Aktualitet

KDI: Kuvendi të ratifikojë katër marrëveshjet ndërkombëtare, të mos mbetet peng i inateve partiake

Published

on

Sot kur pritet vazhdimi i seancës plenare, të filluar të premten e kaluar, Instituti Demokratik i Kosovës kërkoi nga të gjithë deputetët që të votojnë katër marrëveshjet ndërkombëtare të cilat nuk arritën të miratohen në seancat e kaluara në mungesë të kuorumit, ani pse në sallë të pranishëm ishin 93 deputetë.

KDI thekson se meqë ratifikimi i marrëveshje ndërkombëtare kërkon 2/3 e votave të deputetëve, kjo nënkupton se nevojitet pajtueshmëri më e gjerë në mes të grupeve parlamentare për t’i miratuar ato.

“Duke pasur parasysh që shumica parlamentare nuk i ka votat që t’i kalojë këto marrëveshje, i takon shumicës parlamentare që të bëj përpjekje për gjetjen e një gjuhe të përbashkët me opozitën, në funksion të arritjes së pajtueshmërisë për miratimin e tyre”, thuhet në reagimin e KDI-së.

KDI konsideron se një qasje bashkëpunuese mes shumicës parlamentare dhe opozitës e promovuar dhe e kultivuar nga shumica, duhet të mbizotërojë në angazhimin e përbashkët për çështje që shkojnë përtej interesave partiake dhe kontribuojnë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Ndryshe, të hënën ka dështuar votimi i Projektligjit për Ratifikimin e Amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.

Ani pse ishin të pranishëm 93 deputetë, vetëm 71 ishin pro dhe asnjë kundër këtij Projektligji.

Në këtë seancë u propozua që mos të shqyrtohen pa prezencë të ministrave përkatës dhe derisa të krijohen kushtet për votim edhe Projektligjit për Amendamentimin e Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Dukës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II), Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë (HERAS+)” si dhe Projektligji për ratifikimin e Amendamentimit nr.1 të Marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.

Rajoni

Ka nisur protesta në Shkup, studentë nga Kosova në mbështetje të kolegëve

Published

on

Ka nisur grumbullimi i qytetarëve dhe studentëve në Shkup për protestën e paralajmëruar nga studentët e universiteteve në gjuhën shqipe, të cilët kërkojnë mbrojtjen e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale.

Protesta, e organizuar me moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”, pjesëmarrësit kanë filluar të mblidhen në Urën e Gurit.

Në mbështetje të kolegëve të tyre kanë ardhur edhe studentë nga Kosova, të cilët thanë se përkrahja e tyre nuk do të mungojë dhe se protestat do të zhvillohen në mënyrë të qytetëruar.

“Studentët në Maqedoninë e Veriut nuk janë vetë, ne jemi këtu për t’i ndihmuar. Duam të tregojmë se mbështetja jonë është e vazhdueshme dhe nuk do të ndalemi këtu”, tha një student nga Kosova. Ai shtoi se në protestë po marrin pjesë të rinj nga të gjitha qytetet e Kosovës.

“Ne kemi ardhur si grup me autobus dhe këtë protestë po e bëjmë në mënyrë të qytetëruar. Jemi prej të gjitha qyteteve të Kosovës”, u shpreh ai.

Organizatorët u kanë bërë thirrje edhe sportistëve, artistëve dhe figurave publike që t’i bashkohen protestës dhe të mbështesin kërkesat e studentëve.

Kjo është protesta e dytë e organizuar nga studentët, pas asaj të mbajtur më 6 prill të këtij viti.

Continue Reading

Aktualitet

Gjendet i vdekur një burrë në “Ulpianë”

Published

on

Një burrë është gjetur i vdekur sot pas mesditës në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se rasti është raportuar rreth orës 14:30.

Pas marrjes së informatës, ekipet e urgjencës dhe policia kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës.

“Rreth orës 14:30 kemi pranuar informatën se një person pa shenja jete gjendet në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Vdekjen e viktimës (mashkull) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Pllana.

Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka nisur menjëherë hetimet dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të ndriçuar dhe sqaruar rrethanat e këtij rasti. Për momentin, autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë rreth identitetit të viktimës apo shkaqeve të vdekjes.

Continue Reading

Live

Droni rus godet anijen kineze në Ukrainë, një ditë para vizitës së Putinit te Xi Jinping

Published

on

Dronët rusë kanë goditur dy anije në Detin e Zi që po i afroheshin porteve në rajonin e Odessas në Ukrainë, përfshirë një anije mallrash në pronësi kineze, vetëm një ditë para se presidenti rus Vladimir Putin të niset drejt Pekinit për t’u takuar med Xi Jinping.

Autoriteti i porteve detare të Ukrainës njoftoi se sulmet goditën dy anije civile të hënën, njëra nën flamurin e Ishujve Marshall dhe tjetra nën flamurin e Guinesë-Bissau, të cilat po drejtoheshin për në portet e rajonit.

Marina ukrainase raportoi për një goditje mbi anijen “KSL Deyang”, një anije mallrash në pronësi kineze dhe me ekuipazh kinez, që lundronte nën flamurin e Ishujve Marshall. Ajo publikoi një fotografi të anijes ku shihej emri i saj dhe njëra nga anët pjesërisht e djegur.

Rusia ka sulmuar rregullisht anijet civile në zonën portuale të Odessas – një qendër jetike detare për eksportet bujqësore ukrainase – që kur pushtoi Ukrainën katër vjet më parë. Sulmi i së hënës vjen pikërisht përpara udhëtimit dyditor të Putinit në Pekin, ku ai do të zhvillojë bisedime me presidentin kinez Xi.

“Dronët goditën Odessan dhe një nga UAV-të [mjetet ajrore pa pilot] goditi një anije në pronësi të Kinës,” tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në një postim në rrjetet sociale. “Rusët nuk ka mundësi të mos ishin në dijeni se çfarë anijeje ndodhej në det.”

Një zëdhënës i marinës së Ukrainës tha për agjencinë e lajmeve AFP se askush nga ekuipazhi – të gjithë shtetas kinezë – nuk u plagos dhe se anija në pronësi kineze vazhdoi udhëtimin e saj. Ndërkohë, një burim i profesioneve i tha agjencisë së lajmeve Reuters se “Deyang” ishte pa ngarkesë në momentin e sulmit, pasi po shkonte për t’u ngarkuar me koncentrat të rrezeve të hekurit në portin Pivdennyi të Ukrainës, në rajonin e Odessas.

“Anija po hynte për ngarkim. Pasi u godit natën nga një dron ‘Shahed’, ekuipazhi u përball vetë me pasojat. Për fat të mirë, askush nuk u lëndua dhe anija vazhdoi rrugën drejt portit të destinacionit,” tha zëdhënësi i marinës ukrainase, Dmytro Pletenchuk.

Zelenskyy deklaroi se forcat ruse sulmuan territorin ukrainas gjatë natës me 524 dronë dhe 22 raketa, përfshirë raketa balistike dhe kruz.

Kina ka bërë thirrje rregullisht për bisedime që t’i jepet fund luftës në Ukrainë, por kurrë nuk e ka dënuar Rusinë për dërgimin e trupave në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, duke e paraqitur veten si një palë neutrale. /Al Jazzera/

 

Continue Reading

Lajmet

Aksident fatal në Koshare të Ferizajt, humb jetën një person

Published

on

Një aksident komunikacioni ka ndodhur sot në fshatin Koshare të Ferizajt, ku si pasojë ka mbetur i vdekur një person i moshës 60-vjeçare.

Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Kosovës, në aksident janë përfshirë dy vetura me targa vendore, ndërsa rasti ka ndodhur rreth orës 12:15. Për shkak të lëndimeve të rënda, viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar detajet e kësaj ngjarjeje tragjike.

“Sot rreth orës 12:15 kemi pranuar informatën se në fshatin Koshare të Ferizajt ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë dy vetura me targa vendore. Si pasojë e këtij aksidenti ka humbur jetën një person, mashkull, i moshës 60 vjeç, vdekja e të cilit është konfirmuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor”, ka thënë Veseli.

Njësitet policore të trafikut kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe po hetojnë shkaqet që çuan deri te ky aksident fatal.

Continue Reading

Të kërkuara