi një lëndim gjatë ndeshjes së kaluar ndaj Austrisë.

Kosova zhvillon sonte ndeshjen e tretë në kuadër të Grupit B3 në Ligën e Kombeve kundër Izraelit, në stadiumin e Debrecenit në Hungari, nga ora 20:45. Pasi e nisën edicionin me fitore 1:0 ndaj Irlandës dhe pësuan humbje 3:1 ndaj Austrisë në Vjenë, “Dardanët” do të presin Austrinë në Prishtinë më 4 tetor.

Continue Reading

Vendi

Mbyllen përkohësisht disa rrugë në Prishtinë për shkak të protestës për UÇK-në

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar se nga ora 15:00 do të mbyllen përkohësisht për qarkullim rrugët “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymeri” në kryeqytet, për shkak të protestës gjithpopullore që do të mbahet sot nga ora 16:00.

Protesta organizohet në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, varësisht nga zhvillimet në terren dhe lëvizja e pjesëmarrësve, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të trafikut edhe në rrugë të tjera ndërlidhëse.

“Sipas planifikimeve policore, prej orës 15:00 rrugët të cilat do të mbyllen përkohësisht për qarkullim në kryeqytet janë: ‘Luan Haradinaj’ dhe ‘Enver Zymeri’, por varësisht nevojës operative mund të ketë edhe rrugë të tjera në të cilat mund të ndërpritet qarkullimi përkohësisht”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje, Policia e Kosovës bën të ditur se zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar mbarëvajtjen e protestës, rendin publik dhe sigurinë e qytetarëve

Continue Reading

Vendi

Sot shënohet 29-vjetori i protestave studentore të 1 Tetorit 1997

Published

on

By

Sot shënohet 29-vjetori i protestave të Lëvizjes Studentore, të cilat vlerësohen si një nga kthesat më të mëdha historike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Protesta paqësore e 1 tetorit të vitit 1997 u organizua si përgjigje ndaj masave të dhunshme të regjimit të Slobodan Milosheviqit, i cili kishte dëbuar studentët dhe profesorët shqiptarë nga objektet universitare, duke imponuar me forcë plan-programin serb.

E prirë nga rektori i atëhershëm, Ejup Statovci, së bashku me drejtuesit e Lëvizjes Studentore si Bujar Dugolli, Albin Kurti, Driton Lajçi e Muhamet Mavraj, marshimi paqësor u ndërpre dhe u shpërnda me dhunë brutale nga policia serbe. Si pasojë e ndërhyrjes policore, dhjetëra studentë dhe profesorë mbetën të lënduar e të arrestuar.

Akti i guximshëm i studentëve mori një jehonë të jashtëzakonshme në mediat vendore dhe ato ndërkombëtare, duke tejkaluar çdo zhvillim tjetër politik të asaj periudhe. Kjo ngjarje historike konsiderohet si një pikë kthese që vendosi çështjen e Kosovës në krye të agjendës diplomacisë ndërkombëtare.

Continue Reading

Lajmet

Ish-presidentit Hashim Thaçi i vazhdohet paraburgimi për rastin e pengimit të drejtësisë

Published

on

By

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur t’i vazhdojnë masën e paraburgimit ish-presidentit Hashim Thaçi, në procesin gjyqësor ku ai akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin.

Vendimi është marrë më 30 shtator 2026 nga gjykatësi i vetëm i rastit, Christopher Gosnell, i cili konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet se i akuzuari mund të pengojë ecurinë e procesit apo të kryejë vepra të tjera penale.

Në arsyetimin e saj, gjykata bëri me dije se gjatë marrjes së këtij vendimi ka pasur parasysh edhe shpalljen fajtor dhe dënimin e mëparshëm të Thaçit në çështjen gjyqësore për krime lufte. Sipas njoftimit zyrtar të Speciales, ky dënim nuk e ndryshon nevojën për rishikime periodike të paraburgimit në rastin aktual, i cili vlerësohet në bazë të faktorëve specifikë të kësaj çështjeje.

Gjatë seancës fillestare të mbajtur më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarit e tjerë u deklaruan të pafajshëm për të gjitha akuzat. Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se bëhet fjalë për veprime të koordinuara në grup me qëllim pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.

Ndaj ish-presidentit Thaçi në këtë çështje rëndojnë tri akuza për pengim të personave zyrtarë, tri akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, si dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara