Lajmet

Italia dërgon në Shqipëri 49 emigrantë

Published

on

Një anije e marinës italiane ka arritur më 28 janar në Shqipëri me 49 emigrantë në bord, të cilët u shpëtuan në ujërat ndërkombëtare.

Në Shqipëri, atyre do t’iu procedohen aplikimet për azil dhe më pas ata do të dërgohen në qendrën në Gjadër.

Kjo është përpjekja e tretë për strehimin e emigrantëve në Shqipëri, pasi paraprakisht gjykatat italiane kishin ndaluar një gjë të tillë.

Ministria e Brendshme italiane nuk ka specifikuar nacionalitetin e emigrantëve që u dërguan në portin e Shëngjinit, por mediat në Itali kanë raportuar se bëhet fjalë për persona nga Bangladeshi, Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Gambia.

Përpjekja për procesimin në Shqipëri vjen pas dy përpjekjesh të dështuara tetorin dhe nëntorin e kaluar, kur gjykatësit italianë refuzuan të miratonin urdhra për ndalimin e dy grupeve të vogla emigrantësh në qendrat e ngritura në Shqipëri sipas një marrëveshjeje mes Italisë dhe Shqipërisë. Gjykatat vendosën se vendet e origjinës së emigrantëve nuk ishin të sigurta për ta, nëse aplikimet për azil do t’iu refuzoheshin dhe emigrantët do të ktheheshin në shtetet e tyre.

Rastet janë dërguar në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, e cila më herët ka vendosur se azilkërkuesit nuk mund t’iu nënshtrohen procedurave të përshpejtuara që mund të çojnë në riatdhesim nëse shtetet e tyre të origjinës nuk vlerësohet se janë plotësisht të sigurta.

Seanca dëgjimore për këtë rast në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë është caktuar për 25 shkurt.

Qeveria e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, është zotuar se do të rihapë dy qendrat për emigrantë në Shqipëri, pasi ato mbeten bosh pas vendimeve të gjykatave italiane.

Qëndrimi i Melonit është mbështetur pjesërisht nga një vendim i Gjykatës së Lartë të Italisë në dhjetor, në të cilin gjykatësit italianë thanë se nuk mund të zëvendësojnë politikat e Qeverisë sa i përket vendimit se cilat shtete janë të sigurta për riatdhesimin e emigrantëve të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil.

Ky vendim lejon që gjykatat e niveleve më të ulëta të bëjnë përcaktime të tilla, në bazë të shqyrtimeve të rasteve individuale, pa vendosur për politikën e përgjithshme.

Emigrantët priten të regjistrohen në qendrën e pritjes në portin e Shëngjinit dhe më pas të dërgohen në qendrën e strehimit në Gjadër .

Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët, e arritur në nëntor të vitit 2023, lejon që deri në 3.000 emigrantë të kapur nga rojet bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare çdo muaj të strehohen në Shqipëri, ku do t’iu nënshtrohen procesit të verifikimit për marrjen e mundshme të azilit në Itali.

Marrëveshja pesëvjeçare është thënë se do t’i kushtojë Italisë 160 milionë euro në vit.

Sipas marrëveshjes, procedurat për emigrantët do të kryhen në dy qendra.

Qendra e parë në Shëngjin do të përdoret për procedura të identifikimit të emigrantëve, ndërsa qendra e dytë, në Gjadër, rreth 20 kilometra larg portit, do të shërbejë për strehim të tyre derisa të procesohen kërkesat për azil.

Qendrat do të funksionojnë sipas ligjit italian, me staf italian të sigurisë, ndërsa gjyqtarët do t’i mbajnë seancat përmes video-lidhjes nga Roma.

Emigrantët që fitojnë azil do të mirëpriten në Itali, ndërkaq atyre që iu refuzohet kërkesa për azil, sipas marrëveshjes, do të riatdhesohen drejtpërdrejt nga Shqipëria.

Aktivistët për të drejtat e njeriut kanë kritikuar marrëveshjen, duke thënë se krijon një precedent të rrezikshëm.

Deri më tani gjatë këtij viti, 3.704 emigrantë kanë arritur në Itali, apo dyfish më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur ishin 1.305 imigrantë.

Vitin e kaluar, 66.317 imigrantë arritën në Itali, apo 58 për qind më pak se viti paraprak. Shumica e emigrantëve ishin nga Bangladeshi, Siria, Tunizia dhe Egjipti, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme italiane./REL/

Lajmet

Miratohet Ligji për Lojërat Mesdhetare mes përplasjeve për transparencën dhe rolin e BE-së

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës, me 64 vota për, ka miratuar Projektligjin për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Megjithatë, miratimi u shoqërua me debate të ashpra mes opozitës dhe udhëheqjes së Kuvendit, kryesisht për shkak të vërejtjeve të Zyrës së Bashkimit Evropian lidhur me menaxhimin e parasë publike.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, kritikoi ashpër nxitimin për kalimin e këtij ligji, duke cituar shqetësimet e ndërkombëtarëve për mungesë transparence.

“Është e padrejtë forma si neglizhoni amendamentet e deputetëve dhe se si nuk i respektoni kërkesat e BE-së që kërkon ruajtje të transparencës, llogaridhënies dhe parasë publike. Është e çuditshme si po mundoheni ta eskivoni këtë”, u shpreh ajo, duke shtuar se PDK nuk është kundër lojërave, por kundër shkeljes së rregullave në emër të afateve politike.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, iu përgjigj këtyre kritikave duke vënë theksin te sovraniteti i institucionit dhe urgjenca e situatës politike, duke pasur parasysh afatin për zgjedhjen e presidentit.

“Ne i respektojmë partnerët tanë, por nuk mund ta marrë më tepër parasysh një letër të Zyrës së BE-së sesa vullnetin e qytetarëve të shprehur në Kuvend. Nëse ky Kuvend nuk e zgjedh deri më 28 prill presidentin, shpërndahet me automatizëm. Paramendoni, Kosova ka marrë përgjegjësi t’i organizojë lojërat dhe ne jemi shumë vonë”, deklaroi Haxhiu.

Ajo madje u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të mos bëhen “zëdhënës të Zyrës së BE-së”, por të përfaqësojnë interesat e qytetarëve që presin suksesin e këtij organizimi sportiv.

Përveç Lojërave Mesdhetare, seanca e sotme përmbylli edhe disa nisma të tjera ligjore

U miratua Projektligji për financimin e menaxhimit të resurseve ujore.

Në lexim të dytë kaluan me nga 69 vota Projektligji për Banim Social dhe të Përballueshëm si dhe Projektligji për Shtetësinë e Kosovës.

 

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci takon përfaqësuesit e OKB-së, në fokus bashkëpunimi për kulturën dhe turizmin

Published

on

Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka pritur në takim Koordinatorin për Zhvillim në Kosovë të Kombeve të Bashkuara, Stephen O’Malley, së bashku me përfaqësues të agjencive të OKB-së në vend. Gjatë këtij takimi, palët diskutuan mundësitë e koordinimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe organizatave në kuadër të Kombeve të Bashkuara, me theks të veçantë në zhvillimin e projekteve në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe turizmit.

Sipas njoftimit, të dyja palët shprehën gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit dhe për koordinimin e iniciativave të përbashkëta në të ardhmen, me synim avancimin e sektorëve përkatës dhe rritjen e ndikimit të projekteve zhvillimore në vend.

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi miraton Ligjin për Sigurimet Shëndetësore

Published

on

By

Me 80 vota për dhe asnjë kundër, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Ndonëse mori mbështetje unanime në votim, opozita drejtoi kritika të ashpra për vonesën e kësaj reforme dhe mungesën e ministrit Arben Vitia në komisionin përkatës.

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, theksoi se ky ligj vjen me vonesë të madhe, ndërsa qytetarët vazhdojnë të varfërohen duke blerë vetë barna e materiale shpenzuese në QKUK, të cilat do duhej të ishin në listën esenciale. Ismaili shtoi se projektligji ka boshllëqe dhe se sjellja e tij pak para zgjedhjeve ngre dyshime për qëllime elektorale, duke paralajmëruar se qytetarët do të përballen edhe për një kohë me mungesë shërbimesh.

Mbështetje, por me rezerva për zbatimin, dha edhe Albana Bytyqi nga AAK-ja, e cila potencoi se pa një implementim të mirëfilltë, ligji nuk do të ketë rezultat. Në të njëjtën seancë, deputetët miratuan edhe Projektligjin për Shërbimet e Pagesave dhe atë për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim.

Continue Reading

Lajmet

Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja

Published

on

By

Familjarët e akademikut Rexhep Qosja kanë njoftuar se ai u nda nga jeta këtë të enjte. Sipas njoftimit, ceremonia e varrimit të të ndjerit tashmë ka përfunduar, në përputhje me vullnetin e tij për një lamtumirë private.

Në njoftim theksohet se, duke respektuar dëshirën e fundit të akademikut, familja nuk do të organizojë ceremoni pritjeje (të pame) dhe nuk do të jetë pjesë e organizimeve institucionale.

“Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja po ashtu nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale”, thuhet në kumtesën e shkurtër të familjarëve.

Continue Reading

Të kërkuara