Lajmet

Katër mënyra si të trajtoni majat dyshe të flokëve

Trajtimet bëhen duke u bazuar në llojin e flokut.

Published

on

Thënia se flokët janë gjysma e bukurisë është aq e famshme sa është kthyer në një fakt të mirëfilltë!

Kujdesi për flokët zë një pjesë të rëndësishme të ditës dhe të shpenzimeve për shumicën e njerëzve.

Për çdo person që kërkon një pamje sa më interesante, eksperimentimi me flokët mund të jetë çelësi. Ndërsa për të tjerë mbajtja e tyre sa më natyralë dhe të shkëlqyeshëm është një sfidë e përditshme.

Gjithsesi pavarësisht kërkesave specifike, dëshira për t’i patur flokët sa më të shëndetshëm i mbledh të gjithë në një grup.

Flokët e këputur, të djegur dhe me maja dyshe nuk i dëshiron askush dhe pse janë shumë prezente gjatë jetës.

Për të shpëtuar nga ky problem, duhet të ktheni sytë nga metodat sa më natyrale dhe delikate për flokët tuaj.

Në këtë artikull ju tregojmë katër mënyra të lehta e të shpejta të cilat ju ndihmojnë të keni sërish flokë të shëndetshëm.

Ndiqni më poshtë mënyrën e saktë të përgatitjes së tyre në shtëpitë tuaja.

Trajtimi me kos dhe vaj ulliri

Nëse keni flokë të thatë, të djegur nga boja apo tharësja kjo maskë do të ndihmojë në hidratimin e shpejtë të tyre.

Mjafton të hidhni në një enë rreth 60 ml kos, 1 lugë gjelle vaj ulliri dhe t’i përzieni mirë.

Aplikojeni më pas tek zona problematike e flokëve tuaj, tek pjesa e majave dhe lëreni në kokë për 10-15 minuta.

Kur koha të ketë mbaruar, lani kokën me ujë dhe shampo si zakonisht duke hequr me kujdes të gjithë maskën.

Përsëriteni këtë trajtim 1-2 herë në java para se të bëni dush, për të përfituar flokë të hidratuar pa maja dyshe.

Trajtimi me vezë dhe mjaltë

Mjalti dhe veza përmbajnë proteina dhe amino acide të cilat parandalojnë këputjen e flokëve.

Për të shpëtuar nga majat dyshe, përzieni një të verdhë veze dhe një lugë çaji mjaltë.

Vendoseni maskën tek majat e flokëve dhe lëreni të thahet për dy orë.

Më pas mund ta lani kokën si zakonisht me ujë dhe shampo.

Trajtimi me vaj kokosi

Vaji i kokosit është një ndër trajtimet më të mira për flokët, pasi funksionon si një hidratues i mrekullueshëm.

Hidhni në një enë të vogël 60 ml vaj kokosi dhe ngroheni për 10 sekonda në mikrovalë ose shkrijeni atë në duar pak nga pak.

Mjafton ta fërkoni tek duart dhe masa e ngurtë, e bardhë e vajit të kokosit do të kthehet në vaj.

Lyeni me kujdes maja e flokëve tuaj dhe lëreni përgjatë gjithë natës më pas mund t’i lani flokët.

Këtë mënyrë mund t’a përdorni edhe pasi keni bërë dush, duke i lyer pak majat e flokëve me vaj kokosi, në mënyrë që të veprojë si një krem zbutës.

Gjithnjë bëni kujdes me sasinë që vendosni, pasi flokët mund të përfundojnë duke u yndyrosur tej mase.

Trajtimi me erëza dhe uthull molle

Uthulla e mollës ndihmon në zbutjen dhe shkëlqimin e flokëve, ndaj është një trajtim i përsosur edhe për majat dyshe.

Në një tenxhere të vogël hidhni 250 ml ujë, disa gjethe nenexhik, sherebelë dhe rozmarinë dhe vëreni në zjarr mesatar.

Lërini të ziejnë për 10 minuta dhe më pas kur uji të jetë ftohur, kullojeni me kujdes.

Në fund shtoni edhe dy lugë gjelle uthull molle dhe lyeni majat e flokëve apo pjesën problematike për ju.

Këtë trajtim vendoseni në flokë kur të jeni brenda në dush, pasi t’i keni larë flokët me shampo dhe mbajeni në kokë për 1 minutë.

Pasi t’i keni lyer mirë, shpëlajini flokët me ujë të bollshëm dhe maska është e përfunduar./AgroWeb.org

Vendi

Policia nis hetimet për vdekjen e një gruaje në Fushë Kosovë

Published

on

By

Një grua është gjetur pa shenja jete në Fushë Kosovë gjatë ditës së djeshme. Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes raportit të saj 24-orësh.

Sipas njoftimit zyrtar, ka qenë një dëshmitar ai i cili ka raportuar në polici se viktima nuk jepte shenja jete. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë relevante policore së bashku me ekipin mjekësor, ku mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e saj.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, me urdhër të të cilit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. Policia ka nisur hetimet dhe po e trajton rastin si “Hetim mbi vdekjen” deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Irina Shayk mban ligjëratë në Universitetin e Oxfordit

Published

on

Modelja e njohur ruse, Irina Shayk, ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram momente nga vizita në Universitetin e Oxfordit, ku ishte e ftuar si folëse në një aktivitet të organizuar nga Oxford Union.

Shayk e cilësoi ftesën si një nder të veçantë, duke theksuar rëndësinë e Oxford Union si një institucion që ka pritur ndër vite mendimtarë, udhëheqës dhe figura me ndikim në shoqëri.

“Falënderoj Oxford Union dhe Universitetin e Oxfordit për mundësinë që të ndaj rrugëtimin tim. Jam shumë mirënjohëse për pritjen e ngrohtë, bisedat e thelluara dhe momentet e paharrueshme”, ka shkruar ajo.

Modelja publikoi disa fotografi nga vizita e saj në Oxford, ku u shfaq me një kostum elegant të zi. Në njërën prej fotografive ajo pozonte me librin “Mysafirët e shquar të Oxford Union”.

Ligjërata e saj tërhoqi interesimin e studentëve të shumtë, të cilët morën pjesë në aktivitet dhe ndoqën me vëmendje rrëfimin e saj për karrierën dhe përvojat personale.

Postimi i Shayk mori mijëra reagime nga fansat, të cilët e uruan për këtë arritje dhe i shprehën mbështetjen e tyre./A.K/

Continue Reading

Rajoni

Rama mesazh protestuesve: “Unë jam miku, jo armiku juaj”

Published

on

By

Përmes një reagimi të gjatë dhe me ton mjaft personal në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama i është drejtuar qytetarëve në rrjetet sociale, që morën pjesë në protestën e mbrëmshme në bulevard. Kreu i qeverisë u shpreh se nuk i sheh protestuesit si humbës, por si njerëz të mbetur vetëm me hallin e tyre, pasi u përdorën nga ata që ai i quajti “skllevërit e algoritmit” dhe faktorë të ndryshëm politikë e mediatikë.

Në mesazhin e tij, Rama deklaroi se e mirëkupton zemërimin e çdo qytetari që përballet me probleme të përditshme si legalizimet, pagat në të zezë apo vështirësitë në shëndetësi, duke ndarë të njëjtin irritim ndaj nëpunësve arrogantë. Megjithatë, ai hodhi akuza të forta ndaj organizatorëve, opinionistëve, influencuesve dhe grupeve nga diaspora, duke thënë se pasi morën klikimet, ndjekësit dhe vëmendjen e mbrëmjes, i braktisën protestuesit në bulevard.

“Ti mbete vetëm, me hallin tënd dhe pa askënd që ta qan, shembëlltyrë njerëzore e proletariatit të algoritmit,” shkruan Rama, duke shtuar se edhe ai vetë ndjen shijen e tradhtisë kur vartës të caktuar abuzojnë me besimin e tij. Në mbyllje të letrës, kryeministri bëri një thirrje të hapur për dialog: “Pyete veten nëse armiku yt jam unë… apo ata që të kthyen në heroin e mbrëmjes për të të lënë në rrugë si shishe boshe. Eja tek unë, jo të më duartrokasësh, por që të mos lejojmë askënd ta përdorë hallin tënd kundër Shqipërisë.” /E.A/

Continue Reading

Vendi

Profesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku, publikon studim shkencor mbi burimin mineral të Vërbocit në revistën ndërkombëtare Underground Vision SpeleoMedit Magazine

Published

on

By

Angazhimi i vazhdueshëm i stafit akademik të UBT-së në kërkimin shkencor po vazhdon të sjellë rezultate të rëndësishme në promovimin e vlerave natyrore, shkencore dhe mjedisore të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Profesori i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Hazir S. Çadraku, ka publikuar punimin shkencor me titull “Identity Card of the Mineral Water Spring ‘Vërboc’, Republic of Kosovo” në revistën ndërkombëtare Underground Vision SpeleoMedit Magazine.

Studimi paraqet një analizë të detajuar të burimit mineral të Vërbocit, i cili ndodhet në territorin e Komunës së Drenasit, duke trajtuar aspektet gjeografike, gjeologjike, hidro-gjeologjike dhe mjedisore të këtij resursi të rëndësishëm natyror. Përmes hulumtimeve në terren, analizës së literaturës shkencore dhe përdorimit të metodave bashkëkohore të matjes dhe hartografimit, punimi synon të krijojë një “kartë identiteti” të këtij burimi mineral, duke kontribuar në dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e pasurive ujore të Kosovës.

Në punim theksohet rëndësia e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore për jetën e njeriut, biodiversitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe nevoja për identifikimin dhe menaxhimin e tyre profesional. Studimi sjell të dhëna të reja shkencore për burimin mineral të Vërbocit, i cili deri më tani ka qenë relativisht pak i trajtuar në literaturën akademike.

Ky publikim përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në fushën e hidrogjeologjisë, shkencave mjedisore dhe menaxhimit të resurseve ujore, duke dëshmuar njëherësh përkushtimin e UBT-së ndaj kërkimit shkencor, inovacionit dhe prodhimit të njohurive me ndikim në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Këtu mund ta lexoni artikullin e plotë: LINKU

Continue Reading

Të kërkuara