Molieri, emri artistik i Jean-Baptiste Poquelin, është një nga figurat më të ndritura të teatrit francez dhe letërsisë botërore.
U lind në Paris më 15 janar 1622, erdhi në jetë në një familje borgjeze, ku i ati ushtronte zanatin e tapicierit dhe kishte lidhje me pallatin mbretëror.
Megjithatë, Molieri zgjodhi një rrugë tjetër nga ajo që familja kishte parashikuar: rrugën e teatrit, një zgjedhje e guximshme për kohën. Pas studimeve të filozofisë dhe drejtësisë, themeloi trupën teatrore L’Illustre Théâtre, e cila do të përballej fillimisht me vështirësi ekonomike.
Pavarësisht këtyre pengesave, pas një dekade turnesh në provinca, u kthye në Paris e fitoi vëmendjen e oborrit mbretëror. Mbretit Luigji XIV i pëlqeu stili i gjallë, dhe Molieri gëzoi mbështetjen e tij në shumë nga veprat e mëvonshme, edhe kur ato krijonin polemika.
Ai është i njohur për një sërë komedish që godasin hipokrizinë, mashtrimet, shtirjet fetare e veset e klasës. Molieri nuk i druhej asnjë teme, vuri në lojë shtresat e fuqishme të shoqërisë së kohës. Në veprën “Tartuffe”, denoncoi rrezikun e fanatizmit fetar, duke shkaktuar zemërim në radhët e kishës, e cila arriti të ndalonte shfaqjen për disa vite.
Molieri su tërhoq. Komedian në skenë dhe autor i paharrueshëm në letërsi, luajti në rolet kryesore të veprave. Disa nga dramat më të njohura janë: “Le Misanthrope” (Mizantropi), ku ironizon sinqeritetin e sëmurë dhe pamundësinë për të jetuar në një botë hipokrite; “L’Avare” (Kopraci), ku Harpagoni është bërë simbol i lakmisë ekstreme; “Le Malade Imaginaire” (I sëmuri i imagjinuar), që përqesh mjekësinë dhe frikën nga sëmundja; “Les Femmes Savantes” (Gratë e ditura), ku kritikon feminizmin artificial të disa zonjave borgjeze.
Gjuha që përdor Molieri është elegante, e pasur me rimë, sarkazëm dhe ritëm dramatik. Ai solli frymë të re në teatër duke përzier komedinë tradicionale italiane me realitetin e jetës franceze, duke krijuar personazhe të gjalla dhe situata që nuk humbin asgjë nga aktualiteti edhe sot.
Ai ishte një shkrimtar që nuk u përkul përpara moralit zyrtar, dhe për këtë u dashurua nga publiku, por edhe u sulmua nga kundërshtarët.
Ironikisht, Molieri vdiq në skenë, duke luajtur pikërisht rolin e të sëmurit imagjinar, më 17 shkurt 1673. Thuhet se akti i fundit i jetës ndodhi gjatë shfaqjes së katërt, kur, i sëmurë dhe i rraskapitur, pësoi një krizë që do t’i merrte jetën pak orë më pas. Si aktor, Molieri nuk u lejua të varrosej në mënyrë të rregullt nga Kisha Katolike, sepse profesioni nuk konsiderohej “i denjë”. Vetëm ndërhyrja e mbretit bëri të mundur që të prehej në një varr modest, por me nderime.
Sot, është simboli i gjallë i teatrit francez e një nga emrat që mishëron guximin e të vërtetës përmes artit. Akademia Franceze e ka konsideruar Molieri, si “shkrimtari që i dha gjuhës franceze vetëdijen e saj teatrale”. Trashëgimia e tij jeton në çdo skenë ku qeshet me absurditetin njerëzor. Ai mbetet një nga ata autorë që nuk ka nevojë për përkthim për të kuptuar qëllimin: të nxisë të menduarit përmes të qeshurës.
Veset e Molierit dhe komedia që shndërroi në zhanër elitar
Pak e njohur është se Molieri ishte një njeri i përpiktë në punën e tij e kërkonte disiplinë të madhe nga aktorët e trupës. Ai jo vetëm që shkruante dhe interpretonte, por edhe drejtonte shfaqjet, përgatiste kostumet dhe merrej me aspektet financiare të trupës. Ai kishte një marrëdhënie të veçantë me mbretin Luigj XIV, i cili e kishte përzemër dhe e mbronte nga kritikat e kishës apo të moralistëve të kohës. Molieri konsiderohet si “dramaturgu i oborrit”, pasi shfaqjet ishin pjesë e festivaleve mbretërore. Një fakt pak i ditur është se ai ishte bashkëpunëtor i muzikantit Jean-Baptiste Lully, me të cilin krijoi një seri komedish me muzikë, që do të ishin pararendëset e operetave franceze. Veprat e tyre ishin të njohura si “comédie-ballet”, një risi për kohën.
Martesa e Molierit që shkaktoi zhurmë dhe largimi nga oborri i mbretit
Molieri, emri i vërtetë i të cilit ishte Jean-Baptiste Poquelin, kishte jetë private që përplasej me konvencionet shoqërore të kohës. I lindur në një familje borgjeze të Parisit, u edukua në shkolla të njohura e pritej të ndiqte gjurmët e të atit, i cili punonte në pallatin mbretëror. Molieri e braktisi këtë rrugë për të ndjekur teatrin një zgjedhje e konsideruar e turpshme për kohën. Zgjedhja e jetës si aktor e largoi nga familja për shumë vite. Vetë arti i teatrit shihej me dyshim nga shoqëria dhe kisha, dhe kjo ndikoi edhe në imazhin e tij personal. Molieri kaloi një pjesë të mirë të jetës në turne me trupën e tij, gjë që e bëri të jetonte një jetë nomade, larg stabilitetit e familjes së gjerë. Jeta dashurore ishte po aq e diskutuar sa edhe veprat që shkruante.
Më 1662, Molieri u martua me Armande Béjart, një aktore shumë më e re në moshë, gjë që shkaktoi shumë thashetheme në Paris.
Një pjesë e publikut aludoi se mund të ketë qenë bija e dashnores së tij, Madeleine Béjart, e cila ishte aktore e bashkëthemeluese e trupës së tij teatrore.
Martesa me Armande s’ishte e lehtë. Thuhet se ishte kokëfortë, e pavarur dhe vazhdoi të luante edhe pas martesës, diçka që shoqëria franceze nuk e pranonte për një grua të martuar. Pati dyshime për pabesi, gjë që la gjurmë në shfaqjet e Molierit, ku shfaqen martesa problematike e figura femrash manipuluese.
Molieri kishte tre fëmijë me Armande, por vetëm njëri prej tyre arriti të mbijetojë. Ai ishte shumë i lidhur me familjen e vet të ngushtë, por nuk pati kurrë një jetë të qetë familja