Lajmet

Ish-krerët e UÇK-së i kërkojnë trupit gjykues që ta ruajnë paanshmërinë

Published

on

Përmes një letre konfidenciale, e cila së fundi është bërë publike, mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, i janë drejtuar trupit gjykues në Hagë, duke i kërkuar që ta ruajnë paanshmërinë dhe të mos ia mbajnë anën Prokurorisë.

Ata madje thonë se të drejtat e të akuzuarve për gjykim të paanshëm dhe një tribunal të pavarur janë shkelur.

“Është themelore që një trup gjykues jo vetëm të ushtrojë funksionet e tij në mënyrë të paanshme, por gjithashtu të sigurojë dukjen e paanshmërisë. Pyetjet e pakufizuara gjyqësore ndaj dëshmitarëve, gjatë këtyre procedurave dhe veçanërisht gjatë bllokut dëshmues më 21 tetor 2024 – 7 nëntor 2024, po rrezikojnë dukjen e paanshmërisë në këto procedura dhe po shkaktojnë një paragjykim të identifikueshëm për mbrojtjen”, thuhet në dokument.

Kjo letër, është dorëzuar më 13 nëntor dhe është bërë publike më 21 nëntor, e që mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kishte kërkuar që trupi gjykues të marrë masa për të siguruar paanshmëri dhe për t’i kufizuar paragjykimet ndaj mbrojtjes gjatë pyetjeve gjyqësore.

“Siç shpjegohet më poshtë, pyetjet gjyqësore po avancojnë rastin e Prokurorisë ose një rast gjyqësor të ngjashëm me të, duke marrë rolin që normalisht do të luhej nga ripyetja e Prokurorisë dhe duke dështuar të sqarojnë ose eksplorojnë ndonjë informacion shfajësues. Mbrojtja për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin (“Mbrojtja”) kërkon nga trupi gjykues të marrë masa për të siguruar dukjen e paanshmërisë dhe për të kufizuar paragjykimin ndaj mbrojtjes gjatë pyetjeve gjyqësore”, thuhet aty.

Madje, katër të akuzuarit përmes mbrojtjes së tyre kanë thënë se koha e përdorur për pytje gjyqësore tejkalon atë të përdorur nga tri prej katër ekipeve të mbrojtjes gjatë një blloku të dëshmitarëve.

“Ndikimi i pyetjeve gjyqësore është i qartë nga raportet periodike të kohës të përgatitura nga Regjistri. Deri më 11 nëntor 2024, pyetjet gjyqësore kanë zgjatur 71 orë, 36 minuta dhe 34 sekonda, çka përbën 13 ditë kohë gjykimi – më shumë se një bllok tërësor dëshmues – pa marrë parasysh kohën e kërkuar për pyetjet shtesë pas pyetjeve gjyqësore. Koha e përdorur për pyetje gjyqësore tejkalon atë të përdorur nga tri nga katër ekipet mbrojtëse. Në çdo aspekt, kjo kohë shumë e madhe po ndikon në zhvillimin e shpejtë të procedurave”, thuhet në letër.

Madje, në këtë letër, mbrojtja e quan më shqetësuese mënyrën e pyetjeve se si bëhen nga trupi gjykues, e që ata thonë se nuk mund të perceptohen si të paanshme.

“Më shqetësuese se koha e shpenzuar është mënyra se si këto pyetje do të perceptoheshin nga një shikues i arsyeshëm. Edhe kjo mund të matet nga raportet periodike të kohës. Deri më 11 nëntor 2024, mbrojtja ka kërkuar 31 orë e 23 minuta për pyetje shtesë pas pyetjeve gjyqësore, ndërsa Prokuroria ka përdorur vetëm 12 minuta. Kjo diferencë e madhe tregon se pyetjet gjyqësore nuk mund të perceptohen nga një vëzhgues i arsyeshëm si të paanshme. Perceptimi i mbrojtjes është se është dashur të reagojnë ndaj pyetjeve gjyqësore, ndërsa Prokuroria nuk ka parë një nevojë të tillë”, thuhet në dokument.

Gjithashtu, mbrojtja thotë se Prokuroria nuk e percepton se pyetjet e gjyqtarëve po e sfidojnë çështjen e saj. Kurse, mbrojtja sipas tyre e sheh që pyetjet e gjyqtarëve po e minojnë parimin e prezumimit të pafajësisë së të akuzuarve.

“Për më tepër, këto statistika tregojnë se Prokuroria nuk e percepton që pyetjet e gjyqtarëve sfidojnë në asnjë mënyrë çështjen e Prokurorisë, ndërsa mbrojtja në mënyrë të theksuar e percepton që pyetjet e gjyqtarëve minojnë parimin e prezumimit të pafajësisë së të akuzuarve”, thuhet në letër.

Sipas katër të akuzuarve të përfaqësuar nga mbrojtja e tyre, kjo është pabarazi dhe është në kundërshtim me të drejtat e të akuzuarve.

“Kjo pabarazi e madhe është në kundërshtim me të drejtën themelore të të akuzuarve për një Tribunal të pavarur dhe të paanshëm, si dhe me detyrimin etik të secilit anëtar të Panelit për të qenë jo vetëm i paanshëm subjektivisht, por edhe për të krijuar një dukje të paanshmërisë, siç përcaktohet në nenin 4 të Kodit të Etikës Gjyqësore të Dhomave të Specializuara”, thuhet në letër.

Veç tjerash, katër të akuzuarit thonë se të drejtat e tyre për një gjykim të drejtë dhe një tribunal të pavarur e të paanshëm janë shkelur.

“Të katër të akuzuarit vërejnë formalisht kundërshtimin e tyre ndaj mënyrës së zhvillimit të pyetjeve gjyqësore dhe pohojnë se të drejtat e tyre për një gjykim të drejtë dhe një tribunal të pavarur dhe të paanshëm janë shkelur”, thuhet në dokument.

Si rrjedhojë, të akuzuarit kanë kërkuar nga Paneli që të marrë masa për të siguruar që secili nga anëtarët e tij të veprojë me paanshmëri.

Ndërsa, si masë për t’u realizuar kjo, sipas katër të akuzuarve që përfaqësohen nga mbrojtja e tyre kanë të bëjnë me bërjen e pyetjeve që e sfidojnë Prokurorinë.

Po ashtu ata kanë kërkuar kufizimin e praktikës së sugjerimit të përgjigjeve të dëshmitareve, si dhe shmangien e pyetjeve që përdoren si mjet për të nxjerrë prova kundër të akuzuarve.

“Kufizimin e praktikës së sugjerimit të përgjigjeve për dëshmitarët, veçanërisht duke shmangur fraza si “Nuk dua t’ju sugjeroj përgjigje”, dhe pastaj duke sugjeruar përgjigje; Shmangien e përdorimit të pyetjeve gjyqësore si mjet për të nxjerrë prova kundër të akuzuarve përtej fushës së ekzaminimit të drejtpërdrejtë të Prokurorisë”, thuhet në letër.

Kujtojmë se mbrojtja vazhdimisht ka pasur ankesa lidhur me pyetjet e trupit gjykues gjatë seancave gjyqësore.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

lajme

UBT organizon Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë

Published

on

By

Më 23 deri më 25 tetor 2026, UBT do të organizojë Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, në kuadër të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare të UBT-së. Ngjarja pritet të mbledhë mbi 155 pjesëmarrës dhe do të prezantojë më shumë se 50 punime shkencore me fokus në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Programi shkencor mbulon tema të avancuara si inteligjenca artificiale, mësimi makinerik, siguria kibernetike, inxhinieria softuerike, IoT, blockchain dhe zbatimi i teknologjive inteligjente në arsim e shëndetësi.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në UBT, Besnik Qehaja, theksoi rolin e veçantë që kanë studentët në këtë ngjarje shkencore.

“Rreth 70% e pjesëmarrësve pritet të jenë studentë të niveleve Bachelor dhe Master, duke dëshmuar rëndësinë që UBT i kushton përfshirjes së studentëve në kërkimin shkencor, zhvillimit të tyre akademik dhe krijimit të mundësive për prezantimin e rezultateve të hulumtimeve të tyre”, ka thënë Qehaja.

Duke folur për synimet kryesore të këtij organizimi, dekani Qehaja nënvizoi se kjo platformë shërben për të lidhur arsimin me inovacionin e ardhshëm:

“Përmes kësaj konference, UBT synon të forcojë lidhjen ndërmjet kërkimit shkencor, arsimit universitar dhe inovacionit teknologjik, duke krijuar një platformë për prezantimin e ideve të reja dhe avancimin e shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë”, shprehet Qehaja.

Konferenca do të shërbejë si një udhëkryq i rëndësishëm bashkëpunimi mes akademikëve, hulumtuesve dhe studentëve vendorë e ndërkombëtarë për shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta shkencore.

 

Continue Reading

Vendi

Presidenti i FIMS-it, Prof. Dr. Fabio Pigozzi, pjesë e Konferencës së Mjekësisë Sportive në UBT

Published

on

By

Nesër, më 21 tetor, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së do të mbahet Konferenca e Dytë Ndërkombëtare e Mjekësisë Sportive (ICSM 2026), e organizuar nga Instituti për Mjekësi Sportive i UBT-së, nën temën “Innovation and Resilience in Sport Medicine”.

Në mesin e pjesëmarrësve të kësaj konference do të jetë edhe Prof. Dr. Fabio Pigozzi, President i Federatës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS) dhe një nga figurat e njohura ndërkombëtarisht në mjekësinë sportive dhe shëndetin olimpik.

Pjesëmarrja e tij i jep konferencës një dimension të veçantë ndërkombëtar, duke krijuar mundësi për shkëmbim të përvojave dhe diskutim të zhvillimeve më të fundit në këtë fushë.

Në kuadër të programit të konferencës, si ligjerues kryesor do të jenë:

Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Themelues dhe President i UBT-së, me fokus në inovacionin në arsim, teknologji dhe zhvillimin e shoqërisë inteligjente.

Prof. Dr. Fabio Pigozzi, Prof. Dr. Norbert Bachl, Zëvendëspresident i FIMS-it dhe specialist i fiziologjisë së ushtrimeve dhe mjekësisë sportive,

Prof. Dr. Ilir Ahmetgjekaj, profesor dhe specialist i radiologjisë;

Christian Stammel, Drejtor Ekzekutiv i Wearable Technologies;

Dr. Arian Bujupi, specialist i ortopedisë dhe traumatologjisë.

Konferenca do të trajtojë tema kyçe që ndërlidhin mjekësinë sportive me shëndetin funksional, radiologjinë, ortopedinë, teknologjitë e veshshme (wearable technologies), inteligjencën artificiale dhe rolin e inovacionit në praktikën klinike dhe sportive. Aktiviteti është i akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP). Regjistrimi bëhet përmes Platformës Digjitale të OMK-së, ndërsa detajet e plota të konferencës gjenden në ueb-faqen zyrtare: icsm.ubt-uni.net/2026/.

 

 

Continue Reading

Rajoni

Nisin përplasjet në protestën në Tiranë

Published

on

By

Përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë nisur në Tiranë, pas përshkallëzimit të situatës gjatë marshimit drejt Ministrisë së Arsimit.

Protesta fillimisht ishte e qetë, me studentët dhe mësimdhënësit që marshuan në mënyrë paqësore nga Kryeministria drejt Ministrisë së Arsimit. Megjithatë, situata u tensionua kur protestuesit hodhën gurë në drejtim të ndërtesës së ministrisë.

Policia reagoi duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, por protestuesit nuk u larguan nga Rruga e Durrësit. Ata vazhduan të qëndronin pranë efektivëve të policisë, duke kërkuar rikthimin para Ministrisë së Arsimit.

Tensionet vijnë pas disa ditësh protestash në Shqipëri, gjatë të cilave janë përdorur gaz lotsjellës, ujë, gurë dhe, në disa raste, edhe plumba gome.

Foto: REL

D.L

Continue Reading

Lajmet

Konferenca e MBE-së në UBT: Fokusi në transformimin digjital

Published

on

By

Këtë fundjavë më 24 tetor, do të mbahet Konferenca e Fakultetit të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë (MBE), në kuadër të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare të UBT-së. Ngjarja pritet të bëjë bashkë hulumtues, akademikë dhe ekspertë nga Kosova dhe bota për të diskutuar prirjet e reja ekonomike, financiare dhe menaxheriale.

Dekani i Fakultetit të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT, Muhamet Gërvalla, njoftoi se përgatitjet janë në fazën përfundimtare dhe se programi sjell një larmi tematike.

“Për ne është e rëndësishme që konferenca të jetë jo vetëm një mundësi për prezantimin e rezultateve shkencore, por edhe një hapësirë për diskutim, shkëmbim përvojash dhe krijim të bashkëpunimeve të reja akademike. Temat kryesore përfshijnë transformimin digjital dhe inteligjencën artificiale, zhvillimin ekonomik, financat, inovacionin dhe ndërmarrësinë”, ka thënë Gervalla.

Hulumtimet e prezantuara nga akademikët vendorë u kushtojnë vëmendje të veçantë sfidave konkrete të tregut vendas, si përdorimi i inteligjencës artificiale në biznese, zhvillimi i NMM-ve, turizmi, politikat tatimore dhe pjesëmarrja e grave në menaxhment.

Lidhur me dobinë e kërkimeve vendore, dekani Gërvalla nënvizoi se këto punime lidhen me sfidat konkrete të Kosovës dhe përpjekja për të ofruar analiza që mund të ndihmojnë në përmirësimin e vendimmarrjes.

Përveç studiuesve kosovarë, konferenca ka tërhequr edhe pjesëmarrës ndërkombëtarë nga vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Maroku, Kameruni, India, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shtete të ndryshme evropiane, të cilët do të trajtojnë tema të tregjeve financiare, rritjes së gjelbër dhe teknologjisë.

Dekani Muhamet Gërvalla e vlerësoi lart këtë ndërthurje përvojash ndërkombëtare:

“Konferenca e MBE-së synon të lidhë hulumtimet që trajtojnë sfidat konkrete të Kosovës me perspektiva dhe përvoja ndërkombëtare, duke kontribuar në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe në forcimin e bashkëpunimit akademik”, shprehet Gervalla.

 

 

 

Continue Reading

Të kërkuara