Aktualitet

Izraeli dhe Irani ndalin sulmet, por tensionet mbeten të larta

Published

on

Irani dhe Izraeli kanë njoftuar se kanë ndërprerë sulmet ndaj njëri-tjetrit, pasi shkëmbyen zjarr për herë të parë që nga armëpushimi i muajit prill.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi të hënën se vendi i tij po e respekton ndalimin e sulmeve “për momentin”. Megjithatë, ai theksoi se përballja me Iranin dhe me grupin Hezbollah, të mbështetur nga Teherani në Liban, “nuk ka përfunduar”.

Më herët, ushtria iraniane tha se kishte ndalur operacionet pasi kishte dhënë një “përgjigje të dhimbshme” ndaj Izraelit. Ajo paralajmëroi se do të ndërmerrte “masa më të ashpra dhe shkatërruese” nëse Izraeli do të kryente sulme të tjera, përfshirë në territorin e Libanit.

Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ekuipazhi i një helikopteri ushtarak amerikan ishte “shëndoshë e mirë”, pasi mediat amerikane raportuan për rrëzimin e një helikopteri në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas gazetës The New York Times, një helikopter Apache u rrëzua në rrethana ende të paqarta, por ekuipazhi u shpëtua në mënyrë të sigurt.

Trump nuk dha detaje mbi shkaqet e incidentit, por tha se “askush nuk është lënduar” dhe se Shtëpia e Bardhë do të japë më shumë informacion më vonë./BBC/

Continue Reading

lajme

Pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në rajonin e Prishtinës

Published

on

By

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit, të gjitha të regjistruara në rajonin e Prishtinës, ku si rezultat i ndërhyrjes policore janë arrestuar tre persona, ndërsa një tjetër ndodhet në arrati.

Sipas raportit ditor të policisë, tre prej rasteve kanë ndodhur në kryeqytet. Në rastin e parë, një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, por me vendim të prokurorit, pas inicimit të rastit, ai është liruar në procedurë të rregullt.

Po në Prishtinë, një burrë ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje, djali i tij ka tentuar ta sulmojë, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje. Ndërkaq, rasti i tretë në kryeqytet lidhet me një grua e cila ka raportuar se është kanosur përmes telefonit nga bashkëshorti i saj. Pas intervistimit, viktima është strehuar te familja e saj, ndërsa i dyshuari nuk është hasur nga policia dhe ndodhet në arrati.

Raste të ngjashme janë shënuar edhe në Fushë Kosovë dhe Lipjan. Në Fushë Kosovë, një burrë është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, pasi pas një mosmarrëveshjeje verbale e kishte sulmuar fizikisht vëllain e tij. Ndërsa në Lipjan, një burrë ka raportuar se pas një fjalosjeje, bashkëshortja ia kishte marrë dhe thyer telefonin; pas intervistimit, palët janë liruar në procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kurti nga Samiti i Brukselit: Nuk kërkojmë favore, por njohje të progresit të Kosovës

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova pret të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se kjo nuk përbën favor, por meritë bazuar në rezultatet e arritura.

Në prononcimin e tij para gazetarëve në hyrje të Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, Kurti u shpreh se pret diskutime konstruktive për të ardhmen evropiane të rajonit, ndërsa kujtoi se në dhjetor bëhen katër vjet nga dorëzimi i aplikimit të Kosovës në Pragë.

“Sa i përket Kosovës, ne presim statusin e kandidatit për shtetin tonë. Është vonuar shumë. Në dhjetor do të bëhen 4 vjet qëkur kemi aplikuar për pranim në BE. Vetë e kam dorëzuar në Pragë gjatë presidencës çeke… jemi i vetmi shtet pa statusin e kandidatit. S’po kërkojmë shpërblime, privilegje ose favore. Po kërkojmë të njihet progresi i Kosovës sa i përket avancimit demokratik, rritjes ekonomike, luftës ndaj korrupsionit, sundimit të ligjit, të drejtat politike dhe liritë qytetare, dhe jemi ose në majë ose së dyti në Ballkanin Perëndimor kur bëhet fjalë për indekset e demokracisë”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se marrja e statusit të kandidatit ka qenë gjithmonë e rëndësishme, por tashmë është shndërruar në “çështje urgjence”.

Në fund, kryeministri Kurti shprehu pritjen që në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian në muajin dhjetor, Komisionit Evropian t’i kërkohet zyrtarisht opinioni lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. /E.A/

Continue Reading

lajme

Vedat Muriqi vendos fitoren ndaj Shakhtarit dhe shpallet lojtari i ndeshjes.

Published

on

By

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, po kalon një formë të jashtëzakonshme në Ligën e Kampionëve, duke realizuar një tjetër gol vendimtar të mërkurën mbrëma në fitoren 1:0 në udhëtim ndaj Shakhtar Donetskut.

Pas golit në fitoren 3:2 ndaj Liverpoolit, Muriqi u shfaq sërish protagonist duke gjetur rrugën e rrjetës në minutën e 56-të dhe duke i siguruar ekipit të tij tri pikë të plota.

Paraqitja e tij mbresëlënëse u vlerësua edhe nga paneli i ekspertëve të UEFA-s, të cilët e zgjodhën Muriqin si lojtarin më të mirë të ndeshjes, duke lartësuar ndikimin e tij në fazën ofensive.

“Golashënuesi që tregoi saktësi në përfundimin e aksioneve. Ai ishte pika referuese në sulm dhe ndryshues i rrjedhës së lojës”, thuhet në vlerësimin e UEFA-s. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Mot i vranët dhe me riga shiu sot në Kosovë

Published

on

By

Moti sot në Kosovë parashihet të jetë kryesisht i vranët dhe i shoqëruar me riga të herëpashershme shiu.

Sipas njoftimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0 dhe 3 gradë Celsius, ndërsa ato maksimalet e ditës pritet të arrijnë nga 5 deri në 8 gradë Celsius.

Era do të fryjë nga jugperëndimi me shpejtësi 1–6 m/s. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara