Lajmet
‘Kasapi i Han Junisit’- Vrasja e Sinwarit mbetet prioritet për ushtrinë izraelite
Published
2 years agoon
By
Betim GashiYahya Sinwar, që dyshohet se është arkitekti i sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit ndaj Izraelit, lideri i ri i Hamasit, grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, njihet për raportet e ngushta të tij me Iranin.

Emërimi i tij më 6 gusht si udhëheqës i byrosë politike të grupit palestinez u bë pas vrasjes së paraardhësit të tij, Ismail Haniyeh, në Teheran më 31 korrik, vrasje për të cilën Irani dhe Hamasi kanë fajësuar Izraelin.
Pas vdekjes së Haniyehut, i cili kishte lidhje të forta me zyrtarët iranianë, ndër emrat kryesorë që shqyrtoheshin për pasardhës të tij ishin Khaled Meshaal, ish-shef i byrosë politike të Hamasit dhe Khalil al-Hayya, një figurë e njohur brenda byrosë, që kishte lidhje të ngushta me Haniyehun.
Emërimi i Sinwarit, i cili ka qenë shef i Hamasit në Gazë që nga viti 2017, erdhi si befasi e madhe sepse shumë nuk e kishin llogaritur faktorin Iran, thanë analistët.
“Asnjë nga ne, ekspertët e çështjeve palestineze – veçmas këtu në Izrael – nuk e pamë Sinwarin si personin që do ta zëvendësonte Haniyehun”, tha Yohanan Tzoreff, hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare, me bazë në Tel Aviv.
“Një arsye e madhe se pse Sinwari është lider i ri është Irani”, shtoi Tzoreff, i cili është i specializuar për raportet izraelito-palestineze.
Sinwar u emërua shef i ri politik dy ditë pas diskutimeve në Katar të Këshillit Shura – një trup konsultativ që zgjedh byronë politike të grupit dhe që ka anëtarë në Gazë, Bregun Perëndimor, burgjet izraelite dhe në diasporën palestineze.
Tzoreff tha se kritikat e Meshaalit gjatë Pranverës Arabe për presidentin sirian, Bashar al-Assad – aleatit të ngushtë të Teheranit – më 2011 e bënë atë një figurë mjaft jopopullore në mesin e zyrtarëve të lartë të Iranit.
Tzoreff argumentoi se rikthimi i Mashaalit në pushtet mund të jetë rrezikuar nga raportet e grupit radikal palestinez me Republikën Islamike dhe “iranianët mund të mos i jepnin Hamasit gjithçka që i duhet [për të luftuar forcat izraelite]”.
Por, Sinwar thuhet se ka mbetur në Gazë, ku ka qenë i fshehur që nga nisja e luftës me Izraelin në tetor. Kufizimet në lëvizjet e tij dhe aftësia e tij e kufizuar për të komunikuar me botën nënkuptojnë se Sinwar është shumë i kufizuar në atë që mund të bëjë.
“Nuk pres që ai apo Hamasi të afrohen më shumë me Iranin. Në këtë pikë, marrëdhëniet ka të ngjarë të qëndrojnë të njëjta”, tha Joost Hiltermann, drejtor për Programin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
I formuar nga burgjet izraelite
I njohur nga mbështetësit e tij edhe si Abu Ibrahim, Sinwar 61 vjeç u lind në kampin e refugjatëve në Han Junis të Gazës. Prindërit e tij, sikurse të Haniyehut, u larguan nga qyteza bregdetare e Ashkelonit gjatë luftës arabo-izraelite më 1948 që rezultoi me krijimin e shtetit të Izraelit – apo siç e quajnë palestinezët, “nakba” (katastrofa).
Sinwar iu bashkua Hamasit pak pasi grupi u formua më 1987 dhe krijoi organizatën e tij të frikshme për siguri të brendshme, Al-Majd. Qëllimi i kësaj organizate ishte të gjente spiunët izraelitë brenda grupit. Ai fitoi reputacionin për dhunë dhe iu dha nofka “Kasapi i Han Junisit”.
Sinwar u kap nga forcat izraelite dhe u dënua me disa dënime me burgim të përjetshëm për akuza të ndryshme, përfshirë vrasjen e dy ushtarëve izraelitë. Ai qëndroi për mbi dy dekada në burg.
“Ai është një person që u ashpërsua në burgjet izraelite, sikurse shumë ish të burgosur palestinezë”, tha Hiltermann.
Ai tha se Sinwari mësoi hebraisht gjatë qëndrimit në burg dhe kjo i ndihmoi që të mësonte se si mendojnë udhëheqësit izraelitë.
“Sinwari është shumë i fortë. Ai është i pamëshirshëm. Ai është udhëheqës, në formën e çdo udhëheqësi izraelit”, tha Hiltermann.
Në kohën sa ishte në burg, Sinwar organizoi greva për të përmirësuar kushtet e punës dhe doli si një udhëheqës i palestinezëve të burgosur.
Përvoja e tij në burg “e përgatiti atë shumë mirë për udhëheqjen e Hamasit” dhe në planifikimin e sulmit të 7 tetorit, tha Hiltermann.
Pothuajse 1.200 persona, shumica civilë, u vranë kur radikalët e Hamasit sulmuan komunitetet në jug të Izraelit në tetor dhe morën pengje. Sulmi nxiti Izraelin të nisë një ofensivë të madhe në Rripin e Gazës të udhëhequr nga Hamasi, që sipas burimeve palestineze, ka lënë të vrarë më shumë se 40.000 persona.
Sinwar u lirua nga burgu më 2011 si pjesë e një këmbimi kur u liruan më shumë se 1.000 të burgosur palestinezë në këmbim të një ushtari izraelit që mbahej nga Hamasi.
Pak pas lirimit të tij, Sinwari e shoqëroi Haniyehun në një vizitë në Teheran, kur ai u takua me liderin suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei. Po në ditën kur u njoftua se Sinwari do të ishte pasardhës i Haniyehut, në llogarinë në X të Khameneit u publikua një video e shkurtër ku shfaqej takimi i Sinwarit me udhëheqësin iranian në shkurt të vitit 2012.
Mesazhi i Hamasit
Tradicionalisht, shefi i byrosë politike të Hamasit ka bazën jashtë vendit në mënyrë që ai të mund të udhëtojë dhe të mbajë kontakte me aleatët rajonalë, sikurse Irani dhe grupi terrorist libanez, Hezbollah.
Por, Sinwari, për të cilin sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dikur kishte deklaruar me shaka se është “i varrosur 10 kate nëntokë”, që gjendet Gazë, nuk ka mundësi të largohet nga enklava për shkak të luftës.
Tzoreff tha se duke e emëruar udhëheqësin me bazë në Gazë, Hamasi u “dërgoi një mesazh të fuqishëm” Izraelit dhe shteteve arabe se “rezistenca e Hamasit nuk ka kolapsuar”.
“Mesazhi kryesor është se askush nuk mund t’i largojë ata nga zona”, shtoi ai.
Personalisht Sinwar mund të mos dëshirojë të largohet nga Gaza për shkak se trashëgimia e tij është e bazuar në qëndrimin e tij në enklavë.
“Nëse Sinwari largohet nga Gaza, palestinezët do të thonë se ai i ka braktisur, sikurse kapiteni që largohet nga anija”, tha Hiltermann.
Sinwar ka qenë në shënjestër të Izraelit që nga nisja e luftës, me zëdhënësin e ushtrisë, admiralin Daniel Hagari, që e ka përshkruar atë si “njeri të vdekur” pas sulmit të 7 tetorit.
Vrasja e Sinwarit mbetet prioritet për ushtrinë izraelite. Shefi i ushtrisë izraelite, gjenerallejtënant Herzi Halevi, u zotua më 7 gusht se trupat e tij do ta shënjestrojnë Sinwarin dhe do ta detyrojnë Hamasin “që ta zëvendësojnë sërish kreun e byrosë politike”.REL
Rajoni
Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim
Published
23 minutes agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.
I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.
Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.
Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.
Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.
Lajmet
ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës
Published
29 minutes agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.
ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.
Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.
“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.
Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.
Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.
Vendi
27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën
Published
1 hour agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.
Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.
Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.
Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.
Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.
Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.
Lajmet
MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara
Published
2 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.
Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.
Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.
Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.
Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/
Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim
ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës
27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën
MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara
Gallapeni: Nuk ia dolëm, por kjo nuk na ndalë
Dua Lipa i bashkohet filmit “Peaked”, zgjeron karrierën në Hollywood
Starmer kërkon lidhje më të ngushta me BE-në pas përplasjeve me Trump për luftën në Iran
“The Athletic” vlerëson guximin e Kosovës: “Nuk u mposhtën nga shiu, as nga presioni”
17 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO
Të kërkuara
-
Vendi1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
