Lajmet

Katër konkluzione të nxjerra nga zgjedhjet në ShBA

Zgjedhjet e mesmandatit u mbajtën më 8 nëntor.

Published

on

Reuters

Demokratët dolën më mirë seç pritej në zgjedhjet e mesmandatit në ShBA, të cilat u mbajtën më 8 nëntor. Por, derisa numërimi i votave vazhdon ende në disa shtete, ka mundësi që republikanët të përfundojnë edhe me kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, edhe me atë të Senatit.

Roli i Fettermanit

Fitorja e demokratit John Fetterman në Pensilvani kundrejt republikanit Mehmet Oz u jep demokratëve edhe një ulëse në Senat – dhomën që aktualisht është e ndarë në 50 me 50. Kjo do të thotë se republikanët do të duhet të fitojnë së paku tri vende në Xhorxhia, Arizona dhe Nevada, për të marrë kontrollin e dhomës.

Për Fettermanin, i njohur për veshjen e xhupave me kapele në vend të kostumeve, fitorja ka qenë edhe triumf personal, pas një sulmi në kokë që ka pësuar muaj më parë.

Oz, me profesion mjek, ka vënë në pikëpyetje aftësinë e tij për të kryer detyrat. Ai ka bërë shumë vizita në rajonet rurale të shtetit, duke folur për krijimin e vendeve të punës për klasën punëtore. Kjo edhe i është shpaguar. Ai ka fituar qarqet e njëjta rurale që i ka fituar edhe ish-presidenti Donald Trump, në vitin 2020.

J.J. Abbott, i cili ka qenë sekretar shtypi i ish-guvernatorit të Pensilvanisë, Tom Wolf, ka vlerësuar Fettermanin për performancën e tij, por ka thënë se shqetësimet e votuesve për të drejtat e abortit dhe integritetin e zgjedhjeve kanë qenë gjithashtu faktorë.

Fetterman ka zhvilluar “një fushatë autentike dhe të fortë, që ka mposhtur në mënyrë efektive një mori sulmesh”, ka thënë Abbott.

Aborti në kutitë e votimit

Nëse demokratët përfundojnë duke zvogëluar humbjet e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve dhe duke mbajtur kontrollin e Senatit, çështja e të drejtave të abortit do të mund të konsiderohet si meritore.

Në muajin qershor, Gjykata Supreme e ShBA-së ka kufizuar ndjeshëm të drejtën e abortit.

Askund më shumë se në Miçigan, guvernatorja demokrat, Gretchen Whitmer, i cili është zotuar se do të luftojë për të drejtat e abortit, ka mposhtur sfiduesin republikan, Tudor Dixon.

Votuesit në Miçigan kanë miratuar edhe një dispozitë që i jep mbrojtje kushtetuese abortit – çfarë do të thotë se ligjvënësit republikanë do të përballeshin me pengesa të mëdha në përpjekjet e tyre për të kufizuar procedurën.

Sondazhet e kryera nga Edison Research kanë treguar se ekonomia dhe aborti kanë qenë dy çështjet kryesore për votuesit.

Për më tepër, 76% e demokratëve kanë thënë se aborti ka qenë shtytësi më i madh i tyre për të votuar.

Distrikti i 7-të i Virxhinias

Rezultatet në një pjesë të Virxhinias kanë dhënë disa sugjerime se si po zhvillohet gara për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Analistët kanë thënë se gara midis demokrates në pushtet, Abigail Spanberger, dhe republikanes Yesli Vega në distriktin e 7-të të Virxhinias do të jetë një lloj matësi.

Distrikti ndodhet në periferi të Uashingtonit.

Spanberger, e moderuar, dikur është konsideruar relativisht e sigurt, por me përkeqësimin e mjedisit politik për demokratët, pasiguritë për të janë rritur.

Në zgjedhjet e 8 nëntorit, Spanberger e ka mundur Vegën, duke sugjeruar se nëse do të ketë një valë republikane, ajo do të jetë më shumë një valëz sesa cunami.
Spanberger i ka bërë kundërshtimet e Vegës ndaj abortit temë qendrore të fushatës së saj.

Gara në distriktin e 10-të të shtetit, që ndodhet edhe më afër Uashingtonit, ka përfunduar, po ashtu, me mbetjen e demokrates Jennifer Wexton në detyrë. Republikanët, në anën tjetër, kanë fituar distriktin e parë të Virxhinias, i cili është udhëhequr deri më tash nga demokratja Elaine Luria.

Kjo fitore i afron republikanët më pranë pesë vendeve që u nevojiten për të marrë përsipër Dhomën e Përfaqësuesve.

Larg Virxhinias, demokratja Sharice Davids ka ruajtur vendin e saj në Kansas, duke mposhtur me lehtësi kundërshtarin e saj republikan. Ashtu si Spanberger, Davids është konsideruar si më e cenueshme.

Hapi i ardhshëm i DeSantisit

Ashtu siç pritej, republikani Ron DeSantis është rizgjedhur me lehtësi guvernator i Floridës.

Tani, të gjithë sytë do të jenë në hapin e tij të radhës: nëse ai do të ketë guxim të përballet me Trumpin në nominimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Se DeSantis është duke konsideruar garën për Shtëpinë e Bardhë, është sekret i hapur tash e sa muaj, ndonëse ai nuk flet kurrë publikisht për këtë.

Trump ka lënë të kuptohet se mund të shpallë kandidaturën e tij më 15 nëntor. Në mitingje, ai është tallur me DeSantisin, duke thënë se guvernatori nuk do të ishte një garues i fortë për nominimin e Partisë Republikane.

David Jolly, ish-kongresist republikan nga Florida, ka thënë se pret që DeSantis të japë së shpejti shenja për ambiciet e tij presidenciale.

Një sondazh me qytetarët e Floridës, i kryer së voni nga Victory Insights, ka zbuluar se ata janë të ndarë në mënyrë të barabartë: 50% për Trumpin dhe 50% për DeSantisin./REL

Vendi

Laura Fazliu fiton medaljen e argjendtë, Kosovën e çon në medaljen e pestë

Published

on

By

Xhudistja kosovare Laura Fazliu ka fituar medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 63 kilogramë, duke i siguruar Kosovës medaljen e pestë në këtë garë.

Fazliu arriti deri në finale, ku u përball me italianen Carlotta Avanzato, por u mposht në duelin për medaljen e artë dhe u desh të kënaqej me të argjendtën.

Kjo është medalja e katërt e Kosovës në xhudo dhe e pesta në total për vendin tonë.

Continue Reading

Lajmet

United Hospital investon në shëndetin e fëmijëve: kujdes pediatrik dhe analiza të plota vetëm 33 euro

Published

on

By

Shëndeti i fëmijëve kërkon vëmendje të veçantë, kujdes profesional dhe reagim në kohën e duhur. Me këtë filozofi, United Hospital po e zgjeron vazhdimisht kujdesin e tij shëndetësor edhe për pacientët më të vegjël, duke i kushtuar rëndësi kontrollit pediatrik, diagnostikimit të hershëm dhe përcjelljes së zhvillimit të tyre.

Një prej shqetësimeve më të shpeshta të prindërve është temperatura te fëmijët. Në materialin informues të publikuar nga spitali rikujtohet rëndësia e matjes së saktë të temperaturës dhe e vlerësimit të gjendjes së përgjithshme të fëmijës. Për foshnjat nën tre muaj, temperaturë mbi 38°C kërkon kontakt të menjëhershëm me pediatrin, ndërsa te fëmijët më të rritur vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet temperaturës që zgjat, si dhe rasteve kur shoqërohet me të vjella, diarre apo lodhje të theksuar.

Edmond Hajrizi: “Fëmijët janë e ardhmja jonë – kujdesi për shëndetin e tyre është obligim dhe prioritet profesional”

Kujdesi ndaj shëndetit të fëmijëve nuk është vetëm një shërbim mjekësor, por një përgjegjësi që kërkon përkushtim, profesionalizëm dhe ndërhyrje në kohën e duhur. Për United Hospital, shëndeti i pacientëve më të vegjël është një nga prioritetet e rëndësishme, me fokus të veçantë në parandalimin, diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin profesional të problemeve shëndetësore.

Drejtuesi i United Hospital, Edmond Hajrizi, thekson se investimi në shëndetin e fëmijëve është një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e shoqërisë.

“Fëmijët janë e ardhmja jonë dhe ne kemi obligim të kujdesemi për shëndetin e tyre dhe të ofrojmë shërbime cilësore që me kohë trajtojnë sëmundjet tek fëmijët. Ne insistojmë dhe promovojmë vlera shëndetësore të cilat kujdesen për çdo fëmijë, madje edhe për ata që kanë nevojë për ndihmën tonë”, shprehet Hajrizi.

Kjo qasje është reflektuar edhe përmes shërbimeve pediatrike që ofron United Hospital, duke i mundësuar prindërve qasje më të lehtë në kontrolle profesionale dhe analiza të nevojshme për vlerësimin e gjendjes shëndetësore të fëmijëve.

Në kuadër të kësaj oferte, kujdesi pediatrik dhe analizat e plota ofrohen me çmim prej vetëm 33 euro, duke synuar që kontrolli i rregullt dhe diagnostikimi i hershëm të jenë më të qasshme për familjet.

Për Hajrizin, kujdesi ndaj fëmijëve duhet të fillojë përpara se një shqetësim shëndetësor të shndërrohet në problem serioz. Për këtë arsye, kontrollet e rregullta, vlerësimi profesional dhe reagimi në kohë mbeten pjesë e rëndësishme e filozofisë së United Hospital.

Sepse kujdesi për një fëmijë sot do të thotë të investosh në një të ardhme më të shëndetshme nesër.

Në këtë kuadër, United Hospital ka përgatitur edhe Pakot Pediatrike, të dedikuara për kontrollin dhe monitorimin e shëndetit të fëmijëve. Paketa përfshin kontroll të plotë mjekësor dhe analiza laboratorike, me qëllim që prindërit të kenë një pasqyrë më të qartë mbi gjendjen shëndetësore dhe zhvillimin e fëmijës.

Për një periudhë promocionale, Pakoja Pediatrike ofrohet me çmim 33 euro, nga 55 euro, duke e bërë kujdesin parandalues më të qasshëm për familjet.

Krahas kontrollit mjekësor, spitali këshillon prindërit që gjatë episodeve me temperaturë t’u ofrojnë fëmijëve lëngje të mjaftueshme, t’i mbajnë në ambient të përshtatshëm dhe të shmangin veshjen e tepërt. Në rast të simptomave shqetësuese, këshilla profesionale e pediatrit mbetet vendimtare.

Me investimin e vazhdueshëm në shërbime, diagnostikim dhe kujdes të specializuar, United Hospital synon që shëndeti i fëmijëve të jetë jo vetëm një shërbim mjekësor, por një prioritet i përditshëm, duke u ofruar prindërve më shumë siguri dhe fëmijëve kujdesin që meritojnë./rajonipress/

📞 038 60 70 70 / 046 60 70 70
📍 M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë

Continue Reading

Vendi

Studimet e Sigurisë në UBT – një mundësi për të rinjtë që synojnë karrierë në siguri, politikë dhe teknologji

Published

on

By

Në një kohë kur siguria është bërë një nga çështjet më të rëndësishme për shoqëritë moderne, njohuritë dhe profesionistët e rinj në këtë fushë po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi. Për të rinjtë që duan të kuptojnë më mirë zhvillimet politike, institucionet e sigurisë, kërcënimet bashkëkohore dhe sfidat që lidhen me sigurinë kombëtare e ndërkombëtare, programi i Studimeve të SigurisëUBT ofron një mundësi për zhvillim akademik dhe profesional.

Programi është i orientuar drejt përgatitjes së studentëve me njohuri teorike, por edhe me aftësi praktike që mund t’u shërbejnë në karrierën e tyre të ardhshme. Një nga veçoritë kryesore të këtij programi është mundësia që studentët të thellojnë njohuritë në fusha të ndryshme të specializimit, duke kuptuar më mirë zhvillimet e politikave të sigurisë dhe mënyrën se si ato zbatohen në praktikë.

Për një të ri që zgjedh këtë drejtim studimi, përfitimi nuk kufizohet vetëm te marrja e një diplome. Studenti zhvillon aftësi për të analizuar situata të ndryshme të sigurisë, për të identifikuar rreziqet dhe kërcënimet dhe për të propozuar zgjidhje konkrete. Këto aftësi janë veçanërisht të rëndësishme në një realitet ku siguria nuk lidhet më vetëm me aspektet tradicionale, por edhe me teknologjinë, sigurinë kibernetike, emergjencat civile, gjeopolitikën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Një tjetër mundësi e rëndësishme që ofron programi është specializimi në fusha me rëndësi të veçantë për tregun bashkëkohor. Studentët mund të orientohen drejt Sigurisë Nacionale dhe Emergjencave Civile, si dhe drejt Sigurisë Kibernetike, duke krijuar një profil profesional më të përshtatur me interesat dhe objektivat e tyre.

Ndërthurja mes teorisë dhe praktikës e bën programin një mundësi të vlefshme për të rinjtë që synojnë të ndërtojnë një karrierë në institucione të sigurisë, administratë publike, organizata vendore dhe ndërkombëtare, institucione kërkimore, sektorin e teknologjisë apo fusha të tjera që lidhen me sigurinë.

Gjatë studimeve, studentët njihen me koncepte dhe tema nga disa fusha të ndërlidhura, përfshirë ligjin, psikologjinë, gjeopolitikën, institucionet shtetërore, marrëdhëniet ndërkombëtare, politikën e jashtme, sigurinë kibernetike, teknologjinë informative dhe metodologjinë e kërkimit. Kjo qasje multidisiplinare i ndihmon të rinjtë të krijojnë një perspektivë më të gjerë dhe të kuptojnë se si faktorë të ndryshëm ndikojnë në sigurinë e një shteti dhe të shoqërisë.

Programi i kushton rëndësi të veçantë edhe zhvillimit të aftësive për hartimin e dokumenteve dhe strategjive të politikave të sigurisë. Studentët mund të fitojnë aftësi për të përgatitur dokumente që lidhen me politikat e Sigurisë Nacionale, Emergjencave Civile dhe Sigurisë Kibernetike. Kjo përvojë mund të jetë një avantazh i rëndësishëm për një të ri që në të ardhmen synon të angazhohet në institucione publike, organizata ndërkombëtare apo role që kërkojnë analizë dhe hartim të politikave.

Mësimdhënia akademike mbështetet në kurrikula dhe literaturë bashkëkohore, duke marrë referenca edhe nga programe të studimeve të sigurisë në universitete të njohura në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë mënyrë, studentët kanë mundësi të njihen me qasje moderne dhe zhvillimet më të fundit në fushën e sigurisë, ndërsa programi është i orientuar edhe drejt nevojave konkrete të tregut të Kosovës.

Për të rinjtë që e shohin të ardhmen e tyre në fushën e sigurisë, politikëbërjes, analizës strategjike apo sigurisë kibernetike, studimi në këtë drejtim mund të jetë një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një karriere profesionale. Përveç njohurive, studentët përfitojnë aftësi në hulumtim shkencor, komunikim, analizë kritike, zgjidhjen e problemeve dhe hartimin e dokumenteve strategjike.

Në përfundim të programit, synimi është që të diplomuarit të jenë në gjendje të kuptojnë dhe analizojnë zhvillimet kryesore të politikave të sigurisë, të vlerësojnë rreziqet dhe kërcënimet, të argumentojnë në mënyrë profesionale dhe të kontribuojnë në hartimin e politikave që lidhen me sigurinë e Kosovës dhe rajonit. Për një gjeneratë të re që përballet me sfida gjithnjë e më komplekse, një formim i tillë mund të krijojë bazën për një profesion me përgjegjësi, por edhe me mundësi të shumta zhvillimi.

Studimet e SigurisëUBT janë një mundësi për të rinjtë që duan të shkojnë përtej njohurive teorike dhe të ndërtojnë kompetenca konkrete për një të ardhme profesionale në një nga fushat më dinamike dhe më të rëndësishme të kohës.

 

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 29 gusht 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

29 gusht 1994

Bastisje në Prishtinë dhe në rrethinën e Gjilanit

Më 20 gusht u morën në stacionin e policisë Ilaz e Muharrem  Krasniqi dhe Bislim Hamiti, banorë të lagjes “Dragodani”. Ilazi është aktivist i LDK-së, dhe pronar i shtëpisë ku punon Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe i Arkitekturës së UP-së. Ai është marrë në pyetje edhe më 22 e 23 gusht. Më parë prej tij kërkohej një revole, ndërsa herën e fundit, policia kërkoi prej tij edhe një pushkë. Më 27 gusht policia, në mungesë të Ilazit, mori në stacion babain e tij Hamitin 83 vjeçar.

Më 21 gusht në fshatin Pozharan të Vitisë u keqtrajtuan nga policia serbe të rinjët Shefki (18), Sherif (16) dhe Fadil (18) Momçilla nga fshati Sllakofci i Epërm i Gjilanit. Ata po ktheheshin nga mulliri, ndërsa policia, pasi i pyeti se kush ka armë në fshatin e tyre, i rrahu dhe u shkaktoi lëndime trupore.

Më 22 gusht, në orën 03:00 u ndalua në Zubin Potok i riu Naim Rexhepi nga Pograxha, i cili po udhëtonte për në Ulqin. Ai u dërgua në burgun ushtarak të Nishit për shkak se nuk e ka kryer shërbimin në ushtrinë serbe.

Më 26 gusht, me pretekst të kërkimit të armës u bastis në fshatin Pograxhë familja e Sylejman Azemit. Policia mori djalin e tij Samiun (1966) dhe e mbajti në stacion prej orës 07: 30 deri në orën 12:00.

Më datën 26 gusht, me pretekst të kërkimit të armës, në këtë fshat u bastis edhe familja e Naser Selmanit. Prej tij u kërkua që të paraqitet në stacionin e policisë.

 

29 gusht 1995

Kolonizimi i Kosovës me refugjatë serbë nga Kroacia

Klinë – Gjatë ditës së djeshme këtu u sollën 72 refugjatë serbë, të cilët u vendosën në hotelet “Mirusha” dhe “Metohia”, pastaj në objektet e kooperativës bujqësore dhe në shtëpitë private. Në këtë komunë parashihet që të sillen 100 familje refuagjtësh nga Kroacia, kurse 53 familje serbe nga Shqipëria tashmë gjenden qe tri vjet në motelin e këtushëm “Nora”.

Zubinpotok – Në këtë komunë të banuar kryesisht me popullsi serbe tashmë janë vendosur 180 refugjatë. Në mesin e tyre ka edhe paramilitarë serbë nga Kroacia, si Zharko Treskavica, i cili që nga ditët e para të luftës ka qenë në uniformë dhe nën armë, si dhe Sllavko Jagliq, i cili bashkë me paramalitarët e tjerë serbë i kishin lënë armët në Banjallukë. Një plak 70 vjeçar, ndonëse është i “kënaqur” me pritjen, pyet se çka do të bëjë më tutje.

Gjakovë – Refugjatët serbë nga Kroacia në këtë qytet janë vendosur në ndërtesën e shkollës normale, në oborrin e së cilës mund të shihen traktorë me rimorkio të mbushur me gjësende që kanë sjellë me vete refugjatët serbë. Një serb deklaroi se gjoja dëshiron të vendoset përgjithnjë në Gjakovë dhe kërkon tokë pune. Ai vendosjen në këtë qytet e kushtëzon me ardhjen e farefisit e të fqinjëve të tij të dikurshëm.

Vushtrri– Tashmë nja 250 kolonë serbë janë sjellë këtu. Shumë familje janë vendosur në fshatin Nedakoc te serbët e atjeshëm. Administrata serbe e Vushtrrisë ka punësuar shumë kolonë serbë. Kështu ndërmarrja “Sitnica” ka punësuar 7, kurse ndërmarrja ndërtimore “Kosova” do të punësojë 50 kolonë. Poashtu edhe fabrikat e këtushmë, si ajo llamarinës së zinktuar, e llaqeve dhe e ngjyrave “Ekstra” do të punësojnë shumë punëtorë, madje për ata me kualifikim të lartë numri është i pakufizuar. Poashtu thuhet se janë duke u bërë planet për adaptimin e objekteve banesore për vendosjen përgjithnjë të kolonëve serbë. Kryqi i kuq i kontrolluar nga serbët në këtë komunë kërkon nga qytetarët që shtëpitë që nuk janë duke u shfrytëzuar t’u jipen kolonëve serbë.

Shtërpcë – Ndonëse këtu nuk jipet numri i saktë i refugjatëve serbë të vendosur në këtë komunë, sipas shtypit serb tashmë janë sjellë nja 30 refugjatë. Shumica e tyre janë vendosur në objektin e “Elektrokosovës”, e cila me “zemërgjerësi” u është dhënë refugjatëve serbë. Këtu është vendosur edhe një paramilitar serb me familje – Miodrag Pushkara.

Prishtinë – Shumica e refugjatëve serbë janë të vendosur në qendrën sportive “Boro e Ramizi”, por një numër sish edhe në konviktin e nxënësve dhe në shkollën e mesme të mjekësisë të uzurpuar nga serbët, nga të cilat objekte janë dëbuar me dhunë nxënësit shqiptarë.

 

Edhe serbët kundër vendosjes së refugjatëve nga Kroacia në Serbi

Shoqata e serbëve autoktonë të Serbisë ka shpëndarë një pamflet me të cilin kërkohet që të ndalohet vendosja e refugjatëve serbë nga Kroacia në Serbi. Në të thuhet se serbët e kanë krijuar dhe i kanë rrumbullaksuar territoret e tyre të tashme në Luftën e Parë Botërore, pa ndihmën e serbëve përtej Drinës. Kah fundi i Luftës së Dytë Botërore, malazezët, refugjatë nga Lika dhe Hercegovina bashkë me trupat e Bashkimit Sovjetik e okupuan Serbinë dhe në këtë mënyrë e vendosën pushtetin diktatorial joserb.

Sipas autorit të tekstit – Vllajko Popoviqit – gati të gjitha funksionet udhëheqëse i morën në dorë joserbët dhe prandaj kërkohet çlirimi i Serbisë nga dominimi i enklavave malazeze, hercegovase dhe likase. Poashtu kjo shoqatë kërkon që armata e policia të përbëhet kryekëput nga shtetas të Serbisë, sepse këto organizata tash po sjellin dhe po punësojnë vetëm punëtorët e Krainës.

Në apelin e kësaj shoqate thuhet se serbët autoktonë po largohen nga puna si tepricë teknologjike e vendet e tyre po i zënë dezertorët dhe refugjatët dhe se janë okupuar konviktet e studentëve. Serbia në luftimet e fundit ka humbur mëse 16 mijë të rinj, kurse 27 mijë janë bërë invalidë.

 

29 gusht 1997

Vazhdojnë aksionet e plaçkitësve nga Shqipëria

 Vjedhjet dhe plaçkitjet nga persona e banda të armatosura dhe të paidentifikuara nga territori i Shqipërisë po vazhdojnë në fshatrat e brezit kufitar.
Në një njoftim të KI i Degës së LDK- së në Gjakovë thuhet se pardje në Ponoshec të Gjakovës persona të panjohur vodhën shtatë lopë Hysen Idrizit.
Në një informatë të KI të Degës së LDK-së në Prizren thuhet se po vjedhjet e bagëtive dhe plaçkitjet nuk kanë të ndalur. Madje nga dita në ditë po rrezikohet edhe jeta e banorëve nga persona të paidentifikuar dhe të armatosur. Disa sish kërcënuan me jetë plakën Zade Ahmeti nga Mazreku, me ç’rast plaçkitën dy lopë të saj dhe të Nebih Karavidajt.
Më 26 gusht një bandë e armatosur plaçkiti 5 krerë lopë të Ibish Jahajt dhe nga një lopë të Shemsedin dhe të Adem Jahajt nga i njëjti fshat.

 

29 gusht 1998

Të vrarë e të plagosur gjatë sulmeve serbe në fshatrat e Gllogocit

Mbrëmë, në orën 18. 30 forcat ushtarako-policore serbe filluan granatimin e fshatrave Nekoc, Kizharekë, Fushticë e Ulët, Sankoc dhe disa lagje të Komoranit. Granatimi i mbrëmshëm, që zgjati disa orë, ka shkaktuar edhe viktima e të plagosur, mirëpo deri më tash nuk dihet identiteti i tyre. Ndërkaq, u dogjën disa shtëpi në Komoran dhe në Fushticë të Ulët, si dhe mulliri elektrik në Komoran, bën të ditur Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gllogoc.

Po ky burim njofton se forcat e ushtrisë serbe, të vendosura në Çukën e Zabelit, ka urdhëruar dje banorët e këtij fshati që të dorëzojnë armët dhe të largohen të gjithë nga fshati.

Dje pasdite forcat serbe kanë djegur sërish fshatin Sankoc. Flaka e zjarrit, që kishte përfshirë lagjen që është afër Zabelit të Lartë, nuk është shuar deri në orët e hershme të mëngjesit. Ndërsa, sot forcat serbe ua vunë zjarrin sipërfaqeve të mbjella me drithëra.

Në Gllogoc e rrethinë ende nuk dihet për fatin e shumë shqiptarëve që konsiderohen të zhdukur, që prej fillimit të ofensivës së forcave serbe, më 25 gusht. I zhdukur konsiderohet edhe Hasan Ramë Dulaku nga Komorani.

Burimet në terren të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Gllogoc bëjnë të ditur se gjendja e popullsisë civile që gjendet në male po bëhet dramatike. Për shkak të mungesës së ushqimeve dhe të ilaçeve ka vdekur foshnja tremuajshe e Hajdin Shalës nga fshati Kleçkë.

Dëshmitarët pohojnë se pa kurrfarë mbuloje mbi kokë, pa veshmbathje të mjaftueshme, pa ushqim dhe pa ilaçe, kanë mbetur mbi 20 mijë civilë.

 

Mbi 32 mijë refugjatë në komunën e Prizrenit

Pas ofensivës serbe mbi fshatrat e komunave të Suharekës e të Malishevës, numri i refugjatëve në komunën e Prizrenit ka arritur në 32 mijë. Nënkëshillat përkatëse të fshatrave të Përdrinisë janë organizuar mirë. Deri më tash janë të strehuar të gjithë refugjatët, mirëpo mungojnë rezervat ushqimore dhe sidomos ilaqet.

Refugjatët janë përqëndruar në qytet dhe në fshatrat Mamushë, Medvec, Piranë, Korishë, Grejkoc, Gjinoc, Randobravë, Krushë e Vogël, Landovicë, Lutogllavë, Malësi e Re, Dushanovë e tjerë.

Shumë refugjatë kanë marrë me vete edhe bagëtinë, gjë që ka vështirësuar dukshëm siutatën.

 Foto: Drenasi (Gllogoci)

Continue Reading

Të kërkuara