Lajmet

KE pranon se gabimisht kërkoi që shtetet e rajonit t’i vendosnin viza Kosovës

KE tha se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimet e saj dhe se mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën.

Published

on

Komisioni Evropian pranoi se në raportin vjetor të monitorimit për shtetet që kanë liberalizim të vizave, të publikuar më 5 dhjetor, gabimisht ka vendosur një pasus, ku Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi u është kërkuar që t’i vendosnin regjim vizash Kosovës.

Nga KE-ja thanë se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimet e saj dhe se mbështesin fuqishëm liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Mund të konfirmoj se nuk ka absolutisht asnjë ndryshim në qëndrimet e Komisionit Evropian dhe ne, absolutisht, e mbështesim lirinë e lëvizjes në rajon”, tha në një konferencë për media zëdhënësi i KE-së, Eric Mamer.

Pasusi i lartpërmendur është shoqëruar me arsyetimin se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nuk i kanë përshtatur politikat e vizave me ato të BE-së.

Aktualisht, Kosova nuk ka liberalizim vizash me vendet e BE-së, që përbëjnë pjesën më të madhe të zonës me lëvizje të lirë, të njohur si Schengen.

Megjithatë, javën e kaluar, zyrtarë të BE-së kanë miratuar një vendim, i cili thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më larg se më 1 janar të vitit 2024.

Zëdhënësja për çështje të brendshme e KE-së, Anitta Hipper, tha të martën se KE-ja “mbështet tërësisht lirinë e lëvizjes në rajon” dhe “liberalizimin e vizave për Kosovën, si çështje me prioritet”.

“Sa i përket çështjes specifike nga rajoni, jemi duke e përmirësuar dhe do të dalë versioni i përmirësuar”, tha ajo për pasusin e vendosur fillimisht në raportin e KE-së.

Ky pasus shkaktoi reagime në mesin e disa zyrtarëve kosovarë.

Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, e cilësoi si “të papranueshme” kërkesën për regjimin e vizave, por më pas shtoi se KE-ja do ta përmirësojë këtë gabim./REL

Lajmet

REL: Prokuroria serbe thotë se BIA nuk i është përgjigjur kërkesës për ta marrë në pyetje Vuçiqin në rastin “Panda”

Published

on

By

Prokuroria për Krimin e Organizuar në Serbi ka bërë të ditur se Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë nuk u është përgjigjur kërkesave për zhvillimin e bisedave me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe me ish-drejtuesit e Sigurimit të Shtetit, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, në kuadër të hetimeve për vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë në vitin 1998, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në një përgjigje për REL-in, Prokuroria tha se ka kërkuar në disa raste nga BIA që të zhvillojë biseda me personat e propozuar për të verifikuar nëse ata posedojnë informacione të rëndësishme për hetimin, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Sipas Prokurorisë, veprimet e mëtejshme do të varen nga raporti që pritet të dorëzohet nga BIA.

Kërkesa për marrjen në pyetje të Vuçiqit, Stanishiqit dhe Simatoviqit është paraqitur nga avokati i familjeve të viktimave, Ivan Niniq, i cili argumenton se ata mund të kenë njohuri të rëndësishme për rastin. Në veçanti, Vuçiq ka deklaruar disa herë publikisht se ekzistojnë informacione lidhur me vrasjet në kafenenë “Panda”, ndërsa në vitin 2013 kishte thënë se nuk kishte prova që autorë të krimit ishin shqiptarët dhe se opinioni publik serb do të përballej me “të vërteta të tmerrshme”.

Në kërkesën drejtuar Kryeprokurorit Publik, Niniq ka kërkuar gjithashtu që të verifikohen pretendimet se Radomir Boban Baqoviq mund të jetë autori i drejtpërdrejtë i masakrës. Këto pretendime u publikuan së fundmi në një video në rrjetin social Telegram nga shtetasi malazez në arrati, Milosh Medenica.

Prokuroria bëri të ditur se Baqoviqi nuk është marrë asnjëherë në pyetje në lidhje me këtë rast, pasi deri më tani nuk është konsideruar dëshmitar i besueshëm në hetim.

Autoritetet serbe theksuan se hetimet, të nisura në vitin 2016, vazhdojnë ende, pasi nuk janë siguruar prova të mjaftueshme për të krijuar dyshim të bazuar mbi autorët e krimit. Prokuroria shtoi se është e gatshme t’i paraqesë Prokurorisë Supreme Publike një raport të plotë mbi veprimet e ndërmarra deri më tani.

Më 14 dhjetor 1998, pesë nxënës të shkollës së mesme dhe një studente u vranë kur persona të armatosur hynë në kafenenë “Panda” në Pejë dhe hapën zjarr. Në atë kohë, autoritetet serbe arrestuan disa shqiptarë nën dyshimin për përfshirje në krim, por ata u liruan një vit më vonë nga Gjykata në Beograd për mungesë provash./REL/

D.L

Continue Reading

Lajmet

Himarë, humb jetën 65-vjeçari pasi dyshohet se u plagos nga shpërthimi i dinamitit gjatë peshkimit

Published

on

By

Një 65-vjeçar ka humbur jetën të enjten në zonën e Porto Palermos, në Himarë, pasi dyshohet se u plagos rëndë nga shpërthimi i një lënde plasëse që po e përdorte për peshkim, raporton KosovaPress.

Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00, kur shtetasi me inicialet P.M., 65 vjeç, dyshohet se u lëndua nga shpërthimi i një lënde plasëse (dinamit) gjatë peshkimit.

I plagosuri u transportua menjëherë për trajtim mjekësor në Qendrën Shëndetësore të Himarës, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vazhdon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet edukatorja në Tiranë, dyshohet se ushtroi dhunë ndaj një fëmije 2-vjeçar

Published

on

By

Një edukatore e një kopshti privat në Tiranë është arrestuar në flagrancë, nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një fëmije 2-vjeçar,raporton KosovaPress.

Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, e dyshuara me inicialet B.H., 32 vjeçe, e cila punonte si edukatore në këtë institucion, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të miturit në ambientet e kopshtit ku punonte.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan në flagrancë shtetasen B.H., 32 vjeçe, me detyrë edukatore në një kopsht privat, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një të mituri 2-vjeçar, në ambientet e kopshtit ku punonte”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa policia ka bërë të ditur se po vazhdon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu nga Zubin Potoku: Mbetjet e gjetura janë me prejardhje njerëzore, të ruhet integriteti i hetimeve

Published

on

Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu, ka vizituar lokacionin në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku institucionet e Kosovës po zhvillojnë gërmime në kërkim të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu tha se në terren po angazhohen institucionet përgjegjëse për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Sot, bashkë me nënkryetaren, ministren Bogujevci, jemi këtu në fshatin Kalludër, për të parë nga afër punën e ekipeve tona në kërkim të së vërtetës për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Më lejoni që së pari të falënderoj institucionet e Republikës së Kosovës për përfshirjen në këtë proces, secilin institucion në veçanti: nga Policia, nga Prokuroria, nga Komisioni për Personat e Zhdukur me Dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, po ashtu nga IML-ja, por edhe secilin institucion tjetër që po e bëjnë angazhimin më të madh për të ardhur deri te e vërteta. Tash ajo çfarë është konfirmuar është që mbetjet janë me prejardhje njerëzore. Tani duhet të presim punën e institucioneve kompetente për ekzaminime dhe për identifikim”, ka thënë ajo.

Haxhiu, ka bërë thirrje që të ruhet integritetit i hetimeve.

“Ajo çfarë është e rëndësishme ta theksoj është që secili nga ne, institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë këtu edhe mediat, duhet të kujdesemi që ta ruajmë integritetin e hetimeve, sepse kjo është një çështje shumë e ndjeshme, e po ashtu të kemi konsideratë për familjet që presin informacione se çfarë po ndodh në këtë terren”, ka shtuar ajo.

Haxhiu tha se çështja e personave të zhdukur me dhunë mbetet plagë e hapur edhe më shumë se 25 vjet pas përfundimit të luftës.

“Ajo çfarë duhet të theksoj po ashtu është që personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë — pra gjatë luftës së fundit në Kosovë — është plaga më e madhe me të cilën po përballemi edhe sot. Pra, përkundër faktit që kanë kaluar mbi 27 vite nga periudha e luftës, ne përballemi me pasojat e asaj lufte. Për sa kohë këtu po bëhet përpjekje maksimale për të kuptuar se ku janë personat e zhdukur me dhunë, vazhdojmë të përballemi me gjuhë urrejtjeje, me retorikë shoviniste, me mohim të krimeve, e po ashtu me pretendime me pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës nga krerët e institucioneve në Serbi”, ka shtuar ndër të tjera Haxhiu./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara