Lajmet

KQZ përditëson të dhënat: Kush janë 5 më të votuarit e partive kryesore deri tani

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po vazhdon procesimin e votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QKN) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas përditësimit të fundit zyrtar, në orën 08:10, deri më tani janë numëruar 19.46% e votave totale.

Nga këto rezultate të para preliminare, tashmë ka nisur të qartësohet gara e brendshme dhe renditja e kandidatëve më të votuar për deputetë brenda subjekteve kryesore politike.

Në listën e Vetëvendosjes, kryetari i partisë, Albin Kurti, udhëheq bindshëm me numrin më të madh të votave, i ndjekur nga Glauk Konjufca. Pesëshja e parë përbëhet nga: Albin Kurti – 41,629 vota, Glauk Konjufca – 32,690 vota, Albulena Haxhiu – 18,737 vota, Hekuran Murati – 16,254 vota dhe Donika Gërvalla-Schwarz – 15,138 vota.

Në radhët e PDK-së, kryesimin e listës me një distancë të ndjeshme ndaj kandidatëve të tjerë e mban Bedri Hamza. Sipas përditësimit të fundit, ai ka 20,228 vota, i ndjekur nga Përparim Gruda me 12,874 vota, Arian Tahiri me 11,276 vota, Uran Ismaili me 9,923 vota dhe Sala Jashari me 7,166 vota.

Në garën e brendshme të LDK-së, Vjosa Osmani momentalisht prin në listën e më të votuarve, e ndjekur ngushtë nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku. Pesëshja e parë sipas votave të numëruara deri tani është: Vjosa Osmani Sadriu – 13,537 vota, Lumir Abdixhiku – 12,255 vota, Doarsa Kica-Xhelili – 9,788 vota, Hykmete Bajrami – 7,482 vota dhe Avdullah Hoti – 6,790 vota.

Gara brenda listës së AAK-së po shfaqet mjaft interesante, pasi momentalisht Ardian Gjini ka kaluar përpara Ramush Haradinajt në krye të listës. Kandidatët më të votuar të këtij subjekti janë: Ardian Gjini – 7,506 vota, Ramush Haradinaj – 6,910 vota, Daut Haradinaj – 5,304 vota, Besnik Tahiri – 4,507 vota dhe Bekë Berisha – 3,516 vota.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohen tre persona për mashtrim me investime të rreme, sekuestrohen 19 vetura dhe pasuri mbi një milion euro

Published

on

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar një operacion në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, ku janë arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje të parave.

Aksioni është realizuar të mërkurën, më 25 nëntor, në katër lokacione të ndryshme, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale. Në operacion kanë marrë pjesë hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, njësi të tjera policore, Njësia Speciale FIT dhe AKI.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 19 vetura, një motoçikletë, gjashtë telefona, pesë kompjuterë, gjashtë USB, si dhe 4 mijë e 95 euro para të gatshme. Po ashtu, është gjetur edhe 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike dhe dokumente që lidhen me rastin.

Sipas hetimeve, ekziston dyshimi se të arrestuarit, përmes sistemeve kompjuterike dhe komunikimeve elektronike e telefonike, kanë kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, duke i mashtruar dhe nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit.

Të dyshuarit po hetohen për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Mashtrimi” dhe “Shpëlarja e parave”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ministria e Shëndetësisë siguron 13 autoambulanca të reja për 13 komuna të Kosovës

Published

on

Ministria e Shëndetësisë ka siguruar 13 autoambulanca të reja, të cilat do t’u dedikohen Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare në po aq komuna të Kosovës.

Autoambulancat janë ndarë për komunat Dragash, Leposaviq, Hani i Elezit, Novobërdë, Viti, Zubin Potok, Istog, Obiliq, Podujevë, Partesh, Suharekë, Klinë dhe Lipjan.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se autoambulancat kanë mbërritur dhe së shpejti do të shpërndahen nëpër komuna.

Sipas tij, secila prej tyre është e pajisur me pajisjet e nevojshme për mbështetjen bazike të jetës (BLS), duke mundësuar ndërhyrjen në vendngjarje dhe vazhdimin e kujdesit për pacientët gjatë transportit drejt spitalit.

“Forcimi dhe modernizimi i Kujdesit Parësor Shëndetësor në komunat tona është jetik për reagim të shpejtë dhe shërbime cilësore shëndetësore”, ka shkruar Vitia.

Ai ka theksuar se përmes pajisjeve moderne dhe rritjes së kapaciteteve synohet të ofrohen shërbime emergjente më të shpejta, më të sigurta dhe më cilësore për qytetarët./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sot Kuvendi mban dy seanca

Published

on

Sot Kuvendi mban dy seanca 

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë dy seanca, njëra vazhdim me pikat e kaluara të rendit të ditës dhe tjera seancë e re.

Vazhdimi i seancës do të mbahet në ora 10:00, ndërkaq seanca e re në ora 13:00./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sindikata e sektorit privat paralajmëron protestë në dhjetor, kërkon pagë minimale prej 600 eurosh

Published

on

Sindikalistët e sektorit privat në Kosovë kanë paralajmëruar organizimin e një proteste gjatë muajit dhjetor, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Vendimi është marrë në një takim të udhëhequr nga kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ku morën pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të punëtorëve të sektorit privat në Prishtinë.

Sipas njoftimit të sindikatës, protesta do të organizohet për të kërkuar plotësimin e tri kërkesave kryesore: rritjen e pagës minimale në 600 euro nga 1 janari 2027, ndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit privat, si dhe pagesën e stazhit të punës.

Sindikalistët bëjnë të ditur se këto kërkesa i janë dorëzuar Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që nga prilli i vitit 2026.

“Punëtorët e sektorit privat meritojnë trajtim të barabartë, dinjitet dhe respekt për kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në reagimin e sindikatës.

Data e saktë e protestës pritet të bëhet e ditur në ditët në vijim./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara