Lajmet

SHBA-ja nuk ndryshon qëndrim për Dialogun Strategjik me Kosovën

Published

on

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka ritheksuar se zhvillimi i Dialogut Strategjik me Kosovën varet nga krijimi i kushteve të përshtatshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve të Kosovës.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë më 13 tetor, DASH-i përsëriti qëndrimin e shprehur në korrik, pa sqaruar nëse Kosova ka bërë përparim drejt përmbushjes së kushteve apo cilët hapa konkretë mbeten për t’u ndërmarrë.

“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Ky qëndrim vjen pasi presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, kërkoi rifillimin e Dialogut Strategjik gjatë takimit të 12 tetorit me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin në Prishtinë. Sipas njoftimit të Presidencës, ajo theksoi rëndësinë e këtij dialogu për thellimin e partneritetit dhe avancimin e prioriteteve të përbashkëta.

Gjatë një interviste për Radio Televizionin e Kosovës, Shaheen tha se do të ishte shumë mirë që Dialogu Strategjik të rifillonte, ndërsa përmendi si sfida ndryshimet në administratën amerikane dhe në Departamentin e Shtetit.

Departamenti i Shtetit rikujtoi se SHBA-ja e pezulloi Dialogun Strategjik për një periudhë të pacaktuar në shtator të vitit 2025, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë së atëhershme në detyrë. Vendimi erdhi pasi autoritetet e Kosovës ndërmorën veprime ndaj institucioneve paralele serbe që funksiononin në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës për hapat që po ndërmerr për rifillimin e Dialogut Strategjik.

Shtuni: Qëndrimi nuk ndryshon vetëm me kalimin e kohës

Eksperti për siguri dhe politikë të jashtme me bazë në Uashington, Adrian Shtuni, thotë se ndryshimi i qëndrimit amerikan varet nga adresimi i shkaqeve që çuan te pezullimi.

“Aktualisht qëndrimi mbetet i njejtë pasi Kosova ka mbetur në vend numëro në shumë drejtime prej pothuaj dy vitesh”.

Ai e vlerëson si shpresëdhënës kompromisin politik që mundësoi zgjedhjen e presidentes Shiroka Pula, por thekson se për rifillimin e Dialogut Strategjik nevojiten veprime të tjera.

“Pa hapa konkrete dhe të shpejta për krijimin e rrethanave të përshtatshme, adresimin e kërkesave të SHBA-ve, dhe përmbushjen e zotimeve të marra më herët unë nuk e shoh si realiste pritshmërinë për rifillimin e dialogut strategjik”, thotë Shtuni për REL-in.

Sipas tij, Kosova duhet ta shtojë edhe angazhimin e saj diplomatik në Uashington.

Ai vlerëson se vizitat dhe angazhimi i senatorëve ndihmojnë për ta mbajtur Kosovën në vëmendjen amerikane, por vendimi për Dialogun Strategjik është kompetencë e ekzekutivit.

“Faktor vendimtar mbetet ndëmarja e hapave konkretë nga ana e autoriteteve të Kosovës për të adresuar çështjet që çuan në pezullimin e dialogut”.

Çfarë pritet nga Kosova në raport me serbët?

Në përgjigjen e fundit, DASH-i nuk i specifikoi zotimet që pret të përmbushen. Por, prej vitesh, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kërkojnë Kosovës të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ato përfshijnë, mbi të gjitha, sigurimin e një niveli të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, që nënkupton themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në përputhje me Marrëveshjen Bazë të vitit 2023 dhe Aneksin e Ohrit.

Pasi presidentja Justina Shiroka Pula kërkoi rifillimin e Dialogut Strategjik, Radio Evropa e Lirë iu drejtua Presidencës së Kosovës për të kërkuar qëndrimin e saj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një nga zotimet që DASH-i kërkon të përmbushen, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk mori përgjigje.

Ndërkohë, Perëndimi kërkon edhe që Kosova t’i zgjidhë kontestet me Kishën Ortodokse Serbe, të mbrojë liritë fetare dhe të shmangë veprime të njëanshme në veriun e vendit, të cilat, sipas Uashingtonit, kanë rritur tensionet me komunitetin serb.

Zbatimi i marrëveshjeve ishte edhe ndër çështjet që përfaqësuesit e Listës Serbe ngritën gjatë takimit me Shaheen dhe Durbin në Ambasadën amerikane në Prishtinë.

Sipas komunikatës së kësaj partie, kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek dhe shefi i grupit parlamentar, Igor Simiq, shprehën shqetësime për të drejtat dhe sigurinë e serbëve, duke theksuar veçanërisht mosthemelimin e Asociacionit dhe çështjen e përfaqësimit të serbëve në institucione. Komunikata nuk bëri të ditur qëndrimet e senatorëve për këto çështje.

Kosova argumenton se zbatimi i obligimeve nga dialogu me Serbinë duhet të jetë i ndërsjellë, ndërsa veprimet e saj në veri – nga heqja e dinarit serb nga përdorimi deri te mbyllja e shumicës së institucioneve paralele serbe – kanë pasur për qëllim shtrirjen e sundimit të ligjit.

Prishtina, gjithashtu, kërkon që Serbia ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë, gjë të cilën Beogradi e ka refuzuar.

Për vazhdimin e dialogut me Serbinë, autoritetet e Kosovës kërkojnë ekstradimin e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023.

Radoiçiq është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara për përfshirje në korrupsion dhe aktivitete të krimit të organizuar, ndërsa ndaj tij është ngritur aktakuzë në Kosovë për terrorizëm dhe vepra të tjera penale.

Çfarë nënkupton pezullimi i Dialogut Strategjik në praktikë?

Shtuni e cilëson pezullimin si “ndëshkim politik dhe diplomatik”, që ka pasoja praktike për Kosovën, pasi “ngrin një kuadër të planifikuar bashkëpunimi të nivelit të lartë”.

Sipas tij, Kosova ka nevojë veçanërisht për mbështetjen politike dhe diplomatike amerikane për sigurimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, veçanërisht në NATO.

“Pa një mbështetje të fortë nga SHBA-të në të gjitha këto fusha, Kosova fatkeqësisht mbetet në vendnumëro”, thotë ai për REL.

Shtuni vlerëson se mundësitë e humbura shtrihen edhe në ekonomi.

“Sa kohë që dialogu mbetet i pezulluar, Kosova humbet mundësinë për të thelluar në mënyrë sistematike bashkëpunimin ekonomik, tregtinë, lehtësimin e investimeve dhe koordinimin më të gjerë diplomatik me SHBA-të”.

Sipas tij, kjo vonon nismat e reja të përbashkëta në fusha jetike për Kosovën si energjia, infrastruktura dhe lidhjet tregtare, duke “kufizuar gjithashtu aftësinë e Kosovës për të forcuar pozicionimin e saj ndërkombëtar dhe për të shfrytëzuar partneritetin për avancimin e qëllimeve startegjike euroatlantike”.

Shtuni thekson se pezullimi i këtij mekanizmi nuk nënkupton ndërprerjen e të gjithë bashkëpunimit. Sipas tij, bashkëpunimi thelbësor vazhdon në siguri dhe në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të Kosovës, ndërsa pezullimi prek kryesisht kuadrin e nivelit të lartë për zgjerimin e partneritetit.

Kosova synon ta thellojë më tej bashkëpunimin në fushën e sigurisë, duke kërkuar që kampi Bondsteel të bëhet bazë e përhershme amerikane. Senatori Dick Durbin tha se ky propozim duhet të shqyrtohet seriozisht dhe se Qeveria e Kosovës ka propozuar edhe një marrëveshje financiare për këtë qëllim.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Pentagonit dhe Qeverisë së Kosovës për detaje të propozimit, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje.

Shtuni vlerëson se propozimi financiar i Kosovës për ta shndërruar kampin Bondsteel në bazë të përhershme amerikane nuk është i papërfillshëm, por se vendimi i Uashingtonit do të varet kryesisht nga interesat strategjike dhe ushtarake, në kohën kur SHBA-ja po shqyrton reduktimin e pranisë së saj ushtarake në Evropë.

“Gjasat janë të ulëta që të marrë përgjigje pozitive nga administrata aktuale që ndërkohë po shqyrton seriozisht reduktimin e pranisë ushtarake në Evropë”, thotë Shtuni për REL.

/REL/

Continue Reading

Vendi

Prokuroria e Pejës kërkon mbikëqyrje më të madhe ndaj policëve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Published

on

By

Në takim morën pjesë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefi i operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Disha-Haxhosaj ka kërkuar rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, me qëllim të garantimit të një qasjeje profesionale dhe respektimit të procedurave ligjore.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar rasteve të dhunës në familje dhe atyre që përfshijnë të miturit, si dhe nevojës për reagim të shpejtë institucional dhe koordinim ndërmjet mekanizmave kompetentë.

Ajo ka kërkuar gjithashtu vigjilencë dhe përkushtim të shtuar në trajtimin e rasteve që përfshijnë viktimat, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së institucioneve përgjegjëse për ofrimin e mbrojtjes efektive.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për parandalimin e veprave penale, identifikimin me kohë të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore. /Ekonomia Online /

Continue Reading

Vendi

IKSHPK: 10 raste të reja me kancer çdo ditë në Kosovë

Published

on

By

Në Kosovë, mesatarisht 10 persona në ditë marrin diagnozën e sëmundjes së kancerit. Raporti më i fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tregon se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3,775 raste të reja me kancer, një shifër kjo që është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2012, ku raportoheshin 1,588 raste.

Nëse llogariten edhe pacientët e diagnostikuar më parë që trajtuan sëmundjen gjatë vitit, sistemi shëndetësor mbuloi gjithsej 5,564 persona. Ekspertët tërheqin vërejtjen se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rregullisht rastet.

Sipas të dhënave, gratë përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve me 1,927 diagnostikime, ku kanceri i gjirit prin bindshëm duke përbërë 31% të të gjitha rasteve (592 raste). Shqetësuese mbetet mosha e të prekjeve: gati gjysma e grave u diagnostikuan para moshës 60 vjeç, ndërsa një e treta e atyre me kancer të gjirit ishin nën 50 vjeç.

Nga ana tjetër, te burrat u regjistruan 1,848 raste të reja, ku dominon kanceri i mushkërive (243 raste), i fshikëzës urinare dhe i laringut – të gjitha këto të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e duhanit. Sëmundja nuk ka kursyer as fëmijët, ku gjatë vitit 2025 u diagnostikuan 52 fëmijë dhe adoleshentë.

Përveç moshës dhe gjenetikës, faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e frikshme të rasteve në Kosovë mbeten konsumimi i lartë i duhanit si dhe ndotja e lartë e ajrit gjatë sezonit të dimrit. /Gazeta Shneta/

Continue Reading

lajme

Rama nga Brukseli: Serbia duhet të njohë Kosovën për të ecur drejt BE-së

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.

“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.

Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.

Continue Reading

Lajmet

Kremlini konfirmon bisedimet trepalëshe për paqe me Ukrainën dhe SHBA-në në Abu Dabi

Published

on

By

Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.

Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.

Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.

Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara