Botë

Izraeli synon ta sundojë tërë Rripin e Gazës për kohë të papërcaktuar, sipas zyrtarëve

Published

on

Izraeli e ka aprovuar një plan të hënën për ta uzurpuar tërë Rripin e Gazës dhe për të qëndruar në territorin palestinez për një kohë të papërcaktuar, sipas dy zyrtarëve izraelitë.

Ky plan, nëse zbatohet, do t’i zgjerojë jashtëzakonisht shumë operacionet e Izraelit në Gazë dhe me shumë gjasë do të përballet me kundërshtime të ashpra ndërkombëtare.

Ministrat e kabinetit izraelit e miratuan planin në orët e hershme të mëngjesit, disa orë pasi shefi i ushtrisë izraelite tha se ushtria po i thërriste dhjetëra mijëra ushtarë rezervistë.

Zyrtarët thanë se me këtë Izraeli synon t’i arrijë synimet e luftës për ta mposhtur Hamasin – grupin e shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – dhe për t’i liruar pengjet që mbahen në Gazë.

Plani gjithashtu parashikon që qindra mijëra palestinezë të zhvendosen në jug të Gazës – gjë që nënkupton se me gjasë ata do të zhvendosen me forcë dhe se kriza e rëndë humanitare veçse do të përkeqësohet.

Njëri nga zyrtarët tha se plani do të zbatohet dalëngadalë për t’u dhënë mundësi përpjekjeve për arritjen e një armëpushimi dhe marrëveshjeje për lirimin e pengjeve. Të dy zyrtarët folën në kushte anonimiteti.

Izraeli u tërhoq nga Gaza në vitin 2005 pas një okupimi disa dekadësh dhe më pas e vendosi një bllokadë ndaj territorit bashkë me Egjiptin.

Kapja dhe mbase pushtimi i territorit sërish për kohë të pacaktuar jo vetëm që do t’i shuante edhe më shumë shpresat për një shtet palestinez, por do ta vendoste Izraelin brenda një popullsie thellësisht armiqësore ndaj tij dhe do të ngrinte pyetje për mënyrën se si Izraeli synon ta qeverisë territorin, veçanërisht në një kohë kur po shqyrton zbatimin e vizionit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të marrë nën kontroll Gazën.

Prej se i dha fund armëpushimit me grupin militant Hamas në mes të marsit, Izraeli ka kryer sulme të ashpra në territor, duke vrarë qindra njerëz. Ai ka kapur pjesë të mëdha të territorit dhe tani kontrollon rreth 50% të Gazës.

Para përfundimit të armëpushimit, Izraeli i ndaloi të gjitha ndihmat humanitare për në territor, përfshirë ushqimin, karburantin dhe ujin, duke shkaktuar atë që besohet të jetë kriza më e rëndë humanitare në gati 19 muaj luftë.

Ndalimi i ndihmave ka shkaktuar uri të madhe dhe mungesat e ushqimeve kanë nxitur plaçkitje. Lufta ka zhvendosur tashmë më shumë se 90 për qind e popullsisë së Gazës, shpeshherë disa herë, dhe ka kthyer shumë pjesë të saj në tokë të pabanueshme.

Lufta filloi kur militantë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje. Izraeli thotë se 59 pengje mbeten në Gaza, megjithëse besohet se rreth 35 prej tyre janë të vdekur.

Lufta e Izraelit i ka vrarë më shumë se 52.000 njerëz në Gazë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Zyrtarët izraelitë thanë se plani përfshin “kapjen e Rripit dhe mbajtjen e territoreve”. Plani gjithashtu synon të mos e lejojë Hamasin t’i shpërndajë ndihmat humanitare, pasi Izraeli thotë se shpërndarja e ndihmave ndërkombëtare nga ky grup forcon sundimin e grupit në Gazë.

Izraeli gjithashtu e akuzon Hamasin se i mban ndihmat për vete, megjithëse nuk ka dhënë dëshmi për këtë. Punonjësit e ndihmës e mohojnë se ka devijime të konsiderueshme të ndihmës për militantët, duke thënë se OKB-ja e mbikëqyr rreptësishtë shpërndarjen e ndihmave.

Zyrtarët thanë se Izraeli është në kontakt me disa vende për planin e Trumpit për ta marrë nën kontroll Gazën dhe për ta zhvendosur popullsinë e saj, sipas asaj që Izraeli e quan “emigrim vullnetar”.

Ky propozim është dënuar gjerësisht, përfshirë edhe nga aleatët e Izraelit në Evropë, dhe grupet për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar se kjo mund të përbëjë krim lufte sipas ligjit ndërkombëtar./REL/

Lajmet

Rritet në pesë numri i viktimave nga shembja e ndërtesës në Stamboll, përfundojnë kërkim-shpëtimet

Published

on

By

Ka arritur në pesë numri i personave të vdekur nga shembja e tre kateve të një pallati shtatëkatësh në lagjen “Cevizli” të zonës Maltepe, në anën aziatike të Stambollit, pasi nga rrënojat u nxorën edhe tre trupa të tjerë.

Sipas njoftimit zyrtar të Prefekturës së Stambollit, katër persona ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa një i pestë vdiq në spital nga plagët e marra. Operacionet e kërkim-shpëtimit u përmbyllën zyrtarisht sot në orën 06:15 pas gjetjes së trupit të fundit, ndërsa në vendngjarje po vazhdon pastrimi i rrënojave.

Si masë paraprake sigurie, autoritetet kanë evakuuar 55 banorë nga tre ndërtesa fqinje, prej të cilëve 44 persona janë strehuar përkohësisht në hotele.

Ndërkohë, shkaqet e shembjes mbeten nën hetim të rreptë. Ekspertët kanë marrë mostra të betonishtes dhe armaturës metalike për analiza, ndërsa policia ka arrestuar arkitektin e ndërtesës dhe përgjegjësin e kantierit të ndërtimit. Ministri i Brendshëm, Mustafa Çiftçi, konfirmoi përmbylljen e fazës së kërkimeve dhe u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave. /TRT/

Continue Reading

Aktualitet

Sulme me raketa në aeroportin e Riadit: Tre të vrarë, pezullohen fluturimet

Published

on

By

Të paktën tre qytetarë sauditë kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur si pasojë e dy sulmeve në aeroportin ndërkombëtar “Mbreti Khalid” në kryeqytetin saudit, Riad, ka njoftuar autoriteti i aviacionit civil të mbretërisë.

Sipas raportimeve, sulmi i parë kishte në shënjestër objektet e aeroportit, ndërsa i dyti goditi një aeroplan të linjës ajrore “Saudia”. Burime nga aeroporti bëjnë të ditur se mbetjet e raketave të kapura nga sistemi mbrojtës kanë rënë mbi njërin nga terminalet. Në rrjetet sociale janë publikuar pamje të një avioni Airbus A320 duke u djegur në pistë, i cili sipas raportimeve të medieve ishte i parkuar dhe pa pasagjerë.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve dhe situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, kompania ajrore “Lufthansa” ka njoftuar pezullimin e të gjitha fluturimeve drejt Riadit deri më 16 tetor.

Përgjegjësinë për sulmet dyshohet se e mbajnë kryengritësit Huthi të mbështetur nga Irani, të cilët së fundmi kanë paralajmëruar se objektet e naftës dhe infrastruktura strategjike në Arabinë Saudite mund të jenë shënjestra të ardhshme të goditjeve të tyre. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

Në Gjermani vriten dy zyrtarë gjatë një kontrolli rutinë të armëve, arrestohet i dyshuari

Published

on

By

Policia gjermane ka arrestuar në orët e para të mëngjesit të së premtes një burrë rreth të 60-ave, i cili dyshohet se ka qëlluar për vdekje dy zyrtarë të qarkut gjatë një kontrolli rutinë të armëve të zjarrit në Berngau të Bavarisë.

Sipas autoriteteve, viktimat janë dy nëpunës civilë të distriktit Neumarkt — një burrë 54-vjeçar dhe një grua 45-vjeçare. Megjithëse fillimisht u raportua se zyrtarja kishte mbetur e plagosur rëndë, policia më vonë konfirmoi se ajo ka ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje.

Pas sulmit pasditen e së enjtes, i dyshuari u ngujua për orë të tëra brenda një ndërtese. Policia rrethoi zonën, udhëzoi banorët të qëndrojnin brenda shtëpive dhe angazhoi njësitë e forcave speciale. Pavarësisht thirrjeve të policisë për t’u dorëzuar, i dyshuari refuzoi dhe paralajmëroi rezistencë.

Gjatë ndërhyrjes së forcave speciale ku u përdorën edhe eksplozivë, 60-vjeçari mbeti i plagosur lehtë në këmbë nga një plumb i policisë dhe më pas u vu në pranga. Ai ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, ndërsa motivet e këtij krimi mbeten ende të panjohura. /E.A/

 

Continue Reading

Aktualitet

SHBA planifikon ekzekutimin publik me pushkatim të ish-ushtarakut Nidal Hasan: Vendimi nxit reagime të ashpra

Published

on

By

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka njoftuar se ekzekutimi i ish-majori të Ushtrisë amerikane, Nidal Hasan, i dënuar për vrasjen e 13 ushtarëve të paarmatosur në bazën Fort Hood në vitin 2009, është caktuar të kryhet më 3 dhjetor përmes skuadrës së pushkatimit.

Sipas zyrtarëve nga Departamenti i Mbrojtjes, ekzekutimi pritet të transmetohet drejtpërdrejt (livestream) për publikun, vendim ky që ka nxitur reagime të shumta juridike dhe etike. Nëse kjo realizohet, ky do të përbënte ekzekutimin e parë ushtarak me pushkatim në SHBA që nga Lufta e Dytë Botërore, si dhe transmetimin e parë të këtij lloji në historinë moderne të vendit.

Sekretari Hegseth mbrojti vendimin gjatë një interviste për mediat vieneze, duke deklaruar se Hasan “do të përballet me skuadrën e pushkatimit të përbërë nga ushtarët, ashtu siç i ka hije” dhe se publiku duhet të shohë pasojat e veprimeve të tilla të rënda. Vendimi për ekzekutim ka marrë edhe miratimin e Presidentit Donald Trump, i cili pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë ka shfuqizuar pezullimin e dënimeve me vdekje në nivel federal.

Vendimi ka nxitur reagime negative nga njohësit e së drejtës në SHBA. Ekspertët juridikë shprehen se transmetimi i drejtpërdrejtë është një hap i paqartë ligjërisht dhe më tepër një lëvizje për vëmendje mediatike se sa zbatim i drejtësisë.

Eugene R. Fidell, ligjërues në Shkollën Ligjore të Yale, e ka cilësuar idenë e transmetimit live si “diçka plotësisht nga Epoka e Mesme,” ndërsa avokati John Mills vuri në dukje se procesi i apelimit të Hasanit në gjykatat federale nuk ka përfunduar ende, gjë që mund ta pezullojë ekzekutimin.

Përveç pengesave ligjore, mbetet e paqartë se në cilën platformë do të mund të transmetohet ekzekutimi. Shumica e rrjeteve kryesore sociale si Meta (Facebook, Instagram) dhe TikTok e ndalojnë rreptësisht transmetimin e përmbajtjeve të tilla eksplicite, ndërsa platforma X aplikon kufizime të rrepta ndaj pamjeve të vdekjes.

Sipas të dhënave të Amnesty International, SHBA renditet ndër shtetet me numrin më të lartë të ekzekutimeve në botë, krah Kinës, Iranit, Arabisë Saudite dhe Jemenit. Ekzekutimi i fundit ushtarak në SHBA ka ndodhur në vitin 1961 përmes varjes, ndërsa i fundit me skuadër pushkatimi daton në janar të vitit 1945.

/BBC/

Continue Reading

Të kërkuara