Magazinë
Kevin Spacey flet për jetën pas skandaleve dhe gjendjen financiare
Published
3 months agoon
By
UBT NewsAktori i njohur amerikan, Kevin Spacey, ka folur hapur për gjendjen e tij financiare dhe jetën pas skandaleve që e vunë në qendër të mediave ndërkombëtare.
Ai u lirua përfundimisht nga akuzat për sulm seksual të ngritura nga katër burra në Mbretërinë e Bashkuar, por pranon se vitet e fundit kanë qenë “astronomike” nga pikëpamja e shpenzimeve.
“Unë jetoj në hotele, përdor apartamente Airbnb dhe shkoj aty ku është puna. Fjalë për fjalë nuk kam shtëpi,” tha Spacey për The Telegraph, duke shtuar se kjo është mënyra se si po përpiqet të menaxhojë situatën e tij. Ai shtoi se gjendja e tij financiare nuk është e shkëlqyer, megjithatë falimentimi nuk ka ndodhur: “Kisha shumë pak të ardhura dhe shumë shpenzime.”
Aktori komentoi për bojkotin që përjetoi në Hollywood dhe mënyrën si po e kapërcen atë: “Në një mënyrë të çuditshme, ndihem sikur jam kthyer aty ku fillova… gjithçka është në magazinë dhe shpresoj që një ditë të vendos se ku dua të vendosem përsëri.”
Spacey është akuzuar nga mbi 30 burra, përfshirë Anthony Rapp, për sjellje të papërshtatshme ose sulm seksual, me akuzat që dolën në vitin 2017. Si pasojë, Netflix e largoi nga seriali “House of Cards”, ku u zëvendësua nga Robin Wright.
Në korrik 2023, ai u lirua nga akuzat në Mbretërinë e Bashkuar dhe në një padi të vitit 2022 në Nju Jork u shpall i pafajshëm. Gjatë dokumentarit “Spacey Unmasked” në 2024, ai mohoi çdo shkelje, duke deklaruar se nuk mund të lejonte të sulmohej pa bazë.
Në maj të këtij viti, Spacey pranoi një çmim për arritje jetësore në Kanë, duke përshkruar vitet e fundit si sfiduese, por të mbushura me mësime dhe përvojë personale. /A.Z/UBT News/
Rruga e Trenit filloi si një rrugicë e hollë si brisk, me një tren që kalonte me shpejtësi nëpër të. Tani, është plot me kafene të famshme për Instagramin dhe turistë që nuk mund të qëndrojnë larg, pavarësisht rreziqeve.
Hekurudha Veri – Jug u ndërtua nga forcat koloniale franceze në vitin 1902, duke lidhur Hanoiin me Ho Chi Minh City. Pesëdhjetë e katër vjet më vonë, Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave ndërtoi disa godina të ulëta përgjatë këtij segmenti për të strehuar punonjësit. Në vitet 1970 zona konsiderohej lagje e varfër; banorët zgjoheshin shpesh nga dridhjet e trenave që kalonin pranë shtëpive të tyre.
“Ishte thjesht një rrugë e zakonshme me shina treni në mes,” thotë Minh Anh, banore e përhershme e Hanoit. “Kur filloi të shpërthente në rrjetet sociale, u habita sinqerisht”.
Udhërrëfyesja turistike Nhi Nguyen kujton se më parë njerëzit jetonin jetën e tyre normale aty dhe nuk kishte kaq shumë kafene pranë shinave. “Kishte një ndjesi shumë më autentike: skuterët parkoheshin vetëm pak metra nga shinat, rrobat vareshin jashtë, njerëzit gatuanin në soba të vogla me gaz”.
Në fillim të vitit 2013, Colm Pierce dhe Alex Sheal, bashkëthemelues të tureve fotografike “Vietnam in Focus” në Hanoi, nisën një tur të quajtur “Hanoi on the Tracks” për t’u treguar vizitorëve si banorët ishin përshtatur me jetën pranë shinave. Rastësisht, në qershor 2013, Instagram prezantoi funksionin e videos. Një vit më pas, emisioni “Tough Trains” në Travel Channel shfaqi pamje nga “Train Street”, duke e bërë edhe më tërheqëse për udhëtarët.
Në vitin 2017, një banor nisi të shiste birra dhe kafe për turistët që donin të prisnin trenin. Fqinjët panë mundësinë ekonomike dhe lokalet u shtuan shpejt. Rrugica e dikurshme e rrënuar, e quajtur tashmë “Rruga e Trenit”, u zbukurua me fenerë shumëngjyrësh dhe drita festive. Turistët mësonin të mbërrinin tridhjetë minuta para trenit dhe përjetimi “klasik” u konsolidua: uleshin në bare pranë shinave me birra e kafe, derisa treni kalonte me zhurmë, duke dridhur pjata dhe zemra.
Shumë vizitorë e adhurojnë eksperiencën; të tjerë mendojnë se duket më bukur në foto sesa në realitet. Disa e shohin si atraksion tipik për Instagram, ndërsa të tjerë mahniten nga fakti se si një ekonomi e tërë funksionon në një hapësirë kaq të pamundur.
Psikologët e udhëtimit theksojnë se dëshira për ta vizituar lidhet me natyrën tonë sociale dhe “frikën se mos mbetemi jashtë” . Elementi i rrezikut e shton ndjesinë e veçantë, sidomos për vizitorët nga vende me rregulla të forta sigurie.
Nga ana tjetër, udhërrëfyesit lokalë theksojnë se përfitimi ekonomik për familjet është i dukshëm, por ekziston rreziku që trashëgimia historike e zonës të humbasë pas etheve të rrjeteve sociale. Në vend që të mësojnë për historinë e hekurudhës që nga epoka koloniale, shumë vizitorë largohen vetëm me një foto.
Ironikisht, disa ture fotografike janë zhvendosur tashmë në zona më pak të frekuentuara përgjatë hekurudhës, për të treguar stilin e vjetër të jetesës pranë shinave.
Për mirë apo për keq, fama e Train Street duket si një festë e përhershme, por gjithmonë në lëvizje.
Marrë dhe përshtatur nga BBC
Magazinë
Muzika klasike qetëson qentë dhe macet, tregojnë studimet
Published
5 hours agoon
March 2, 2026
Listat muzikore për qen dhe mace janë bërë gjithnjë e më të njohura në internet, por a kanë ato vërtet efekt? Sipas disa studimeve shkencore, përgjigjja është po – sidomos kur bëhet fjalë për muzikën klasike me ritëm të ngadaltë.
Serenity Strull, redaktore fotografie në BBC, e kuptoi këtë pasi adoptoi qenin e saj Margot, një pitbull trevjeçar me probleme ankthi. Qeni kishte vështirësi të qëndronte vetëm në shtëpi dhe më parë kishte marrë trajtim me medikamente, por ato i shkaktuan efekte anësore. Pas shumë përpjekjesh me trajnerë dhe veterinerë, zgjidhja më efektive rezultoi të ishte muzika klasike instrumentale, pa ritme të forta.
Një nga rekomandimet ishte seria muzikore Through a Dog’s Ear, e krijuar posaçërisht për të reduktuar stresin te qentë. Studimi i realizuar nga krijuesit e saj, mbi më shumë se 150 qen në shtëpi dhe strehimore, tregoi se mbi 70 për qind e qenve në strehimore dhe 80 për qind e atyre në ambiente shtëpiake shfaqën më pak shenja ankthi pas dëgjimit të kompozimeve me piano dhe tempo të ngadaltë.
Edhe një studim nga Queen’s University Belfast arriti në përfundim të ngjashëm. Studiuesit krahasuan efektin e muzikës klasike, librave audio dhe heshtjes tek qentë, duke vërejtur se muzika klasike kishte efekt qetësues të dukshëm, sidomos në situata stresuese si vizitat te veterineri apo udhëtimet e gjata me makinë.
Sipas ekspertëve, më efektive janë kompozimet me 50-60 rrahje në minutë ose më pak, me strukturë të thjeshtë dhe pa elemente të theksuara perkusioni. Kjo lloj muzike lidhet me uljen e nivelit të kortizolit, hormoni që tregon stresin.
Ekspertët theksojnë se, ndonëse muzika nuk zëvendëson trajtimin profesional kur është i nevojshëm, ajo mund të jetë një mënyrë e thjeshtë, e lirë dhe pa efekte anësore për të ndihmuar kafshët shtëpiake të ndihen më të qeta.
Kafshët kanë aftësi dëgjimi shumë më të zhvilluara se njerëzit, çka shpjegon pse reagojnë ndryshe ndaj tingujve dhe muzikës. Qentë kanë rreth trefishin e diapazonit të dëgjimit të njeriut, duke perceptuar frekuenca deri në 65,000 hercë. Kjo do të thotë se ata dëgjojnë tinguj më të lartë dhe në distanca shumë më të mëdha sesa veshi i njeriut.
Macet shkojnë edhe më tej – ato mund të dallojnë frekuenca deri në 79,000 hercë. Për këtë arsye, një bori makine në fund të rrugës apo edhe zhurma e letrës së aluminit mund t’i trembë menjëherë.
Edhe pse studimet për efektin qetësues të muzikës tek macet janë të pakta, një hulumtim ka treguar lidhje interesante. Studiuesit vendosën kufje tek 12 mace të sedatuara për sterilizim dhe u lëshuan tre lloje muzike: “Torn” nga Natalie Imbruglia, “Adagio for Strings” nga Samuel Barber, si dhe “Thunderstruck” nga AC/DC. Muzika klasike rezultoi me ritmin më të ngadaltë të frymëmarrjes, rrahjet më të ulëta të zemrës dhe zgjerimin më të madh të bebëzave – të gjitha tregues të një efekti qetësues.
Ekspertët theksojnë se, për shkak të ndjeshmërisë së lartë ndaj frekuencave, muzika për kafshët duhet të përshtatet posaçërisht për to. Duke hequr frekuencat irrituese dhe duke rregulluar tempot dhe harmonitë, tingulli mund të rezonojë më rehat për dëgjimin e tyre. Një nga projektet e krijuara mbi këtë bazë është Pet Acoustics, një katalog tingujsh i mbështetur nga disa studime shkencore.
Ekspertët sugjerojnë se qoftë përmes serive si Through a Dog’s Ear, kompozimeve të personalizuara apo një përzgjedhjeje të kujdesshme të muzikës klasike, gjetja e tingujve të duhur për kafshën tuaj kërkon provë dhe durim. Por për shumë pronarë, rezultatet tregojnë se muzika e përshtatshme mund të bëjë një ndryshim të madh në qetësinë dhe mirëqenien e kafshëve shtëpiake.
Foto dhe teksti: BBC
Përgatiti: A. Kryeziu
Magazinë
Nga skandal në ikonë: Si u bë “My Bed” i Tracey Emin simbol i artit modern
Published
3 days agoon
February 27, 2026By
UBTNews
Në vitin 1999, një krevat i çrregullt me çarçafë të njollosur, prezervativë, kanaçe birre dhe sende personale shkaktoi një nga debatet më të mëdha në botën e artit britanik. Vepra My Bed e artistes britanike Tracey Emin tronditi publikun kur u nominua për çmimin prestigjioz Turner Prize dhe u ekspozua në Tate Britain.
Instalacioni rikrijonte periudhën e errët emocionale të artistes pas një ndarjeje, duke ekspozuar pa filtra fragmente intime të jetës së saj. Në atë kohë, reagimet ishin të ashpra: disa e quajtën provokim të tepruar, të tjerë e panë si një akt të guximshëm që sfidonte normat mbi artin dhe moralin.
Sot, më shumë se dy dekada më vonë, “My Bed” konsiderohet një nga veprat më ikonike të artit bashkëkohor britanik. Ajo është pjesë e ekspozitës retrospektive A Second Life në Tate Modern, duke rikthyer në vëmendje rrugëtimin e gjatë të Emin – nga artistja rebele e viteve ’90 në një figurë të nderuar të artit britanik.
Vepra, që dikur shkaktoi zemërim dhe polemika, sot shihet me më shumë ndjeshmëri. Kritikët theksojnë se tronditja e dikurshme është zbehur, por forca emocionale dhe sinqeriteti mbeten po aq të fuqishme. Madje, instalacioni u shit në ankand për miliona paund dhe studiohet në shkollat britanike si shembull i artit autobiografik.
Vetë Emin ka deklaruar se sot publiku nuk reagon më me tronditje, por me empati. “Krevati ka jetën e vet tashmë,” është shprehur ajo, duke nënvizuar se vepra ka kaluar përtej autores dhe është shndërruar në simbol të një epoke.
Nga skandal në ikonë – historia e “My Bed” dëshmon se arti që dikur provokon, me kohën mund të fitojë status legjendar.
Magazinë
Pija nostalgjike e dimrit që po ndez debat në Gjermani
Published
3 days agoon
February 27, 2026By
UBTNews
Kokteji, i përhapur në Gjermani, Austri, Danimarkë, Holandë dhe Spanjë që nga vitet ’60, përgatitet me çokollatë të nxehtë, një dozë alkooli dhe pana sipër. Në veri të Gjermanisë dhe në zonat malore, porositja e një Lumumba është po aq rituale sa vera e zier. Për shumë njerëz, ajo lidhet me kujtime fëmijërie dhe mbrëmje të ftohta dimri.
Megjithatë, emri i pijes vjen nga Patrice Lumumba, kryeministri i parë i Republikës Demokratike të Kongos, i vrarë në vitin 1961. Figura e tij është simbol i luftës antikoloniale afrikane, dhe pikërisht kjo lidhje ka ngritur pikëpyetje: si përfundoi emri i një lideri të vrarë në një gotë kakaoje me alkool?
Debati shpërtheu fuqishëm në vitin 2023, kur një ish-politikane e Gjelbërve në Dresden e quajti emrin racialisht të papërshtatshëm. Postimi i saj u amplifikua nga tabloidi Bild, duke ndezur polemika të ashpra në rrjetet sociale. Që atëherë, çdo sezon festash sjell të njëjtin diskutim: a është “Lumumba” një traditë e pafajshme apo një banalizim i historisë koloniale?
Çfarë fshihet pas emrit?
Si shumë kokteje klasike, edhe origjina e Lumumba-s është e paqartë. Disa historianë e gjurmojnë recetën në Gjermaninë Perëndimore të fillimit të viteve ’60, në kulmin e Luftës së Ftohtë. Në atë kohë, figura e Lumumbës në një pjesë të medias perëndimore paraqitej si destabilizuese dhe e afërt me Bashkimin Sovjetik, më shumë sesa si udhëheqës i një lëvizjeje çlirimtare.
Një teori sugjeron se emri mund të ketë lindur si referencë makabre, një lojë fjalësh mes “shot”-it të alkoolit dhe vdekjes së tij të dhunshme. Studiues të diskursit postkolonial theksojnë se në Gjermaninë Perëndimore të asaj kohe, Lumumba nuk u perceptua gjerësisht si hero i pavarësisë afrikane, por si figurë politike problematike.
Të tjerë mendojnë se emri mund të ketë qenë një akt solidariteti nga qarqe të majta, që e shihnin atë si simbol të rezistencës kundër kolonializmit. Megjithatë, ekziston edhe një interpretim më kritik: lidhja e një politikani me ngjyrë me një pije të errët me bazë kakaoje rikujton stereotipe të rrënjosura në historinë koloniale, ku produktet si kafeja dhe çokollata të ardhura nga kolonitë shpesh shoqëroheshin me imazhe racore.
Në disa rajone të Gjermanisë dhe Danimarkës, pija njihet edhe me emra si “Tote Tante” apo “Død tante” (“halla e vdekur”), çka shton edhe më shumë misterin rreth mënyrës se si u krijua kjo traditë.
Sot, ndërsa Gjermania përballet më hapur me të kaluarën e saj koloniale, përfshirë krimet ndaj popujve afrikanë, çështje të tilla po marrin vëmendje të re. Për disa, ndryshimi i emrit është një hap i vogël drejt respektit historik. Për të tjerë, është një reagim i tepruar ndaj një tradite dekadash.
Ndërkohë, në tregjet festive, gotat me çokollatë të nxehtë vazhdojnë të mbushen. Por këtë dimër, përveç aromës së kakaos dhe rumit, në ajër ndihet edhe pesha e një debati që shkon përtej shijes drejt historisë, kujtesës dhe mënyrës si e përdorim gjuhën çdo ditë.
Arabia Saudite me njoftim urgjent për shtetasit kosovarë dhe të huaj pas përshkallëzimit të tensioneve me Iranin
REL: Kosova përballë një testi të mundshëm të sigurisë
Astera Tuhina nderohet në NCAA
Zgjedhja e presidentit, Haxhiu kërkon që partitë të shmangin qëndrimet bllokuese
Rafineria kryesore saudite mbyllet pas sulmit iranian me dron
Medalje e artë për Kosovën në Sofje
Hagë: Seanca për akuzat ndaj Thaçit për pengim të drejtësisë
UBT kryeson në renditjet edhe në viti 2026 në SCImago, lider në kërkimin shkencor në rajon
Kryeparlamentari shqiptar në takim me Haxhiun
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoNjohja me proceset profesionale televizive, vizita e studentëve të Media dhe Komunikim në Klan Kosova
-
Vendi2 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Rajoni2 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
