Njësitë policore për reagim të shpejtë (NJRSH), kanë ndaluar një person të dyshuar i cili kishte qenë me veturën e tipit BMW X5, me targa vendore, duke e drejtuar në Rrugën ’Xheladin Hana’ në Prishtinë.
Gjatë kontrollit të automjetit zyrtarët policor kanë hasur në disa paketime të dyshuara me substancë narkotike të llojit marihuanë dhe si rezultat i saj është arrestuar personi i dyshuar (B.C.), mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprën penale “Blerja ,Posedimi, shitja ose shperndarja e pautorizuar e narkotikëve, substancave, psikotrope ose analoge” nga neni-273.
“Lidhur me rastin janë angazhuar edhe njësia policore e antidrogës, e cila së bashku me njësinë e Krimteknikës Regjionale në Prishtinë kanë ndërmarr veprime të mëtejme dhe gjatë kontrollit në detaje të personit dhe veturës janë gjetur dhe konfiskuar 10 (dhjetë) paketime me substancë të dyshuar narkotike marihuanë, që dyshohet të jenë afërsisht rreth 10 (dhjetë) kilogram”, njofton policia.
Tutje, gjatë kontrollit të banesës së të dyshuarit e cila gjendej në Prishtinë, janë gjetur dokumentacione të ndryshme personale (letërnjoftime, pasaporta) të cilat dyshohet se janë përdorur për falsifikimin e vizave të një shteti të huaj.
“Vlen të potencohet se gjatë kontrollit policor gjithashtu janë konfiskuar rreth 300 euro, 2300 dinarë të Serbisë, 10 denar të Maqedonisë veriore si dhe telefona mobil samsung, nokia”, njofton tutje policia.
Lidhur me rastin është kontaktuar edhe prokuroria kompetente dhe me aktvendim të tyre i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes për procedurë të mëtejme.
Sipas raportit policor, në Vushtrri më 07.06.2026 rreth orës 00:55 ka ndodhur një aksident trafiku ku është përfshirë një automjet me ngasës mashkull kosovar.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa dy persona të tjerë meshkuj kosovarë kanë pësuar lëndime trupore. Ata pas marrjes së tretmanit mjekësor janë liruar në shtëpi.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
Hetimet lidhur me shkaqet e aksidentit janë duke vazhduar.
Një person është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, pas një incidenti me armë zjarri që ka ndodhur në Pejë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, i dyshuari fillimisht kishte pasur mosmarrëveshje me dy persona dhe më pas kishte shtënë me armë zjarri, duke u larguar nga vendi i ngjarjes me veturën e tij.
Policia njofton se në vendngjarje është gjetur një veturë e goditur disa herë nga plumbat, ndërsa gëzhojat nuk janë gjetur, pasi dyshohet se janë larguar nga vetë i dyshuari.
Më vonë, i dyshuari është paraqitur vetë në stacionin policor dhe ka pranuar se kishte shtënë me armë. Pas kësaj, njësitet hetimore kanë kryer kontroll në shtëpinë e tij, ku kanë sekuestruar një armë të shkurtër, 14 fishekë dhe një gëzhojë.
Sipas Policisë, arma ishte në pronësi të prindit të të dyshuarit dhe posedonte leje të vlefshme.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa rasti po hetohet nga njësitet përkatëse.
Një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e një përleshjeje fizike që ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Gjakovë.
Sipas Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, rreth orës 21:30 është pranuar informacioni për një përleshje në rrugën “Ali Ibra”.
Si pasojë e incidentit, katër persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit Rajonal në Gjakovë.
Njëri prej të lënduarve ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë. Sipas policisë, në mesin e të lënduarve ndodhet edhe personi i dyshuar për rastin.