Shëndet

Katër rregulla të ushqyerjes për të qëndruar në formë

Published

on

Doktori Kurt Hong, që është profesor në Universitetin e Kalifornisë Jugore, ka thënë se për të qëndruar i ri njeriu duhet të konsumojë sa më shumë fruta, perime, e peshk. Ai ka rekomanduar gjithashtu që ushqimi të gatuhet në shtëpi në mënyrë që të shmangen ushqimet e shumëpërpunuara.

Doktori ka dekada që studion lidhjen mes ushqimit dhe jetëgjatësisë. Ai ndihmon pacientët të shmangin sëmundje si diabeti i tipt 2 dhe kanceri, por njëkohësisht, praktikon atë që predikon edhe për vete.

“Gjithmonë i them gruas në shaka: E bëj edhe për arsye egoiste. Po kërkoj gjithmonë mënyra për të qëndruar i ri”, ka thënë Hong për Business Insider.

Hong është 52 vjeç dhe baba i tre fëmijëve, por thotë se ndiehet shumë më i ri se mosha që ka.

“Trupi mund të të thotë se je 52, por ti mund të sillesh dhe të ndihesh si 35-vjeçar, ose anasjelltas”, ka shpjeguar ai.

Ai ndjek një model të thjeshtë ushqimi, bazuar kryesisht në dietën mesdhetare, të cilën e përshkruan si çelësin për të jetuar më gjatë dhe më shëndetshëm.

Hani perime dhe fruta çdo ditë

“Këshilla ime numër një është: Hani frutat dhe perimet”, ka thënë Hong.

Ai thekson rëndësinë e fibrave që gjenden te bimët, të cilat ndihmojnë në uljen e kolesterolit, shëndetin e zemrës, mbrojtjen nga disa lloje kanceri dhe krijimin e një mikrobiome të shëndetshme në zorrë.

Një studim i vitit 2019 që ndoqi mbi 12,000 njerëz për 29 vjet, zbuloi se ata që hanin rreth 4-5 porcione bimësh në ditë dhe pak ose aspak mish të përpunuar, kishin 18-25 për qind më pak gjasa për të vdekur herët.

Konsumoni më shumë peshk, më pak mish të kuq

“Unë ha shumë peshk”, ka treguar Hong.

Ai preferon salmon të egër, ton albakor dhe halibut, të gatuar në furrë ose të zier, jo të skuqur. Peshku është i pasur me omega-3, që ndihmon në ruajtjen e shëndetit të trurit dhe ul rrezikun për Alzheimer dhe probleme mendore me kalimin e moshës.

“Edhe nëse nuk hani peshk çdo ditë, përpiquni ta konsumoni 2-3 herë në javë”, ka sugjeruar ai.

Mos e teproni me sasinë

Edhe nëse hani ushqime të shëndetshme, sasia ka rëndësi, paralajmëron mjeku.

“Mund të hash gjërat e duhura, por nëse ke peshë të tepërt, prapëseprapë ke inflamacion në trup që rrit rrezikun për sëmundje kronike”, ka thënë ai.

Hong përpiqet të ruajë ekuilibrin mes kalorive dhe përbërësve të dobishëm. Për shembull, mëngjesin mund ta fillojë me tre vezë të ziera, por konsumon vetëm të bardhat e dy prej tyre për të reduktuar kaloritë, pa humbur proteinën.

“Është çështje sasie dhe cilësie”, ka shtuar ai.

Gatuani në shtëpi për të shmangur ushqimet e shumëpërpunuara

Ushqimet e shumëpërpunuara janë të lehta për t’u gjetur dhe për t’u konsumuar, por sipas Hong, janë të lidhura me sëmundje të zemrës, diabet, kancer, depresion dhe vdekje të hershme.

“E kuptoj që është e pamundur t’i shmangësh plotësisht, janë kudo. Por përpiqem të përgatis ushqimin vetë sa më shumë që mundem”, ka thënë ai.

Shëndet

Sekreti bimor që ul sheqerin në gjak dhe frenon shtimin në peshë

Published

on

Një dietë e shëndetshme me bazë bimore mund të sjellë përfitime të mëdha për shëndetin, duke ulur kolesterolin, rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe të diabetit të tipit 2.

Një studim i ri mbi më shumë se 113,000 persona në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se këto përfitime shfaqen vetëm kur shmangen ushqimet e përpunuara dhe të pasura me sheqer.

Sipas analizës 12-vjeçare, personat që konsumonin më shumë fruta, perime dhe drithëra të plota kishin peshë më të ulët, kontroll më të mirë të sheqerit në gjak dhe rrezik më të vogël për diabet – madje edhe ata me predispozitë gjenetike.

Studiuesit theksojnë se një dietë bimore e shëndetshme përmirëson funksionin e mëlçisë e veshkave, gjë që ul rrezikun e diabetit të tipit 2.

Sipas ekspertëve, këto gjetje tregojnë se njerëzit me rrezik të lartë mund të mbrohen ndjeshëm përmes përzgjedhjes së ushqimeve të duhura. /A.Z/UBT News/

 

 

Continue Reading

Shëndet

Debat në SHBA! Ekspertët heqin rekomandimin e hershëm për vaksinën e hepatitit B

Published

on

Një panel amerikan i këshilltarëve për vaksinat (ACIP) ka votuar për t’i dhënë fund rekomandimit që të gjithë të sapolindurit të marrin menjëherë vaksinën kundër hepatitit B, nëse nëna është negative për këtë virus.

Tani, vaksinimi do të vendoset rast pas rasti.

Vendimi vjen pasi sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., zëvendësoi anëtarët e panelit me persona më kritik ndaj vaksinave.

Ekspertët paralajmërojnë se ky ndryshim mund të rrisë hezitimin ndaj vaksinimit dhe rasteve të infeksionit.

Disa anëtarë kundërshtuan propozimin që fëmijët të mos e marrin vaksinën para moshës dy muajsh.

Sidoqoftë, paneli vijon të rekomandojë vaksinim të menjëhershëm për foshnjat e lindura nga nëna që janë pozitive për hepatitin B. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Shëndet

Zgjohesh me kafe? Shëndeti yt thotë “ndalo!”

Published

on

Shqiptarët konsumojnë shumë kafe dhe një person pi mesatarisht 3.1 kg në vit.

Megjithëse zakonisht pihet në mëngjes, shumë njerëz e pijnë me stomak bosh – gjë që ekspertët e konsiderojnë të dëmshme.

Kafeja e konsumuar pa ngrënë rrit prodhimin e acidit në stomak, çka mund të shkaktojë irritim të mukozës, fryrje, inflamacion të zorrëve dhe probleme me tretjen.

Ajo rrit gjithashtu nivelin e kortizolit, duke e vënë trupin në stres dhe duke e bërë më të vështirë kthimin në gjendje normale.

Sipas ekspertëve, koha më e mirë për të pirë kafe është rreth një orë pas zgjimit, pasi të jetë konsumuar pak ushqim.

Nëse dikush e pi domosdoshmërisht me stomak bosh, rekomandohet të shtojë pak qumësht ose ta shoqërojë me një biskotë për të ulur efektet negative. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Shëndet

Kujdes! Ja shenjat që tregojnë se po e teproni me karbohidrate

Published

on

Karbohidratet janë një nga burimet kryesore të energjisë për trupin.

Edhe pse disa njerëz përpiqen t’i eliminojnë plotësisht nga dieta, ato mbeten thelbësore për funksionimin e duhur të organizmit.

Çelësi qëndron në zgjedhjen e burimeve të cilësisë dhe konsumimin në mënyrë të moderuar.

Burime të shëndetshme të karbohidrateve

Karbohidratet komplekse, si tërshëra, drithërat e plota, patatet dhe bishtajoret, ofrojnë energji të qëndrueshme, ndihmojnë në ndjesinë e ngopjes dhe mbështesin shëndetin e sistemit tretës. Ekuilibri është kyç – asnjë ushqim nuk duhet konsumuar në tepri.

Simptomat e konsumit të tepërt të karbohidrateve

Fryrje: Konsumi i tepruar, veçanërisht i karbohidrateve të rafinuara si buka e bardhë, makaronat dhe ëmbëlsirat, ngadalësojnë tretjen e shkaktojnë ndjesi fryrjeje.

Shtim në peshë: Ushqimet me karbohidrat shoqërohen me yndyrna shtesë, gjë që rrit marrjen e kalorive e çon në shtim në peshë, edhe kur zgjidhen burime relativisht të shëndetshme.

Shfaqja e akneve: Marrja e tepërt e sheqerit dhe karbohidrateve ndikon në lëkurë e rrit shfaqjen e akneve, veçanërisht në pjesën e poshtme të fytyrës. Reduktimi i këtyre ushqimeve mund të përmirësojë gjendjen e lëkurës.

Probleme me gjumin: Konsumi i lartë i karbohidrateve në mbrëmje mund ta bëjë më të vështirë të biesh në gjumë, pasi trupi fokusohet në përpunimin e sheqerit në vend që të përgatitet për pushim.

Lodhje e vazhdueshme: Sasi të mëdha karbohidratesh shkaktojnë rritje të papritur të sheqerit në gjak, pasuar nga rënie e shpejtë, gjë që mund të çojë në lodhje, dhimbje koke dhe ndjenjën e “mjegullës në tru”.

Kombinimi i karbohidrateve me proteina dhe yndyrna të shëndetshme ndihmon në ruajtjen e energjisë së qëndrueshme gjatë ditës. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara